top of page

KAFKA PREJ BALTE DHE GIPSI


Edmond Llaçi

Pra e hëna e parë e muajit korrik e gjeti në krye të ekspeditës. Dikur, ato pak fragmente të mureve të shfaqura mbi sipërfaqen e tokës të atij terreni të pjerrët, ishin hedhur në regjistrat e bërthamës arkeologjike. Shkak për tu rikthyer aty do të bëhej një çoban në sheshimin e një sipërfaqe të vogël brënda asaj zone. Një kasolle të vogël do të ngrinte dhe rrethimin me thupra druri për një tufë bagëtish. Dhe ja dalja në dritë e atij varri. Në ato çaste, të dy punëtorët do të përpiqeshin të shihnin reagimin e drejtuesit të vetëm të ekipit, të skicografit. Do të ishte një moment tepër interesant. Duke u orientuar me cepin e dalë pastruan krejt sipërfaqen prej dy pllakash guri të bardhë gëlqeror me një trashësi prej 10cm. Në heshtje, do ti hiqninin ato me kujdes për ti ulur në një vend të sigurtë.  Do të ishte ai që do ta zotëronte atë hapësirë ajri e të gjithçkaje tek po binte për herë të parë në kontakt me dritën. Menjëherë pas tij edhe ata do të hidhnin shikimet e tyre në brendësi të asaj arke prej pllaka guri masiv që quhej varr.

      Në atë qetësi që mund të gjendet vetëm brënda  një hapësire të tillë ndodhej një skelet njeriu. I shtrirë në kuriz, me “gojën e hapur”  dhe “sytë e shqyer” të jepte përshtypjen se ishte ai që po habitej më tepër. Dora e tij e djathtë ndodhej e përthyer gati përmbi gjoks. Aty në mes, pjesë bronxi të një rrypi që ndoshta dikur mbante të shtrënguar hemationën. Në lartësi me kokën, përsëri të punuara në bronx dy kupëza, zinxhir i imët dhe një krah i drejt me ekstreme të njëjta. Më posht në gjendje të mirë, gati të shpërndara katër kandila ndriçimi në qeramikë të dekoruar bukur. Midis tyre pjesë qelqi lotoresh në të cilat  ndjehej forma e dikurshme. Më tej, në kohë, prej skicografit do të dëgjohej kërcitja karakteristike e aparatit fotografik. Në format kartoline, ato fotografi do të ishin dëshmitë fillestare të atij zbulimi. Pastaj me një shpejtësi të habitshme ai do të skiconte ambjentin me të gjitha elementet që  shoqëronin varrin si brënda dhe jashtë tij. Pasi të bindej se çdo gjë e kishte kryer me sukses do të urdhëronte të  fillonte paketimi i tyre. Duke e  parë me kërshëri atë kafkë, atij i bëri  përshtypje forma e saj. Buzëqeshi dhe kryejti një veprim sikur po e krahasonte me ta, me punëtorët. Pasi i kaloi pëllëmbën e dorës përmbi ballë si për ta fshirë nga pluhuri i fundit u përpoq ti gjente një vend të përshtatshëm në një prej arkave që vendosnin objektet e gjetura. Çuditërisht dhe tepër i bindur, mendoi se mund të jetonte edhe sot një njeri i tillë. Me të njëjtën kafkë, me të njëjta tipare. Vazhdimisht tek njihej me njerëz të rinj, do të përpiqej të ndërtonte formimin anatomik të tyre. Eshtrat, kockat ku mbi to përshtateshin dhe modeloheshin pas tyre muskujt e fytyrës. I ndodhur mbi fragmentin e pakët të murrit që shfaqej mbi sipërfaqen e tokës, u dha urdhër punëtorëve të rimbulohej ambienti. Ishte në praktikat e zbulimeve arkeologjike. Vetëm kështu mund të mbaheshin ende të konservuara.  Duke parë në shikimet e tyre bindjen e vazhdueshme u premtoi kafe dhe raki.

