top of page

KJO VJESHTA GJYSËM BEHARI



Nga Timo Mërkuri

Është fjala për vajtimin e Bajame Hysit më 02 Tetor 1943 mbi trupin e të birit Sulo Hysi (15 vjeç) vrarë në Malin e Golemit, Vlorë, në një përleshje me gjermanët që vinin të zinin vendin e italianëve në Shqipëri. Sulo Hysi ishte efektiv i Çetës “Koto Hoxhi” me komisar Themo Vasin e cila organizoi pritën dhe i mbajti forcat gjermane në luftë disa orë. Në këtë përpjekje u vra Komisari Themo Vasi nga Nivan i Zagorisë , Sulo Hysi e Rakip Bedo nga Golëmi si dhe tre djem nga Kuçi i Labërisë. I-Lajmi i vrasjes së të birit i vajti mëmë Bajame Hysit në Golem dhe brenda ditës ajo shkon te Qafa e Shën Thanasit dhe mbi trupin e të birit nisi ligjërimin mortor, tekstin e të cilit e morrëm nga një postim i dt 2.10.2022 në fb i z Abaz Goxhaj po e japim më poshte: Kjo vjeshta, gysëm behari më erdh' haberi nga mali, fliste një në Qafë Varri: -Hajde moj se t’u vra djali! Fluturova si i marri Kur të gjeta djalë mali gjaku të rridhte nga balli, me shikim nga Komisari..! dorën kishe te gjerdani, buzagas, lule behari, sikur qe shtrirë sorkadhi. të mbështolla te gufari se më kishte pikur malli mu dogj zëmra, mu tha xhani O djal i mëmës me derte, palose sytë e fjete, Çetës i le amanete, për liri dhe ti nuk trete...

II-Qysh te vargu i parë : “ Kjo vjeshta gjysëm behari” befasohesh me fjalët e tekstit. Do ishte normale që nëna të niste vajtimin mbi trupin e të birit me ulërima, çjerrje të faqeve e shkulje të flokëve apo edhe me përplasje të kokës gur më gur nga gjëma që e gjeti. Mendojeni vetë, djalin pesëmbëdhjetë vjeç në lule të moshës e gjen të shtrirë me një plumb në ballë e shokët rreth e rreth rinë kokëulur sikur janë fajtorë për diçka. E ardhur me vrap nga Golëmi, duke vrapuar si era, e këputur nga lodhja dhe e prerë nga lajmi, duke ju lutur zotit në heshtje që “të jetë gabim”, të mos ishte për djalin e saj ose së paku ai vetëm sa të ishte plagosur, (dinte mëmëa si tja shëronte plagët të birit duke ja mbuluar si me gjethe mullage me shpirtin e saj), pra në këtë situatë çdo nisje ligjërimi do ishte e justifikuar. More edhe sikur të sokëllinte kundër zotit e ti tundtte grushtin me kërcënim, hakë do kishte. Kundër çdo hamendësimi mëmë Bajame Hysi, pasi e puthi djalin e saj në ballë, aty te plaga, madje dhe duke shpresuar heshtazi se i biri do përmëndej nga puthja e mëmës ose së paku do t’i dhimbte plaga e do lëvizte vendit, kur pa që edhe kjo shpresë ishte shuar bashkë me dritën e syve u lëkund dy tri herë si një lavjerës jete mbi trupin e të birit dhe ja nisi vajit: “ Kjo vjeshta gjysëm behari”. Sigurisht që ky varg shoqërohej me refrenin e zakonshëm : “Unë derrëzeza”, por kjo nuk përbën befasi. Befasia që ndron pikërisht te vargu i parë që tregon vjeshtën si gjysëm behar. Sot me mendje të ftohtë ne gjykojmë se tetori i atij viti qënkish i ngrohtë “ sa gjysma e ngrohtësisë së beharit”, jo si një vjeshtë, por pyetja që na lind është se ku pati sy mëmë Bajamia të shikonte “beharin në vjeshtë” kur shpirtin e kishte kallkan e të ftohtë si dimër nga dhimbja e të birit. Kam thënë dhe kam shkruar se nënat tona janë vajtore të lindura, si të tilla janë dhe poete. Një vajtim i mirë kërkon dhe një tekst të mirë, në kuptimin e një teksti të arirë poetikisht. Kemi shpjeguar se vajtimet e arira, qoftë në kuptimin e një teksti të arirë, qoftë në kuptimin e vijës vajtimore (nuk mund ta quajmë melodike) shumë lehtë shndrohet në këngë isopolifonike për një kohë të shkurtër dhe niveli i lartë i tekstit ndihmon në mbajtjen mend të ligjërimit e shndrimit të tij në këmngë. Në këtë kuptim nënat tona, të cilat jeta i ka bërë të vajtojnë me ligjërime gati mot për mot janë bërë mjeshtre të thurrjes së vargjeve të ligjërimit. Shpesh ato mbështeten në tekste ligjërimesh të mëparëshme, por duke i përshtatur me rastin konkret. Kështu shpjegohet që vajtoret u drejtohen maleve (Qaj o Çikë me Gjinikë, Mali i Çikës kullon serrë etj), vendeve (O Stamboll të rëntë zjarri), objekteve (O vapor o dhogë e thatë) ose personave konkretë (Ç’dreq e pru këtu Sulltanë). Ka dhe një arsye më të fortë që nxit nënat të zgjedhin fjalët e të thurin vargjet më të bukura për fëmijët e tyre të vrarë. Është ndjenja e mëmësisë ajo që përzgjedh fjalët e vargjeve për bijtë e tyre, në mënyrën që të duket se duan ta bëjnë sa më të zezë zinë, më të dhimbëshme dhimbjen, më të humnerëshme humbjen. Qysh kur e ka patur në djep djalin (apo vajzën) ninullat e saj i mbushte plot me yjësi fjalësh, frazash e metaforash dhe ja mbulonte gjumin fëmijës plot me yjësi ëndërash.Dhe së treti, dhimbja e humbjes së djalit është si vendosja e një motor të punojë me xhirro të përshpejtuara dhe në “laboratorin” shpirtëror të nënës vargjet vijnë vetiu. Nënave u mjafton vetëm një shikim i ambientit përeth trupit të shtrirë të djalit të tyre të vrarë që ato ta gdhendin mjeshtërisht në vargjet e ligjërimit. Dhimbja i “krijon” vijën vajtimore dhe shpirti i shqipton vargjet me një ngarkesë të tillë emocionale sa që, si një tërmet dhjetë ballë godit zemrat e burrave dhe shpesh ata nuk durojnë dot vajtimin e largohen ca metra larg duke fshirë sytë e psherëtirë heshtazi “ulërimën që përjetojnë”. Nuk janë të rralla rastet që nëpër morte edhe burrat më të fortë luten me lotë në sy: Aman moj, lere këtë vaj se na vdiqe dhe ne të gjallëve. Nuk janë deklarata, janë përjetime morti.

