top of page

Katermbëdhjetë


Resmi Osmani Roman-vazhdimi

ME SYTË E FËMIJËS

Katermbëdhjetë

Dajë veizi ka kohë që është sëmurë.Këto dit është keqësuar. Më kishte kërkuar me emër: të vijë Erveheja.

Hyra në dhomë dhe iu afrova shtratit.Daja dergjej shtritur me kurrizin mbështetur pas jastëkëve. Kishte psuar një goditje damllaje. I kishte marrë anën e majtë, paralizuar këmbën e dorën, syri i majtë, si i qelqtë, i ngrirë e i palëvizur si i pajetë. Duart e tij të vogla,kockë e lëkurë, plot damarë mavi, të lëshuara si të pajeta mbi mbulesë. Më pa vëngër, me syrin e djathtë. Mu dhimbs: sa i ligur, sa i paktë e i rrëgjuar. Sa i mjerë që dukej.Nga hera e fundit që e kasha parë, fytyra i qe tharë e tretur dhe tiparet i ishin holluar shumë. Kakaja dhe teze Selimeja që i rrinin mbi krye, më hapën vend. U afrova, i mora dorën dhe ia putha. Ai ma shtrëngoi sa mundi, si të donte të më thoshte se kishte kohë që më priste,e mbase diç donte të më thoshte. E pashë e lemerisur, duke rrahur të merrja vesh se ç’donte të më thoshte, por ai synë e vetëm ia hodhi së bijës, Kakasë. Si u qetësua nga gulçi, lëvizi buzët të thara shkrumb dhe nxori ca zëra grykorë mezi të kuptueshëm. Kakasë i rrodhën lotët çurk mbi dorën e tij.Për të ai kishte qënë nënë dhe at, e kishte rritur vetë. I rrinim mbi krye dhe prisnim të drithëruara për atë që mund të ndodhte. Dikur ai mundi të fliste, me zë të shuar dhe fjalë të shkëputura: ”Ma bëj hallalll, të kam rënë qafës, të kam mërzitur, ashtu e kisha huqin, po dua ta dish, të kam dashur shumë.”- Heshti, mezi mbushej me frymë, pastaj si mblodhi tërë forcat, ia nguli syrin e saktë së motrës,teze Selimesë. Ajo iu afrua, i vuri dorën mbi ballë dhe ktheu kokën mënjanë që i sëmuri të mos i shihte lotët.”Edhe ti, motër,…. ma bëj hallall, ….të kam mërzitur, të kam sharë kotnasikoti, po ta dish ……zëmërata ime….Nuk mundi të vazhdonte më tej. Ai e ndjente që ishin orët e fundit të jetës. Nga fjalët, nga vështrimi, ndihej një si shkëputje nga çdo gjë e kësaj jete,vdekja tashmë kishte vendosur pushtetin e saj . Ai deshi të ndahej duke na thënë se sado i prapët,i rëndë e gërnjar, ishte sjellë ashtu se na kishte dashur.E besoja.Ai nuk dinte të donte ndryshe. Në çastet kur njeriu ndahet nga jeta, thotë të vërtetat e shpirtit , ato pengje që s’do t’i marrë me vete, që së shumti, të gjallët e afërm, i quajnë amanete.

Lëngata zgjati tri dit.Preu gojën. I qëndrova mbi krye: I lagia buzën, i fshija lotet nga sytë, i rregulloja jastëkët.Në netët e trishtuara, në gjysmë errësirën e kandilit, përsolla nëpër mënt gjithë jetën time dhe të njerëzve të mi. Nga Vlora erdhi Shyqyriu me një doktor ushtarak. Doktori, i bëri një gjëlpërë për t’i lehtësuar dhimbjet, por na i preu shpresat. Na tha të bëheshim gati për më të keqen. Pati edhe një goditje të tretë, i gjithë trupi iu drodh dhe pastaj u shua ngadalë. I mbyllëm sytë, i lidhëm buzën. Nga Radostina erdhi Mulla Kamberi, e lanë atë trupin e drobitur të pajetë, dikur aq të gjallë dhe rebel, e ndrruan me të pastra, e shtrinë në tabut dhe e bënë gati për ta përcjellë në botën e përjetshme. E qava me ligje. Me ‘të kishte vdekur dhe një pjesë e historisë së jetës sime.

E përcolli gjithë fshati.

Nuk kam fjalë ta them sesa shumë mu dhimbs. Sa herë e shihja më nxirte mallin e nenes sime që i ngjante shumë,por edhe nga që, për mua dhe fëmijët u kujdes tërë kohën me aq sa i mundej. Kurrë s’më tha një fjalë të rëndë, ashtu si e kishte huqin me të tjerë.

