KËNGA E FUNDIT E MJELLMËS


Resmi Osmani Tregim


1

Dielli i gushtit kishte vënë saçin e zjarrtë mbi luginën e Karpenisit. Qielli i kaltër pa një re. Asnjë grimë flladi, ajri dridhej si në ethe nga përvëlimi i diellit. Mustafa pasha Bushatlliu, i quajtur edhe Shkodrani, nuk po e duronte dot vapën mbytëse, po i buiste djersa. Doli nga tenda madhështore, por edhe jashtë, nën hijen e ullirit, të nxehtit ishte përvëlues dhe në hapësirë, drita e diellit verbuese. Në çast ju gjendën përskaj Llesh Ziu dhe truproja e heshtur mirditore, në pritje të urdhërave.

Pas marrjes me luftë në ecje e sipër të Agrafës dhe pushtimit të qytezës së Karpenisit, pashai e vendosi fushimin në rrafshultën e luginës së rrethuar me ullishta dhe vreshta, dy sahat ecje më këmbë nga Mesollongji. Pashai hodhi sytë nga fusha që ishte e mbushur me qindrat e çadrave që dukeshin si kërpudhat e mbira pas shiut vjeshtor. Më tej, në perëndim, shquheshin kambanaret e bardha me kryqin dhe muret rrethuese të qytetit kryengritës të Mesolongjit që, ai kishte urdhër me ferman nga Porta e Lartë, ta merrte dhe t’i hapte udhën ushtrisë të hidhej në More. Ca më tej, në të djathtë, ishte fushimi i Omer pasha Vrionit të Beratit. Pritej që të mbrrinin edhe taborret e komanduara nga Hurshid pasha Çekrezi që, s’dihej ku kishin mbetur e firasur udhës.Thoshin se i kishin parë në Lepant. Nga deti qytetin e kishte rrethuar flota me gjemitë e luftës që i komandonte Isuf pasha që, i daroviste bujarisht të rrethuarit me gjylet e topave dhe u bënte thirrje “dashamirëse” që të dorzoheshin në mëshirën e tij. Gjith ‘e gjithë, bëheshin dymbëdhjetë mijë, dhe me ato që priteshin të vinin do të bëheshin njëzet mijë asqerë, këmbësorë e kalorës, me xhepane dhe topa. Qytetit i ishte shtrënguar laku,mezi merrte frymë i sfilitur, ishin prerë furnizimet dhe kishte nisur të vuante nga uria. Ose dorëzoheshin, ose vdisnin nga uria! Luftën për këtë fortesë, ai e quante si luftë për jetën dhe nderin e tij.

Mustafa pasha, nuk e kishte dashur këtë luftë, por thikës nuk i bihet me grusht, e kishte pranuar nga zorbelaja dhe ishte detyruar të hynte në atë valle, nga frika e sulltan Mahmutit II të cilin, sa herë e kujtonte, i fanepsej koka e prerë e Ali Pashait të Janinës në kamaren e turpit të kryeqytetit dhe e zinin dridhmat. Ruajna Zot!

Nisi lajmëtarët për të thirrur pashallarët dhe komandantët e taborreve në këshillin e luftës. Në pritje të tyre, hyri në çadër dhe u ul në divanin e shtruar me lëkurë leopardi. Llesh Ziu i shërbeu shurup të ftohtë trëndafili.Nuk mënoi dhe përjashta u dëgjuan tringëllimat e patkonjve dhe shkrofëtimat e kuajve. I pari hyri Omer Vrioni shtatlartë që zuri tërë hyrjen e çadrës, e përshëndeti me temena të thellë, me dorë në zemër dhe urimin shqip: ”Allahu të shtoftë ymrin pasha i ndritur.” I bëri vend pranë vetes. Ai nuk e donte dhe s’ia kish besën këtij pashait ambicioz, paburrëri e të pabesë, tinzar e hileqar që, kish tradhëtuar Ali Pashën dhe që s’kishte mundur t’a merrte Mesollongjin në rrethimin e një viti më parë, e që kishte marrë rrugët si qen i rrahur i ndjekur nga Marko Boçari dhe suljotët e tij. Krah tyre u ulën edhe Isuf e Çollak pasha. Yzbashët e bimbashët, zunë vend në divanët anësorë. Një nga dylberët dhe Llesh Ziu u kujdesën që të shërbehej shurup trëndafili.