III- Le ta shohim pak më hollësisht tekstin e këtij vajtimi. Pas vargut të parë kemi vargun që thotë: ” më erdh' haberi nga mali”, duke e lënë në errësirën e anonimatit lajmësin. Ajo e di kush është, por ska asnjë rëndësi për tekstin e ligjërimit. Teksti i ligjërimit është përmendorja që nëna i ngre të birit dhe asnjë tjetër ska vend në ‘të. “Hajde moj se t’u vra djali” i vjen si krismë pushke lajmi i zi dhe ashtu të zi e të befta ajo e vëndos në bazamentin e vajtimit. “Kur të gjeta djalë mali/gjaku të rridhte nga balli” na jep momentin e tmershëm të pamjes që ju paraqit nënës para syve, por dhe në këtë cast ajo nuk harron që i biri ishte “djalë mali” dhe jo vetëm biri i saj i zemrës, “shpirt e xhan”. Skicimi i portretit është i plotë dhe me ngjyra të theksuara: “me shikim nga Komisari”, jo pse do ti japë ngjyrime politike (me siguri nëna sdi gjë fare çjanë komunistët e komisarët), por do kishte dëgjuar për komisarin si për një shok më të madh të të birit që kujdesej për “të aty lart në mal . Shtoi kësaj faktin se të dy ishin vrarë në një betejë, të dy djem të rinjtë, njeri 15 dhe tjetri 28 vjeç dhe sigurisht që një varg do ja kushtonte edhe shokut të djalit, komisarit të tij. Pas kësaj “peneli” ligjërues vijon portretin e të birit: “dorën kishe te gjerdani/, buzagas, lule behari,/sikur qe shtrirë sorkadhi” duke na sjellur një valë loti nën qepalla për këtë sorkadh të shtrirë dhe këtë lule behari të cilës qeshja i ishte hapur në buzë si petale. Në qoftë se ne i mbajmë lotët nën qepalla, në atë vvjeshtë të largët “si gjysëm behari” nëna nuk duroi dot me dhe: “të mbështolla te gufari/se më kishte pikur malli/mu dogj zëmra, mu tha xhani”. Në rast se ju lexues i duruat goditjet e vargjeve të mësipërme, shtrëmngoni dhëmbët fortë se ka edhe një valë tjetër më të butë në dukje, por më të fortë në goditje:” O djal i mëmës me derte/palose sytë e fjete”. Djali “fjeti” dhe nëna heshti që mos tja prishë gjumin birit të saj 15 vjeçar që i doli zot vatanit. Le të heshtin dhe disa “komente” për këtë djalë e për këta djem.

Sarandë, më 03.10.2022

33 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page