E frymëzuar nga interpretimi që të linte pa frymë i të famshmit Roberto Benigni në Sanremo, iu riktheva vargjeve të mrekullueshme nga “Kënga e këngëve”, përkthyer mjeshtërisht nga Luan Rama, (botim i ALBAS). Këto vargje janë himn i dashurisë fizike dhe shpirtërore. Një dhuratë e mrekullueshme do të jetë ky libër për Shën Valentin.
KËNGA E KËNGËVE E SOLOMONIT
Ti më kënaq shpirtin, motra ime, O, e fejuara ime, ti më kënaq zemrën me shikimet e tua, me gjerdanët e qafës sate. Veçse sharm në dashurinë tënde, O, motër, o, e fejuara ime. dashuria jote vlen më shumë se vera! Edhe aromat e tua janë më të ëmbla se të gjitha parfumet!
Buzët e tua, lëshojnë mjaltë të pastër, e fejuara ime, lëshojnë mjaltë të pastër. Nën gjuhën tënde ka mjaltë e qumësht; dhe aroma e rrobave të tua është si parfumi i Libanit. … Ti je si një kopsht i mbyllur, motër, e fejuara ime, një kopsht i rrethuar mirë një burim i mbyllët. Ujërat e tua krijojnë një lëndinë ku ka shegë, me frutat më të shijshme: me nard e voshtër…
Comments