Kërkojnë fole dallëndyshet
Fatmir Terziu
Të përhumbura
akoma janë të njëjtat hije perle si qielli im
të njëjtat urtësi si bletët e trëndafilave në maj
po ato piklat e vesës çukiten me sqep
të përhumbura nga unë
mendoj se mbase
ende jam në gjumë. Më zgjuat
duhet të kisha ardhur në shtëpi më herët
tani po mendoj se mbase, foleja nuk jam unë
nuk mund t'i përkas për një kohë të gjatë
por këtu unë qëndroj në karantinë si të tjerët
këtu unë banoj dhe asnjë lot nuk do të më kthejë,
të jem foleja juaj.
Unë jam e njëjta hije gri si qielli i huaj
jam njësoj si shiu që sillni mbi lulet
i përhumbur nga Ju
koha mund të jetë pluhurosur në lëkurën time
akoma është pranverë këtu,
si qielli është edhe qyteti
kështu që unë jam në tokë
pra jam edhe në brigje deti,
kështu që unë jam në pemë
kështu që unë jam i përhumbur pa Ju,
mos u lodhni të më gjeni,
unë jam akoma aq i përhumbur
nga Ju këtu.
Po Ju ku jeni strukur?
Po Ju prisni, prisni të bekojmë folenë e duhur.
Perparim Hysi
Radarët e një POETI me vlerë si FATMIR TERZIU nuk kanë si mos kthejnë në vargje këtë zok që sjell pranverën:manushaqa nga lulet dhe dallëndyshaj nga zogjtë! Urime,POET!
Eglantina Mandia
Mergimtari,poetet e rilindjes kombetare,i dhane shpirt fjales,shqip urime pasardhes.
Dhimitri Pojanaku
Tepër e ndjerë. Matafora që bëjnë brenda mesazhe kaq të fuqishme. VARGU I NGJAN TELIT KU ÇLODHEN DALLËNDYSHET...
Minush Hoxha
Hap pas hapi, ditë pas dite, tek po tejkalon dhe kohërat e nënqiellit, z. Terziu, po i avitet lexuesit me një leksik poetik, me një ritem e notë poetike, gjithësesi dhe më fabulen poetike. Po zvogëlon distancen me lexuesin dhe nga poet i respektuar, po bëhet poet i dashur.