KOHË LUFTE
- Noke Abilekaj
- Feb 25, 2022
- 1 min read

KOHË LUFTE ...................................................................... Luftën e shpalli pëllumbi i bardhë
Si përherë, pëllumbi i bardhë e shpalli luftën, tek, i hutuar nga vegimi i lirisë, shkeli në fushëpamjen e maces.
Paskëtaj, u kthjellua tabloja e paqes, pushtues puplaborë nuk kishte më, kthetrat e përgjakura të mackës u strukën brenda putrave të buta. Me dy eshtra shpendi dhe një shpirt maceje midis dhëmbëve, teposhtë çapitej qeni i pafajshëm, viktimë e rrethanave, vetëm dhëmbët përdori.
U stolis me pupla lodërtare ajri i qashtër. brohoritjet shpërthyen nga gjokset e fëmijëve duke fluturuar pas balonave festive që braktisën trupin e luftënxitësit pendëbardhë.
E meritoi pëllumbi, shpallës i luftës ishte derisa zbriti në fushëpamjen e maces.
Xingografia:
Kjo poezi tejet e menduar mbart një kuptim të fshehur sa moral, po aq edhe politik. Stigmatizimi me qen e mace, gjithsesi është një tjetër gjetje./ Xing.
Një alegori e denjë për kohën që jetojmë - përjetojmë dhe përvajtojmë, por dhe për një poet përherë e më qëmtues në artin e tij prej mblatësi elitar siç është Abilekaj! Përshëndetje!
Faleminderit Fjala e Lirë që na e sollët për lexim. Respekt e shëndet për të gjithë të nderuarit!
Nje poezi pak e veshtire, por e shkruar bukur artistikisht. Emocionale, simbolike, e dhimbshme. Kesaj bote, s'i mjaftoi lufta e tmerrshme boterore me KOVIDIN e padukshem?
I duhej dhe pellumbi i bardhe, macja dhe qeni?
"Me dy eshtra shpendi dhe nje shpirt maceje midis dhembeve, teposhte capitej qeni i
pafajshem"...etj. Urime,suksese, me respekt dhe dashuri, Myslim Maska, Athine.