Pra ajo ekspeditë një ditë pune ishte. Pretenduan për më shumë. Më pas tek Qendra Arkeologjike, në katin e parë të ndërtesës pesëkatëshe të ndërtuar mbi themelet jugperëndimore të kalasë romake, ekipi do të sistemonte materialet e gjetura. Aty ndodheshin zyrat dhe fondi i objekteve të zbuluara. Në atë shqetësim të përditshëm, brënda ndjesisë së tij profesionale ai do ta kishte vëmendjen  ende tek zbulimi  i fundit. Skeleti i gjetur me objektet që e shoqëronin do ta vënin trurin e tij në përpjekje të pafund. Pra ekzistenca e peshores brënda varrit, të paktën kështu mendonte edhe arkeologu ish kolegu i tij,  tregonte për një njeri me pushtet.  Duhej të shfletonin diçka. Duhej të mernin një informacion më të saktë. Për të, ai ‘’shikim i zbrazët” i atij njeriu të hershëm sikur e thërriste në vazhdim. Ideja se atë pajisje vetëm një pushtetmbajtës mund ta zotëronte, e joshte për të guxuar në atë që mendonte. Literatura që zotëronin, e shoqëruar me skica dhe fotografi vërtetonte disi se në të gjitha rastet, pavarësisht se kishin elemente dhe ndryshime të vogla, flitej për simbolin e  peshores. Mund të ishte një pushtet mbajtës, një ligjvënës, ose ndoshta një gjykatës.

Me gjithëse i ngarkuar me punë, ku shpesh do ta thërrisnin në disa ekspedita kërkimore jashtë qëndrës së tyre arkeologjike, ai vazhdimisht përpunonte tiparet e mundëshme, fizionominë e atij njeriu. Për të mos ta dëmtuar, “tiparet” e asaj kafke i hodhi në një tastelë prej gipsi. Gjithashtu në shumë skica kishte krijuar imazhin e atij portreti. Edhe nga instituti i arteve kishte ruajtur portrete të shumta në laps. Studimi në imtësi i karaktereve, i lëvizjes që merte çdo pjesë e veçantë e portretit e kishte ndihmuar për të perceptuar në veçantitë e çdo individi. Dhe do ti mbante mbi tavolinë, diku aty përpara. Do të kalonin ditë dhe do ti merte përsëri në duar. Mendoi se kishte ardhur koha ta konkretizonte idenë. Pas gjithë atij informacioni, aty në tavolinën e punës, mes skicave dhe objekteve të shumta filloi mbushjen me material jetësor mbi kafkën prej gipsi. Në ditët në vazhdim, midis asaj tek po ngjeshte atë baltë argjilore mbi kafkë, ku ajo pjesë e mishtë muskulore e tendinash do të njësohej e do të jepte pamjen më të mundëshme, dhe ngacimit  të përditshëm me njerëzit e qytetit ku ai e përjetonte nga mëngjesi deri në darkë, gati e trëmbi. Vërtet mund të jetonte një tjetër me të njëjta tipare. Dha urdhër që asgjë mos të prekej nga tavolina. Ditë të tëra nuk do guxonte të kalonte prej andej. Për t’u  justifikuar doli në terren. Megjithëse qe i angazhuar në punët e përditëshme, në trurin e tij, duar të padukshme ende vazhdonin të punonin pambarimisht në modelimin e asaj fytyre. Nuk mund ta ndalonte atë proces.