***

Edhe mua më erdhi keq dhe hidhëroi ikja e dajë Veizit. Ai ishte heroi im: rebel, trim, guximtar, gjaksertë, që s’linte kënd t’i hynte në hakë apo t’i bënte karshillëk. I ashpër në sjellje edhe me të tijët , përqeshës me burracakët, shpotitës për dembelët, i drejtë me puntorët e të ndershmit. Si thoshte xha Nexhipi për të: Veizi është burrë nga të anës!

Mjafton të shkruaj këtu, atë që më rrëfeu për të Kakaja:

“Në fillim ,kur erdhëm nga Çamëria, u vendosëm në atë fshatin tjetër. Nëna na kishte vdekur. Unë dhe Hasani, që ishim binjakë, po luanim, por pa dashur, shkelëm dhe prishëm disa bimë misri. I zoti i arës, harbut dhe fjalëhidhur, erdhi dhe ju gërmush babait, që ishte ulur në hije të kasolles dhe po grinte duhanin.

-Çamët e mutit- tha ai-prishët vëndin tuaj dhe erdhët të na prishni edhe ne.

Babai, pa u ngritur nga vendi i tha:-“ Zotrote thuama edhe një herë, më fort se jam rënduar nga veshët.” Ai e përsëriti duke i mshuar më shumë asaj fjalës së ndyrë. Babai, fare i qetë, u ngrit, e kapi për fyti dhe me thikën që grinte duhanin i çau barkun. Ai bërtiti si kau kur e therin dhe zorrët i dolën përjashta dhe u plandos mbëdhe.

Sa hap e mbyll sytë, u turrën njerëzit e tij. Do na kishin vrarë, por Sabriu, që ishte duke kositur në livadh, u turr, ngriti kosën dhe i trimëruar nga frika, krah babait, u tha:”Kush guxon të bëjë një hap tëhu, do t’I pres kokën me këtë kosë!”-Dhe kush, Sabriu që s’ka zemër të therij një pulë! Ata të bindur që çamët se hanë turpin me bukë, por pë një fjalë edhe të vrasin, ngritën të plagosurin dhe u larguan. Nuk vonuan xhandarët që i vunë hekurat babait dhe e çuan në burgun e Fierit. E gjykuan e dukmeqënë se i plagosuri nuk vdiq e dënuan gjashtë vjet dhe dënimin e bëri në burgun e Beratit. Ne u shpërngulëm në Havaleas, ku edhe jemi, që për ne të kujdeseshin hallë Selimeja dhe xhaxhesha Bejua deri sa u martua Sabriu.

Babai bëri dy vjet, u lirua kur erdhi Italia dhe u hapën burgjet.

Ne u bëm me hasëm.Ata ishin fis I madh. Kohën e luftës, hasmi u bashkua me ballin, djemtë tanë, Shyqyriu dhe Saliu shkuan partiznë në batalionin e Myzeqesë. Pas lufte ky sherr u mbyll.

***

Nuk e teproj. Mua kështu më dukej: i hijshëm, shtatlartë, shpatullgjerë, vetull e syzi, hundëshqiponjë, me çehre të hequr, të shëndetshme e të trëndafiltë.I veshur me uniformën blu, që i rrinte pas trupit,me gradat e rreshterit mbi supe, ngjeshur me rripa, revolverin në brez, dhe një pushkë të shkurtër italiane që i thoshin “Patickë” në sup, kapelja me strehë, rreth dhe yll të kuq, çismet xixë nga llustra, i kishin një barrë lezet.I kishte hije vendit ku rrinte. Ato armët në sup e ngjeshur në brez, në sytë e mi e bënin të dukej autoritar e të frikshëm, por ama, kur vinte rasti ,unë edhe mburresha me të.

Ky ishte Saliu, djali i mesëm i dajë Veizit, kushëri i parë i nënës, që për respekt unë i thosha dajë. Pasi ishte liruar nga ushtria partizane, kishte hyrë në polici, apo si thoshte nënna, ishte veshur polic. Shërbente në lokalitet.Kur shkonte apo kthehej nga shërbimi, kalonte para kasolles sonë, na përshendeste, por rrallë qëndronte.

