top of page

KISHTE NDODHUR PUTHJA



Kisha puthur Elisën! Duhet të pohoj: krejt pa dashje, nëse edhe puthja qenkej një gabim apo faj.

E kisha puthur, pa pasur ndërmend diçka të tillë. Elisa u ndodh fare pranë meje, tek dera e klasës, kur bëhesha gati për të hyrë brenda. Sigurisht që as ajo s’e kishte pritur diçka të tillë. I sigurt se në klasë nuk kishte asnjë tjetër e se, për më tepër, në korridorin që përvidhej i heshtur mbas meje, s’dukej këmbë njeriu, por edhe nga që trupi i saj, pjesa e ngritur, mu ndodh aq pranë, u trimërova nga një guxim që kurrë s’e kisha shkuar ndërmend: E putha Elisën!

Kjo qenkej puthja?!, thash, pasi kishim mbetur përballë njeri tjetrit.

Të pagojë e të skuqur, si dy copë të sa-nxjerra prej shkëmbinjve magmatikë në çastin e parë të behjes së llavës. Edhe në fytyrën e saj lodronte kënaqësia e trishtuar e rënies në një kurth të ëmbël, pasiguria e befasia i lexohej në lëvizjet e duarve, në vështrimin e syve, nën retinën e të cilëve luanin shpatash qerpikët. Nuk po them dot se diçka e tillë s’po ndodhte edhe me mua. S’më kishte rastisur herë tjetër, por po ngushëllohesha tek vështroja turbullimin e saj.

Kjo qenkej puthja! Mjaft të afroheshe me dikë, të afroje pranë faqes a buzëve të saj buzët e tua dhe...

Në çastin tjetër, ndjeva se po çlirohesha nga ankthi i asaj që deri atë kohë më ishte e panjohur. Elisa vazhdonte të ishte si e ngrirë. Aty tek dera. Në pozicionin e puthjes; as tutje as tu! As hynte për në klasë as dilte prej saj! O Zot, thosha me vete, i trembur mos vuante nga ndonjë lloj sëmundje. Ecë e shpjegohu njerëzve, përse pat ndodhur aty. Në vend të shërbeja me ndihmën e parë, ndjeva se u afrova përsëri dhe ajo nuk po largohej qasjes sime. Nuk e shmangu fytyrën, ofroi edhe ajo buzët dhe... s’mund të thuhej më se po e puthja unë.

Edhe ajo po më puthte; po putheshim, pra! Puthja kjo duhej të ishte, e vërteta, e plota: të puthje dhe të putheshe!

Të dy të fajshëm po aq sa të pafajshëm. Të nxehtë llavë e njëherësh si të ngrirë, të dy. Shndërruar befas në dy qenie të mermerta e të gjalla, një mermer i purpurt që digjej së brendshmi e së jashtmi, pa flakë; dy urë zjarri që përvëlonin njëra tjetrën pa shfaqur as shkëndijën më të vogël, pa as fjollën më të brishtë të flakës e pa regëtimën më të imtë të prushit; dy trupa që, pa e marrë vesh se si e përse, ishin mpirë nga afërsia dhe s'guxonin as të largoheshin. Se si ishte arritur deri aty s’mund ta kuptonim. Shikimet tona, sy drerësh tek ndiqen nga gjahtarët e qentë e tyre, nxituar për tu larguar e fshehur diku, por ngatërruar brirët diku në degët e pemëve të larta a në shkurret e dendura, pa mundur të hedhin çap më tej: ngujuar pa pritur, presin çdo ndodh. Duke u qarë për brirët e tyre- gjer atë çast pjesë dekori zbukurues!