Zona ku shtrihej ajo zonë arkeologjike e kishte tërhequr shpesh. Ishte tepër atraktive. Gjatë shkollës, kur kthehej me pushime, shumë prej atyre peisazheve dhe skicave të atyre objekteve të hershme i kishte hedhur në letër. Atëhere nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend se mund t’u rikthehej atyre vendeve dhe të emërohej si skicograf i bërthamës. Duke marë pjesë në disa ekspedita të cilat kishin të bënin me varre arhontësh të periudhës antike mori njohuritë e para për atë disiplinë. Dhe do të ishte shëmbull për korektësinë dhe profesionalitetin e tij. Për këtë gjë do ta çonin për specializim mbi antopologjinë. I ndodhur në një pozicion tepër të rëndësishëm pa pritur ndjehet në siklet. Ç’farë po ndodhte me të. Cilët ishin ata njerëz që mendonin se ai kishte gabuar. Me anën instiktive të karakterit të tij filloi të mendonte se nga dikush po survejohej. Mos vallë ishte kafka e atij njeriu të hershëm që po i sillte ato shqetësime

Kishte rreth një javë pa shkelur në studio e cila ndodhej në brëndësi të qendrës arkeologjike. Kaloi portrën e drunjtë duke hedhur një shikim të shpejt përreth atij ambienti gati nëntokësor. Dikush do të ishte aty duke punuar pasi të gjitha dritat ishin ndezur. Nuk qëndroi shumë por u drejtua për nga vendi i punës. Ajo hapësirë dhome ku e cila kishte komunikim me dritën e jashtme nëpërmjet një dritare, ishte në dispozicion të tij. Megjithëse ndjesia e përpunimit të atij portreti e shoqëronte vazhdimisht, sot nuk mundej. Si me përtesë e zbuloi. Ndjeu se dikush e kishte prekur. Mendoi se nuk ishin thjesht gjurmë duarsh por veprime dashakeqe. Kush mund ta kishte bërë atë veprim. Doli prej andej. Thërriti dikë. Thërriti një emër në formën më të shkurtër të tij. Nuk kaloi shumë dhe ai u shfaq nga zona më e errët e atij ambienti. Ende pa u afruar e pyeti në se mund të kishte parë dikë të futej në studion e tij. Ai me një lëvizje të lehtë gati të gjithë trupit shfaqi atë të mohimit, por si me mbase shprehu se ndjeu hapat e dikujt të hynte e të dilte. Ishin hapa fare të lehtë vazhdoi ai. Më bëri përshtypje kërcitja e thatë e këpucëve te tij, por nuk u interesova më tej dhe ende pa mbaruar ai mori për nga kishte ardhur. I ndodhur ende aty ku u ndal nuk po vendoste se çfarë duhej të bënte. Dhe tashmë në mëndje nuk do ti shfaqej fytyra e njeriu të hershëm por arsyeja se kush nuk e dëshironte atë. Duke zbritur shkallët e pakta i shkoi ndërmënd kolegu i tij, arkeologu. Ai ishte 3-4 vjet më i madh. Kishte mbaruar të lartën për histori-gjeografi. Pasi punoi disa vjet si mësues në një shkollë të mesme e çuan në bërthamën arkeologjike. Më pas bëri një kurs për të mbrojtur vendin e punës. Pas dy-tre vjetësh  prej andej e çuan në seksionin e arsim kulturës të rrethit. I ndodhur aty në fund të atyre shkallëve i tha vetes se duhej ti bënte edhe disa pyetje të tjera atij punëtori. I kërkoi informacion për ditët kur ai nuk ndodhej aty. Kush mund të kishte hyrë në studion e tij. Mund të ishte ndonjë i bërthamës apo i jashtëm. Mundet, mundet të ketë qenë ai mendoi. Po, ai kishte kaluar disa ditë në vazhdim aty. Përgjigjja e punëtorit i u duk e çuditshme. Duke e vërejtur me kureshtje, për të parë nëse përputhej lirshmëria e mimikës së fytyrës me fjalët e thëna, mendoi se diçka nuk po shkonte. Tashmë shumë pikpyetje do ta shqetësonin. Ç’farë po ndodhte me kolegun e tij. Nuk kishte vënë re ndonjë gjë negative tek ai. U përpoq të kontaktonte me të. Duhej të mësonte diçka. Si fillim asgjë. Në ato bisedat e zakonshme, ku flisnin edhe për objektet e zbuluara, përmëndën edhe mundësinë e atij njeriu të hershëm për të qenë një zyrtar i lartë. Ligjvënës ndoshta gjykatës. E përsëriti fare lirshëm mendimin dhe kur u përballua ja kërkoi me ngulm miratimin e idesë së tij. Dikur për ato objekte që kërkonin bashkëpunim për përcaktime më të sakta kohore ose të diçka tjetre, do të konkludonin bashkërisht. Por tashmë reagimi i tij rreth kafkës ishte i pakuptueshëm. Ai u mundua të mos shfaqte asgjë. Ai padurim për të dalë sa më shpejt prej andej ishte i dukshëm. Nuk duhej të vazhdonte më tej. Me përvojën e tij, tensionimi i situatës do të pakësonte mundësinë për të kuptuar atë që dëshironte. Përse ai nuk po shfaqte asgjë. Mos vallë nga xhelozia apo po dërdëllis  kot së koti i tha vetes. 

