top of page

Kina, oazi historiko-kulturor i kontinentit Aziatik


Eranda Allmetaj

Natyra njerëzore është e prirur që të krijojë një lloj stepje përballë dukurive të panjohura dhe të largëta fizikisht dhe konceptualisht. Dukuritë jo konkrete kërkojnë angazhim specifik për t’u njohur dhe zotëruar, ndaj jeta jonë është një sfidë kundrejt dinamikave të paparashikueshme.

Rruzulli tokësor përbën një mozaik të larmishëm kulturor, nga ku shumëllojshmëria e tyre tregon edhe mënyrën e jetesës, e krahas kësaj vlerat shpirtërore dhe materiale të një kombi. Ҫdo kulturë është e veçantë pavarësisht dimensioneve sipërfaqësore apo potenciale të secilit vend. Marrë konkretisht, mund të themi që Shqipëria është një vend i vogël, por me një kulturë dhe trashëgimi të pasur, ashtu siç janë edhe shumica e vendeve konsiderueshëm të vogla në botë. Siç në rastin konkret përmendëm Shqipërinë si një vend i vogël, në të kundërt mund të marrim shembullin e shtetit Kinez, i cili mbart dimensione shumë herë më të mëdha se vendi ynë.

I ndodhur disa milje larg Shqipërisë, kontinenti Aziatik, e për pasojë edhe shteti Kinez, për pjesën më të madhe të shtetasve shqiptarë mbetet i paeksploruar. Ajo çka vlen të lëvrohet është fokusimi ndaj Kinës, si një oaz kulturor tepër atraktiv dhe specifik, i gjendur në kontinentin Aziatik.

Me një histori mijëra vjeçare, Kina është një nga qendrat më të vjetra të civilizimit, ndikimi i së cilës ka nxitur zhvillimin e lartë ekonomik dhe kulturor; zhvillim, i cili vijon të rritet me intensitet edhe në ditët e sotme: “Me ritmet e tij të papara të zhvillimit të gjithanshëm, kombi më i madh i botës sfidon tashmë shekullin e ri! Statujat në panteonin botëror po ndërrojnë vendet”. (Minxhozi, Ymer, Kina, sfida e shekullit, f. 11)

Si çdo vend tjetër, edhe shteti Kinez mbart historinë e tij mijëra vjeçare, çka i jep vlera të shumëanshme dhe shërben si një tregues për forcën mendore dhe shpirtërore të këtij populli. E udhëhequr nën sistemin politik si monarki trashëguese, morën formë të ashtëquajturat Dinasti, nën sundimin e të cilave u qeveris ky komb. Secila prej tyre ka pasur karakteristikat e veta, ku ka mbizotëruar zhvillimi i fushave të ndryshme. Sigurisht, këto fillesa kanë ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të të gjithë kombit në tërësi.

Periudha gjatë së cilës sundoi dinastia Shang përmendet në histori si pikënisje e shkrimit të hieroglifeve nga banorët e qytetërimit të sotëm kinez. Në pamundësi të mjeteve të sofistikuara, banorët e hershëm përdornin metodën e gdhendjes në kocka dhe tek guacka e breshkës për shkak të fortësisë që ajo posedon. Këto gdhendje, pasi janë zbuluar dhe studiuar, janë quajtur Jiá Gŭ Wén, që në kuptimin simbolik do të thotë guackë, kocka dhe fjalë. Janë zbuluar më shumë se 150 000 copa guackash apo kockash, në sipërfaqe të të cilave janë ruajtur më shumë se 5000 hieroglife, nga ku janë deshifruar më shumë se 2000 prej tyre. Gjatë kohës së dinastisë Han, për arsye lehtësimi, shkrimi u thjeshtëzua dhe mori trajtën në të cilën përdoret në ditët e sotme.

Sistemi i shkrimit kinez është një nga sistemet më të veçanta në të shkruar dhe artikuluar gjithashtu. Në një pamje sipërfaqësore mund të duket se krijon vështirësi në të mësuar, por në fakt, mbart një gramatikë tepër të thjeshtë, dhe me pak përpjekje për të memorizuar hieroglifet, çdokush mund t’ia dalë shumë mirë dhe të bëhet zotërues i një prej gjuhëve më të veçanta dhe specifike, sa i përket familjeve gjuhësore botërore. Artan Goga, në veprën e tij “Kjo është Kina”shprehet se, “vështirësia e gjuhës kineze është më shumë një mit sesa një realitet: ajo mund të mësohet në çdo moshë, sigurisht me vullnet” (87)

Luhatja që pëson shqiptimi i secilës fjalë krijon një ritëm të ngjashëm me një sistem pentagrami muzikor dhe përkimi i secilës fjalë me hieroglifin përkatës, vjen si pasojë e imitimit të objektit, simbolikës me të cilën përqaset, por edhe pa pasur ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me të. Të gjitha këto detaje, por edhe shumë të tjera, të njohura nga studimet që janë bërë kundrejt këtij shkrimi, të bindin hap mbas hapi për veçanësinë që kjo gjuhë zotëron.

Ajo çka e karakterizon pjesën më të madhe të udhëheqjes politike në periudhat e hershme kineze ishte drejtimi i shtetit me bazë mendimin filozofik. Kjo dëshmon edhe për forcën e fuqishme mendore të elitës intelektuale. Tezat e ndryshme mbi të cilat filozofët kishin ngritur themelet e ideologjise së tyre, shpeshherë bazoheshin në rregulla dhe parime morale, për këshillimin e shoqërise kah së mirës dhe devotshmërisë. Madje, një nga tezat e Konfucit ishte të parit e qeverisë si arti i korrigjimit të gabimeve.

