Ese mjeshtërore, në lidhje me tregimine Eliverta Kanina (Eli) “Karantina, breshka jonë ujore”
Në letërsi ekziston simbolizmi animalist; në të kaluarën ndërthurja e tillë alegorizohej përmes një fabule me shpezë, shtazë e botën bimore, me florën e faunën. Porse poetika moderne, ndërthur botën njerëzore jo vetëm brenda një bote të tillë, faunës e florës, por edhe si ndërtim i marrëdhënieve mes qenieve e bimëve: natyra jemi ne, qeniet e gjalla kemi të përbashkët: se jemi krijesa. Eli ka bërë një gjetje të bukur parabolike me breshkën në kohë pandemie: kur të ngushtohen horizontet e lëvizjes e të gjallimit, edhe në një hapësirë të ngushtë, posi te Varka e Noes, arrijnë ta ndërtojnë një bashkësi, një botë, një komunikim të përsosur, një marrëdhënie paqësore e emocionale!
Breshka, kjo personazhe që nga koha antike, që paradigmatizohet me shpejtësinë e Akilit; që merrej si totem shpirtëror dikur; për të cilën thureshin legjenda se si e mban mbi shpinë peshën e tokës; e përpunuar si art i thellë artistik te Martin Camaj (breshak lëviz nëpër Malësi si qenie e përulur karshi shqiponjave a përfytyrimit larëtsues të malsorit tashmë të përulur keqas në kohën e mjerimeve dikattoriale); këtu te tregimi i Elit fiton përmasa krejtësisht të reja poetiko-narrative. Ajo jeton në tokë dhe në ujë, ajo lëviz me durim, me ngadale, i kundërvihet jetës dinamike, të zhurmshme, të shpejtësive marramendëse e me zallahi të epokës industriale, teknologjike e digjitale; dhe sikur na sugjeron: njeri, ndalu, shiko rreth vetes që e braktise, shiko rreth familjes që e harrove, shiko brenda vetvetes për t'i gjetur zgjidhjet që të duhen, për t'i ngritur kikat e vetëqenies. Ajo personfikon paqen e mendjes, dhe përfiguron marrëdhëniet paqsësore me familjen, me mjedisin, me vetveten e hallakatur. Ajo ecën për tokë, bëhet njësh me tokën, me durim të madh (simbol i durimit). Dhe nga kjo simbolikë e nga ky personifikim, duan të shoqërohen edhe personazhet familjarë të këtij tregimi të bukur. Ajo kontraston botën njerëzore, durimin përballë çarjeve e përplaseve emocionale e ekzistenciale jetësore të njeriut; ajo shpalos ngadalë botën e saj duke u transformuar qëndrueshëm në vlerë ecjeje: ajo na sfidon me durimin e saj kundruall një bote shqetësimesh; ajo na e hjep modelin e forcës emocionale dhe të mirkuptimit tonë të brendshëm, shpirtëror e emocional. ...E njeriu? Njeriu ende karantinizon gjithçka me vlerë... Njeriut i mbetet ta bëjë hapin e sigurt, mbasi e ka shembullin përpara vetes, te ky tip i ndërtimit të marrëdhënieve emocionale e shoqërorizuese. Përgëzime për këtë dhuratë të bukur për lexim!
Comentarios