Në ditët në vazhdim, rrugës tek po ecte nuk e ndjeu përplasej me dikë. Buzëqeshja e tjetrit të ndodhur gati pranë fytyrës nuk e shkëputi aq lehtë nga ajo që po përjetonte. Duhej të kalonin edhe disa sekonda që të pastronte qënien e tij. Në të njëjtën kohë, ai i hodhi krahun dhe duke vazhduar ecjen i shprehu se edhe atij i ndodhte të kryente veprime të tilla. Hoqi shikimin prej hapave tek i hidhte mbi rrugë dhe e drejtoi nga ai. Mendoi se duhej të shprehej dhe pa e kuptuar se çfarë po bënte, pa përmendur emra gati i rrëfeu atë  që mendonte. Ai tjetri, me shikimin e hedhur në tokë i shprehu opinionet e mira që kishin për të. I zbutur nga ato fjalë vendosi të mos shqetësohej për asgjë. Dhe që nga ai çast vuri re të përballoheshin më shpesh. Deri dje as nuk e njihte fare ndërsa tani po i dilte aty ku nuk mund ta mendonte. Duhej të mësonte arsyen e atyre rastësive. Dhe ja e njohu nga ecja. Gjysëm i kërusur si gjithmonë. Me përkuljen e dyfishtë të qafës dhe të trupit i dha përshtypjen e një njeriu të pështirë. Ja dhe kollaroja tek i tundej aty përpara, larg gjoksit. E gjitha kjo nga devotshmëria dhe përkulja ndoshta prej servili kundrejt eprorëve. Diku kishte lexuar se qëndra e gravitetit të trupit të çdo indiviti përcakton karakterin e tij. Pikërisht kjo e shqetësonte. E kërkoi me sy shikimin e tij. Nuk pa reagim. E la të shkonte. As vet nuk e kuptoi përse nuk i thirri. Në ato pak metra larg, ajo harmoni trupore e ndodhur brenda atij kostumi zyrtar në ngjyrë gri të errët që kishte lidhje me gravitacionin e tij, e ngacmoi keq. Vazhdoi rrugën. Tek po ecte i u kujtua një nga personazhet më të spikatur të Dikensit, Uriah Hip ai njeri i fëlliqur. Mos vallë ky njeri ishte vënë prej ish kolegut ose prej dikujt tjetër që punojnë në strukturat shtetërore. Po përse vallë.

