top of page

KOHËT LASGUSHIANE



 -Sot, në datëlindjen e tij -

 Nga Visar Zhiti

 Grimca vezulluese si pluhur i mbetur yjesh, - kështu më duken ato ç’mund të kujtoj unë për poetin Lasgush Poradeci, e di, janë fare të pakta, varfanjake, por ai vetë llamburit ashtu si poezia e tij…

 E kisha parë vetëm dy herë, dikur, kur isha student, - po i thosha Edës time, -  ndiej dhimbje që s’isha përpjekur ta shihja më shumë, se pastaj e kami takuar statujë, shpesh e më shpesh…

 Desha të shtoj se kur e shohim si statujë, - s’e kam fjalën për vete, por për kohën, - kujtohemi befas që ai paskësh qenë gjallë pothuajse tani afër, bashkëkohës, ndërsa kur ishte gjallë, e dinim të vdekur si rilindasit, Naimi, Asdreni…

 Siç dukej përgatitej shumëkohësia e tij, mbase kështu nis pavdekësia.

 Në shkolla na e përmendnin poetin Lasgush Poradeci për ta kritikuar si poet të mbyllur në Kullën e Fildishtë, etj, etj, që s’kuptonte Realizmin Socialist, madje u përhapën rrëfimet se ai s’kuptonte shumëçka tokësore,

 s’dinte ç’kohe i përkiste, më tepër ishte i qiellit ashtu si dhe poezia e tij qiellore.

 Do të ishte shkrimtari Ismail Kadare që me një shkrim brilant të tij do të kthente vëmendjen e botës letrare shqiptare tek ai, Lasgushi qenkej gjallë…

 Ndoshta në burg, ne, të burgosurit politikë të atëhershëm, - ata që donin poezinë dhe në ferr, - bisedonim më

 hapur për atë, na ngushëllonte fosfori i mistikës së vargjeve të tij, që s’mund të kalbeshin aq kehtë në atë kohë mortore.

 Diçka kam thënë në librat e mi, në burgologjitë:

 1.

 Miku im i atëhershëm, pastaj i burgosur politik, poeti Frederik Rreshpja më tregonte “se Fishta me Lasgushin janë takuar në Kafen e Madhe në Shkodër dhe kanë shkëmbyer libra me autograf njëri me tjetrin. I thotë Fishta Lasgushit:

 - Edhe un’ mund t’baj lirika t’bukra si tuat, por kam frig se des shpejt.

 Gjallë mbeti Lasgushi, por nuk shkruan më…

 2.

 E ftuan një ditë në Fakultetin e Letërsisë, gabuam, thanë. U pataksën ca nga studentët, kujtuan se vinte fantazmë, kur e panë ashtu të vogël e të imët, e kishin ditur të vdekur. E pyetën:

 - Ç’është realizmi socialist?

 - Bërtit: unë, ti, ne, ne! Ja, ky është... - tha Mjeshtri plak. Mbi leshrat e argjendtë dukej sikur i kishin ngecur yje.

     - Po ju keni përkthyer Majakovskin? - e ndëpreu sekretari i rinisë.

     - Për bukën e gojës, - u përgjigj kopshtari magjik i qiejve.

 (Nga libri “Rrugët e Ferrit”)

 3.

 “Një si copëz ylberi prej druri u tund mbi kryet e botës. Ishte bastuni i Lasgush Poradecit. Po zbriste nga shkallët e Lidhjes së Shkrimtarëve, i kishin hipur xhindet, më pa të mbështetur pas murit dhe iu duka i druajtur, a bëri sikur iu duka ashtu, pa kurajë, prandaj dhe më bërtiti:

 - Po ti futu, mos ki zor, e çfarë janë ata?! - dhe tregonte me bastunin nervoz andej nga salla e madhe plot me shkrimtarë. - Maskarenj janë, shko, kë do, kape!

 - Pres një…

Lasgush Poradeci

- A, kujtova se kishe turp prej tyre, turp të kenë ata, - u nervozua sërish, - duke e valëvitur shkopin e tij hakërrues.

 Faber, mërmërita i mrekulluar. Ç’të thosha? Zoti Lasgush m’u duk pak, pale shoku… gjëja më e papërshtatshme, e meritoja kokës bastunin e tij. Unë latinisht s’dija, nga më erdhi kjo fjalë, farkëtar, më kishte mbetur në mendje, Faber… dhe iku, ashtu i paktë, i bardhë, duke u mbështetur në shkopin e tij. Dita fërgëllonte e ftohtë, me një diell anemik. Liriku ynë qiellor, parnasiani i vetëm, që e dinin të vdekur, kishte tundur edhe një herë shkopin e tij fantazmë, si dhunim kundër perëndive të reja. Dhe ndoshta do të ndalte pak më tej. Mos i duhej të ikte andej nga selvitë e Medresesë? Do të nxirrte nga xhepi i thellë i palltos një orë të madhe me zile, nga ato të tryezave a të murit, për ta parë. S’dihej pse e mbante ashtu, për ç’trill. Mbase për sfidë.          

 Ora e poetit duhet të jetë e madhe…”

 (Nga libri “Ferri i çarë”)

 Ishte koha kur shkoja andej nga Lidhja e Shkrimtarëve, para se të më burgosnin, çoja poezi në gazetën “Drita” e revistën “Nëntori”, po pse i botoni atij, - ankoheshin ndoca, - ai nuk e ka “biografinë të mirë”… dhe unë kërkoja të takoja Kryetarin, Dritêro Agollin, miqtë Zija Celan, Bardhyl London, etj.

