Kater skica poetike


Resmi Osmani

VALLJA E STINËVE

Stinët,të zëna dorë për dore, me dymbëdhjetë valltarë, hedhin vallen e vitit, rreth pemës së jetës. Ndërrohen, ikin dhe vijnë, pafundësisht, me të njëjtin emër, me të njëjtat dukuri. Ne i ndjekim pas, pa e ditur jemi pjesë e tyre, apo janë ato pjesë e jona?Ndryshe pej tyre, stinët tona të jetës, që edhe ato janë katër, rrjedhin në një drejtim, përpara, pa kthim: fëmijët lulëzojnë e rinohen, të rinjtë burrërohen dhe vjelin frytet, burrat plaken dhe ikin. Jeta fillon me pranverën dhe mbyllet me dimrin.Çdo stinë përjetohet si një ëndërr. Dhe kështu përjetësisht.

1. Pranvera

Pranverë, pranverë, o kohëz dashurie.

Pushkin

Tinëz, pa kuptuar si të dojë t’I vidhet dimrit, pranvera e drojtur shfaqet me frymëmarrjen e vakët dhe fryma e saj e ngrohtë që vjen me puhizën nga deti, ngroh dhe shkrin damarët e mardhur të tokës. Dielli në qiellin pa re nis e derdh më bujarisht dritën lbyrëse.Natyra nis të ngjallet.Farërat e fjetura nën borë dhe tokën e ftohtë, zgjohen e buisin duke nxjerrë mbi dhe syrin e tyre të gjelbër.Nis e shkrin bora e manëmaleve dhe ujërat e kristalta ushqejnë burimet.Bajamja kjo dashnore e dritës dhe pranverës, fryn sythet dhe nxjerr lulet e bardha, anipse, dimri xheloz e i pabesë, jo rrallë dërgon si hakmarrje të grahmave të fundit, brymën vrastare dhe “Plakat” e tij idhnake.Sheh pema pemën ,sheh lulja lulen dhe, një ditë si një befasi pemët hedhin velin e bardhë të luleve, si fustan nuserie,shpalosin flamurin e pranverës që hedh hapat e parë të marshimit.Ato thërrasin: “O njerëz, erdhi pranvera”. Kthehen dallandyshet te folezë e vjetër. Harliset bimësia arave, fushave, livadheve.bari shkëlqen nga pikat e margaritarëve të vesës, në prozhme dhe shullëre çelin aguliçet, karakaftet, kuqëlojnë anemonet, në qilimin e blerët të barit, zbardhin luledelet. Vjollcat e turpshme e të drojtura çelin nën gëmushat . zambakët e zymbylat i gëzohen diellit, trëndafilat shfaqin tërë bukurinë e tyre mbretërore. Ajri i tejpashëm ermiron aromë jete. Turren bletët lule më lule në kërkim të mjaltit.Ah sikur të gjitha kandrrat të bënin mjaltë! Natyra kapet nga dalldia e pllenimit, e çiftëzimit, në ajër pluskojnë miriadat e kokrrizave pjalmike, ngjizen frytat, zogjtë çiftosen dhe ngrejnë çerdhet, shumohen gjallesat.Ky ajër i vakët që mbart magjinë e pllenimit, kjo dritë, kënga e laureshave, qielli i bruzët, shtjenë në shpirtin e gjithkujt një molisje ëmbëlcake, një ngasje dhe magjinë e së pritshmes, që patjetër do të jetë më e mirë, melodinë e motiveve të jetës, të ëndërrimit dhe pritjen e ndodhjes së tëpazokonshmes, të së bukurës, trokitjen e dashurisë dhe të lumturisë. Dita e pranverës. Katërmbëdhjetë marsi. Gëzim, shpresë, hare, ekstazë. Gëzuashi ditën e parë të pranverës! Harrojini të paktën për një ditë hallet. Në qafat e duarve lidhen veroret kuqe- bardhë :shëndet e dlirësi, ballokumet, ëmbëlsi.Bujqit derdhe arave lërojnë dhe hedhin farat. Të mbjellësh farën, oh ç’mrekulli, të zgjosh jetën e fjetur në një embrion: netët e majit, misteri i gjithësisë, që breron me vesën e dritës së yjeve dhe hënës së plotë, vallja e çartur e bukurezave, zërat e përmalluar të zogjve të natës, aroma e vlagës që vjen nga frymëmarrja e tokës, janë kurthe këndellëse, poezi lirike e shpirtit të qënies, mrekullia e ekzistencës si pjesë e krijimit, e natyrës që pakuptuar hyn brenda nesh. Grishin për dashuri dhe poetët drithmat e shpirtit i trupëzojnë në lirizmin e poezive. Pemët vishen me rroben e gjelbër, vashat zhveshin petkat e dimrit, zbukurohen, llërë e gushëbardha,faqe paputhura, ngarendin andej këndej.Kërkojnë djemtë!

