top of page

KORONAVIRUSI NJË MATEMATIKË E SHPIFUR!!!


Safet Ramolli

Jemi në muajin e katërt të vitit kur media me shumicë na servir shifra për “armikun e panjohur”, “që nuk dihet sa do të zgjasë”, “që mund të sjellë ndryshime në rendin shoqëror botëror” etj. koronavirusin. Gati të gjithë janë bërë specialistë të kësaj epidemie: artikulojnë shifra nga më të ndryshmet, bëjnë komente gjithëfarësh, parashikojnë ecurinë dhe perspektivën; japin receta mjekimi, bëjnë analiza krahasimore me vende dhe rajone në botë; fajësojnë dhe shfajësojnë drejtues shtetesh por edhe shtete të tëra; akuzojnë për fshehje shifrash të viktimave apo manipulime me ‘to; akuzohet O.B.SH për mefshtësi në kapjen dhe trajtimin e situatës; nxjerrin përgjegjësinë e qeverive që u gjendën të papërgatitura për të përballuar situatën; rekomandojnë zgjidhje nga më të ndryshmet; forcat politike opozitare akuzojnë dhe fajësojnë mazhorancën “të kapur në befasi” dhe të paaftë për menaxhimin e gjendjes, njëherësh duke folur “si e ëma e Zeqos në majë të thanës” sikur nuk udhëtojnë në të njëjtën varkë me popullin, artikulojnë se po të ishin në pushtet gjendja do të ishte më e mirë, bile e krahasuar edhe me vendet më të zhvilluara në botë; flasin deri edhe për ndikimin e motit në ecurinë e këtij virusi etj. Në këtë turbulancë të frikshme janë përfshirë edhe politikanë që janë me vitedritë larg nga dijet në këtë fushë, të cilët marrin përsipër të japin edhe receta për luftën kundër kësaj epidemie botërore, urdhërojnë “si shkencëtarë” specialistët e kësaj fushe etj.

Krejt pa përgjegjësi jepet p.sh. shifra se në Lombardi janë shkaktuar 5 herë më shumë viktima se sa gjatë Luftës II Botërore, se në Shqipëri deri më dt. 18 prill duhet të ishin shënuar të paktën 300 viktima kur në fakt rezultojnë vetëm 26 të tillë; se qeveria nuk mori masa parandaluese në kohën e duhur; se nuk ka siguruar pajisje mbrojtëse për personelin e shërbimit shëndetsor por edhe laboratorë të fjalës së fundit (a thua se vite më parë këto pajisje ishin me shumicë), se nuk po mundëson testimin e sa më shumë njerëzve “për të njohur zjarrin që ta shuajë atë”, se kemi më shumë se 3 milard euro humbje vetëm nga largimi i mjekëve jashtë vendit për shkak të politikave jo të mira në fushën e shëndetsisë; në ndonjë rast betohen për përkushtimin e personelit shëndetsor për të përballuar situatën e vështirë por nuk kërkojnë falje publike që jo më shumë se 7 vite më parë por edhe në të shkuarën ministri i tyre i shëndetsisë shkarkoi për shkaqe të pastra politike mjekun e njohur epidemiolog z. Pipero etj. etj.

Është e vërtetë që sot jemi në kushtet e një pandemie botërore të shpallur dhe mjaft të ashpër e intensive, kur më se 2 milion e 300 mijë banorë në të gjithë kontinentet janë prekur nga koronavirusi dhe, kur gati 161 mijë kanë humbur jetën për këtë shkak; kur vende si SH.B.A, Itali, Spanja, Franca dhe Anglia më shumë, por edhe disa të tjera më pak, kanë humbur respektivisht: 39 015; 23 227; 20 639 dhe 15 464 banorë krejt fatalisht dhe pafajësisht. Por çfarë vërehet në këtë situatë?!! Më duket tepër absurde dhe fatalisht e dhembshme që mediat gjithë ditën e perëndisë nga agimi i ditës deri në muzgun e saj, i ofrojnë publikut të çdo moshe dhe statusi civil pamje rrënqethëse dhe drobitëse se si njerëzit bjenë preh e infeksionit, deri edhe makina që transportojnë arkivole apo varre masive; personel shëndetsor të tejlodhur dhe gati “të dorëzuar” përballë kundërshtarit; autoritete shtetare që akuzojnë njëri-tjetrin duke u kujdesur deri në hollësi që të shkarkojnë përgjegjësinë e tyre si rrufeja në tokë; që luajnë rolin e gjithologut pa qenë absolutisht të tillë etj. etj. Gjuha e përdorur apo e artikuluar është jashtë çdo etike dhe ndjesie njerëzore duke përmendur gjithandej dhe gjithë ditën fjalën “të vdekur”, pohime të ndryshme emocionale të atyre që kanë humbur të dashurit e tyre të natyrës “më iku babai si qen”, “humba x të dashur” etj.

