“Karakteri dhe arketipi” i personazheve në romanin «MALËSORJA» të Nazmi Rrahmanit



Shkruan Shefqet DIBRANI

Fragment...

Romani “MALËSORJA”, i Nazmi Rrahmanit, si asnjë vepër tjetër letrare, e ka pasur ndikimin e vet në letërsinë shqipe, veçmas në edukimin dhe formimin intelektual të gjeneratave të tëra, sidomos për shqiptarët në Kosovë dhe hapësirën e ish Jugosllavisë. Ky roman që nga botimi i parë në vitin 1965, është preferuar si lekturë shkollore për nxënësit e shkollave fillore, për klasat e larta, si dhe nëpër shkollat e mesme, qofshin ato gjimnaze apo të karakterit profesional.

Romanin “MALËSORJA”, kam pasur fatin ta lexoj gjatë shkollës së mesëm, diku në vitin 1978. Padyshim, ky kontakt, me këtë vepër letrare, ka ushtruar ndikimin e vet, ashtu siç ka mundur të ndikojë edhe tek të tjerët, në varëshmëni me situatat dhe rrethanat kur kjo vepër është lexuar. Ndonëse romani “MALËSORJA”, është roman i karakterit social, ai e ka kryer misionin e vet në aspektin edukativ, në aspektin pedagogjik dhe në aspektin patriotik, sepse nuk ka patriotizëm më të madhe se sa me edukuar dhe arsimuar një shoqëri të tërë. Pavarësisht kësaj, nuk mund të përjashtohet mundësia se tek autori mund të kenë ushtruar ndikim rrethanat shoqërore e politike të asaj kohe, por si vepër letrare romani është i zhveshur tërësisht nga ndikimet e politikës, sikurse edhe nga frymëzimet tjera patriotike.

Të gjitha ndikimet e mundshme të kësaj natyre lidhen me formimin intelektual të autorit, me atë frymëzimin e asaj kohe për edukim dhe emancipim të shoqërisë e cila në masë të madhe ishte analfabete. Kjo vetëdije dhe ky frymëzim intelektual, u përket atyre viteve kur një shoqëri e tërë ngarendte për tu shkolluar, për tu emancipuar dhe për të ndryshuar, si vetëdije kolektive për ndryshime kulturore, arsimore, edukative dhe pedagogjike në nivel nacional.


Shefqet Dibrani

Ngjarjet e asaj kohe, sidomos rrethanat sociale e patriarkale, autori i përshkruan në mënyrë brilante, thjeshtësia dhe modestia e shkrimit letrar, janë edhe një shtytje tjetër por një përshkrim më të detajuar, prandaj qasja jonë ka të bëjë edhe me përkushtimin e atij brezi në aspektin edukativ e arsimor, në ndikimin e vetëdijes kombëtare, të pabarazisë shoqërore, madje nuk është theksuar aq, por ekzistonte një vullnet dhe një vetëdije qytetare që shënoi ndryshime, e kjo kishte ndodhur nga vullneti i tyre për t’i thithur këto porosi të fuqishme, që autori i përcillte përmes formës së shkrimit letrar.

Jeta në fshatin rural në Kosovë, gjithmonë ka qenë e ashpër, arkaike dhe e vështirë për tu jetuar. Kurse për femrat, duke i ditur zakonet arkaike e patriarkale, ka qenë edhe  më e ashpër për tu jetuar e për të gjallëruar. Në romanin “MALËSORJA”, ajo jetë është përshkruar me të gjitha karakteristikat e asaj kohe, madje kjo vepër pohon se njohja e autorit me doket dhe zakonet e trevës paska qenë shumë e fuqishme, lidhja shpirtërore edhe më shumë, e kjo njohje  e mentalitetit ka nxjerr një përshkrim letrar të detajuar të ngjarjeve dhe ndodhive, andaj përshkrimi i veprës bëhet më i thellë, më përjetues, logjik dhe mjaftë përmbajtjesor. Zakonisht këto vlera e bëjnë romanin “MALËSORJA” të dalluar, të dashur dhe si vepër letrare më të respektuar. Sigurisht, janë këto vlera letrare e estetike, të cilat kanë ndikuar që romani “Malësorja” të përzgjidhet si lektyrë e detyrueshme shkollore, si lektyrë e preferuar, e cila iu ka dedikuar nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme kudo në hapësirën shqiptare, kuptohet në ato treva që kishin mbetur jashtë Shqipërisë Socialiste.


Nazmi Rrahmani

Gjatë hulumtimit kemi ndeshur në informacione të shumta, dhe sigurisht edhe inkurajuese, për përdorimin e këtij romani në të gjitha nivelit shkollor, pra që nga klasat e larta të fillores, nëpër shkollat e mesme e deri në universitete, në të cilat shihet ndikimi i pashmangshëm i këtij romani dhe i autorit në përgjithësi. Natyrisht nuk kemi ndeshur studime shteruese, ndonëse as ato nuk mungojnë, por me sa kam kuptuar përpjekje për një bibliografi më të kompletuar është evidente. Librat bibliografik, sado të vështirë për tu bërë, janë  tabela rrëfyese nga ku zakonisht dilnin porosi të vyeshme, ide të caktuara për një vepër e cila arriti t'i përballoj edhe ndikimet politike. Kemi hasur në informacione, në të cilat shihet se romani “MALËSORJA”, është pjesë e programeve shkollore edhe nëpër universitete të tjera, aty ku mësohet Albanologjia, janë marrë fragmente për nevojat e mësimit akademik të shqipes, dhe nëpër libra “Gjuha shqipe”, për klasat e larta të shkollës fillore ose nëpër ato të mesme.

Nëpër ato tekste shihet se si në mënyrë profesionale analizohen aspekte letrare të këtij romani. Pastaj e kemi ndeshur edhe si pyetësor nëpër testet e maturës dhe formave të tjera të matjes së inteligjencies. Çka do të thotë se nëse dikush do të merrej me këto aspekte, jo se do t’i sillte letërsisë shqipe një vepër të mirë bibliografike, por historisë së romanit shqiptar në Kosovë do t’i bënte një shërbim të madhe, sidomos nëse do të trajtoheshin edhe aspekte pedagogjike dhe të ndikimit e shumta profesionale.

Kritiku letrar dhe studiuesi i letërsisë shqipe, akademiku dhe profesori universitar dr. Sabri Hamiti, ka bërë një studim të përmbledhur për romanet e Nazmi Rrahmanit, duke përfshirë edhe romanin “Malësorja”, por studiuesi Sabri Hamiti, edhe në kontingjentin e gjerë të kritikës letrare, nëpër disa elemente do t’i rikthehet dhe do ta citon prozën e Nazmi Rrahmanit. Ndërsa një studim më të kompletuar, për romanin “MALËSORJA”, vite më parë e ka botuar profesori universitar dhe ligjëruesi i teorive letrare dr. Zejnullah Rrahmani, “MALËSORJA E NAZMI RRAHMANIT OSE ARTI I INTERPRETIMIT”, në të cilën janë analizuar në mënyrë të spikatur disa aspekte letrare e estetike të këtij romani.

Por për t’iu rrekur një studimi më të kompletuar për romanin në fjalë, përveç përgjegjësisë profesionale, janë edhe njohjet e drejtpërdrejta me autorin, të cilin për vite me radhë e kam pasur redaktor dhe botues të librave, poetik e publicistik.


#nazmi #rrahmani #shefqet #dibrani

13 views

Shkrimet e fundit