top of page

Konteksti i arsyes në një prognozë poetike mes memorjes diskursive


Ahmet Mehmeti

Konteksti i arsyes në një prognozë poetike mes memorjes diskursive

Prof Dr fatmir Terziu

Hyrje

Libri më i ri i Ahmet MehmetitKohë e artë” është një diskurs më vete në kufirin e ndjesisë dhe konsideratës sublime për çështjet se si poezia, vëmendja personale, kultura intelektuale dhe përditshmëria bëhen një diskurs i rrëfimit për të mos harruar dhe se si marrin pjesë në ndryshim në debatin e nocionit kohë. Poezitë që aktualisht formojnë kontekstin e nocionit kohë të këtij vëllimi poetik janë më të përqendruara në metodat e thjeshta të vjershërimit, ku theksi i mëshohet elementëve të ndryshimit shoqëror dhe çështjeve të ndryshimit në dinamikën e përfaqësimit, duke përfshirë elementët e memorjes nga koha studentore, angazhimin në kohën e brishtë të tranzicionit, fokusin në dhimbjen e e kthyer në buzëqeshje femërore, si shkak i dhunës mbi masën e popullsisë çame, së cilës i përket autori, të gjitha këto që citoj në këtë analizë të këtij vëllimi poetik.

Këto poezi i rezistojnë "tjetërsimit" dhe në vend të kësaj përqendrohen në mënyrën se si e përditshmja nuk mund të jetë parësore, pa një të tërë komplekse, sikurse është prurja nga memorja në kontekstin e vetë kohës, ku elemntët poetikë bëjnë një arsye më shumë që faktorët e mesazheve të vet-identifikohen në një botë që shpesh i paraqet ato si të pafuqishme dhe pa zgjedhje, por dhe pa fuqi për ti zgjidhur. Ky vëllim poetik, jo vetëm që sjell nocione të reja poetike për mënyrën se si buzëqeshja e gruas së martirizuar çame diskursohet logjikisht, por gjithashtu ofron ide të reja se si anëtarët e komunitetit në fjalë duhet të shohin "tjetrin".

Përveç kësaj, diskurset e dhimbshme të këtij vëllimi ofrojnë mundësi për lexime të reja të letrare që kanë këtë model poetik si një temë kryesore, i pozicionon dhimbjet e tilla si kryesore në ligjërimin për çështjen çame, thekson domosdoshmërinë e poezisë si arsye e rrëfimeve personale të grave për këtë plagë të pashëruar për të edukuar kombet rreth kësaj tragjedie të lënë ende në dhimbjen e saj tashmë të gjatë. Shkrimi detajon çështjet kryesore në poezinë e Mehmetit, veçanërisht dinamikat që ushqejnë mënyrën e qasjes didakte, si dhe momentet që kanë krijuar një moment të "kalimit të kufirit" në kuptimet tona të përditësisë, duke përfshirë "kufirin shqiptaro-shqiptar", kohën e artë dhe kthimin e buzëqeshjes. Në këtë analizë gjithashtu përmblidhen edhe narrativat e tjera që janë fokusi i autorit. Më tej shkrimi përfundon duke ofruar ide të reja për përfaqësim.

Navigimi i çështjeve të përditësisë

Navigimi i çështjeve të përditësisë, makthit dhe ndryshimit në kohë, hapësirë dhe vend nuk është kurrë një detyrë e thjeshtë. Etniciteti, trupi dhe përfaqësimi e ndërlikojnë edhe më shumë politikën e identitetit, duke prodhuar një moment diskursiv "të vrullshëm" ku duhet provuar se kush është, nga vjen, dhe në çfarë pikë referimi diskursive po shkon para se dikush të "flasë" dhe të shprehet për këtë çështje. Të flasësh jashtë rradhe, në një kontekst postmodern, është vjedhja e re e identitetit. Sikurse pohohet në Analizën e Diskursit, ne duhet të fillojmë "me pyetjen se kush jemi kur flasim, ose kur shkruajmë se çfarë po bëjmë ... Nëse nuk kemi ide kush jemi dhe çfarë po bëjmë, atëherë nuk mund të bëjmë që kuptimi i asaj që kemi thënë, shkruar ose bërë është më një kuptim”. Në dritën e këmbënguljes së kësaj ideje që të "flasësh" kërkon një deklaratë të qartë të identitetit, ndaj në këtë analizë thelbi nuk është ajo që shtjellohet si primare, por ajo që vjen diskursive në sfondin e identitetit.

Në këtë kontekst është poezia “Kuajve” ku autori natyrshëm nuk e ka në thelb kuptimin e parësores, por shkon gjetkë e më gjerë në kërkim të forcës, mundësive shpirtërore dhe forcës trupore që të ngjaj me “kuajt e hazdisur”, ku ajo që poetizohet është mjaft sublime: „Kuaj të hazdisur/O ju kuaj, /Kur ju shoh si bridhni në revan,/Thellë në shpirt sa shumë/Heq e vuaj/Që në vrap me ju/Në garë s'jam.“ Sikurse kuptohet diskursi emeton atë që kalon në lidhjen sublime të dëshirës së një force të brendshme, që të ngjaj tek njeriu me një garë, ku nuk është në atë garë, me atë garë kuajsh të hasdisur, me të cilën konfiguracioni letrar kërkon të qaset më afër vetë diskursit.