Studiuesi Shaban Dervishi spikat katër sisteme filozofike të Kinës së lashtë, të tilla si: Konfucianizmi, Taoizmi, Moczizmi, Legizmi” (Qytetërimet e para, f. 234). Filofozët bazë, mendimi i të cilëve shërbeu edhe si një ideologji e ndjekur nga udhëheqësit shtetërorë ishin, Lao Tze dhe Konfuci. Njëkohësisht kemi edhe lulëzimin e më shumë se 100 shkollave të tjera filozofike.

Një vend të rëndësishëm zë edhe arti në tërësi, duke përfshirë letërsinë, sportin, filozofinë dhe konceptin e të menduarit në përgjithësi. Sa i përket aspektit letrar, si një art i cili pasqyron realitetin në mënyrë të drejtpërdrejtë apo simbolike, janë shquar katër vepra klasike, si: Hónglóu Mèng romani më i hershëm, i kthyer edhe në një program televiziv, i cili tregon luhatjet brenda një familje të madhe. Në aspektin strukturor, kjo vepër përbëhet nga 120 kapituj, 80 prej të cilave janë shkruar nga autori origjinal dhe 40 kapituj të tjerë të shkruar nga autorë pasardhës; Xī Yóu Jì shkruar gjatë dinastisë Ming dhe një roman tepër i pëlqyer nga fëmijët; Shuĭhŭ Zhuàn është romani i tretë i rëndësishëm, i cili rrëfen për 108 heronjtë e kryengritjes në fund të dinastisë Song; Sānguó Yănyì është romani i katërt, në të cilin paraqitet historia e tre mbretërive, tre shteteve të cilët sundojnë paralelisht dhe luftojnë vazhdimisht me njëri tjetrin. Kjo vepër është bazuar në një periudhë reale historike dhe ka nota të përziera luftarake dhe psikologjike.

Një komb, në fokus të të cilit qëndron forca shpirtërore dhe intelektuale e popullit të tij, padyshim e ka të ardhmen të ndritur. Arti në vetvete, është forma më e lartë e të menduarit të një individi. Ҫdo gjë e kthyer në art është pothuajse afër së përkryerës. Ky aspekt, kombit kinez nuk i ka munguar kurrsesi. Adhurimi ndaj gjërave të bukura dhe për më tepër krijimi i tyre, shfaqet në çdo hapësirë të mundshme. Mënyra se si janë ruajtur elementët kulturorë përgjatë historisë është vërtetë diçka e mrekullueshme. Mjafton të bësh një vizitë në një nga Muzetë Historike për të kuptuar më nga afër botën e tyre shpirtërore. Një nga gjërat që të bën përshtypje është edhe fakti se të përfshirë në kulturën e tyre mund ta ndiejnë veten edhe popujt e tjerë.

Kultura kineze është shumë e ndryshme dhe e veçantë në llojin e saj, krahasuar me vendet e tjera, kryesisht të rajonit perëndimor. Por pavarësisht kësaj, Kina mbetet një nga vendet më paqedashës e njëkohësisht më mikpritës sa i përket shtetasve të huaj dhe kulturave që ato bartin me vete. Kjo është e dukshme ne mënyrë konkrete në një bashkëbisedim miqësor me njerëzit e këtij vendi, por po ashtu edhe në instancat më të larta nëpërmjet hapave që ka ndërmarrë ky shtet. Në Kinë mund ta ndjesh veten të përfshirë ne institucione kulturore siç janë edhe Muzetë Historikë, Universitetet, etj.

Duke u nisur nga përvoja vetjake, gjatë një vizite në Muzeun Historik Kombëtar, pata një impresion të jashtëzakonshëm, ku njëkohësisht me njohjen e elementeve historike kineze, arrita të njihesha edhe më elementë të kombeve të ndryshme të pasqyruara më së miri në vitrinat e këtij muzeu. Krahas shumëkombësive të ndodhura, ndesha edhe elementë që pasqyronin botën kulturore dhe simbolike të Kombit Shqiptar.

Në një përshkrim vetjak gjatë vizitës në Kinë, autori dhe publicisti shqiptar Ymer Minxhozi shprehet se: “Kinezët nuk e kanë harruar miqësine dhe marrëdhëniet e mira me Shqipërinë. Këtë e konstatova në bisedat me politikanë, me personelin e hoteleve, me shitësat në dyqane, me shoferët e taksive, me redaktorët e Radio Pekinit që transmeton çdo ditë edhe në gjuhën shqipe.” (Kina, sfida e shekullit, f. 180)

Në përmbyllje mund të themi që historia, kultura dhe veçoritë e një populli si Kina kurrsesi nuk mund të përmblidhen në një ese apo studim të vetëm. Pasuria e elementeve trashëguese, karakteri unik dhe vlerat të cilat ajo mbart mund të mbushin faqe të tëra letrash, po ashtu të pasurojnë kulturalisht dhe shpirtërisht edhe popuj të tjerë. Mendja e ndritur, forca shpirtërore dhe identiteti i veçantë kanë shërbyer si burim frymëzimi për kombet përreth, gjithashtu edhe përtej kontinentit.

203 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page