top of page

“KIAROSKURO” QË RIKTHEJNË LEXIME KOHËRASH DHE NJERËZISH



“KIAROSKURO” QË RIKTHEJNË LEXIME KOHËRASH DHE NJERËZISH

Dr Fatmir Terziu




Ndërsa pason fletët e një novele që siglon një “Çmim për shkrimtarin e vdekjes”, dritëhijet e kohërave dhe njerëzve, vijnë më të ashpra, dhe forma e tyre në anglisht “kiaroskuro” të trazon deri në thirrje të përbrendshme. Në fakt është vetë ajo që dikton, ajo që lexon tek Martiko. Më saktë: “Është një libër-thirrje, në mënyrë që institucionet kudo në botë të bëjnë përpjekje të vijueshme për të konservuar denjësisht vlerat humane... Monumentet e konsakruara për depozitimin e kujtesës së iluministëve të një kombi, mishërojnë aspiratat dhe gjakun e derdhur në emër të idealeve më të larta njerëzore për ndriçimin dhe ndërtimin e një bote më të bukur... Jo përplasjen e njeriut me planetin e tij, si ndodh për fat të keq, në ditët e sotme”. Kjo pason heshtjen, “kiaroskuro”-t e vetë jetës, që vjen e ridimensionohet mes leximit. Natyrisht mes leximit!

Përtej leximit të Martikos

Teksa mbarova së lexuari tri romanet e Robert Martikos, shumë thënie më lëvrinin në mendje për të gjetur një nyje që i bashkon këto vepra në një pikë. Dhe teksa përzgjidhja, m’u kujtua Hygo. Thënia lapidare e tij: “Njerëzit nuk kanë mungesë fuqie, ata kanë mungesë vendosmërie” m’u duk se i shkon për shtat, thuajse të tre romaneve të tij. Në fakt ajo është vetëm një vijë e mesme, ose aq sa për të paranisur fjalën për atë që ke kthyer nga leximi në kallzim- për të tjerët në mënyrën tjetër. Në këtë mënyrë “Flijime të skajshme”, “Dritëhije shpirtrash të humbur” dhe “I braktisuri”, nuk janë thjesht tituj romanesh që autori ka fiksuar si të tilla ose sa për të emëruar romanet e tij, por janë pjesë e fabulave që Martiko ka zgjedhur për të komunikuar që në hyrje me lexuesin e tij. Grafika e të tre romaneve ka një pikë të përbashkët gjithashtu. Tek “Flijime të skajshme” është një sy që vështron dimensionalisht kundërshtinë e një sfondi të tekanjosur me grimca njerëzore në lëvizjen e tyre, që kundërshton ligjësinë e prezencës dhe konfirmon logjikën e kundërshtisë nën ligjësi absurde të jetës.

Tek “Dritëhije shpirtrash të humbur” rolin e syrit “gjigand” e kryen kiaroskuroja (dritëhije) e një dritareje që vërshon me reze drite në brendësi të dy trupave të pafajshëm njerëzore, duke u shkrafanjitur me lojën bardhë e zi të dritave që mbushin hapësirën. Në romanin e tretë është sërish një dritare që në fakt ndryshon nga paraardhësja me këndin e vështrimit. Tek kjo e fundit është ‘I braktisuri’ që kryen funksionin e tij. Sërish këtu është dritëhija që krijon kuptimin pikënisës dhe të bën që të arrish ku ti mendon se do të të shpjerë vepra, ende pa e lexuar atë. Por në fakt nuk ndodh kështu.