Në një kontekst të afërt është edhe ajo që sheh dhe kupton autori në kufirin shqiptaro-shqiptar, ku jo thjesht si titull poezie, forca kalon “Në Qafë-Botë: Çamët ndalohen rreptësisht./Këtej shqip,/Matanë vetëm greqisht./Në mes/Kufiri si Krisht/Asnjë s’ guxon/Ta prekë me gisht/E u r o p a: Sehir në bisht.“ Ashtu si miliona shqiptarë të tjerë, kjo qasje dhe sjellje në kufirin shqiptaro-shqiptar ka qenë dëshmitare i imazheve stereotipike të injorimit, megjithëse ajo që është treguar është si një përfaqësim i vogël i jetës në një pikë nevralgjike të dhimbshme me popuj të ndryshëm dhe mënyra të ndryshme të jetesës. Shumë shpesh ideali etnik është formuar nga prezantimet e propagandës ku temat ksenofobe mbizotërojnë në ekran, ndërsa një shqiptar që ka pronat e veta atje tej kufirit në truall të të parëve qaset si armik, ose i ndalohet kalimi kufitar.

Imazhe si këto i shtynë fëmijët dhe të rriturit të panumërt të pyesin kur ndodh që të shkruhet për kufirin shqiptaro-shqiptar: "A kemi bërë ndonjë padrejtësi?" Shumë rrallë gjendet një përgjigje e përbashkët edhe në një kontekst kulturor.

Simbolika e buzëqeshjes në kontekstin diskursiv

Këtë e simbolizon poeti me poezinë e tij „Buzëqeshja“ kushtuar nënës martire, Sanije Bollati nga Paramëthia, që sipas poetit „racistët grekë e dogjën të gjallë para syve të dy fëmijëve të saj por që nuk e mposhtën dot.“ Në këtë poezi simbolika. Ebuzqeshjes është një arsye diskursive ku thelbi është kontekst i arsyes dhe vetë mesazhit të qartë: „Ata të godisnin:/"Trego!" – ulërinin/Dhe si ujq prisnin me kureshtje/Por si një shkëmb qëndroje e patundur,/Për çdo goditje përgjigjeshe me heshtje./Përse tmerrohej? Ç' ndiente në atë heshtje

Xhelati me fytyrë të deformuar?/Përse u zverdh si gjethe vjeshte?/Përse ju drodh kama nëpër duar?/Në heshtjen tënde ndihej oshëtima /E ditëve të mëdha që do të vinë./Lumenjtë e shpresave gjëmojnë si bubullima/Që prapa sjell stuhinë./Një buzqeshje fëmijëve./Xhelatët skërmitën dhëmbët./Oh si i çmënde!/Dhe si një bombë që u pëllcet nën këmbë/I vrave me buzqeshjen tënde.“

Në këtë vëllim në një narje të veçantë buzëqeshja kërkon të kthehet nga thorrja e vetë autorit, të cilën e bën një pasqyrë më vete tek mjaft poezi si „do ta ndjek pas“; „kthema buzqëqeshjen etj. Poezi të tjera të autorit sikurse është poezia „Liqeneve“; në thelb të mesazhit kanë atë ujësi që ndoshta si e tillë mek dhe thek vetëm atë buzqëqeshje që ia falë tokës amë dielli. Këmishë e vjetër në një arsyetim të ngjashëm është edhe ndarje, edhe mall, edhe faktori ngjashëm me ikjen, largimin, bërjen copë-copë në një trup që bredh nëpër botë.

Konkluzion

Është një dhimbje e re që po krijohet, në një lindje të ngadaltë dhe të vështirë nga një dhimbje e vjetër, nga një plagë që mbahet fort në memorje dhe sillet si një lak identitar. Njerëzit në të gjithë këtë zallamahi kufinjsh absurdë dinë vetëm fotografitë e dhimbjes dhe të mjerimit dhe vuajtjeve që distilohen në televizione nga jo-faktorë të zgjidhjes. Ato janë reale dhe serioze, por ka një anë tjetër dhimbje në poezinë e Mehmetit, e cila po lufton çdo ditë dhe po fiton, dhimbja poetike që lufton për të mbledhur sërish një të kaluar të shquar që ishte vjedhur, një realitet çam që nuk e humb besimin. Çamëria jonë nuk është ajo e përfaqësuar nga udhëheqësit tanë; nuk është një gënjeshtar duke lypur përreth ndërsa e bëjnë pjesën tjetër të botës të besojë. Dhe ne duhet të dalim dhe t'i tregojmë atyre. Për poetin, është një detyrë dhe një traditë kulturore.

57 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page