top of page

Kalorësi i kohës në poezi




( Shënime kritike mbi poezitë e poetit Hekuran Halili)


Edhe pse nuk e kam pasur një libër me poezi të Hekuran Halilit, ishte “libri” i facebookut që më sillte fletë nga librat e tij të shkruar e të pashkruar. Ishte dhe libri i pabotuar akoma me titullin” Kohë që rrjedh” që më tronditi shpirtin dhe mendjen...

Dhe fletët me poezi vinin tek unë dhe para meje qëndronte një kalorës i Jugut që fliste e fliste për bukurinë e jetës e për një të kaluar të paharruar. Ishte kalorës jo templar por kalorës, bir i Çamërisë që kalonte fushave, kodrave, lumnjeve e maleve në tokën e bekuar çame, kalonte dhe kalon pa u lodhur, duke mos u shkëputur shpirtërisht e fizikisht nga Konispoli.

Lexova se Adem Demaçi për librin poetik të Hekuran Halilit “Unë, njeriu” ka shkruar: “ Duke lexuar këtë libër poezishë, ata që nuk e kanë pasur rast gjeri tash, do ta njohin me rrënjë shpirtin e zemrës çame”.

Me të vërtetë, nëse unë e quaj Hekuranin, kalorës të kohës, e quaj se ai ka dalë në mbrojtje të “urdhërit” që e udhëzon që të shfaqë atë dhimbje të madhe të popullit çam. Ai në shumë poezi e portretizon këtë dhimbje si kalorës i poezisë ku koha për të është përçuese e kësaj dhimbjeje të madhe.

Ky poet që rri larg karabinave të kryeqytetit rri në Sarandën magjike, jeton mes jugorëve të butë dhe mediton...Ai ështe tejet i madh me dhimbjen e tij dhe nuk dëshiroj ta krahasoj me asnjë poet tjetër të famshëm apo të pafamshëm. E famshmja ndodhet brenda dhimbjes së tij. Dhimbja për Çamërinë është pelerinë e të gjitha dhimbjeve të tij dhe ato kryqëzohen njera me tjetrën e mpleksen duke hapur labirinthe që nuk po kanë dalje. Dhimbja e tij shkon përtej dashurive të pashuara siç shprehet në poezinë “Dashuri e pashuar” kushtuar djalit të tij. Por kjo dashuri është e shpërndarë herë nga bota shpirtërore e inxhinerit, herë nga ajo qe i takon poetit dhe tregimtarit, herë nga ajo që i takon dhe patriotit si dhe familjarit, gjyshit dhe mikut. Është një dashuri kozmogonike dhe e sjellë nga kohëra të hershme dhe e konstruktuar ndryshe nga shumë poetë që i këndojnë Camërisë.

Në poezinë “Vargje të muzgëta” shkruar në 2014 por që Facebooku ma solli këto ditë Hekurani shkruan:

“ O muzg, as errësirë e plotë, as dritë dritërimi,/ Ti më ringjall të gjitha trishtimet, të gjitha dhimbjet, /Gjithë shpirtrat e të vrarëve të mi gjithashtu, /Në tisin tënd të argjënd, shoh Çamërinë time /Që rend kohrave e viteve si e marrë,/ Për gjithë padrejtësitë e Botës që i janë bërë.”

Ma solli në kohën e duhur, dhe botën e kësaj poezie menjëherë e futa në analizën time. Edhe dhimbjet, edhe koha edhe Çamëria janë aty. Pak poetë i këndojnë muzgut, se të gjithë i turren agimit, të mjerët, të varfërit e mendjes!!! Një poet si Hekuran Halili e gjen të vërtetën atje ku ajo fshihet, në muzgun që mpiks dritën dhe të bën të presësh muzgun e radhës dhe…. padrejtësia vazhdon.

Dhe për muzgun po kështu ka shkruar dhe Moikim Zeqo në librin e tij” Në anën e trilluar të kohës” sikur të ishte në sintoni me mendimin e Hekuranit:

“Kush i bën poezitë e muzgut me imazhe somnabul? Mohim i kohës reale- megjithatë- s’është imagjinatë.”

Është kjo temë e dhimbshme që ky poet e ka kaq shumë për zemër se nga kjo dashuri atdhetare lindin dhe dashuritë e tjera. Poezitë e tij shpesh kanë fabulën e thjeshtë, vargun me pak fjalë, mbushur me detaje të jetës së përditshme ku nuancat psikologjike shprehin dallgët shpirtërore aty ku epika ia le vendin lirikës. Poezia e Hekuranit është shëmbulli tipik i shkrirjes plotësisht të harmonishme të elementëve epike dhe lirikë në poezinë shqiptare e më tej. . Ajo, poezia merr ngjyrat e epikes edhe kur poeti ndërhyn me shpirtin e tij të madh, me magjinë e metaforave dhe maksimave të tij të veçanta, si një ndërhyrje pothuajse e padallueshme e poetit brenda subjektit dhe ku e vërteta objektive bëhet subjektive dhe anasjelltas.

