top of page

KOHË OKUPACIONI


KOHË OKUPACIONI

Nga Luan Çipi

 Ishte viti 1942 kur ne familjarisht, u shpërngulëm nga Vlora dhe u vendosëm, pranë dajave, në qytetin e Fierit. Fillimisht banuam në lagjen Bishanak, (lagjja Liri, siç u quajt më vonë), afër Shkollës së Mesme “Babë Dudë Karbunara”, në një shtëpi tip Elbasani, siç kishte shumë në Fier, qytet pothuajse i ri dhe i ndërtuar për bukuri, sipas një plani urbanistik të studiuar.

Kjo shtëpia jonë e marr me qira, ishte pronë e kosovarit Nebi Gjata dhe për rreth kishte shumë familje të tjera kosovare, siç ishte plaku madhështor e dinjitoz Jonuz Kosova me plisin e bardhë të pandarë nga koka, me Fetiun dhe djemtë e tij, të gjithë këta të larguar me  dhunë nga reprezaljet serbe dhe të ndihmuar e përkrahur deri materialisht nga mbreti Zog (edhe si shpërblim për ndihmat e dhëna nga kosovarët, në kthimin e tij të vitit 1924).

Aty pranë ne kishim tre dajat e kamur: Ganiun, Qaniun dhe Fejziun me fëmijët e tyre dhe pak më tej, familjen e tragjasiotit Hodo Muço. Të gjithë na pritën të gëzuar, duke treguar mirëkuptim e dashuri. 

Klasën e parë të shkollës fillore e nisa me dy muaj vonesë. Me ndihmën e nënës sime, mjaftë të interesuar e të kujdesshme, i arrita shpejt shokët, duke u vënë në ballë të tyre. Ndër shokët e klasës më kujtohen Behar Kasimati, Indrik Ikonomi, Nazire Dizdari, dhe kushërinjtë e mi Astrit dhe Hazbije Peshkëpia. Astriti, djali i dajë Fejziut ishte, njëkohësisht, shoku im më i afërt dhe më i dashur. Me të nuk ndaheshim, jo vetëm në të njëjtën bankë brenda klasës, por dhe jashtë shkolle duke mësuar apo duke luajtur, në shëtitje në fushat e pafundme, për rreth, apo maj pemëve të shumta të bahçes së madhe, duke shkundur kumbulla, arra, ftonj e dardha, apo duke vjelë lajthi e zarzavate gjithfarëshe. Një kënaqësi të veçantë na jepte loja “kukufshehtazi”, kur futeshim në bimsat e pafundme të shtëpisë së madhe të dajallarëve. Preokupime të tjera ishin loja me dragaçe apo me cingla e deri kaladibrançja. Në shkollë më kujtohet mësuesi mjaftë rigoroz, por i moshuar, Izet Vasjari, me rigën prej druri, që i skuqte duart nxënësve mëkatarë, si dhe mësuese Emireja, edhe kjo mjaftë kërkuese dhe që si “qeshte buza” kurrë. Ishin shumë kërkues dhe të rreptë mësuesit e Fierit dhe siç ishte në modë dhe kriter i përgjithshëm, të dhunshëm: godisnin me rigë e deri me pëllëmbë, të shkulnin veshët dhe të linin pranë dërrasës së zezë të rrije gjatë me një këmbë mbledhur, ose të mbyllnin në klasë disa orë, pas shkolle. Është e kuptueshme këto ishin masa disiplinore “edukative” dhe merreshin ndaj fajtorëve, apo nxënësve të prapambetur, ndërsa mua nuk më kishte ndodhur t’i provoja.

Afër shkollës sonë ishte dislokuar një repart ushtarak italian me topa fushor dhe me kuaj… Ne na grishnin shpesh ata dhe na afronin, na përkëdhelnin e na jepnin makarona e ushqime gjithfarësh si dhe verë me gavetat dhe gotat prej alumini, që pas kësaj i lanin te lekanet prej betoni, të ndërtuara pranë kazermave dhe pastaj i mbanin ato, të varura në brez. Nuk kishin faj, të mjerët bij të popullit të thjeshtë, ishin mobilizuar të detyruar në këtë luftë pushtuese, po si njerëz, prind e vëllezër, kujtonin me mall të vegjlit e familjeve të tyre.

