top of page

Kjo plagë sociale...


Lufta ndaj krimin në familje një “betejë” sociale e pafituar…

FRAN GJOKA

Familja shqiptare po kalon një nga situatat më të vështira në historinë e ekzistencës së saj. Janë shumë faktorë ekonomikë e historikë, kulturorë e psikologjikë që po determinojnë këtë situatë të lëkundur të shëndetit social të familjes. Kësaj vatre të ngrohtë e cila ka pësuar shumë ndryshime e transformime gjatë gjithë periudhës së tranzicionit dhe të kalimit nga modeli strukturor tradicional në atë modern. Në këtë kontekst Brenda saj po shfaqen shumë fenomene negative që po tërheqin vëmendjen e opinionit të gjerë shoqëror. Padyshim në ditët tona sot është bërë tejet e ndërlikuar sidomos çështja e mënyrës së funksionimit të marrëdhënieve në familje. Një nga plagët sociale që po shfaqëe në ditët e sotme dhe që evidentohet edhe statistikisht, por dhe nga pikëpamja empirike është zgjerimi i dhunës dhe krimit brenda familjes.

Kjo plagë sociale po merr përmasa të mëdha dhe është duke u agravuar dita ditës në krahina të ndryshme të vendit. Është fakt i pamohueshëm, se thuajse çdo ditë media pasqyron në rubrikat e informacionit raste të krimit në familje dhe në gjini. Grindje, dhunë, abuzim seksual, vrasje, vetëvrasje, mbushin faqet e shtypit dhe programet e lajmeve. Ky fakt është një nga dukuritë shqetësuese që shfaqet në ditët e sotme, me një shpërndarje gjeografike pothuajse gjithëshqiptare. Ndërkaq ka treva dhe zona të veçanta, ku çdo tre ditë shënohet një i vdekur nga shkaqe të ndryshme, sidomos nga hedhjet nga ndërtesat dhe nga vetëhelmimet, që tashmë janë bërë të zakonshme, apo duke përdorur mjete dhe rrugë të tjera disi barbare për t’i dhënë fund jetës. Ndërsa dhuna, kryesisht ndaj femrave dhe fëmijëve, është aq e shpeshtë, sa të krijohet përshtypja se jetojmë në një shoqëri tërësisht të karakterit primitiv.

Krimi në familje është zgjeruar në formë dhe përmbajtje, duke u bërë një dukuri sociale shumë shqetësuese. Akoma dhe më të shëmtuara janë rastet kur krimi në familje merr karakter gjinor, kur babai vret djalin dhe anasjelltas, vëllai motrën, burri gruan. Ngjarje të tilla ndodhin shpesh herë nga gjaknxehtësia, apo nga përplasja e kornizave kulturore e morale midis brezave. Ato po bëhen aq të shpeshta në realitetin shqiptar, saqë shoqëria, politika, opinioni, shteti dhe institucionet e tjera sikur kanë krijuar imunitet dhe janë ambientuar me to. Ambientimi me këtë nivel absurd të krimit në familje duhet të përbëjë shqetësim për shtetin, shoqërinë, politikën, median, shkollën, institucionet fetare, komunitetin etj. Nuk qarkullon kot mendimi të qytetarët, sipas të cilëve në Shqipëri tashmë asgjë nuk na bën përshtypje. Shkurt: kronikat e zeza na kanë lodhur, na kanë stresuar dhe po denigrojnë personalitetin e shoqërisë sonë. E turpshme për ne që vazhdojmë të jetojmë me shpresën se pas reflektimit diçka do të korrigjohet, se politikëbërësit do t’i vënë gishtin kokës për ta shëruar disi këtë plagë të shëmtuar të shoqërisë dhe me kosto të lartë për jetën. Pas rasteve të përditshme, që transmetohen me aq zell në median elektronike dhe të shkruar, vijnë edhe “shkaqet”, edhe “motivet”, shpesh edhe banale: “Ishte në gjendje të rëndë depresive, i sëmurë psikik, i dehur…”. Janë të rralla rastet, kur bëhen përpjekje për të dalë përtej këtyre “argumenteve” absurde, që nuk bindin askënd.



