Kadri Tarelli: TURIZMI DHE TRASHËGIMIA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 6 min read

“TURIZMI DHE TRASHËGIMIA”,
Mësuese Zemrita Hereni, në Projekt mësimor kualifikues.
Në mes pranvere, më: 16, të muajit prill, 2025, u ndodhëm të ftuar në mjediset e shkollës 9-vjeçare “14 Nëntori”, Durrës, më saktësisht në “Muzeun” e shkollës, në një veprimtari mësimore organizuar nga mësuese Zemrita Hereni: Projekt kualifikues. Lënda gjeografi, klasa e IX-të.
Gjithnjë do të gjendet një laps për të shkruar të ardhmen. Kurrë nuk do të gjendet gomë për të fshirë të shkuarën. Alpaçino
Tema: “Turizmi dhe trashëgimia”
Pjesëmarrës, drejtore e shkollës znj. Merita Kuçi Thartori, zv. Drejtore znj. Vojsava Hoxha, mësuesi i historisë z. Ardian Neza. Të ftuar specialiste e trashëgimisë kulturore të Durrësit znj. Antigoni Suli Gjergji, z. Ali Masha ish drejtor shkolle i hershëm, sot në pension, dhe unë Kadri Tarelli.
Ideja e gjithë veprimtarisë mësimore, njohëse dhe praktike, udhëhiqet nga filozofia, përmbledhur në këto pak fjalë: “Njohja e të shkuarës na ndihmon të çmojmë të tashmen dhe të hedhim vështrimin drejt një të ardhme më të mirë”.
I gjithë projekti u shpalos në mjedisin e “Muzeut të shkollës”, i krijuar nga vetë mësuesja Zemrita Hereni (Rita). Një e papritur e këndshme, që do mbete gjatë në kujtesë për të gjithë pjesëmarrësit.
Të them të drejtën u ndodhëm, më saktë duhet thënë: u ndodha në një mjedis që më pëlqen tej mase, pasi pashë të realizuar në një klasë, një muze të vogël të historisë dhe kulturës popullore. Një muze modest, pasi është në grumbullim materiali, si çdo qendër muze, që ka një ditë fillimi por asnjëherë ditë të fundit. Dikur jam marrë me muzeumet, kështu kam një përvojë pune, ndaj e di mirë se ç’ heq mësuesi apo drejtuesi për të grumbulluar material, objekte historike, sende të përditshmërisë jetësore, që sot po e quajmë kulturë popullore. Si bie fjala, vegla pune, kostume dhe veshje, shkrime dhe dorëshkrime të kulturës shpirtërore, si këngët e djepit, dasmës, këngët e vajtimit, përrallat, gjë e gjëzat, vallet, etj, etj, pasi nuk kanë fund copëzat e jetës që u është lënë brezave, si në fshat ashtu edhe në qytet. Vetëm dy fjalë i them mësueses: Veri nxënësit në punë dhe do shikosh çfarë mrekullie do të krijosh. Gjeja çelësin e shpirtit dhe do të kuptosh çfarë janë në gjendje të bëjnë.... Janë të paimagjinueshëm!
Mësuesja me fjalë të kursyera na njohu shkurtimisht me përmbajtjen e kësaj ore mësimi të titulluar “Projekt”. Lënda gjeografi. Kl. IX-të. Tema: “Turizmi dhe trashëgimia”, që i shkon shumë përshtat kërkesave të kohës që po kalojmë si shoqëri dhe ekonomi.
Drejtuesja e projektit, mësuese Zemtita, në pak fjalë vuri në dukje rëndësinë e qëllimit mësimor: - “Edhe pse jemi vend i vogël në botë, Shqipëria njihet për pasuritë e saj të shumta me vlera të mëdha historike, jetësore, kulturore, materiale, shpirtërore dhe natyrore, të cilat UNESKO i ka vendosur në listat e trashëgimisë botërore. Ky vlerësim na lumturon, pasi kemi çfarë t’i tregojmë botës, por edhe turistëve në veçanti, që vijnë përditë dhe nuk njohin stinë, verë apo dimër”.
