top of page

KOHA E ARTE E POETIT AHMET MEHMETI


ENVER KUSHI

Libri më i ri i Ahmet Mehmetit “Kohë e artë” vjen para lexuesit në vitin e dy ngjarjeve të mëdha për të: 70-vjetorin e ditëlindjes dhe 50-vjetorin e fillimeve poetike të tij. Vlera e një libri nuk matet as me numrin e krijimeve të përfshira në të apo të faqeve por në radhë të parë me nivelin artistik dhe vlerat estetike. Kësaj buqete të bukur poetike, që tashmë është ne duart e lexuesit, nuk i mungojnë këto vlera. Vërtetë ky është një libër i vogël por me një peshë të veçantë, në kuptimin metaforik. Ai ka peshën e jetës, dhimbjet dhe gëzimet e saj, ditët me diell, shirat e butë qe bien paprerë, trishtimin e rrugëve dimërore me rrapat e mbetur lakuriq, mëngjeset e qeshura të vjeshtës, muzgun që shtrin gishtat e hollë, dehjen me kujtimet rinore dhe deri dashurinë e pafund për mbesën me emrin kuptimplotë Tiami apo nipin Vinsent, që i ndriçon jetën…


Këtu do të prekni dhe ndjeni plagën e plagëve dhe dhimbjen e dhimbjeve, që është ajo çame si dhe ca dhimbje të tjera siç është ajo për Drita Çomon apo mallin për poetin Milianov Kallupi.


Dhe kudo, në çdo varg të poezive të këtij vëllimi, kemi poetin Ahmet Mehmeti ëndërrimtar dhe gjithmonë të ri, me shpirt delikat dhe ndjeshmëri të skajshme. Poezia e tij noton në tallazet e dhimbjes çame dhe detin e qetë e aq të brishtë dhe befasues të lirikës çame. Kush e njeh lirikën e Çamërisë, veçmas atë të dashurisë, mrekullohet me botën e madhe shpirtërore të derdhur në vargje nga një popullsi që ka jetuar dhe krijuar në brigjet mitike të lumenjve Kalama dhe Aheron, ku në të gjitha stinët ka vetëm gjelbërim dhe flitet “gluha e Perëndisë” siç shkruan engjëlli mbrojtës i shqiptarëve, Naim Frashëri.


Mendoj se kjo poezi noton edhe në një det tjetër, të qetë dhe të bukur, siç është lirika e Elbasanit, ndoshta nga më të bukurat dhe më të ndjeshmet të lirikës shqiptare. Ahmet Mehmeti është rritur dhe madhuar në këtë mjedis, ku është ushqyer me shpirtin e lirikës që në Elbasan buron dhe rrjedh natyrshëm si një nga vlerat e patjetërsueshme të këtij qyteti.


Pjesë e këtij vëllimi poetik është dhe një cikël, i shkruar në vitet 1966-1971, që autori e quan “Motive studentore”. Këto poezi, siç më ka thënë poeti, janë refuzuar për t’u botuar në shtypin e kohës… E marr me mend trishtimin dhe dhembjen e gjatë që ka ndjerë poeti i ri nga mosbotimi i tyre. Dhe pas disa dekadave, lexuesi me siguri do të vërë re freskinë dhe botën lirike të këtyre poezive, shkruar në një kohë tjetër, ku mbizotëronte grija dhe vetëm grija e qiejve shqiptarë.


Kush e njeh nga afër Ahmet Mehmetin, nuk ka sesi mos të ketë vënë re temperamentin e veçantë të tij. I gjallë, gjithmonë në lëvizje, me energji të pashtershme, që fshihen brenda karakterit të tij, duket sikur ai vrapon e vrapon pa u lodhur, duke mos gjetur asnjëherë prehje apo “limane“ qetësie ose ndoshta të vetmet limane qetësie janë poezitë e tij, kur ai ulet dhe shkruan vargjet lirike apo hedh në to dhimbjet dhe rënkimet e Çamërisë.


Poeti është në kulmin e moshës dhe pjekurisë artistike, prandaj ka të drejtë kur shkruan:


Kaloj kohën më të artë


Të jetës sime shënd e verë


Ku çdo sekond shijon si mjaltë


Si s’ka shijuar asnjëherë.

43 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page