Do të thoni ju, ç’hyn Saliu në këtë tregim? Por ja që hyn. Kohët e fundit, ai vinte ca si më shpesh te ne. Nuk e di se çfarë bisedonte apo këshillohej me nënën, por një herë, më gjeti brënda teksa po bëja detyrat e shtëpisë. U ul në minder pranë nënës dhe filloi t’i thoshte diçka me zë të ulët. Nga fjalët e shkëputura që më zinte veshi, nuk mund të kuptoja gjë. Nëna e dëgjonte me vëmëndje po pak e habitur dhe në vend të përgjigjes ngrinte supet, sikur s’dinte ç’ti përgjigjej.Pastaj dëgjova që i tha: - ” Nuk prêt dot, yt atë s’po bën as tre muaj vdekur! - ” Eh moj Ervehe- I tha ai- të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët. Ç’bëri sot, e ç’bëri nesër “ - Iku i mërzitur. Nuk e pyeta nënën.

Një pasdite, tek ne erdhi Zeli, vajza e Dule Bacit. Besomëni: Zeli ishte vetë bukuria! E hollë dhe e gjatë si fidan, beli sa t’i shkoje unazën, fytyra me një oval të përsosur, balli i ndrinte si hëna, vetullat e holla të harkuara, sytë e zez si bajame që u bënin hije qerpikët e gjatë, hunda e drejtë, nazike, goja e vogël me buzë të plota të trëndafilta,cipa e faqeve me reflekse qelibari. Ku ishte ruajtur ajo bukuri për tek një vajzë e vetme! E krahasoja me Gjylon tonë, se kishin një moshë. Gjylua kishte freskinë e rinisë, por jo bukurinë e Zelit.Ajo vinte shpesh se kishte shoqëri me Gjylon, mirrte me vete punëdoren ose gjergjefin me qëndismat, por kësaj here, qëlloi që Gjylja kishte shkuar te Zoica. Pas saj, si ta kishte pjellë dheu, erdhi dhe Saliu. Pashë që Zeli u ndje në zor dhe u skuq në fytyrë. Saliu e përshëndeti, ajo ju përgjegj me zë të shuar. Ua qepa vështrimin. Saliu e pa drejt në sy. Vështrim i guximshëm, xixëllues por edhe i dëshiruar,lutës, nga ata vështrime që flasin më shumë se fjalët, që kanë brënda pyetjen por që presin edhe përgjigjen. Ajo nuk i bëri dot ballë vështrimit dhe e ktheu kryet mënjanë. Nëna më bëri me nojmë, dolëm të dy jashtë dhe i lam vetëm. Nuk kaloi kohë dhe Zeli doli e skuqur flakë në fytyrë dhe pa kthyer kokën as majtas as djathtas vrapoi për në shtëpi. Pas saj doli edhe Saliu. Ishte i tronditur, por në sytë e ndritur kishte një hije gëzimi dhe në cepat e buzëve i lodronte buzëqeshja e mezidukshme. Bisedoi gjatë me nënën. Kishte rënë në dashuri me Zelin, si tha nëna më pas, i kishte rënë në kokë dhe, i tha ta kërkonte te i ati për nuse. O e merrte nuse Zelin , o vdiste! Hall i madh për djalëzinë, -tha nëna-sevdaja, më e rëndë se belaja!

Si përditë, u takova me Hajdërin. Dukej i mërzitur.

-Shtëpisë sonë i ka rënë zjarri. Dhe e di kush ja vuri flakën? Teze Erveheja, që erdhi dhe kërkoi Zelin nuse, për atë policin, Saliun.

-Pse ç’të keqe ka këtu? Dajë Saliu është kushëriri ynë, dhe Zeli ka moshën për martesë. E ku do gjeni më mirë!

-Ashtu thua ti se aqë ta pret, po të dëgjosh ata të mitë se ç’thonë. Janë ndarë më dysh. Nëna dhe babai, as jo, as po, Shabanit dhe gjysh Nexhipit i pëlqeu,po Zani bërtet me gishta në vesh - ”Motra ime grua e policit: kurrën e kurrës, si të piqet qiell e dhe!”-dhe-”U shuan djeltë e Çamërisë, që ime motër të martohet me polic?” Kur mori vesh se Zeli ishte parë në shtipinë tuaj me atë policin, ju turr dhe do ta kishte bërë të vdekur , po të mos ja nxirte shabani nga duart. Zeli u ënjt nga të qarët.Më dhimbset dhe nuk e shoh dot. Fundja ç’faj ka ajo?

-Ç’dreqin ka Zani me Saliun, ç’faj i gjen, as qorr as sakat, as i metë nga mendtë? Gjithë ai djalë, i hijshëm, pastaj me shtëpi e katandi.

-Nuk e di. Ai se ku ka bërë një sherr me policët,i kanë dhënë një dru dhe i ka mrrë zët.

