KOHA GRI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 17, 2023
- 3 min read

KOHA GRI
-Cikël me poezi-
NGA PANAJOT BOLI
KJO LULEDELE, PSHERËTIMË...
Mister kjo luledele
Profetja e dashurisë
Me zemër diell prarim
Të tijat petalet
Psherëtimë në numërim
Më do, s’më do
Si jo ? Si jo?
Më thuaj moj e bardha petale
Me ankthin dridhem..
Bësoj, domosdo
Mister kjo luledele
Çudi.
Me zemër diell
Me petale dritë
Me shpirtin qiell
Mister kjo luledele
Petalet,
Me frikë t’i prek
Me magji i ke lyer
Që zërin po ma mëk?
Mister kjo luledele
Me bardhësinë
Fustan palë-palë
Si puhizë e lehtë
I tund me ngadalë
Mister kjo luledele
Prapë ngeli psherëtimë
Në çdo petal një pikë loti
Në çdo prekje
Një urim
PEIZAZH I SHPËRFYTYRUAR
Hëna doli e shastisur e nusëron mbi qafën e malit
Me sytë e qelqtë e dritë të zbehtë praron trishtim
Një qyqe e ve, e vetmuar i shkon pranë t’i bëj shoqëri
Puthen në heshtje, drita e mardhur me këngën vajtim
Serenata rigon dhembje e zbut zëmrën e gurtë të malit
Pikëllimi i dritës e vaji i qyqes i bëhen lëmsh në fyt
Dridhet agimi i brishtë i mëngjesit me monica thëllimi
E lulet me barin në lëndinë, e kthejnë vesën në lot dritë.
Shpirtnxira natë i prishi qetësinë dhe ëndërrimin hënës
Nxiti erën t’ishkulë flokët pemëve dhe zogjtë t’i tremb
Pa nisi lart edhe ca re budallaqe t’i mbulojnë fytyrën
Të zhgaravisin peizazhin me ligësi, ta përqesh, ta nëm
Dhe hëna e zbehtë u mërzit e iku pa thënë asnjë fjalë
U zu me natën lugate, veshur me mantelin e saj të zi
Ia prishi mbrëmjen, ëndrrën e ëmbël me magji hyjnore
Irritoi peizazhin romantik e pikoi dhembje melankoli.
KY SHI NË PRANVERË
Kaçurrelat e pranverës ca pika shiu i lag
Sytë e saj po trishtohen, lotët gati në prag
Hedh në sup një mantel, mos prish kostumin
Mbulon me gjirin e saj lulet e qetëson lumin
I lutet shiut të ndalet, të bëhet i butë si vesë
Të var në gjoks ngjyrat e ylberit në mëngjes
Edhe qiellin e qorton, i thotë retë tutje t’zboj
Me krem blu fytyrën ta lyej, të ndrijë, të vezulloj
Pastaj të thërras agimin e ëmbël, diellin të zgjoj
T’u jap uratën zogjve, lulet një nga një t’i bekoj
KOHA GRI
Unë nuk do të hesht, prapë diellin do ta pyes
Paçka se ai s’më kthen përgjigje e rri si i mpirë
Fytyra i është zbehur e nga sytë marazi i loton
Pranverës i kërkoi ndjesë:jam pa qejf moj e mirë.
Unë nuk do të hesht, prapë diellin do ta pyes
Paçka se ai s’më kthen përgjigje e rri si i mpirë
Nuk ngroh aq shumë shpirti yt, pa më thuaj pse?
Buzëqeshjen pranverës ia rrudhe me lule të ngrirë
Unë nuk do të hesht, prapë diellin do ta pyes
Paçka se ai s’më kthen përgjigje e rri si i mpirë
Hej dreq, ne e shamë diellin, e ofenduam shumë
Pranverën e sperkatëm me pika urrejtje vranësirë.
EDHE SOT...
Edhe sot lindi dielli, e nxori kokën pas malit me frikë
Me kollë të thatë, me rreze të vyshkura e pak nostalgjik
Lulet e pjeshkës ftojnë fluturat, ato të dehura belbëzojnë
Zukatin bletët si në meshë,një këngë të trishtë mërmëzojnë
Lundron misteri ngadalë në një anije të bardhë në oqean
Qetësi hyjnore ku natyra e çmendur ndërron çdo orë fustan
Zogjtë çmenden në epsh, siç pret e etshme buzët një vajzë
Ne jemi në endërr? Robotë u bëmë? Apo jetojmë në parajsë?
KUNDROJ DRITËN
Kam kundruar diellin kur lindte në mëngjes
Misteri i çuditshëm më dukej drita e tij
Burimin e saj kërkoja
Me trillet si fëmijë
Me doçkat e vogla doja ta prekja në sy
Ajo qeshte me mua
Rigonte magji
Kam kundruar llambën në mes të tavanit
Kolovitesha me gaz si mbi një ujëvarë
Behej befas si Syri i Qikllopit
Më ndiqte si e marrë
Vërtitesha e vërtitesha rreth saj si flutur
Diej, disqe fluturues e alienë
Skicoja në mur
Ende si fëmijë i magjepsur kundroj dritën
Të puth diellin tek lundron në sytë e saj
Të pi kaltërsinë me etje
Të ndizem si maj.
Ngadalë të tretem si pluhur drite e florinjë
Si varëse e shtrenjtë t’i qëndroj
Në gushë e gjinjtë
DITË E VRENJTUR
As lulet nuk buzëqeshën sot
Iu prish humori edhe bilbilit
Në degën e bulëzuar të pjeshkës
E mpirë rri një flutur
...Të trishta edhe gjethet e tërfilit
Kollitet mëngjesi nga azma
Nuk pati kohë të lahet qielli
Peshqirin nga dora ia morën retë
Mos atë e morën peng
Apo vallë i tradhëtoi dielli?
Heshtja është gri
Si mjegull kuturiset
Hyn në oborr të shpirtit
Aty struket...pastaj ngryset
Comments