Nuk ndodh që të paramendohet e tëra që në kopertinë, edhe pse artistikisht ajo ka gjuhën e saj, ka fjalën e saj. Në këtë mënyrë tre romanet kanë një pikëtakim artistik të përbashkët grafik, një tematikë që vjen nga një mendje, një gatesë letrare që vjen nga njohuri pikante e të seleksionuara, por kanë shtylla të ndryshme ku referimi është disi protagonisti kryesor, që sfidon edhe idenë. Në këtë këndvështrim është ajo që vjen pas leximit. Duke iu referuar Foto Malos, redaktorit të romanit “Dritëhije shpirtrash të humbur” që në fillim të fjalës së tij gjen “një personazh-hije rrëshqet përpara syve tanë nga fillimi deri në fund të romanit” për të kuptuar se hija është një simotër e pjellë nga frika dhe frika e hijes është një mori arsyesh që gatuan fabulën e romanit. Më tej Malo zbulon diçka që në fakt krijon antagonizëm me vlerat që shkrimtari ka sjellë në roman. Është fjala për “motivet dhe argumentat e veta autori i kërkon dhe i gjen në hapësira pa caqe gjeografike...”. Në roman kjo nuk përbën problem, madje ka një arsye më shumë për të mos u marrë në konsideratë.

“Dritëhije shpirtrash të humbur”

Artikulimi i fjalës rreth së cilës rrotullohet tërësia e fabulës që gatuan romani ka një zanafillë të nisur që në faqen e parë, por që artistikisht qëndron e gozhduar në memorien e saj për të rrëfyer ngadalë e me kujdes. Është pikërisht kjo mori katrahurash që gatuhet mbi fatin e njeriut, me qëllim që njeriu të përulet para antinjeriut që edhe pse ‘shkurtabiq i kuq’ kërkon dhe ‘mund të arrinte deri në Koloseun Romak, kullën e Big Benit, apo deri në këmbët e Notre Damë në Paris...” Dhe më tej kjo asfiksi njerëzorë me fatin e treguar të trupave pajetë në mënyrë dramatike përfundon aty ku autori realizon fuqishëm e të mban mbërthyer në brendësi të romanit: “Ku si spiun, pa llogaritur viktimat e shumta njerëzore që do të merrte në qafë... pas Akropolit grek ai do të drejtohej pa humbur kohë Qendrës së Zvarranikëve të Kamberës në Australi”. Këtu vetëkuptohet vetëm pas leximit ku synon tërë ky argument jashtë kufijve gjeografikë i autorit që shkruan duke rrëshqitur tërthorzi në telajon historike dhe natyrale të fiksuar nga prezenca e Kensington Garden, një gjeografi natyrale londineze me karakteret që vijnë e ikin duke treguar pikëlidhjen historike me detaje të hollësishme që vijnë nga faqe librash. Këtu natyrshëm bie në sy një njohuri e gjerë e Martikos jo vetëm për të treguar, por edhe për ta bërë prozën në linja jo-direkte e tepër të tërthorta deri në manovrim tipik e dallues. Romani në këtë itinerar ngjarjesh dhe kallëzim me fjalë të përzgjedhura dallon rolin e lëvizësit që shfaqet si “Njeriu i zgjedhur në Tokë...” kur ai është në mëdyshjen e autorit që e kthen në retorikë: “Për çfarë njeriu të zgjedhur e kam fjalën?” dhe sipas autorit ky njeri në Tokë ka vdekur prej kohësh dhe ‘nuk mund të ringjallet”.

Leximi pos ndjesisë edhe si qasje përfundimtare

Por ndërsa tërësia e romani është nën fokusin e një ‘Candid Camera’ (një kamera e fshehur, ose kamerë e fshehtë), romani ka arsye më shumë për të mbetur një trill i lejueshëm dhe tepër i pëlqyeshëm normative në llojin e vet që të zbulojë e tejkalojë misioni e tij. Karakterët e romanit të Martikos edhe pse janë nën ndikimin e kësaj kamere janë në arsyen e tyre, janë të gjithgjendshëm, deri në detaj.

Kështu shkrimi tek Martiko, po aq sa romani i tij në ardhjen deri tek lexuesi, kanë arsye më shumë për të qenë një anë pasqyruese tepër e gjetur. Gjuha është e kuptueshme dhe emocionalja kryen rolin e saj. Një figurë e kapshme është edhe veshja që autori i jep strukturës për të bërë bashkëjetesë ngjarjesh në kohë, hapësirë e vend. Në këtë lidhje është natyrshëm vetëm leximi pos ndjesisë, kur ai ndjehet vërtet edhe si qasje përfundimtare.


5 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page