Megjithëse në qëndrën arkeologjike kishte ditë pa shkuar, ai kaloi në brëndësi të saj pa u përshëndetur me asnjë. Në tavolinë  kafka prej gipsi e mishëruar në njeriun që po kërkonte,  e priste në qetrësi. E zbuloi. Si një i verbër kaloi pëllëmbën e dorës mbi të. Mollëzat e gishtrinjve të tij njohën atë që ai mendonte. Ai material që përshtatej lehtë nëpërmjet gishtave, po plotësonte me besnikëri portretin e atij njeriu të hershëm. Balli aty përpara, me vetulla tepër të tendosura e me sytë qe tregonin vetbesimin e një njeriu të pushtetshëm e bërën të buzëqeshte. I kënaqur nga ajo që po shihte, gati sikur e përkëdheli mirëseardhjen e atij njeriu të kohëve antike. Nga kjo u nxit edhe më shumë. Nofullat, mjekra dhe çdo element tjetër i fytyrës, të asaj kafke eshtërmadhe u shfaq e plotë para tij. Por nuk u mjaftua. Për ti përshtatur me tiparet e atij njeriu u mor me flokët duke u dhënë trajtën më të mundëshme. Vuri re se me dikë ngjante ose edhe me dikë tjetër. Ç’farë ishte ajo ngjajshmëri që atë e përafëronin me dy persona ku gati përplasej rrugëve me ta. U ul. Duke kaluar kurizin e dorës diku atje tek mjekra e tij si për të pastruar diçka, ra në mendime. U turbullua. I lindi dëshira ta prishte por nuk e bëri. Duhej të qartësohej ndaj asaj që po e shqetësonte, ndërkohë edhe ta përfundonte punën që kishte nisur. Në ato çaste, njeriun që po i afrohej nuk e ndjeu por pesha e dorës se tij mbi sup i u duk e rëndë. Ktheu kokën. Ishte ai. Aty përpara, si gjithmonë me trupin gjysëm të përkulur. Nuk reagoi. Mendoi se duhej të priste. Duhej ti jepte atij mundësinë për të folur i pari. Kështu do të kishte kohë të kuptonte arsyen e ardhjes. Por heshtje dhe vetëm heshtje. Dora e tjetrit sa shkonte e po rëndohej edhe më shumë. Tashmë po i kujtoheshin megjithëse të coptuara momentet kur përballohej me të. Ajo shfaqja e tij e papritur po i bëhej më konkrete. I vënë nga dikush tjetër ai po e survejonte. Dhe në çdo çast sikur i thoshte “jam këtu, po kontrolloj çdo veprim tëndin”. Ngriti kokën dhe u përballua me të si për të vërtetuar të gjitha ato që mendonte. Në ato momente vuri re shikimin e tij të drejtohej nga puna e bërë e cila ndodhej diku aty përpara. Aty ndjeu edhe buzëqeshjen e tij ironike të shfaqur dukshëm në atë fytyrë enigmatike sikur po i thoshte “të kapa më në fund.” Instiktivisht, pa e kuptuar as vet u përpoq të mbulonte punën e tij. Por mendimet e tjetrit të shprehura me zë e ndaluan. Më kanë thënë se je punëtor i madh. Punon deri vonë. Është e vërtetë. Pa dale të shoh se çfarë ke bërë. Dhe me një shtytje u përpoq të hapte rrugën drejt kafkës prej balte e gipsi. Tashmë i ndodhur mes saj dhe njeriut të sapo ardhur, gjithë vëmëndjen e përqëndroi mbi të. Në çast i u kujtua prania e vazhdueshme, dhe përplasja me shikimin e tij. Ai do ta shoqëronte kudo. Çfarë kishte ndodhur vallë. Ku kishte gabuar. Përveç lirisë profesionale asgjë nuk kishte kërkuar. Shpesh kohën e lirë të tij e vendoste në dispozicion të punës. I u kujtua se edhe aty rrugës tek i hodhi dorën për herë të parë në sup, si sot, shikimin e kishte të përqëndruar mbi shkëlqimin e këpucëve llustrafine. Në atë çast, ajo rrobë e varur me efekte që kalonin nga ngjyra e kuqe e shoqëruar me disa vija të zeza nisi ti tundej aty përpara gjoksit. Pikërisht këtë fakt ai u përpoq ta eleminonte duke drejtuar edhe trupin që ishte gati të humbiste ekuilibrin. Dhe për të mos i dhënë kohë skicografit në atë që po përjetonte, e goditi në sup disa herë me majat e gishtrinjëve. Ato ishin si thirrje, si paralajmërim. Në ato çaste të dy e kërkuan me ngulm përballimin me njeri tjetrin. Ishte shtrëngim nofullash i shoqëruar me shumë lëvizje të tjera në fytyrë. Të gjitha ato shfaqnin epërsinë për të mposhtur tjetrin përballë. I ndodhur ende në këmbë, mbajtësi i kollares përpiqej të dukej më lart tij, si një njeri ku të  gjithë të tjerët duhej ti trembeshin, ti nënshtroheshin. Tjetri, i ulur e me duar mbi kafkën prej gipsi nuk ja shkëputi shikimin. Për të ajo kohë qe e mjaftueshme. Sy e shikim inatçiu e idhcaku. Aty mendoi ta tërhiqte me dhunë prej kollares e ta shkelte me këmbë atë njeri. Por jo. Ajo qenie njerëzore në çdo lloj formë që do të ndodhej mbi tokë, shtylla  kurizore e tij do ti përshtatej anormalitertit gravitacional. 