Të merresh me pozimin e problemit, me informimin e publikut, është njëra anë, por është një prej detyrave funksionale të medias elektronike, vizive dhe të shkruar, por kjo nuk është e gjitha. Shoqëria në tërësi dhe qytetarët në veçanti duan të dalin përtej konstatimeve absurde, duan analiza të thella dhe konkluzione konkrete, duan të njihen me shkaqet e këtij fenomeni makabër, duan të dine pse - të, jo thjesht për kuriozitet, por për të marrë masa parandaluese ndaj këtyre fenomeneve absurde. Është momenti kur duhen përcaktuar diagnoza të përgjithshme të situatës dhe shkaqeve të krimit në shoqëri dhe veçanërisht të shkaqeve të dhunës në familje. Njëherësh duhen përcaktuar edhe rrugët se çfarë duhet bërë, për të parandaluar këto situate të pakëndëshme. Së paku duhet të zgjerojmë angazhimin social, sepse ne kemi mundësi për të ndikuar në zbutjen e tij. Në pamundësi për t’a parandaluar dukurinë, ajo që kërkohet minimalisht është ngritja e këtyre problemeve në rang shtetëror dhe strukturat e tij, apo mbi institucionet e edukimit dhe të arsimimit, si kusht për përmirësimin e situatës së parandalimit të krimit në familje e shoqëri.

Në këtë kuptim, shkaqet e krimit që jep media janë thjesht një përpjekje për të gjetur arsye të paarsyeshme, pse jo të stimulojë edhe një treg komercial të shtypit tonë. Kjo ndodh sepse çrregullimet e personalitetit, gjendjet depresive tek njerëzit dhe sjelljet devijantë në tërësi nuk krijohen menjëherë, sepse “budallenjtë”, me përjashtime të rralla, nuk lindin të tillë, por formohen gjatë periudhave të jetës, se pijanecët kronikë e kanë një hall që shkrehen shumë pas alkoolit, se adoleshentja ose studentja që hidhet nga lartësitë, e ka një shqetësim të akumuluar prej kohësh, se skenarin e vetëhelmimit, vetëvarjes dhe vetëvrasjes, siç ndodh në tërësi për çdo rast të tillë, duke përfshirë edhe vrasjet brenda familjes, aktorët dhe autorët e përgatisin me kohë dhe presin një ditë të përshtatshme për realizimin e tij. Ndërsa institucionet, shteti, shkolla, komuniteti dhe familja e struktura të tjera jo qeveritare pas aktit makabër shprehin habinë dhe pse jo sajojnë dyshime nga më të ndryshmet, madje krijojnë alibi nga më të çuditshmet për ngjarjet. Përtej këtyre “motiveve” vrastare, tejet tronditëse dhe shkatërruese për familjen e sotme shqiptare vijojnë shkaqe, motive dhe qindra arsye të tjera me natyrë sociale, psikologjike, ekonomike dhe kulturore, që duan analiza dhe përfundime të sakta, që studiuesit e të gjitha fushave, gazetarët e opinionistët, analistët dhe krijuesit duhet të merren me to dhe t’i japin rekomandime kompetente shoqërisë dhe shtetit e pse jo të bëjnë edhe oponencë të fortë, me dëshirën e mirë që ky fenomen rrëqethës të zbutet dhe shkallë - shkallë edhe të kapërcehet. Pa pretenduar se problemit do t’i shkohet deri në fund, po cek vetëm disa prej shkaqeve që e ngacmojnë mendimin qytetar dhe atë intelektual, i cili është i ndjeshëm ndaj fenomenit dhe që mund të ndikojë mjaftueshmërisht në përmirësimin e situatës.