 4.

 “Im atë guxonte dhe rrinte me të internuarit, ndjehej si ata gjithmonë, me studiuesin dhe shkrimtarin Lazër Radi, me piktorin Lek Pervizi,  me poetin Pano Taçi. Më kërkonte skeçe, - tregon ky i fundit, - për t’i vënë në skenë, pa emrin tim natyrisht, por që të merrja ndonjë honorar. Një herë pritëm Lasgushin qiellor, më donte, dhe në burg më kishte sjellë cigare dhe kafe, - dëshmon Panua, - nejse, pimë nga një gotë dhallë në klub dhe “u grindëm” se kush do të paguante. Më takon mua, kishte thënë Hekurani, jam më vendas… këtu e bëj unë pazarin…”

 (Nga libri “Kryengritje shqiptare në parajsë” - poezi nga Hekuran Zhiti)

  *

 Bukur! - thashë me vete. Im atë e paskësh takuar Lasgushin dhe në Lushnjë, në klubin “Myzeqeja”përballë Komitetit dhe i paska paguar ai tre gotat e dhallit… të varfër… dhe në këtë varfëri “Mahnitëse!” - shtova, përsëri me veten time, që Lasgush Poradeci, faberi, ai i hutuari i xhindisur, që dukej se s’i dinte punët tokësore, si jashtë realitetit, i paskësh çuar kafe dhe cigare poetit Pano Taçi në burg, atëhere, kur ata, të burgosurit politikë braktiseshin nga shokët dhe miqtë, madje dhe denoncoheshin prej tyre, me letra Partisë, Enverit, Degës… kurse Lasgushi i prapë, i kundër me gjithçka në socializëm… Po e adhuroja ende më shumë.

 - Dëgjo ti, Shehu i Vogël, - thoshin se i kishte thënë Lasgushi shkrimtarit të ri Bashkim Shehu, djalë i Kryeministri të ashpër Mehmet Shehu, - thuaji atij tët ati, Shehut të Madh, të më çojë mua ambasador në Greqi dhe të shikosh sa mirë do të venë punët, jo me…

 Ndërsa Bashkim Shehu ishte përgjigjur se, nëse do të kujtohej ndonjëherë babai i tij, do të thoshin se kishte qenë kryeministri në kohën e Lasgushit… - kështu thoshin.

 Kur dola nga burgu, e kopjova me dorë gjithë poezinë e tij, të botuar në Kosovë në përmbledhjen “Vdekja e Nositit”, përgatitur nga studiuesi Sabri Hamiti, e ruaj ende bllokun e bukur, librin ma dha fshehurazi për ca ditë i internuari Bilbil Cami, ia kishin sjellë, s’e di si, njerëzit e tij nga Dibra e Madhe. Vonë më treguan se Lasgushin e gëzoi shumë ky botim, u ndje i çharruar dhe nga kopjet e pakta që pati, u dhuronte me autograf poetëve më të njohur të Realizmit Socialist, atyre që i afroheshin, ndokujt duke i shkruajtur “Nimfës shtat-hedhur të Partisë” dhe ndonjë tjetri “Borisë së Partisë”, kështu thoshin. Sa fin dhe dinak! Nuk mund ta akuzoje dot për lëvdatën… - bisedonim buzagaz.

 Dhe lexoja me ëndje veprën e plotë të Lasgushit, që doli pas rënies së diktaturës, miqësinë emblematike me bashkëqytetarin e tij, Mitrush Kutelin, bashkëpunimi i tyre, ai, ai u përkujdes që në fillimet, në mërgim në Rumani, për poezinë lasgushiane, aq sa duket se e kemi dhuratë prej tij dhe të mendosh që jemi në vendin, ku duan ta rroposin njëri-tjetrin…

 Më pas pashë librat me kujtime për Lasgushin, të Petraq Kolevicës, të Meri Lalaj, etj, studimin e bashkëqytetarit tjetër të tyre, Luan Topciu, gjyshi i të cilit kishte qenë mik me Lasgushin, etj, etj, rilexoja novelën e Kadaresë, portretin marramendës, të përhirësuar që i krijoi, do të shkruaja për romanin filizofik te Robert Martikos, kohën qiellore të poetit, etj, u njoha me vajzën e Lasgushit, Marien, e pyesja gjithë kërshëri duke pirë kafe në ndonjë bar dhe më ngazëllenin ato që dëgjoja. Lasgushi po sfidon harrimet e qëllimshme, - thosha, - fjala e tij e papërsëritëshme perlëzonte, - ishte poeti që Shqipëria i jepte botës, - nënvizoja atë që kishte thënë që herët Eqrem Çabej i madh.

 Kërkoj nga imazhet e Lasgushit, në fytyrën e tij ka kohë poezie dhe Europë, aristokraci, rini syzjarrtë dhe pleqërim sokratik, vetmi murgu të shenjtë.

 Ndërsa në shtatoren e tij në vendlidje, buzë liqenit, ku ai shëtiste me qenin, shkojnë adhurues, poetë të rinj, udhëtarë të rastësishëm, vënë lule.

 Ndalëm një herë dhe ne, unë me shkrimtarin Andreas Dushi, folëm për të. Mbase në bronzin tij, më pak i gjallë, aty është Lasgushi. Më i keqkuptuar se kudo… i ridënuar në heshtje bronzi…

9 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page