Më vonë italianët u zëvendësuan nga gjermanë, po ata as që na afronin dhe tepricat e bukës dhe ushqimeve i hidhnin, të shpërndara në ujin e pistë të hendeqeve të rrugës. Gjermanët, thuajse gjithë natën e ndriçonin territorin për rreth me projektorë drite të fuqishme. Isha prezent në një pasdite kur, nga pjesa perëndimore e qiellit, erdhën dy avionë anglezë dhe mitraluan kazermat ushtarake. Më bëri përshtypje se, ndërsa ne dhe gjithë kalimtarët u shtrim barkas dhe zumë hendeqet ata, “gjermanët e liq”, nxorën automatikët dhe ashtu, si ishin, më këmbë i qëllonin, deri sa avionët u larguan, për mos t’u kthyer më.

Sa kishim mbërritur në qytetin e Fierit babai im nisi rikonstruksionin dhe ndërtimin e një shtëpie të vetën, në lagjen Liri, afër lumit Gjanica. Shtëpia e re me tulla dhe blloqe çimentoje dhe e mbuluar me tjegulla Marsejeze, u ndërtua shpejt dhe ne u strehuam në fillimin e vitit 1944, pa e përfunduar plotësisht atë. Në punimet e refiniturës, pas kapitullimit të Ushtrisë Italiane, morën pjesë dhe katër ish ushtarë italianë, të cilët u strehuan, u ruajtën dhe punuan bashkë me ne. Ata ishin mjeshtra politeknikë e deri piktorë që sajuan detaje dhe fragmente mozaiku interesante. Po te ne banonte, i ardhur nga Gjirokastra dhe Dritori, djali i xha Hasanit, që vuante dhe rënkonte i sëmurë nga një gangrenë në gjurin e këmbës, e cila, pas disa operimeve dhe heqjen e gjithë këmbës, më vonë, i shkaktoj vdekjen. Periudha që ndenjëm në këtë shtëpi ishte mjaft e trazuar, kohë lufte. Vendin e pushtuesve italianë e zunë gjermanët dhe rezistenca e goditjet ndaj pushtuesve të rinj ishte më e organizuar dhe intensive. Filloi vëllavrasja dhe krismat e armëve, shpesh, gjëmonin deri brenda qytetit, ku vepronte banda e kriminelit Isa Toska, i lidhur me komandën gjermane. Vëllai im Enveri, që vepronte si klandestin, doli në ilegalitet.

Unë, pasditeve, ditëve të diela dhe në pushimet shkollore dilja në tregun fshatar të qytetit dhe shisja baketa cigaresh, sheqerka dhe kikirikë. Babai im, emigrant Amerike, na kish mësuar mos ta harxhonim kohën kot, por ta ndienim nga afër tërheqjen dhe magjinë e parasë. Në një nga këto ditë, në pranverën e vitit 1944, më kujtohet një ngjarje, që, çuditërisht, më la gjurmë dhe e ruaj të freskët: Ishte një ditë pazari, kur tregu fshatar ishte mbushur plotë me njerëz. Isha mbështetur, i ulur në një stol druri, me tezgën e mallrave para syve, kur dëgjoj tellallin të thoshte “Ej, milet dëgjoni me kujdes!  Te ballkoni i katit të dytë do dali të flasë një ish partizan i Brigadës së parë. E quajnë Vllas Arapi, nga Vlora.

