top of page

Ka një ligjësi që godet pa marr frymë


… e nesërmja kushedi si do të jetë

Fatmir Terziu


Më thoshe: „nuk duhet të jemi në një koshere blete,

të kuptojmë se si është koha,

nuk duhet të ngjyejmë gishtin në të…“

…dhe unë të mirëkuptoja:

„E hidhur është kjo Kohë“,

por heshtja,

si shamitë e grave të mbushura me lotë,

përballë stalagmiteve të qirinjve që ndizen e fiken

me ngjyra të mistershme

ku gjendjet e njerëzve të sotshëm

këpusin dritëza të thekura në sy

me trazimin e përbotshëm mbi pluhurat e shafranit

projektojnë fytyra në uni,

as heshtja nuk e njeh më heshtjen e vet

e merr me vete xhanga e të dielave

kurse koha,

vesh sërrish një helmetë

të mbrohet nga e sotmja

e nesërmja kushedi si do të jetë…


… në Londër bën nëntor

Fatmir Terziu


Ndoshta duhej të ikja prej ikjeve

të paktën në një pakohë të pagjumësisë

veçse ikja jote At

nuk besohej prej retinës

mes dremitjeve të lehta

Ti shfaqeshe tinës

e midis imazheve të befta me takt,

zbrisja qiellin që ia kishte zbuluar sekretin Tokës

në Londër bën nëntor

po numëroj ditët, javët, muajt në zgrip artizanal

e buzët lëvizin sekondat në mallin e tyre,

kërkojnë të rishfaqesh prapë

e prapë… i dashur At.


… në Londër bën nëntor

Hija e malluar shëtit brenda tij në një hon

afrohet ngadalë

duke u bërë palë në një korr

ku s'ka asgjë më shumë se një fjalë

… në Londër bën nëntor

edhe me ty i dashur Babë!


… në Londër bën nëntor

po vjeshten ditët e zotit dimarak…


Ka një ligjësi që godet pa marr frymë

Fatmir Terziu


Ka ditë që zgjohem me ligje

përhumbem pastaj në kuje që oshëtijnë pa zë

majave të padukshme të përditësisë,

herë më duken jugore,

herë me kremaditë veriore,

e pastaj vetëm mbulojnë fytyrën e tretur në qiell,

ka një ligjësi që godet pa marr frymë,

në skenat e tilla, ligjësitë zgjojnë veten,

hepohen,

harxhohen dhe zverdhen,

përpëlimë drite

nuk mund të ta puthë ballin,

si pika qelizë e një stalagtiti

sapo afrohesh

qoftë edhe një të shkëptur të sekondës

qoftë si një arsye e gënjeshtërt e vjeshtës

kuja ime i rrotullohet edhe mbrapsht botës

për hir të së vërtetës…


… të qaj me ligjet e jetës…


E këtë të gjithë e dimë

ka një ligjësi që godet pa marr frymë.

40 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page