Mendoj se ata që kanë humbur jetën para se të jenë “të vdekur” janë viktima, janë jetë të humbura jo natyrshmëm sepse po shkëputën nga jeta në mënyrë të jashtëzakonshme, pa u regjur në shtrat dhe pa praninë e njerëzve të zemrës. Për jetët e humbura edhe kur tentohet të flitet me shifra, nuk jepen shifra ekzakte por flitet me përafërsi p.sh. “gjatë 24 orëve kanë humbur jetën “rreth” x njerëz” etj. sikur të mos jenë jetë njerëzore, sikur mos jenë pjesë e krijesës më të lartë të natyrës. Në kullotat e fshatit tim gjatë verës nguliteshin mjaft vllehë shëtitës për të veruar bagëtinë e tyre. Ata kishin respekt të veçantë për bagëtinë dhe gjendjen e tyre e dinin saktësisht jo vetëm si numër por edhe sipas përkatësisë: dele – deshë, të pjella – shterpa; milorë – milore apo shelegë – shelege, të vjetra – të reja, të kësaj apo asaj race, dinin sasinë e qumështit apo të leshit që do të merrnin prej tyre etj. Edhe kur përdornin nocionin “rreth” psh “kam rreth x dele pëlla”, kjo ndodhte se nuk dëshironin të thoshin numrin e saktë sepse kishin mentalitetin që nuk deklarohet numri i plotë dhe, jo se nuk e dinin gjendjen. Në fshat të gjithë ishin bujq e blegtorë, por të rrallë ishin bletarët, pra ata që mbarështronin bletë. Kishin respekt për bletën si për pjesëtarët e familjes. Kur dëmtohej ndonjë koshere derdhnin lotë duke u shprehur “Më vdiq një kokë (koshere) bletë”, “E humba edhe një kokë blete”, “sivjet pres të më shtohen x kokë bletë”, etj. Pra, nuk flasin me gjuhën apo të folmen e rëndomtë që përdorin disa gazetarë apo media vizive, por shprehen tërë respekt dhe etikë.

Vë ré se ka një etje të shtuar dhe vullnet të papërmbajtur për të artikuluar shifra jetësh njerëzore të ndërprera në këtë apo atë shtet, në këtë po atë kontinent. Ndonjëri duket sikur e ka domosdoshmëri që të artikulojë sa më shumë dhe sa më shpesh jetë të humbura!!! Habitem edhe me dëshirën e disave që marrin përsipër të bëjnë analistin apo staticienin e këtij fenomeni duke artikuluar formula të ndryshme dhe mënyra po kaqë të ndryshme përllogaritjeje, duke na ofruar shifra të dhembshme, bile edhe tmerruese. Nuk jam kundër statistikave, as edhe kundër krahasimeve. Ato janë brenda fushës përkatëse të institucioneve që e kanë profesion dhe detyrim këtë punë studimore, prandaj edhe të dhënave që transmetojnë ato janë të besueshme, të cilave edhe duhet t’u referohen institucionet shëndetsore por edhe qeveritë e çdo vendi dhe institucionet ndërrajonale apo botërore. Nga këto të dhëna mund dhe duhet të nxjerrin konkluzione liderët shtetarë, të cilët duhet të orientojnë mandej edhe politikat shtetërore në dobi të jetëve njerëzore dhe të njerëzimit në përgjithësi.

Njerëzimi si nocion nuk është shifër, nuk është numër. Ky nocion është tepër i gjerë, ai përmban gjithë njerëzit e botës, pra gjithë shoqërinë njerëzore, pra, si i tillë ai e përmban, e përmbledh, e shpreh edhe nocioni “numër” qoftë edhe në shumëfishin e tij. Njerëzimi si nocion vjen nga fjala “njeri” që do të thotë qenia e gjallë me zhvillimin më të lartë në pikëpamje fizike dhe materies gri, pra, sidomos të trurit, prandaj edhe që është e aftë të mendojë, të flasë, të prodhojë e të përdorë vegla pune në interes të përmbushjes së kërkesave të tij jetësore, qofshin ato materiale apo shpirtërore e kulturore. Njerëzimi si nocion do të thotë një tërësi e madhe krijesash të racave dhe kombeve të ndryshme që banojnë dhe kryejnë veprimtari të gjithanëshme në gjithë rruzullin tokësor. Ky nocion i gjerë e përmban nocionin “numër” thjesht si sasi, statistikë gjallese, por jo si pasuri e pallogaritshme botërore që mendon, vepron dhe krijon vlera të paçmueshme ekonomike, shkencore, kulturore etj. Prandaj nocioni “njerëzim” duhet trajtuar me respekt dhe përulje për vlerat që ka dhe mbart në vetvete dhe jo si sasi apo numër gjallese mbi dhé apo në natyrë. Në këtë kuptim dhe për këtë arësye, personalitetet e fushës politike e shtetare, e sidomos ata të medias, qoftë edhe për respekt ndaj vetes, duhet të jenë, shfaqen e tregohen më etikë, më humanë kur bëhet fjalë për krijesën njeri. Unë ndjej dhembje të thellë kur shoh gjithë ditën e perëndisë në titrat e televizioneve numra dhe shifra që përsëriten e përsëriten pafundësisht për jetët njerëzore të ndërprera fatalisht në SH.B.A, Itali, Spanjë, Angli, Gjermani, Belgjikë, Hollandë, Austri, Brazil, Australi, e kudo gjetiu në glob prej koronavirusit. Janë jetë njerëzore të cilat kanë ardhur në jetë natyrshëm dhe duhet të ikin po natyrshëm prej saj, dhe absolutisht jo për shkaqe jo natyrore nga viruset me emra nga më të ndryshmit. Së fundi, respekt e mirënjohje të pafund për personelin shëndetsor dhe sanitar që ndodhet në vijën e parë të frontit për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish nga krateri vdjekjeprurës i vullkanit botëror koronavirus.

Tiranë, 19 Prill 2020 Safet N. Ramolli

47 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page