E pash Vllas Arapin, të mbështetur te parmakët e ballkonit, në atë prag maji dhe e dëgjova të flas. Ishte një djalë i ri, me flokë gështenje të shtrira, shtat mesatar, veshur me rroba angleze: xhakavento e kilota. Ai me një zë të lart e tingëllues dha shpjegime për situatën politike të vendit tonë, duke qortuar komunizmin shqiptar, ndërhyrjen dhe nënshtrimin te komunistet jugosllavë, tradhtinë dhe shitjen e shqiptarëve te Rusia. Ai dënoi vëllavrasjen, amoralitetin, si dhe pa dallim deri ngjarjet e shkurtit në Tiranë. Të nesërmen u dëgjuan krisma armësh dhe bombash në rrugët e qytetit të Fierit. Thanë se Pehlivani, siç i thërrisnin Vllas Arapit, ishte ndeshur me trimëri dhe u kishte bërë ballë kriminelëve të bandës famëkeqe të Isa Toskës, në përgjigje të tentativës së tyre për ta ofenduar dhe poshtëruar dhe pas kësaj, pa tjetër rrugë shpëtimi, ishte larguar i futur në një autoblindë gjermane.  Duket e çuditshme po është tamam kështu kjo ngjarje. Ndofta Gjermanët, që e kishin njohur kriminelin e pa princip Isa Toska, për demagogji, i ofruan ndihmë një qytetari në nevojë dhe të rrezikuar nga ai, për të krijuar përshtypjen e shpallur botërisht se mbronin një “kauzë të drejtë”  dhe ishin kalimtarë në vendin tonë.

Për t’u larguar përfundimisht nga Vllas Arapi, kujtimi i të cilit më ka interesuar, më së shumti, nga qe ai ishte vlonjat, djali i patriotit të shquar Tol Arapit dhe vëllai i poetit të madh shqiptar Fatos Arapi, do të përshkruaj këtu, duke kapërcyer rrjedhshmërinë e ngjarjeve, ashtu siç ma ka paraqitur, 5 vjet pas vdekjes enigmatike të tij, një shoku im, bashkë ushtar, Fadil Toci. “Unë, më ka shpjeguar kapter Fadili, e di shumë mirë se si është vrarë vlonjaku Vllas Arapi. Jam nga një fshat i Kavajës, afër Habilajve dhe e kam dëgjuar ngjarjen prej tyre. Rreth nesh, në krahinë, deri katër - pesë vjet përpara, ka vepruar ajo që u quajt “Banda e Ram Habilit”, me aktivitet antikomunist në gjithë Shqipërinë e  Mesme nga rrethet e Tiranës e deri në Kavajë, Peqin dhe Elbasan, duke u lidhur dhe me grupe të tjera antikomuniste si atë të Alush Leshanjakut, në Elbasan, etj. Pikërisht në këtë grup atentator e luftarak të armatosur, deri në dhëmbë dhe të vendosur deri në vdekje, ishte përfshirë toska trim Vllas Arapi. Rama me djemtë e shumtë të tij dhe, sidomos, kur u bashkua me “Pehlivanin”, trim dhe gueriles me përvojë disa vjeçare, bënte ligjin në gjithë atë zonë, ku kishte shumë simpatizantë, përkrahës, miq dhe të afërt, me veprimtari aktive antikomuniste, në pritje të shpejtë të aleateve anglo-amerikanë. Ata strehoheshin dhe lëviznin në një shtrirje të gjerë dhe ishin të pa kapshëm nga forcat e sigurimit (të Komandës së Mbrojtjes së vendit). Në këto kushte u përdor dinakëria: Një agjent i forcave të mbrojtjes u fsheh në Çetën e Ram Habilit dhe fshehtazi i vrau një nga djemtë e Ramës, duke hapur fjalë se atë e vrau “kauri” (Vllasi). Kështu u mboll përçarja.” Ndofta ky është versioni më i pranueshëm, për vrasjen e Vllasit.

Këtu po e mbyll pjesën e parë të kujtimeve të mija të fëmijërisë, me bindjen që kam paraqitur aspekte jete krejt të vërteta, mbështetur në memorial të mbajtur mbi 50 vjet më parë.

Nga Libri: “RRËFENJA DHE TREGIME”

46 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page