top of page

Kënga e perëndive


Namik Selmani

Kënga e perëndive Duke trokitur në Mitin e Ispolifonisë shqiptare

Zot i Ujit Zot i botës. Zot i qiellit, Zot i Tokës I ra bririt në të gdhirë Thirri gjithë perënditë. Në Tomor, mal Perëndie Kërkoi këngë shenjtërie. Mblodhi blegërimë stanesh Pika vese mes livadhesh.

Deshi fyell e dyjare Grykë më grykë e majë pas maje. Deshi gurë e deshi lule Kërkoi magje për brumë buke. Dru më dru e kërkoi pyllin Ku çdo gjeth garon me yllin. Për një këngë që e do zëmra Shtatë bilbila, shtatë thëllëza.

Kërkoi hënën, dritë me hire. Ëmbëlsirë dashurie. Kërkoi diellin brirëartë. Si flori i vënë në ballë. Kërkoi detin dallgë-dallgë Kërkoi lumin ujëkristaltë. Thirri malin me rrëpira Ku dasmojnë vetëtima.

Natë e ditë e kërkoi këngën Guri zgjoi pragun e nënën. Kënga labe zë magjie. Kullon shpirti mjaltë lirie. Zjarr që ngroh zërin e këngës Ia kalon dhe vetë ëndrrës. Mblodhi borë lart, nga shkrepa Që me tinguj të jetë jeta.

O moj këngë perëndie Bukuri e bukurive. Larë me dritë shenjtërie Ardhur, tej, prej lashtësie Kur nis ison këngë e labit Sikur ngjallet fill i barit. Sytë kullosin mal më mal Yjet-o bëhen jorgan.

Në do shufrën e floririt Merre labçen thellë gjirit Se do gjesh gjemi për dete Dhe ilaç që shëron derte. Si flamuri në karvan Si një valle krah më krah/ Si veshuli mes hardhie Ligjëron ligje më ligje.

Nxorri zemrën ia dha zotit Qerpikoi pikël e lotit. Dëgjoi qielli zënë e labit Çau brigjet ia dha malit. Në Tomorin thinjëbardhë E ul gjurin djalë e plak. Vetë Zoti të ka zgjedhur Labërishte, yll i ndezur.

33 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page