Nga korridori po afrohej zhurma. Moshatarët tanë, shokët e klasës. Pa frymë edhe ata, si gjahtarë drerësh, fare pa shkuar ndërmend se ç’kishte ndodhur me mua e Elisën. Pa kuptuar pse ne te dy mbanim ende të zënë derën e klasës. Si të mos i besonim edhe ne vet, asaj që kishte ndodhur apo, ç’t’i bënim, kishte përfunduar me aq. Aq shkurt dhe po aq befas, sa edhe kishte nisur. E tërhoqa lehtë Elisën, mu bind e qetë, dhe shkuam deri në bangën tonë. Askush s’u mor me ne, s’na i hodhën sytë, as e vunë re përskuqjen e fytyrave tona.

Ulur pran saj, falënderova Elisën: më kishte dhuruar diçka për herë të parë në jetën time. Vetëm njeri prej shokëve, Kristo, kishte puthur një gocë në lagjen e tij! Të tjerëve nuk u kishte ndodhur kjo…! & E mbajta mend puthjen e parë me Elisën. Mbase nga që ishte puthja e fundit me të. Vetëm në fund të orës së mësimit mësuesi na pyeti: “Ju të dy…s’e keni pasur mendjen në shpjegim!” Duke na vëzhguar me ngulm, por butësisht, shtoi: “Mos u ka ndodhur gjë?”.

“Po, ka ndodhur puthja!”, duhej të rrëfeja unë, nëse isha nxënës i sinqertë, por vetëtimthi u kujtova se ne nje rast tjeter këto fjalë ishin rrëfyeer në sallën e pedagogëve, në drejtori, në mbledhjen e jashtëzakonshme zhvilluar për atë rast. “E morët vesh, ka ndodhur puthja!”, do thuhej gjithandej. Fjalët do dilnin prej shkollës nëpër rrugët e qytezës dhe mund të hynin edhe në shtëpitë tona. Nuk doja të ndodhte kjo për Elisën… “Asgjë, mësues…”, tha Elisa dhe me kaq u mbyllë gjithçka.

Ditë të tëra s’guxuam ta shihnim njeri tjetrin në sy. Ditët u bënë javë dhe ne sikur e harruam atë që kishte ndodhur tek dera e klasës. Në fund të vitit shkollor thamë mirë u pafshim në shtator teksa në fillim të vitit tjetër me Elisën flisja sikur me gjithë të tjerët. Puthja kishte mbetur s’dihet se ku. A thua t’i kishte ndodhur kush e di kujt tjetër, apo në ndonjë film të parë së bashku “Kinema Hyseni”! &

Vite më vonë, u gjenda dëshmitar në një puthje tjetër. Në pragun e një zyre shteti. Ishte tjetër gjë kjo, jo…

Një burrë e një grua, të një moshe që s’mund të mos dinte ç’ishte puthja, që i dinte lezetet e mishit të epur e të prushëruar të buzëve, lojën e gishtave në flokët e në pjesët e kolme të trupit, dy njerëz të asaj moshe që e bëjnë ca më ftohtë e të qëllimtë afrinë e trupave dy trupa që, edhe pse e kanë dhuruar diku tjetër vlagën e tyre, mbase shpresonin se në jetën e njeriut kishte shkak për të marrë tjetërkund ca rreze të ngrohta, qofte edhe fshehurazi. Për shkak të viteve që ikin shpejtë, kujtohen që dikur do tu shteren, do mbeten shkretë pa to, justifikojnë çapkënllëqe të tilla, edhe pse e dinë mirë se tashmë nuk konsiderohen dot më të tilla, adoleshentësh... Histori të tilla s’po ishin më të rralla. Ishte shtuar numri i divorceve dhe aborteve dhe e gjitha kjo përflitej si shenjë lirie, individi. Quhej dashuri, liri, apogjeu i saj. Gati-gati shiheshin me keqardhje ato çifte, bashkëshortë që i mjaftonin njeri tjetrit dhe fëmijëve të tyre.

Ishte pikërisht kjo që, kur rastësisht ne koridorin mes zyrave vura re afrimin e tyre, pa fjalë u zhvendosa në kah te kundërt, ula sytë të bëja të verbrin, të mos lija dyshimin më të vogël se pashe.