Tungjatjeta jetë!

2. VERA

Sa kam qarë beharë

S’kam qarë as nënën e babanë

Populli

Vera:qiellkaltra, dritëshumta, shkëlqimtarja, rrezearta, del në krye të valles dhe dredh shaminë me ngjyra të ylberta.E motra bujare e ka lënë tryezën të mbushur, por ende të pa arrirë.Vera përvjel llërët, I duhet dritë dhe ngrohtësi. I ka të dyja me tepri.Zverdhon e pjek grurin në ara, e shin dhe mbush hambarët, rrit bimësinë tjetër ndër ara, kuqëlon qershitë në degë, zverdh kajsitë, skuq aromatizon dhe pjek pjeshkët, rrit qingjat në kullota, i mbush duart me plot të mira e begati, i jep jetës shije dhe hijeshi.Bletarët nga hojet vjelin mjaltin, bujqërit ndër ara gdhihen e ngrysen.Me djersë lqajnë plisat e ugarit, djersën derdhin lumë. Çdo e mirë me djersën e tyre është mbrujtur e gatitur. Syri i diellit, i qeshur, i ndritur, i zjarrtë dërgon rrezet përvëluese i varur në qiellin-saç së larti. Vapë, uf sa vapë, sin ë furrë! Gjinkallat cinxërojnë, milingonat punojnë, delet në hije mrizojnë, fëmijët lodrojnë.

Ku je o det bujar, i paprehje dhe valëshumë, plot bukuri, që mërmërin këngën e përjetshme të ujit të njelmët, që luan e kuvendon me diellin dhe erën, na puth me dallgët, na freskon me puhizën tënde, na flladit e na jep prehje. O anëdeti rërëartë, që u bronzon vashave e djemve cipëzën e butë dhe u shton bukurinë dhe hijeshinë. Drejt teje në Sarandë, Vlorë, durrës, Shëngjin e Ulqin, po vijmë! Ku jeni o majëmale me ksulën e bardhë të borës, o bukuri parajsore të atdheut. Bjeshkët e Alpeve, Thethi, lugina malore bleroshe ujëkristaltë e Valbonës, të Sharrit e Rugovës, o pyje hijedëndur të Lurës, u dëshirojmë në këtë zheg, lum kush u ndodhet pranë.

Qershori i jep puthjen e lamtumirës korrikut dhe korriku puthjen e mirseardhjes gushtit. Gushti dashamir, freskon pak netët dhe aty nga dita e pesëmbëdhjetë kujtohet të derdhë një shi(rrallë e harron) që toka e rreshkur të pijë një gllënjkë ujë që të shuajë etjen dhe bimësia të gjallërojë. Gushti na del borxhit me paralajmërimin: O njerëz, bëni gati Gunën!

3. VJESHTA

Na erdhi vjeshta e veshur me najlon

Na erdhi llërëpërveshur,gji zbuluar.

Fustane mjegullash I ndërron përditë

Në bahçe prehrin e mbush me fruta.

Bilal Xhaferri

Gushti ia dorëzon stafetën shtatorit.Ky njëzet e tre ditë pasi ka hyrë, kur arrin baraz ditë-natën, nënshkruan protokollin astronomik: hyrjen zyrtare të vjeshtës dhe ajo ulet këmbëkryq me gjithë begatitë e saj. E bukur, flokëartë, firomëfreskët, ngutet të përfundojë punët e lëna gjysmake nga motër Vera:pjek dhe ëmbëlson rrushin në vreshta, e vjel,e