Kërkoj fjalët
Nga Fatmir Terziu
Ca fjalë më kanë ngrirë në koren e trurit
i ndjej, i dëgjoj, por si ngas
dalin prej furtunës, prodhohen prej gurit,
Zeusi zezërimën e tij mbi turmat zbras
ishte koha e moralit, koha e hurit
ndaj vetëm me veten për ato fjalë flas.
Ca pika loti m’i njollosën sandalet,
dhe ranë si njolla gjaku mbi bluzën e bardhë,
Prometeun e kishte groposur siç groposi malet,
bashkë me të shpresa bëhej grusht arratisej larg,
që njerëzit të brohorisnin, të harronin hallet
të këputeshin lule të tjera çdo 5 Maj...
Në Pemën që ushqehej me gjak kërkoj fjalët
të shoh si mbinin dhe bëheshin huqe,
kollitet e kollitet ajo pemë e lagët,
sikur kërkon të riprodhojë kokrrat e kuqe,
nga Darka e Fundit e saj e largët
kanë mbetur vetëm fjalët të ngrira tutje.
Mos e kërko
Mos e kërko atë fjalë, atë fjali
nga ku fyti u çorr të të përzejë
ende është e njëjta sintaksë,
ende është e njëjta morfologji...
Ende fjalët kacafyten në të njëjtat sheshe,
dera përlyhet nga po ato meleqe. Ende
ka fjali të rrënda nëpër zyra
mos e kërko atë fjalë
se askujt nuk i nxihet fytyra.
Mos e kërko atë fjalë, atë fjali
po të duash të mbetesh njeri.
Mos e kërko në atë sintaksë,
mos e rrëmo në atë morfologji,
që të ka mohuar drejtshkrimin,
ende bekon e njëjta penë
i njëjti korektor për fjalimin,
ende
është i njëjti mëkat
e njëjta, e njëjta fjalë vret vëllanë.
Mos e kërko atë fjalë, atë fjali
është po ajo sintaksë, po ajo morfologji,
që u mbars në ditën me diell
kur burri e ka mbarsur gruan e tjetrit në sy
po ai shi e ka kalbur Lulin e Vocërr
qeni leh po me mjaullimën e tij
fjala ndiqet si macja kur ndjek minj
zyrat kanë po ato leksione për mësim.
Mos e kërko as i gjallë, as i vdekur, as i huaj,
trazavaçi mbetet trazavaç në histori
fjala është më mirë të të mbajë zgjuar
se me Gjuhën e Moçme Shqipe kush luan
mbetet mot pas moti i linçuar.
Comments