top of page

Kolec Traboini sfidoi faqen e errët...


Fatime Kulli

Kolec Traboini sfidoi faqen e errët, duke na dhuruar, faqen e ARTË të medaljes së shoqërisë sonë: "Dritëza Shqipërie"

Pasi u njoha në forumin e intelektualëve shqiptarë në mërgim, "Fjala e lirë" e zotit Fatmir Terziut, i cili e ngre lart vlerat e kulturës shqiptare në vendin e Mbretërisë së Madhe, aty njihem me gra që vërtet e meritojnë emrin grua, krijesa që lind, rrit dhe edukon brezat pasardhës të njerëzimit. Gra që me dijet dhe kulturën e tyre, japin një kontribut të çmuar në jetën politike, shoqërore dhe sociale. Gra që dinë të shkruajnë bukur fjalën shqipe nëpërmjet poezisë, tregimeve, prozës, pse jo dhe romaneve. Disa prej tyre, janë mikeshat e mia, të cilat i vlerësoj më shumë se veten time, se me të vërtetë janë vlera, si Ilirianën, Mondën, e tjer,. Por shumë prej tyre nuk i kam njohur më parë, dhe fati e deshi të njihem nëpërmjet "Fjalës së Lirë", revistës letrare "Pelegrin" në Athinë, që tashmë është bërë shumë e domosdoshme për të gjithë shkrimtarët shqiptarë, që jetojnë e punojnë në emigrim kudo nëpër botë. Dhe për këtë një vlerësim ka shkrimtari Nase Jani. Gjithashtu, një vlerësim maksimal meriton "Sofra Letrare" në Amerikë me punën e palodhur e plot pasion të intelektualit erudit Kolec Traboini.

Pikërisht, lidhur me punën e Kolecit, para disa ditësh u njoha me esenë e tij "Dritëza Shqipërie", botuar tek "Fjala e Lirë", ku pasqyronte vlerat e dukshme e të padukshme të grave krijuese në emigrim.

Koleci, duke qenë artist shumë dimensional, e ka qëndisur këtë ese (pa egon e një burri maskilist), jo vetëm me kulturë të admirueshme profesionale, por edhe me dashuri njerëzore dhe respekt të madh për gratë krijuese, që edhe pse mbi kurrizin e tyre (të brishtë), përballojnë problemet familjare të ditës, si nëna, si bashkëshorte, si gra, ato japin një kontribut të çmuar (larg Shqipërisë" në fushën e krijimtarisë, për të cilat Traboini i vlerëson "Dritëza Shqipërie".

Kur lexoja dikur Cvajkun, mahnitesha se si ai shkrimtar i pasqyronte aq me objektivitet gjendjen shpirtërore të grave në prozat e tij, dhe padyshim që miliona gra në botë e adhurojnë Cvajkun, dhe e kanë quajtur atë "avokatin" shpirtëror të tyre. E ndërsa tani, unë njihem me mikun tim të letrave, që shkruan aq mrekullisht për gratë krijuese, duke u shndërruar kështu "avokati" i krijuesve gra. Koleci jo vetëm që tregon vlerat e tij njerëzore dhe humane, ndaj qenies krijuese grua, por ai i lartëson ato, duke lënë për nesër, (kur edhe brezat e bashkëmoshatareve të mia të mos ekzistojnë më), një ese brilante të vendosur në panteonin e letërsisë shqipe.

Unë si grua krijuese, mendoj se Kolec Traboini, me këtë ese tregoi vlera qytetarie, (ato që deri tani kanë munguar), dashamirësie duke pasqyruar këto gra krijuese ku brenda tyre lexuesi zbulon thesaret e panjohura të dinjitetit njerëzor dhe krijues.

Për këtë dua ta falënderoj e vlerësoj Kolec Traboinin, pasi shoqëria jonë e molepsur me vese, me intriga, me vuajtje e zhgënjime, ka shumë nevojë për "Dritëza Shqipërie".

Medalja ka dy faqe, dhe Koleci sfidoi faqen e errët të medaljes, duke na dhuruar faqen e bardhë, faqen e ARTË të medaljes së shoqërisë sonë: "Dritëza Shqipërie".

Faleminderit kolegu im Kolec, faleminderit ju miket e mia krijuese, që me punën tuaj na lartësoni emrin grua, faleminderit Fatmir, për kontributin tuaj të çmuar në faqen letrare shumë profesionale, larg atdheut, ku me zërin tuaj ne shumë pranë njëri tjetrit.

Me respekt Fatime Kulli

Arkiva: 24 korrik 2008


20 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page