top of page

KENGA E UJIT


Fiqri Shahinllari

Mentari u kthye në vendlindje, këtë herë si turist. Ishte veshur mirë, ishte tapinosur si u thonë në fshatin e tij atyre që pispillosen jo për t'u krekosur e shitur mend por për te respektuar staturën e tij duke nderuar fshatin. Të nesërmen u ngrit herët nga krevati në shtëpinë e një prej kushërinjve të tij. Veshi rrobat sportive që i kishte në valixhe, hëngri mëngjes dhe doli jashtë. Gjëja e parë që i ra në sy ishte braktisja e fshatit nga njerëzit. Iu duk fshati si kafaz i bukur pa bilbil brenda. U pezmatua pa masë. Ndjeu se vendlindja ishte"qelia"ku mbahej i burgosur shpirti i tij. Kërkoi dhe takoi një, dy, tre vërsnikë të tij që koha akoma nuk i ka kositur. U çmall me ta. Njëri prej tyre nuk e thirri me emër por e pyeti: Erdhe ti more PSE? Mentari buzëqeshi? Iu kujtua se në fshat kur ishte i vogël shpesh  i thërrisnin me shaka me emrin Pse. Behej pyetja në lojra midis shokësh: Erdhi Pseja, ku është Pseja? I thërrisnin me këtë nofkë sepse ai pyeste shumë për çdo gjë. Ishte kurioz i madh e donte të dinte sa më shumë... Të nesërmen shkoi vetëm, pa u shoqëruar nga dikush, te kodra e Çitomit. Kështu donte të ishte, vetëm sikur qeni qepën të hante. Një miku i tij i kishte thënë një herë aty në emigracion se ti Mentar je një çikë egoist, të pëlqen uni, vetmia. Mirëpo si kudo e kurdoherë në përgjithësi egoja nuk është gjë e mirë, për Mëntarin në rrastin kur do të çmallet me vëndlindjen e do t'i thotë diçka përmes kujtimeve të rinisë kodrës, lisave, kumbullave, lumit ky egoizëm i vetmisë "qoftë i bekuar" pa le ta merte peng në emër të dashurisë për vendlindjen. Hallall ia bënte.     Vetmia, sipas Mentarit çliron shumë kujtime. Dhe të tilla ai kishte plot duke filluar nga fëmijëria e rinia e herëshme. Përballë kodrës së Çitomit kishte fshatin e  lindjes me tri lagjet e tij ku jetonin myslimanë e krishterë në harmoni thurur gërshetë brez pas brezi. E shikoi i përmallur. Pastaj bëri"një vrap pele" nga zona e Dushkut Llapush. U kënaq. Kushedi sa herë ishte ulur dikur nën hijen e këtyre dushqeve. Po afronte dreka. Zbriti poshtë drejt prroit të vogël  të cilit fshatarët e quanin "Lumi i Magut". Nuk e kuptoi as vetë nëse e çoi instikti te ai lumi i vogël apo e kishte menduar një vizitë të tillë. Instikti ndizet flakë kur je i gëzuar dhe në ditë  të zymta për njeriun ky instikt mpihet. Dhe ai ishte plot hare. U ul mbi një plis lëndine. Mendja filloi të "përtypte" kujtimet e vegjëlisë që janë ngjarje të ngrira nga koha. Ndodhej në vendin ku dikur ishte një pellg me ujë. Atje bënin not  pllaq plluq tok me vërsnikët e tij. Pellgu nuk ishte më por kreshpa e shtratit të lumit aty ishte. Që andej rridhte uji si një katarakt i vockël. Kur tha me mënd fjalën katarakt një buzëqeshje e lehtë i përkëdheli fytyrën. Kujtoi kataraktin e Niagarës në pjesën e Kanadasë që e kish vizituar. "Eh, ç'mendime budallaqe më vijnë në tru mua tani- po i fliste vetes Mentari- Ku Niagara e ku ky piciruku im?!" Melodia e ëmbël e gurgullimës së rrëkesë së currilave të ujit e dalldisi fare. Herë i shëmbëllente si psherëtimë, herë si teshtimë, herë si gulçimë. Ishte po ajo, si dikur. Zhurma e saj nuk ishte zhurmë por këngë. Mendja I fluturoi larg. Iu kujtua kënaqësia që ndjente kur ishte student tek dëgjonte në radio melodinë e ëmbël të  veprës muzikore "Peer Gynt" të kompozitorit norvegjez Eduard Grieg, vepër që mbështetej tek vepra letrare me karakter historiko  -filozofik të një kollosi të letërsisë, edhe ky norvegjes, Henrik Ibsen. Muzika lëshonte tinguj që të "conin" në mjedise plot me ujë e gjelbërim, dëgjoje përmes notave muzikore këngën e ujit në gjëndje të qetë dhe në situata kur uji "bërtiste" me tërbimin e tij.. .   