-Po ti ç’thua?

- Kush më pyet mua.

Kaluan dit.Zelin e mbyllën brënda, si zogun në kafaz. Sherri sherr.

Më anë tjetër, Saliu nuk sprapsej. Për të kërkuar dorën e Zelit dërgoi të vëllanë e madh,Sabriun, ndryshe fjala e tij, kërkesa të bëhej si burri burrit. E dëgjuan, e falnderuan, i thanë se ishin të nderuar, e plot fjalë të tjera që thuhen në këto raste, por djali, i vëllai i zelit,Zani ngulte këmbë: jo e jo. Motrën nuk do ta martonte kurrë me një polic!

Po halli? Saliu i tha nënës se, për të pasur Zelin, do të zhvishej nga rroba e policisë. Fundja ajo s’ishte veç një punë, me sot me nesër, kurse Zeli do të ishte gruaja e jetës!

Ja thanë Zanit. Ai sikur ndrroi qëndrim, u zbut. I kishte shkuar e tija.

Ashtu u bë dhe fejesa u shpall.

Kur e pashë Saliun civil, u zhgënjeva. Sesi dukej, i tjetërsojtë, si gjithë të tjerët, si tha damani me shaka: si Hodo leckamani! Aty kuptova se çfarë është në gjëndje të bëjë një djalë, për dashurinë e një vajze.

***

Zoica dërgoi të nipin ,na ftonte mua dhe Zelin në shtëpi se kishte për të na treguar ca qëndisma të reja. Ne ishim të dyja të fejuara, Zoicës si kishte dalë akoma fati. Na përqafoi të dyjave dhe na uroj të trashëgoheshim e të ishim të lumtura. Në kokë tënde, ja kthyem ne.

-Nuk dua të martohem me lajmësi- tha- ma do shpirti të martohem me dasbhuri. Të dua dhe të më dojë një djalë, të më rrëmbejë dhe të ikim larg, të marrim arratinë dhe të rrojmë për njeri-tjetrin.

Dëgjoja Zoicën dhe mendoja për vete: më fejuan sipas zakonit. Ne se pam njeri-tjetrin. I fejuari i besoj fjalëve të së motrës, kurse mua më prunë një fotografi të tij. E ç’mund të kuptohet nga nje fotografi? Dija që në vjeshtë do më martonin, do ndahesha nga familja ime dhe do shkoja në një familje tjetër.Tjetër shtëpi, të tjerë njerëz, mbase dhe të tjerë zakone dhe një burrë që, nuk e di do të më donte , apo do t’a doja!

-Gjylo, e ke parë të fejuarin?

-Jo veç në fotografi.E kanë parë vëllezërit. Thonë që u pëlqeu e se ishte goxha djalë. Kështu thanë.

Pashë që Zoica u habit dhe ajo nënqeshja shpotitëse nuk më pëlqeu, por nuk tha fjalë tjetër, duket që të mos më lëndonte apo prishte qejfin. Pastaj ju kthye Zelit:

-Zeli, e di që Saliu u marros pas teje,e di gjithë fshati, po ti e do, ndjen gjë për të?

-Nuk e di, po si njeri e si pamje më pëlqen.

-Jo të pyes, a ndjen dashuri, të rreh zemra për të?

Zeli nuk diti si t’i përgjigjej, ndaj Zoica, puliti sytë si të donte të shihte brenda vetes, fytyra e bukur ju ndriçua e i ra një hije mallëngjimi.

-Zor ta spjegosh, moj çupa, se ç’është dashuria. Është ndjenjë, nga më të bukurat që mund të përjetohet. Dashuria është një botë e tërë, është një dehje. Është të dëgjosh zërin e zemrës.Malli ndaj një djali a burri që do ta përqafosh fort dhe të duash të rrish me të, se duke përqafuar atë, harron gjithëçka në botën e jashtëme. Dashuria është mall’i njeriut për të gjetur një strehëz të sigurtë për ndjenjat, shpirtin dhe trupin e tij. Të japësh e të marrësh, kur dy zemra shkrihen e bëhen një!

E dëgjoja e mahnitur. Ku i dinte Zoica gjithë këto gjëra?

-Nga i di ti? Ke dashuruar kënd?

-I kam lexuar në libra, por shpesh, kur më kap një mall e dalldi që se di nga më vjen, e ndjej se ajo është dasdhuria që më mungon dhe e pres të më vijë! Eh dashuri, eja, mos vono!

E lam Zoicën në pritje të dashurisë së saj, por me ato që na tha, mu duk vetja se rroja kot.

Maj 2022.

24 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page