KLITHMA ÇAMËRIE
Po, ç’amësi, kanë këto troje?
Më pyet qyqja, që bën roje
I them, pas eshtrave kërkoje
Ndalo një foshnjë, edhe dëgjoje.
Pyet një nënë, që pret të birin
Një njomëzak, që kërkon gjirin
Një vatër, që ka mbledhur hirin
Një pishë që qan, pyet ullirin…!
Andartë xhahilë, themel-vithisur
Nënat me ç'djaj u kanë bitisur?
Me ç’kryq katran u kanë vaftisur?
Ç’temjan në gji u ka shastisur?
Ju keni bukën tonë ndër dhëmbë
Stërnipër, pleksur gjak e rrënjë
Ju shkelni dheun tonë nën këmbë
Ç’mallkim e pruri këtë gjëmë?
U lodh poeti, ku s'ka shkuar!
Mes lotëve vargjet i ka shkruar
Po, ç’kupë altari mban në duar...
Me ç'dhimbje-dhimbjen ka kënduar!
Bogaz e Koskë e brigje kumi
Rënkime shpirtrash, që mbyt lumi
Një kalë, që pret e s’e zë plumbi
Një kallogre, që s’e merr gjumi.
E ndjej, po vjen një valle çame
Po dridhet dheu asaj ane
E di, më kot nuk derdhet loti
Ndaj vete haka tek i zoti!
Sarandë, Nëntor 2017
Comments