Disa herë në rininë e tij të herëshme, ja këtu, te ky lumi I Magut,  e kishte zënë gjumi nën "ninullën" e kësaj melodie. Ka kaluar shumë kohë që atëhere. Tani Mentari është gjysh. Koha-tha ai me vete- është ja, si ky lumi që ikën e duket se të mer me vete. Mos vallë edhe koha është një nga lëndët prej së cilës njeriu është bërë?   Nën efektin e gurgullimës melodioze të rrëkeve dhe piklave të ujit Mentari u shndrrua në mendimtar, në filozof. Shpejtësia e mendimit e çoi sakaq në Alexandri të Virginias në Amerikë. Në Old Toën të atij qyteti është një vend buzë lumit Potomak që quhet Ëaterfront. Përplasja e dallgëe të ujit të këtij lumi herë butë e herë me egërsi Mentarit i duken si melodi kënge me intonacione të ndryshme "komanduar' nga ndonjë dirigjent i padukshëm  në formën e Erës. Kënaqej. Në një shesh të vogël aty afër del një burrë rreth moshës 60 vjecare. Mbi një tavolinë të vogël vendos disa gota qelqi të madhësive të ndryshme mbushur përgjysëm me ujë. Rretherrotull mblidhen njerëz, sikur të shikonin si luan qeni i kallajxhiut. Atje shkon shpesh edhe një zonje me karroce uloku, sepse është e sëmurë nga gjymtyrët. Rregullon flokët,  shikon veten në pasqyrën e dorës dhe afrohet te vendi ku "muzikanti" ka lënë një enë ku njerëzit hedhin pare, sa të kenë dëshirë. Herën e parë kur u ndodh në këtë grumbull njerëzish Mentarit i bënë përshtypje dy dukuri. Zonja  dhe "muzikanti". Zonja në atë gjendje që ishte i kujtoi një komshijen e vet dikur në Tiranë. Ishte nga një familje e dëgjuar tiranase, martuar me Namikun, devolli. Ajo kishte vite që nuk e shikonte dritën e diellit për shkak të paralizës. Herën e fundit kur erdhi ambulanca për ta çuar në spital ajo, mbajtur për krahësh nga Mentari komshi dhe nga i shoqi ndali pak sapo doli nga apartamenti dhe filloi të rregullohej. Krehu flokët dhe i kërkoi Namikut çanten e dorës. Mori buzkuqin dhe leu buzët. " U m'u bëfsh kurban i qenit e më març pleshtat, dashke të zbukurohesh" -iu drejtua ajo vetes  duke buzëqeshur  me shprehjen korcarce që e kish dëgjuar nga i shoqi. Pastaj hodhi sytë nga komshijtë që u ndodhën në atë çast dhe u buzëqeshi. Ishte hera e fundit që dilte nga shtëpia dhe komshijtë duhet ta mbanin mend kështu të qeshur e të rregulluar. Kishte parandjenjë për fundin e jetës së saj pas dy javësh. Edhe zonja e Ëaterfrontit donte të tregonte, ma mer mendja se ajo pavarësisht nga gjendja shëndetësore ishte dikush me personalitet dhe do të jepte edhe ajo diçka si shpërblim për atë që shikonte dhe dëgjonte nga 'muzikanti i ujit". Po e quaj kështu, muzikant uji, sepse ai bëntë muzikë me ujë. Kjo është dukuria e dytë që " la pa mend"Mentarin. Ulur në një karrige portative, fare pranë tavolinës me gota qelqi mbushur përgjysëm me ujë,muzikanti i ujit , lëvizte duart me ritëm të caktuar. Diku me gishta e diku me shputa fërkonte buzët e gotave, herë te njëra gotë e herë te të tjerat, me radhë.  Çudi e madhe. Nga ky veprim dilnin nga gotat tinguj muzikorë, clodhës! Mentari u habit dhe nuk i jepte dot dum këtij veprimi, s'kishte parë dhe as dëgjuar ndonjëherë për këtë gjë. Nga gotat, për të, mund të dëgjoje vetëm një tingull: Kur i bihet me pirun për të lajmëruar qetësi se dikush do të flasë në mbledhje apo festë familjare dhe tjetrën, tingullin që lëshon qelqi i gotës kur thyhet. Kaq, Por qe të bënte muzikë gota gjysëm mbushur me ujë?! Kaq ishte bërë dhe s'kish parë e as dëgjuar.   