Nuk gjeta dot energji të veproja ashtu. Sikur isha i verbër, sikur nuk ndjeja, sikur nuk mendoja… Dhe, se-për-se mu desh të pëshpëritja me zë, me zë të ulët: “Elisë, Elisa ime…!” Në çastin tjetër mallkova veten që kujtova atë çast të virgjër si pafajësi e të dyve: “Më fal, Elisë”, thashë, nxitueshëm, pëshpëritës. “Të më falësh edhe ti…”, iu luta vetes, për pafajësinë e puthjes dikur.

Tashmë besoja se njeriu e ka vlerë dashurinë, me tërë pafundësinë e pasurive të saj; e ka stoli pa çmim këtë lloj virtyti, thesar e ka dëlirësinë njerëzore, edhe kur ndodh në formën e një mëkati të pa pranuar si të tillë, kur ja që I ndodh dhe vjen prej ndonjë boshllëku prej padashurisë në fat, apo zgjedhur si kurth prej llogarive a rrethanave… Ai tjetri vazhdonte ta puthte. Femrën, atë gruan, që s’ishte gruaja e tij. Po, kundershtova veten, mund të mos jet gruaja dhe ta ket një idil me të, por kjo do ndjehej edhe më larg se prej distancës ku i pashë unë… Ai kërkonte ta puthte prapë, në cepat e buzëve, në mos edhe brenda harkut të tyre. Përfytyrova gjuhën t’i zgjatej si një gjymtyrë tjetër që kush e di çfarë kërkonte përbrenda buzëve, të ruajtur thellë trupit të saj. Mbase ia lëndonte pjesët e ngritura, gjoksin, si me përdhunë ia prekte me gishtat e mollëzat e duarve mishin e faqeve të rëna sa pak prej moshës, ia tërhiqte flokët e saj dikur të bukur që zor se mund të quheshin bionde edhe më tej, rrekej t’ia ngrinte kryet për ta puthur diku në gushë. Pse vallë më dukej sikur kërkonte doemos të arrinte në po ato vende ku ajo kishte ëndje ta puthte i shoqi i saj. Do të ishte e pa-pranueshme, së paku për mua, që ai të shkonte ndërmend të vendoste buzët aty ku fëmijët e puthnin, mamin e tyre… Puthja gjithnje është diçka e butë, po thosha, gjithnjë diçka njerëzore, edhe kur shoqërohet me premtime false, për lumturi, pasuri, shtova duke dashur t’i justifikoja. Mbase ai, ose ajo, ose të dy njëherësh, plotësonin boshllëqe të jetës së tyre. Ose vinin nga boshe të mëdha, jetëve të rrepta, mungesash të mëdha…

Por, unë e njihja atë, ndaj ndjeja ngarkesë, jo thjesht se puthte gruan e tjetrit. Ai vazhdonte t'i fliste tek veshi. Kërkonte ta puthte. Ai atë. Jo ajo. Ajo nuk e puthte. Po bindesha që ajo po puthej nga njeriu me zyrë. Jo, nuk ishte puthje si ajo e imja me Elisën…

Si gjithë femrat që u kërkohet dicka pa deshire të tyre, ajo grua, kishte dalë te pragu i zyrës së përbashkët për t’i ikur kurthit të fshehtësisë. Ai herë dukej e herë shfaqej pranë saj. S’di pse mu bë se i lutej që ajo t’ia besonte premtimet. S’besoja se ishte ndonjë kompliment për flokët, shijen, për shtatin e linjat e saj. Teksa ishin shtuar përfoljet për njerëz me zyra që premtonin siguri dhe privilegje, mu bë se gjuha e tij fishkëllente si e gjarprit. Prej majës së gjuhës do villej një cërkë helm dhe ajo femër, ajo grua, do rrëzohej mu aty, në derën e zyrës së shtetit… “Punë e tyre…”, u përpoqa të shfajësoja dyshimet. “Punë e tij dhe e saj. Mbase ndonjë mëkat tjetër, i tjetërkujt, mbase i të shoqit të kësaj gruaje me tjetërkënd, me femër tjetër, në mos pikërisht me bashkëshorten e njeriut në këtë zyrë shteti, ua bënte të justifikueshëm në sytë e njeri tjetrit, këtë puthje që mua më bënte të vuaja për dikur-puthjen me Elisën time.