Shkolla nuk e përgatit brezin e ri për të përballuar vështirësitë e jetës që prodhon shoqëria demokratike e pakonsoliduar ende tek ne. Rinia në tërësi dhe adoleshentët në veçanti nuk po aftësohen për të kapërcyer situatat konfliktuale të brendshme nga dëshira e tyre për një jetë ndryshe dhe pamundësia, për arsye sociale, race, financiare, psikologjike e tradite të familjes, për të arritur një synim të tillë. Kur intensiteti i llojeve të këtyre konflikteve është i lartë, shkaktohet tek nxënësit dhe studentët lodhje e madhe mendorë e shpirtërore. Kjo, e shoqëruar edhe me mungesën e përvojës për t’i përballuar situatat e vështira, krijon tek individi ngarkesë emocionale negative dhe një mundësi më shumë për të kryer krimin. Problemet e shumta dhe të larmishme social - psikologjike që mbartin sot adoleshentët, mund të zbuten nga shërbimi psikologjik dhe social që është futur si fillim në disa shkolla të mëdha të vendit, natyrisht nëse psikologët përzgjidhen sipas kritereve profesionale dhe po që se ata merren vetëm me punën e tyre funksionale, ç’ka si rregull, është vështirë të ndodhë tek ne, sepse problemet e shërbimit social nuk i kemi pasur në traditën tonë të edukimit. Arsimimi i brezit të ri dhe trajnimi i specializuar i kategorisë së fëmijëve dhe adoleshentëve me probleme për mënyrën e të menduarit, të sjellurit dhe të vepruarit, përbën një shans më shumë për parandalimin e krimit familjar dhe atij shoqërorë.

Presionet, kërcënimet, dhuna në të gjithë format e saj, moslejimi i adoleshentëve për t,a bërë e jetuar jetën sipas perceptimit të tyre, por brenda normave të moralit shoqëror, paçka se ajo mund të jetë edhe iluzive, janë pararendëse të krimit familjar. Dhuna familjare dhe abuzimi me minorenët është një ndër problemet më shqetësuese me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare. Shumë gra që kanë probleme me bashkëshortët e tyre, gjejnë si alternativë shpëtimi dhënien fund të jetës me anën e vetëhelmimit, nënshtrimin pa kushte ndaj dhunës ose largimin nga shtëpia, gjë qe gjithnjë ka sjellë probleme sociale dhe krime të pashmangshme. Sipas tyre, pasi kalojnë ditët e para të martesës, plas sherri, fillon dhimbja e kokës, nxjerr krye xhelozia e shoqëruar me dhunë, fyerjet dhe poshtërimet shtohen dhe vjen një ditë që vetë femrat kërkojnë divorcet që të ndahen nga burrat. Një zgjidhje kjo e pranueshme dhe që shpreh në një farë mënyre emancipimin dhe rënien ndesh të një tradite ataviste, sipas së cilës të drejtën për divorc e kishin vetëm burrat.

Dhuna ndaj femrës në tërësi dhe gruas në veçanti shfaqet në të gjitha format e saja fizike, emocionale e psikologjike, seksuale dhe institucionale. Ushtruesit e dhunës janë burrat, por në shumë raste dhe të dashurit e tyre, tek të cilët ato duhet të kishin mbështetje dhe siguri, janë të afërmit e tyre dhe njerëzit e tjerë perversë. E keqja më e madhe është se në listën e dhunuesve të kësaj kategorie të shoqërisë, në mënyrë spontane futet dhe shteti, i cili duhej të ishte në pararojë të mbrojtjes së aspiratave dhe të drejtave të tyre. Shteti dhe shoqëria jonë e paemancipuar jo vetëm nuk duan t’ia dinë për kushtet e jetesës së femrës dhe as të punësimit të saj, por duke qenë edhe maskilistë ne mendime, nuk i hapin rrugë femrës për t’u angazhuar në jetën sociale, politico - shoqërore e shtetërore. Së paku, flas me përgjegjësi për problemet që ndodhin në rrethin e Lezhës, ku fare pak femrave u është dhënë mundësia të konkurrojnë për drejtuese të pushtetit vendor, apo të një force të caktuar politike. Asnjë njësh apo dysh në institucionet drejtuese lokale nuk është femër. Siç duket, përveç psikologjisë ataviste të mbartur nga e kaluara, këtu ndikojnë edhe klima sociale aspak dashamirëse ndaj gjinisë femërore, si dhe frika se gratë në tërësi janë më pak të korruptuara se meshkujt dhe për rrjedhojë,nuk pranojnë lehtë ortakëri në dëm të shoqërisë dhe të komunitetit.

