top of page

Kemi shumë kolonelë që meritojnë respekt


SHËNIM PËR LIBRIN E BASHKIM KADIUT MBI VLERAT E QYTETIT


SHPENDI TOPOLLAJ



Në traktatin e tij “Lavdërimi i Atdheut”, Lukiani i lindur plot 1900 vjet më parë është shprehur, se “…kur dëgjojnë se të huajt mburren me fushat e pllajat e gjera, me shumëllojshmërinë e bimëve e të pemëve, ata prapë nuk do të mungojnë të krenohen me mëmëdheun e tyre; duke mos përfillur tokën që rrit kuaj, ata do t`i thurin lavde tokës (perifrazon “Odiseja”), “që rrit djem petrita”. Dhe miku ynë Bashkim Kadiu këtë besoj se ka pasur parasysh, kur dashurinë për Durrësin tonë e fokuson te djemt e vajzat që ky vend i mahnitshëm dhe i begatë ka nxjerrë ndër vite. Janë pesë libra voluminozë që u kushtohen shumë e shumë pesonazheve të shquara, për të cilat unë kam folur e shkruar, ndaj pa u zgjatur do përqendrohem vetëm tek ato pak rreshta shoqërues të këtij volumi, ku them: “Qytetarët e Durrësit do ta kujtojnë gjatë dhe do t`i jenë përherë mirënjohës Bashkim Kadiut, këtij burri me mendje të hapur dhe zemërmadh, i cili edhe pse në moshë të shtyrë, me një entuziazëm dhe energji djaloshare, jo vetëm që i zbulon, por edhe i përjetëson të gjithë ata që me talentet dhe vlerat e tyre të spikatura, u thonë të tjerëve që bukuria e një vendi, më shumë se kudo, qëndron te karakteret e forta, dashuria për të tjerët dhe puna e ndershme e njerëzve të tij”.

Ajo për të cilën dua ta përgëzoj këtë autor është përfshirja në të e disa figurave mbresëlënëse ushtarake, shumë nga të cilët, përveç se në luftën Nacional - Çlirimtare, kanë dhënë një kontribut të çmuar në përgatitjen ushtarake të Njësive të mëdha, kur dihet se pozicioni gjeostrategjik i Durrësit e kishte vendosur atë në mbrojtjen e një drejtimi kryesor për armikun që natyrisht do të synonte kryeqytetin.

Burra të mençur e atdhetarë, që profesionalisht do t`i bënin nder çdo ushtrie, dhe me një kulturë për ta pasur zili si gjeneral Nexhip Vinçani, gjeneral Abaz Fejzo, gjeneral Panajot Plaku, kolonel Xhemal Zeneli, koloneli i shumë librave historikë Novruz Zejnati, përkthyesi Mehdi Ramohito, koloneli i minave Besnik Alibali, Kapiteni i Rangut të Parë, kolonjari simpatik Çapajev File që para pak kohe na e rrëmbeu Covidi, oficerët e talentuar si Lutfi Shehu, Selam Hodo, Novruz Buzi, inxhinieri i mrekullueshëm dhe i sakrificave si Cane Mehmetaj, humanisti Mexhit Çiku, Veledin Hodaj, me shokë, ja shtojnë vlerat gjithë krijimtarisë së Bashkim Kadiut, pavarësisht fatit të tyre, shpesh, pre e tekave politike dhe të pamerituara të kohës kur jetuan e punuan. Po ashtu, nuk duhet harruar puna e ndershme dhe plot përkushtim e Thoma Rubisë, Ahmet Alisë, Xhaf Gjonit, Nazmi Mezinit e Ruzhdi Milaqit si dhe e shumë të tjerëve që besoj do të përfshihen në volume pasuese të Bashkimit.

Ne në Durrës, me shumë të drejtë nderojmë kolonelin hollandez Tomson, por të mos harrojmë se gjithashtu kemi shumë kolonelë tanët që meritojnë respekt e mirënjohje të përjetëshme. Ashtu sikurse duhet pasur në konsideratë edhe fakti se edhe vetë autori i këtyre librave, që kërkojnë sakrifica për t`i hulumtuar, sistemuar, shkruar e botuar, sidomos për moshën e tij të shtyrë dhe problemet e rënda me shëndetin e gruas, meriton të nderohet me një titull. Ky do të ishte dhe shpërblimi moral i shoqërisë për punën që bën ai, pikërisht tani që të tjerët edhe pse e kanë detyrë, asqë duan t`ja dinë. Pastaj, sot merr rëndësinë e duhur ajo shprehja e Fridrih Shilerit se “Gjëja më e bukur në jetë është puna e përzier me dashuri”, gjë që Bashkim Kadiu po e bën si rrallëkush.

37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page