Po thosha ‘me Elisën time’?! Vetëm se isha i bindur për pafajësinë e saj po e quaja timen?! Po sillesha edhe unë si njeriu i zyrës?! A isha i sigurt se nuk po e lëndoja rastësinë e pranimit të prekjes prej saj?

“Të lutem, mjaft, të lutem!” dëgjova zërin e saj. Të gruas. Te pragu i zyrës. S’mund të vija pafund tutje-t’u në korridor, pas kesaj, pa arritur kurre te zyra ime, për shkak të tyre. Vazhdova, për nga ata, për t’i kapërcyer ata. Nëse ndokujt prej tyre i duhej një moment bosh, të cilin mund ta përdorte për tu kthjelluar apo si kthjellim apo qoftë edhe pretekst për t’i ikur tjetrit, le të ndodhte kështu. Njeriu tek e fundit ky është. Ky jam, do duhej të shprehesh gjithkush. I tëri prej pjesësh. Pafundësi elementësh, që ne i identifikojmë shkurt e shkurt në “trup, tru dhe zemër”. Kam frikë se është ndarje shumë e trashë, globale, për të justifikuar pamundësinë për ta kuptuar e ndihur njeriun. Janë nëntë qind e nëntë dhjetë e nëntë pjesë të tjera, në funksionet e tyre, të ndryshme nga njëra tjetra, këto elementë të pa-identifikuar, kunder njeri tjetrit, që marrin pjesë në lojën e njeriut ndaj jetës së vet. Për shkak të tyre, në kohë të ndryshme, rrethana të llojllojshme, e gjejmë veten aktorë a dëshmitarë të këtyre historive, me pushtet e intimidime, me autoritet e inferioritet, në shpresë naive për t’i shndërruar në dashuri, drama, komedi, jo rrallë tragjike. A mund të përfytyrohet dot, nëse dëshirohet, kjo botë e rregulluar në harmoni e marrëveshje? Qoftë edhe një qytet i vetëm, a është dot gati të ecë vetëm në vija të bardha?!

Kjo gjendje, ky fajësim pa shkak i tjetrit për shkak të pamundësisë për të kthjelluar veten, ndrojtja mos kisha ndërkallur në arsyetimet e vajtje-mendjet e mia diçka të pavend kur bëhet fjalë për këtë qenie që quhet Njeri, Njeri I Sotëm, frika se mos kisha përdorur si etalon “moralin”, siç quhet në modë, ky pafajësim po aq pa shkak, ose për shkak të rrethanave lehtësuese, pra të dobësive njerëzore, gjendjeve përkohësisht të brishta, më shoqëroi deri të nesërmen.

Në mbledhjen e radhës së këshillit drejtues të institucionit, ku bëja pjesë, dëgjova atë grua, të cilën e puthën tek pragu i zyrës, zyrës së shtetit. Nguli këmbë se donte të largohej nga puna. Pa kthyeshëm më aty.

“Të më falësh Elisë”, thashë edhe një herë me vete. Kësaj here me një gëzim të brendshëm, të thellë, sikur puthja e tjetrit as që kishte ndodhur ndaj asaj zonje që po largohej nga kjo punë, pra as e kishte zhvlerësuar dot puthjen e vërtetë të botës.

(“Njerëz Tepër”, botoi “VATRA”, 2000)

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page