Kjo është alkimia e poetit dhe poezia e tij bëhët fluturuese në qiej e hapësira të pafundme duke sjellë jehonat plot impulse të tokës nga ku poeti ligjëron.Dhe Hekurani na dha poezinë poemth “Unë njeriu” poezi që u kthye në obeliskun e tij. Mes vargjeve të këtij poemthi lexojmë:

“ Unë njeriu, që kam nevojë për fjalën, për këngën, për përrallën./ Unë njeriu, që kam nevojë për pëllëmbën, për zënkën, për rrahjen./ Unë njeriu, që kam nevojë për puthjen, për lotin, takimin e ndarjen.’

Vetë Hekurani për këtë poemth që e ka për zemër, më shkruan se:

“Driteroi i madh kur e lexoi u mrekullua... Një nga poemthat më të mira- më tha- që kam lexuar.”

Dhe meqenëse ai përmend Dritëroin unë po shtoj se vetë shkrimtari i madh Dritëro i ka bërë parathënie librit të Hekuranit ”Unë, njeriu” dhe është po Dritëroi që me shumë guxim përktheu poetin ruso-ebre Eduard Bagrickij. Jo më kot e solla këtë fakt pak të njohur të vitit 1961 kur Dritëroi e botoi këtë libër ndryshe,me titullin “Nata e fundit”.

Vetë Bagrickij për poetin në përgjithësi shkruan:

“Poezia është prototipi i trupit të njeriut. Çdo pjesë duhet të jetë në vend të saj, çdo organ ka funksionin dhe kuptimin e vet. Unë do të thoja se çdo germë duhet t’i ngjajë qelizës së organizmit; ajo duhet të rrahë e të jetojë…”

Prandaj Hekurani thotë :”Unë njeriu” dhe nuk thotë: “Une poeti, unë inxhineri, unë…”

Kështu poezia e Hekuranit merr flatra nga e thjeshta, nga trupi i tij, nga toka e tij, nga ajri i së shkuarës.

Dhe në poezinë “Erërat e kujtimeve” shkruan:


“Vallë, ç’kanatë shpirti kohërave kam lënë pa mbyllur,

Ku kam heshtur, kur duhej folur, i ngrati!”

Dhe një koment nga Loreta Vaso thotë: “ Erërat e kujtimeve që shpirti mbart, kthehen në stuhi”

Dhe mendja poetit i shkon që të bëhët det…


“Edhe mua si lumin, si detin

Drita e agimit zgjaur më gjen

Mos ndoshta kam nisur të bëhëm det!


Ky është krahasimi më i bukur që do t’ia bënte kushdo kritik letrar për shpirtin e tij poetik e ai tashmë është det e shkuar detit, se tea i derdhen dertet e shpirtit, luemenjtë e së sotmes e së djeshmes duke shpresuar pë lumenj të rinj…

Nuk e di pse nuk jam njohur më parë me poezinë e Hekuran Halilit!? Por tani është më mirë kjo njohje, është kënaqësi për mua që të shkruaj për shpirtin poetik të këtij poeti epik e lirik të jugut tonë të dashur. Desha që në përfundim të këtyre mendimeve të kujtoja poezinë e Hekuranit” “Çast eterik” ku aludon me abstraktin e një kështjelle:


“Më flet me zëra si klithma çafkash

Sikur më vjen nga një tjetër planet

Mistershëm mbështillesh me velin e heshtjes

Më e pamarrshmja kështjellë.

Sa doja llagëmin sekret t’ia gjeja

Që ta pushtoja atë kështjellë

Bashkë të mbështilleshim në velin e ëndjes

Dhe koha të mos “pillte” më mëngjes.


Një kështjelle virtuale iu sul dhe Franz Kafka i madh në romanin e tij të famshëm “Kështjella” e nuk mundi ta kapë...Hekurani një tjetër këahtjelle iu sul, asaj shpirtërore dhe na ka future edhe neve aty brenda shpirtit të tij llagar.

Duke qenë kalorës i kohës ai lëshon kushtrimin “ Mos dyshoni, do të vijë, patjetër do të vijë, leximi i dytë i historisë!’

Ai është i bindur dhe ne bindemi nga poezia e tij për një të ardhme tjetër të shqiptarëve, pa tjetër dhe të leximit ndryshe të historisë së popullit çam. Eshte poezia epike e Hekuranit që e vërteton këtë lexim!


Durrës shtator 5, 2023

130 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page