Iu fut virusi i kureshtjes dhe pyeti nipin e tij, Nardin, që jeton e punon si pedagog në një shkollë në Filadelfia.  Ai i di mirë ligjet e fizikës e të matematikës se për këtë fushë ka studiuar në Universitet. -Nipce, kam një pyetje për ty-i tha. -Shkrepe dajo-u përgjigj Nardi .   Dajua i tregoi se çfarë kishte parë dhe i bëri pyetjen se si është e mundur një gjë e tillë?  Përgjigja e nipit përafërsisht ishte kjo: Valët zanore, me gjatësi të ndryshme krijojnë një mjedis zhurme, le ta themi kështu. Gota e ujit sipas parimit të rezonancës, forcon vetëm një valë, atë me amplitudë maksimale. duke krijuar një tingull. Lartësinë e tingullit, le ta quajmë për hatër të dajos(qesh) notë muzikore, varet nga gjatësia e kolonës së ajrit në pjesën bosh të  gotës. Gotat me sasi të ndryshme uji krijojnë tinguj të ndryshëm të cilat i disiplinon "dirigjenti" me duart e tij  mbi buët e qelqeve. Kështu, cdo gotë krijon tingull që nuk i ngjan tingullit të gotave të tjera. Dhe ja ku u krijua melodia, ja si lind kënga jote e ujit more dajo-përfundoi shpjegimin nipi. Dhe dajos i shkoi mendja te këngët popullore apo te isot labe. Midis zërave të disa njerëzve që këndojnë spikat tingulli më i fortë që del nga gryka e marësit të këngës, pastaj zbutet pak tek pritësi dhe unifikohet te ata që mbajnë iso. Kur  dajua po i tregonte me telefon këtë  bisede mbeses  Anës, edhe ajo pedagoge fizike në Korcë, mori përgjigjen se edhe ajo kishte të njëjtin mendim me të Nardit.. Nuk ka njeri që nuk ndjen kënaqësinë e melodisë së ujit në breg të lumit, liqenit, detit apo oqeanit. Kur valët e ujit vijnë e ikin tallaz tallaz me përplase apo me batica e zbatica, të duket sikur gulçon uji. Të krijohet përshtypja sikur uji në këta rezervuarë gjigandë është qënie e gjallë, mer frymë, lëshon zëra, krijon tinguj herë ledhatues e herë kreshpërues. Uji, "qënie e gjallë" lëvis. Levizja është jetë. Kur uji nuk lëvis shndrrohet në qënie të vdekur, mban erë si cdo trup i gjallë që kalbet e mban erë të qelbur. .Në këto kushte  njeriu ngre kokën e sytë lart e kërkon përgjigje në qiell. Atje është Hëna, përgjegjëse e shkaktare e baticave dhe zbaticave. Thonë se sikur Hëna të ishte dhjetra milje më larg nga toka nga sa është sot , atëhere baticat do të përmbytnin tokën disa herë në ditë. Kënga e ujit të qetëson shpirtin, të ledhaton por ama kur kjo këngë kreshpërohet e inatosur të shurdhon veshët e të detyron të ikësh nga sytë këmbët. Del në breg e inatosur, të prish shtëpinë e përlan çdo gjë që i del përpara. Tingujt e kengës së ujit në këto raste janë tinguj shudhues e mizorë..Pale kur tok me ujin dalin edhe gjallesa si krokodilë, del ndonjë trup njeriu të mbytur që vetvetiu të  kuton  mallkimin :" Të rraftë vala e detit!". Pale kur mbi kokë vjen vërdallë miza Ce Ce( Tze Tze) që të bën gjëmën nëse të pickon!   Pa dashur, në vetminë e tij por në shoqërinë e mendimeve të veta, Mentari  po shndrrohej në filozof. I pohoi vetes: Kënga e ujit, në fund të fundit është kënga e jetës. Habitet me raportin e ujit që ndodhet në planetin tokë me atë që ndodhet ne trupin e njeriut. Në globin tokësor uji ze 70 për qind,(pjesa më e madhe e kësaj sasi prej 97 përqind ndodhet ne oqeane) dhe 30 përqind është tokë. Kaq ujë, pra 70 përqind ka edhe trupi i njeriut. Uji është baza dhe burimi i jetës përmes të cilit krjohen gjith proceset biokimike të gjallesave. Jeta tregon se njeriu pa ushqim jeton 60 ditë , kurse pa ujë jo më tepër se 10 ditë. Bimët mund të rriten edhe pa tokë por vetëm me ujë. Në vitet e fundit të komunizmit shqiptaret u njohën me disa sera diellore në brendësinë e të cilave rriteshin në kate bimë të ndryshme që spërkateshin me me pikla uji në hapësirën e serave. Procesi quhej Hidroponi. Njerëzit janë të ndërgjegjëshëm për domosdoshmërinë e ujit kudo në gjithësi. Sapo zbulon shkenca ndonjë planet tjeter pyetja që behet eshte: A ka ujë atje?   