Papunësia të çon në varfëri dhe kjo e fundit i jep krahë zhurmës, grindjeve, dhunës, krimit në familje, por edhe vetëflijimit të kryefamiljarit, kur ai ka humbur shpresat dhe nuk ka mundësi t’i ushqejë, t’i veshë e t’i shkollojë fëmijët. Jeta boshe, pa të ardhme, me trysni të gjithanshme dhe tejet e polarizuar, e shoqëruar edhe me padrejtësi sociale nga më të ndryshmet, me varfëri morale dhe material, me rritje galopante çmimesh dhe ku ligjin e bëjnë “të fortët”, ata që kanë para, pseudointelektualët adhamudhë e partiakë, klanorë dhe kulisarë, e depersonalizon individin, e shkurajon atë dhe demoralizon veprimtarinë e tij. Lodhja morale dhe ngarkesa psikologjike është aq e madhe, sa në një moment të caktuar adoleshentja, burri ose gruaja mund të kryejë edhe krimin, pasi nuk mund të gjejë asnjë rrugëdalje për të ecur përpara. Në këto raste vrasja dhe vetëvrasja nuk ndodhin rastësisht, në mënyrë spontane dhe nuk janë të momentit. Përkundrazi ato kanë një skenar të parapërgatitur mirë nga autori. Në mendjen e atij / asaj që do të kryejë krimin, zhvillohet një luftë e fortë motivesh psikologjike e të kundërtave. Gjatë periudhës së përpunimit të mendimit kriminal, ai / ajo rrinë shpesh të mërzitur, të stresuar dhe të vetmuar, larg mjedisit shoqëror dhe familjar. Jeta e vetmuar, pa aktivitet dhe pa objektiva e varfëron botën emocionale dhe shpirtërore të individit dhe e hedh atë në burgun e vetmisë. Të afërmit, shokët dhe shoqet, shkolla e institucionet e tjera që merren me edukimin si dhe OJF - të duhet t’i ndihmojnë ata për t’u integruar në shoqëri dhe për të përballuar sfidat e jetës, baticat dhe zbaticat e përditshme të saj. Në këtë kuptim i zhgënjyeri, i lodhuri ekonomikisht e shpirtërisht duhet të shikojë vetëm përpara dhe asnjëherë mbrapa, vetëm dritën dhe asnjëherë errësirën dhe të ecë kurdoherë me mendimin se gjërat nesër do të shkojnë më mirë.

Mohimi i të drejtës së pronës, i mbështetur në ligjin komunist nr.7501, mbart me vete vështirësi e gjendje të rënda tepër stresuese tek anëtarët e familjes, pasi dihet se familja shqiptare ka qenë e lidhur historikisht me pronën, prandaj janë thuajse të zakonshme konfliktet dhe dhuna në familje e shoqëri për këtë arësye. Zënkat për tokën në fshat apo për pronën në qytet kanë çuar shpesh në vetëgjyqësi brenda familjes apo fisit, e këto dukuri negative të shoqërisë sonë nuk vlerësohen në fillimet e veta nga autoritetet vendore dhe as nga njerëzit e afërt. Rrjedhimisht shkohet drejt krimit. Janë raste që ndodhin rëndom sot në shoqërinë tonë.

Mundësitë për zbutjen e krimit sot në familje ekzistojnë. Për këtë duhet vullnet i mire, zbatim korrekt i legjislacionit në fuqi, pa bërë dallime, harmonizim i veprimeve të komunitetit, të shkollës, OJF - ve, e sidomos strukturave të shtetit dhe të gjithë aktorëve të tjerë të interesuar për këtë problem madhor për të ardhmen e vendit. Më shumë ndikim në uljen e krimit familjar do të kishte zbutja e varfërisë përmes politikave të punësimit, njëfarë drejtësie sociale dhe investime më të shumta për argëtimin e të rinjve. Rol të rëndësishëm mund e duhet të luajë edhe feja me institucionet e saj. Kështu shoqëria jonë do të rritej më e shëndetshme, më e fortë, më e edukuar. Ky është refleksi i lirisë, kjo është pasqyra e progresit të vërtet moral e qytetar, drejt të cilit jemi nisur e për të cilin kemi sakrifikuar shumë. Kryesore është që kudo në familje, shkollë, ambiente publike dhe shoqëri është e domosdoshme që të gjithë të përballemi fort dhe qytetarisht me me luftën ndaj krimit. Kjo është rruga për t’a përballuar këtë të keqe sociale kaq të madhe dhe intensive në familjen shqiptare dhe shoqërinë tonë.

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page