top of page

Kjo asht jeta


Luli i vocërr jetoi pak e Fatiu u bë plak. Kjo asht jeta


Prof.dr.Fejzulla GJABRI




Luli kaloi fëmijëninë ashtu siç e përshkruan Migjeni. Me opinga e galloshe, që hapnin gojën, sikur donin të hanin mësuesin, po jo vetëm. Donin të hanin edhe “burrat nën hije që loznin e kuvendonin”, ndërsa gratë me shatë, e kazëm e lopatë punonin në ara e hapnin ‘tokë të re’. Mbi krye u rrinte brigadieri, ndihmësi, normisti e kallam kosuri, që vetëm një Andon Zako, mund ta përshkruante. Ishin burrat, që kishin ‘harrue pushkën’ e gratë freskoheshin nër krue hera-herës, linin veglat e puës e merrnin pushkët për mbojtjen e vendit.

Luli rrinte vështronte. Aty afër ishte dhe Fatiu, që s’i linte gja mangut varfënisë së Lulit. Shihnin të dy padrejtësitë e jetës, edhe pse kishin pak diferencë moshe. Panë të dy se si gruaja shtatzanë, pasi kishte prashitë shporen e arës me misër, kishte lanë shatin në qoshe e mundohej të kapte ndonjë kokërr qershi, aty afër arës. Mundohej po s’e linte barku. Ashtu me zor, kapi një degë nga fundi i pemës, sa të njomte buzët që i kishin zanë kore.

Eh, Migjen, sa mirë e ke përshkrue këtë grue të vuajtme!

Fatiu nuk di ta përshkruaj ashtu si Ai, po i vërejti me kujdes lëvizjet e kësaj gruaje të përvuajtun e më pas u ngrit e shkoi te qershia. Vuni një gur te trungu i saj dhe u ngjit në qershi. Zgjodhi disa kokrra të kuqe e ia lëshoi poshtë grues, që priste në fund të pemës. Ajo hapi përparsen dhe qershtë ranë në përparsen e grues shtatzanë. Hodhi dy-tre grushta me qershi e gruaja u afrue pranë shatit, duke urue Fatiun për nderin që i bani.

U rritën të dy me vuajtje, Luli e Fatiu. Të dy u arsimuen, edhe pse në kohë të ndyshme; njani para e tjetri më pas, sipas moshës. Luli e Fatiu u takuen në Shkodër. Duke qëndrue në një stom pranë Kafes së Madhe, dëgjuen thirrjet: “A do qymyr, zotni!” Karroca me qymyr, iku rrugës nga Truma duke kërkue myshterij për të shitë qymyr. Kaluen të dy bulevardit, për të soditë vitrinat e dyqaneve. Të dy i kishin kalue të tridhjetat. Një moshatar i tyre, tridhjetëvjeçar, sodiste në vitrinë ca tasa me embëlsinë. Zgjati dorën të merrte një, po s’e la xhami i trashë i vitrinës. Ishte ‘tridhjetëvjeçar, i papunë. .. ” Luli e Fatiu e ndoqën me sy veprimin e tridhjetëvjeçarit. Luli ia bani me dorë të afrohej e ai erdhi me shpejtësi. Luli nxori pesë lekë e ia dha, që të merrte diçka për të ngranë. Tridhjetëvjeçari nuk u vonue, futi lekët në xhep e shkoi me vrap te dyqani.

Ishte hera e fundit e takimit të Lulit me Fatiun. Luli ndoqi rrugën e pushtetit, ndërsa Fatiu rrugën e arsimit, për të cilën kishte kryer shkollën.

Luli i ngjiti shkallët e pushtetit, thuajse deri në majë, ishte ndër lektorët ma të mirë të kohës, po duket se politika me drujëza ia hangri kryet.

Fatiu në kohën ma të mirë të moshës, ngeli mësues fshati deri drejtues i shkollës së mesme në katundin e vet. Fatiu e Luli në moshën e rinisë ngjasonin shumë me njani tjerin. Kur u burrënuen, kujtonin vitet e shkume e mendonin: Sa shumë ngjason e kaluemja me të sotmen!

Fatiu erdhi në Tiranë e aty dëgjoi të njëjtat thirrje në rrugë: A ke ndonjë punë, Zotni! E kishte të vështirë të kalonte nga “Ushtari i Panjohun”, se grumbulloheshin pran tij me dhjetra vetë, njëzet e ca vjeçarë, që kujtonin se Fatiu ishte ndonjë sipërmarrës ndërtimesh. Fatiu kokëulun largohej prej tyne, duke kujtue skicat e kohës së Migjenit, që aq bukur i ka skalitë.

“A ke ndonjë unë për ne, zotni!” - ishte thirrja e zakonshme, tani në fillim të sheullit XX e që ngjasonte pikëpërpikë me ato të kohës së Migjenit, të viteve ’30 të një shekulli më parë.

Ishin të njejtat thirrje, me pak ndryshime, pa ndryshue thelbin. Fatiu vërejti se sa shumë u shtuen lypësat. Në çdo rrugë dilnin e qëllimisht uleshin në mes të rrugës, me dorën para, duke përshpëritun: na fal ndonjë lek, zotni! E ndonjë ‘zotni’, ia kthente: “Edhe unë do dal nesër në rrugë si ti”, e vazhonte ecjen.

Luli nuk jeton, ndërsa Fatiu po plaket. Po, kështu asht jeta. Fatiu rri e kujton kohën e shkueme në një karrike plastike para derës së shtëpisë.

32 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page