KËTU AS LULET...


REXHEP SHAHU


KËTU AS LULET S’MUND TA ZGJEDHIN NGJYRËN...


(Doli nga shtypi libri i ri dy gjuhësh “Volevo Scrivere” i poetes Rudina Muharremi Beja, botim i Shtëpisë botuese e promovuese Klubi i Poezisë, Tiranë.)


Miq, Rudina shkroi, u shpreh, i shkroi letër botës edhe ne dhe sot doli libri i saj i ri, shqip - italisht, i dhjeti në radhë “Volevo Scrivere”.


«Zoti im,

më thuaj ku jam?

Këtu as lulet s’mund ta zgjedhin ngjyrën!...»


Lexoj këto vargje dhe them, po, e ka gjetë, i ka vu emër poetja kësaj që ndodh me jetën tonë, i ka vu emrin kohës tonë, ditës tonë, jetës tonë, ia ka bërë portretin me gjithë ngjyrat. Kaq vargje dhe nxitesh të bësh pafund komente.

Si botues i librit Volevo Scrivere të Rudina Muharremi Beja, me krenari mund të pohoj se kjo autore eshte nder ato raste të pakta në poezinë e letërsinë e sotme që i njihet zëri, ka veçantësi zëri i saj, është e pangatërrueshme me të tjerat poete, ka kufijtë e saj, fytyrën e saj, ka ngrohtësi, ëmbëlsi, ithtësi, ka befasi.

Vargjet e saj nisin qetë, dhe sa mendon se do të hysh në ndonjë monotoni, befas shpërthen dallga, nëse do të shpreheshim me dallgë, det e lumë.

Sot në maratonën e poezisë rendin mijëra poete drejt Everestit. Në këtë rendje dikush shfaq talent dhe di me u shitë në gazeta, portale, dikush din me fitue like dhe famë likesh nëper Fb e rrjete sociale, dikush din me hy në ekrane televizionesh e me u ba poet televizioni në tre vakte e dikush din me mbete poet në poezi e në vetmi. Në fakt poezia është ajo që kërkohet, që njerzit e kërkojnë si ujin e paktë në shkretëtirë, si grimcat e diamantit që nuk humbasin asgjë pse janë të fshehura në tokë. Njerzve u mungon diamanti jo njerzit diamantit që bën edhe pa njerëz.


Kam besuar gjithmonë se poezia nuk është ajo që recitohet e deklamohet para turmave qoftë edhe virtuale, poezia mendoj se psherëtihet, pëshpëritet, thyhet në gishta, pikon me lotin, prish ritmin e rrahjeve të zemrës, çel shtigje ëndrrash, të rrëmben në krahë fluturash, të dridh mjekrën, të përvëlon nga malli, të bën t’u thuash njerzve fjalë pa lidhje e kuptim, të ngatërrosh emra, fytyra e njerëz, të bën të thërrasësh në heshtje atë që do e të mungon rëndë e të shtangesh, të shkakton harrimin e vetes e të vendit ku je, të hedh diku tjetër në një vend pa emër…

Asnjëherë nuk është vonë për asgjë pasi koha ka gjithmonë kohë, por kur gjen vargje e poezi të bukura si të Rudinës, thua, pse nuk i paskam ditur e nuk i kam lexuar më parë. Kështu më erdhi të them për mjaft poezi e vargje të Rudinës.

Libri Volevo Scrivere ka vargje e poezi që do të doje t’i dije përmendësh, t’i bëje pjesë të ligjërimit poetik, t’i rrëfeje e t’i dhuroje si lule për dashurinë.

Askush nuk do të qëndronte indiferent para kësaj poezie :


«GJËRAT E RRALLA

Në fund

të mëdhenjtë mbetën të mëdhenj,

të vegjlit - njëlloj!


U thelluan humnerat,

avionët - krahët thyen,

direkë anijesh thërrmuan stuhitë,

u trembën dallëndyshet...