Mendimi hulumtues i Mantarit s'ka të sosur.  U ngrit nga plisi i lëndinës ku ishte ulur dhe shkoi tek një trung kumbulle të eger që e kishte sjellë rebeshi i shiut dhe e kishte platitur aty. U ul mbi të. Karshi , matanë lumit ishte Hani, i ringritur në kohën e demokracisë. Iu kujtua një tregim i të atit i cili kur kishte qënë i vogël kishte parë në atë han një kurbetlli nga një rreth tjetër që kishte bujtur aty. Kishte qënë në Argjentinë. Kurbetlliu i tregonte Metes, pronarit, se dinte spanjisht . Kish dëgjuar pyetjen dhe "mallkimin"e Metes: Çfarë flet bre  i uruar që të foltë hoxha prapa veshit? Di ti spanjisht? Po, di, se në Argjentinë  ku unë punoj e jetoj, spanjisht flasin, u përgjigj kurbetlliu. E di ti Mete se nga Spanja ishin zbuar çifutët kur duheshin edhe ca vjet pa të vinte viti 1500? Mentarit i kishte mbetur në mend kjo shprehje dhe kur u rrit saktësoi se dëbimi i çifutëve nga Spanja kishte ndodhur në  vitin 1492, për shkak të fesë jahudite që ata përkrahnin. Ishte kohë inkuizicioni. Por në ato vite lundronte deteve e Oqeaneve edhe Kristofor Kolombi që zbulloi Amerikën,  24 vjet pasi kishte vdekur Skanderbeu në Shqipari. .. Pyeti për kush e disa herë veten atë ditë: Si ka mundësi që uji i planetit tonë, me miliona vjet me radhë  avullon e kthehet përsëri me anë të shiut, prrenjve, lumenjve të cilët marin nga toka substanca të reja e i çojnë në dete e, megjithatë, përbërja e ujit të detit nuk ka ndryshura kurrë? Po kripa? Ëhë, sikur të mungonte kripa në dete atëhere bota do qelbej. Kripa ndodhet vetëm në det apo edhe gjetkë? Nuk i kujtihej Mentarit nëse e kish lexuar gjëkundi apo e kish dëgjuar në televizor faktin se në Peru ka një lumë me ujë të kripur!   Duke u kthyer te kënga e dallgëve Mentari nuk di ta shpjegojë dot faktin se në oqeane ka dallgë e dallgë. Disa janë sipërfaqësore po ka edhe dallgë nënujore. Këto të fundit janë të padukeshme por më të mëdha e më të frikëshme. Fillojnë në thellësi 200 metra e vijnë deri 100 metra poshtë sipërfaqes së ujit. Por të bëjnë hatanë. Kënga e dallgëve nënujore nuk dëgjohet por "jehona" e tyre ndihet në efektet në anije e në fenomene të tjera të dëmëshme.   "Turisti" në fshatin e vet, Mentari kishte humbur në hulumtime për ujin që ia nxiti Lumi i Magut. E solli në vete zilja e telefonit celular. Kusheriri i tij e kërkonte në shtëpi. Kujtesa e kohëve të shkuara, do apo nuk do, e kthen njeriun në moshën e vegjëlisë e të rinisë, e gjallëron atë. Duke biseduar për moshën e vegjëlisë e të rinisë, për bukurinë e kujtimeve të asaj moshe një miku i tij dikur profesor matematike në Patos e Fier ai i kishte recituar Mentarit disa  vargje të një poeti elbasanas, në mos gaboj të M. Vyshkës që thotë përafërsisht: ..Kujtimet e mia  si topa prej lecke..Në gji do t'i shtrydh...Pas karrocës së kohës vrapon fëmijëria. Mentari i dha të drejtë. Ai kishte lexuar vitet e fundit disa studime që tregojnë se mund të rijetohet edhe mosha dy vjeçare kur truri i njeriut  është i "ujshëm"  Në këtë moshë shfaqen dëshirat specifike të njeriut. Jeta e tij më vonë ndjek modein e përcaktuar në atë moshë. Kështu edhe personaliteti i lindur dhe i kalitur më vonë  bëhen pjesë e modelit gjenetik. Prandaj  kujtesa nuk duhet quajtur si humbje kohe por si faktor nxitës i jetëgjatesisë ... Fiqri Shahinllari

42 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page