Synimi ynë: Të rinjtë, nxënësit tanë, të ruajmë dhe të trashëgojmë objektet e trashëgimisë materiale e shpirtërore, si vlerë mbarë kombëtare, duke i dhënë përparësi jo vetëm grumbullimit, njohjes dhe paraqitjes, por edhe shtrirjes për t’i bërë pjesë të ekonomisë, kryesisht të turizmit.
Ajo që mësova nga fjalët e mësueses dhe kolegëve të saj na dha të kuptojmë, se: Ky projekt, u poq gradualisht, si dëshirë e kahershme e mësueses Zemrita Hereni, në bashkëpunim dhe ndihmën e drejtorisë së shkollës, mbështetur në zbatimin e udhëzimeve të MAS. Të gjitha së bashku bënë të mundur krijimin dhe pajisjen e këtij muzeu në shkollë, ku nxënësit mund të gjejnë pjesë nga jeta e të parëve të tyre. Është e kuptueshme se gjithçka nuk bëhet vetëm nga një njeri dhe aq më pak në një ditë. U desh dhe u arrit në bashkëpunim me nxënës, prindër, koleksionistë dhe profesionistë të pasionuar pas trashëgimisë materiale. Vetë puna muzeale është një shkollë më vete, që fitohet më së shumti nga përvoja. Shpesh nga durrsakët dëgjoj shprehjen: “Po nuk u fute në ujë, nga bregu nuk mëson dot not”.
Ishte një orë mësimi e ngjeshur me veprime të lidhura e ndërthurura bukur me njëra-tjetrën. Mund të përmend vetë disa çaste:
. Maket: “Torra Veneciane” me material të riciklueshëm, punuar nga nxënësit.
. Dramatizim: “Thesaret e Shqipërisë”, pataqitur nga x. Arbër Ismailaj, Marsela Paja, Fjoralb Gecaj, Rigels Dedaj, Kristina Durmishi,
.Paraqitja e artefakteve të ekspozuar në muze, duke u ndalur shkurtimisht edhe te disa hollësi, që ngjallin kureshtje, pasi nxënësit e qytetit nuk i ndeshin nëpër shtëpitë e tyre:
. Oxhaku me zjarrin dhe enët e varura mbi të. Nga Ergi Shahaj.
. Djepi dhe “Ninulla”, kënduar nga Sandiola Doske.
. Furka dhe shtëllunga me lesh, gati për të tjerë fije për triko dhe veshje të ngrohta.
. Dybek dhe tundëse bylmeti, etj, etj
. Më pas u thanë plot Fjalë të urta popullore të grumbulluara nga vetë nxënësit.
. Piktura e Argjiros, punuar dhe dhuruar muzeut nga nx. Arsa Kadiu.
Gjithçka lëvizte si një film dokumentar me plot ngjyra të ndezura, jo vetëm si objekte, por të ndjera e të gjallëruara nga nxënësit.
Askush nuk duhet të çuditet, por ishte një mrekulli të shikoje sofrën e “Burrave”, ku djemtë ulur këmbëkryq imitonin mbase gjyshërit, si të ardhur nga legjendat tona. Të gjithë mbi krye mbanin simbolin e shqiptarisë: Plisin e Dardanisë, kapuçin e Dibrës, Krujës, Tiranës.....etj, qeleshen e labit dhe takijen e myzeqarit. Një mrekulli e vërtetë, aq sa mund të themi pa frikë: Pse u hoq ky simbol që na ka dalluar ndër shkuj nga popujt e tjerë, edhe kur “Zeusi”, kryeperëndia e mitologjisë në lashtësi, mbi krye mbante “plis”....? Nuk jap dot shpjegim, pse u zëvendësua me kapele të lloj-lloj formash e ngjyrash, të sjella nga vende të tjera. Plisi apo qeleshja në vetvete nuk është gjë tjetër veçse një mbulesë punuar me lesh, që mbron kokën nga dielli, era dhe të ftohtit. S’besoj se kapelet që përdorim sot na bëjnë më të bukur, apo europianë dhe amerikanë modern. Përkundër i hoqëm vetes simbolin tonë kombëtar, plisin apo qeleshen, duke i thënë vetëdijes sonë .... ”Na ishte dikur....”, sepse mburremi dhe krenohemi vetëm duke i parë në skenat e teatrove, festivaleve, apo në ditë festive, ku shkëlqejnë kostumet kombëtare. Nuk po them gjë të re, do të bindeni lehtë mjafton të shikoni fotografitë e djemve tanë rreth sofrës, dhe gjykoni sa të bukur janë...!