Nga ai përballim, mbajtësi i kollares të gjitha sa kishte menduar gjatë rrugës nuk po mundej ti artikulone në zë. Ai e ndjente se ngjajshmëria e atij njeriu të hershëm me njeriun më të rëndësishëm të qytetit ishte tepër e madhe. Por përsa po ndodhnin në atë çast, shkak ishin edhe shënjat e çuditshme të lëna mbi fytyrën e njeriut më të dashur e më të respektuar të pushtetit popullor.

Për skicografin të gjitha ato nuanca dhe lëvizje muskulore në fytyrën e atij shërbëtori të devotshëm ishin të mjaftueshme. Shumë keq i shkoi mendja. Dhe nga ana tjetër ai Uriah Hip i shëmtuar ende nuk ja kishte shkëputur dorën e tij të lëngshme me veti ngjitëse. Si atë ditë rrugës tek po e ndiqte. Dhe ndjeu përsëri ato goditjet e lehta  të shoqëruara me dy fjalë: Mirë, shumë mirë.  

Tashmë për të dalë prej asaj situate absurde por më tepër komike si e mendonte ai, kuptoi se mundësia do të qe e vështirë. U çua prej karikes ku qe ulur pa guxuar të hedh ndonjë hap më tej. Ku të shkonte. Ç’farë të bënte. Për të çdo gjë që mund të ndodhte ishte e pa imagjinueshme. Me gjithëse që këtej e tutje do të qe në diskutim ekzistenca e tij në atë qëndër arkeologjike, përsëri vëmëndjen e kishte tek kafka e atij njeriu të hershëm. Mes shfletimeve të literaturave dhe studimeve arkeologjike, mendoi se e kishte kaluar kufirin e asaj që i kërkohej prej institucionit ku ishte punësuar. Ç’farë vlere kishin ato tashmë ku në të vërtetë mungesën e një arkeologu ai e plotësonte më së miri. U ndje keq për të vetmen arsye sepse atyre u shkonte përshtat ç’ka ai bënte. Ata në heshtje gati e miratonin pasionin e tij, ndësa sot edhe egzistencën e tij mund ta shpërfillnin në çast. Ktheu kokën nga ai njeri i hershëm. ‘’Shikimi i tij’’ ndodhej në të njëjtin drejtim që nga çasti ku e kishte lënë. I shkoi pranë dhe pa menduar asgjë u ul duke mbështetur brylat mbi suprinën e tavolinës. Nuk e kuptoi se sa qëndroi ashtu por vendosi ta plotësonte portretin e atij njeriu që e kishte mbajtur në ankth.

       Më tej se si vazhdoi ajo histori jo vetëm e asaj kafke por edhe e skicografit, për veçse përfliteshin dy variante, mbijetoi ajo që mendohej si më e bindëshme. Ishte ai që krijoi atë situatë absurde, Uriah Hip-i dikensian që do ta shfaqte si një porosi të shefit, pasi vetëm skicografi i qëndrës arkeologjike të rrethit mund të realizonte vepra të tilla.

50 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page