Nëse fola pak gjatë për kostumet e burrave, një tjetër mrekulli përjetuam në atë klasë-muze: “Kostumet e grave” të veshura nga vajzat e shkollës dhe kërcimet me motivet popullore. Një madhështi e vërtetë, ku fjala mrekulli merr kuptimin e shenjtërimit të veshjeve të grave dhe vajzave shqiptare të krijuara në shekuj. Që të ndjesh nga afër këtë bukuri, duhet të jesh pranë këtyre vajzave tona, veshur e ngjeshur me kostume kombëtare nga disa treva Shqiptare. Njëra më e bukur se tjetra. O zot çfarë bukurie dhe fisnikërie ka në ato kombinime prerjesh, qepjesh dhe ngjyrash.
Fjalët janë të tepërta, ndaj po mjaftohem me një shkrim të hershëm të gazetës Shqiptarja. Com, ku përmendet: Romancë franceze e vitit 1833. “Moj Shqiptarka këmbëlehtë”. Kjo romancë është shkruar më 1833, me muzikë të Theodore Labarre, kompozitor i njohur francez, konsideruar si virtuoz...... Kurse teksti i këngës është shkruar nga shkrimtari dhe poeti Ambroise Bétourné, nga Kaeni i Normandisë. Për të përfunduar me fjalët lapidar të popullit tonë që nuk kursehet kur e bekon atë: “Moj lulja e Shqipërisë, e bekuara e Perëndisë”.
Në fund u bënë vlerësimet nga drejtoresha Mertita Kuçi Thartori dhe znj. Antigoni Suli Gjergji. U vlerësua, si ide me synime të qarta, si organizim dhe realizim i përsosur dhe, në veçanti për kumtin që përcollën artistët nxënës: - Ta duam, ta trashëgojmë dhe mbrojmë trashëgiminë tonë të hershme, pasi kështu do njohim vetveten, kështu do na njohë dhe vlerësojë edhe bota.
Në këtë rrjedhë mendimi, nga përvoja mund të shtoj, se e vlen që kjo veprimtari mund të shfaqet edhe për nxënësit e shkollës. Koha dhe hapësira gjenden, mjafton dëshira. Një orë mësimi e ngritur në art, ku nxënësit kanë ç’të mësojnë dhe ç’të vlerësojnë mbi kulturën popullore dhe nga kultura popullore. Një pasuri materiale dhe shpirtërore e krijuar dhe e jetuar në shekuj nga paraardhësit tanë. Historia jetësore ka ligjet e veta. Duhet t’i njohësh, që të jesh në gjendje bësh analizën e shkaqeve të qëndresës dhe mbijetesës.
Jam i bindur, se për nxënësit do të mbetet një veprimtari e bukur që do t’i shoqërojë gjatë në kujtesë, ndërsa fotot do t’u flasin me gjuhën e heshtjes për vitet e bukura të shkollës.
Urime dhe suksese koleges mësuese Zemrita Hereni, për projekte të tjera me kaq vlera të dobishme për nxënësit. Përvoja nuk ju mungon.
Urime edhe për stafin e drejtorisë së shkollës që mbështet veprimtari të tilla, të cilat në një farë mënyre janë pasuri e jetës shkollore, që me kohë mund të bëhen traditë. I bindur, se kështu është bukur.....!
Kadri Tarelli
Durrës, më: 25, të prillit, 2025.
Comments