Heshtje.Sytë i kishin mbi pashanë. Në lule të moshës, shtatmesëm, hedhur mbi supe një pelerinë me tujet e pashait, mbi krye turbanin që e zbukuronte një gur smeraldi sa një lajthi e që lëshonte reflakse të gjelbërta dhe një pendë e bardhë. Fytyrëhequr,si presa e thikës, i zeshkët, mjekra e plotë,e zezë me ca fije thinjash të argjendta, me hundë si skifteri grabitqar,nën vetullat kaleshe sytë të zez si nata, depërtues enigmatik e inatçor. Goja e vogël dhe buzët e holla e të shtrënguara. Në silahun me pafka argjendi, kishte ngjeshur kamën me dorezën stolisur me rubin dhe pisqollën.

Nën peshën e ankthit të heshtjes, ata prisnin fjalën e pashait.Më në fund ai foli:

-Padishahu, Drita e Botës, që Allahu i shtoftë ymrin e mos na lëntë pa mëshirën e tij, ka urdhëruar që nga qyteti i mallkuar e i nëmur i Mesollongjit, ku janë kryengritur e trimëruar të pabesët, t’i dërgojmë vetëm një grusht hi.Vetëm atëhere do të gjejë prehje zemra e tij. Për këtë jemi këtu. Para dy javësh, u dërgova haber dy kleftëve që, sillen rreth nesh si çakenj, Strugarës dhe Karaiskaqit, që të bashkoheshin me ne, se do t’u falja mëkatet dhe do t’u jepja gjithë të mirat.Nuk pranuan. Dergova një tabor për ndjekje. Sturnara nuk u bë burrë, u tërhoq duke dredhuar në grykat e maleve pa dhënë betejë. Edhe Karaiskaqi, kemi habere se është I sëmurë, i bishtnoi betejës. Ka mbetur vetëm Marko Boçari, i farës shqiptare, çami suljot me të tijët, një grusht burra, të mbyllur në kasaba. Sido që thonë se është trim i tërbuar e zëmërasllan, me atë grusht njerëz, nuk mund të na bëjë ballë. E dua ta zini të gjallë. Do ta dërgoj në Stamboll, të mbyllur në kafaz, si një egërsirë, si plaçkën më të vyer të kësaj lufte.

Do të ndahemi në tri pjesë: Isuf pasha dhe Çollak pasha, në ndjekje të kryengritësve në grykat e maleve. Shtatë mijë asqerë, pa zënë shirat e vjeshtës, këmbësorë e suvarinj dhe artilieria, nën hyqmën time, do të rrethojmë kasabanë, që të mos hyjë e dalë as miza, do ta rrahim me topa sa të vidhisim muret e ta rrënojmë gur mbi gur. Trupat e Omer pashait mbeteshin në rezervë……. Dha edhe porosi të tjera.

Filluan gatitjet që pas dy ditësh, ushtria të soste përballë mureve të qytetit.

2

Kapedan Marko Boçari, me njëmijë e dyqind luftëtarë ,ndodhej në Katoçi midis Mesolongjit dhe Vonicës. Sulmoi, vrau dhe zuri rob, një pjesë të forcave armike të Çollak pashës. Pa që nga rruga tërë dredha ngrihej një vazhdë pluhuri, po vraponte një kalorës.Kur mbrriti, i dha kapedanit një letër që ia dërgonte prefekti. Metaksai, i shqetësuar, kërkonte që Marko Boçari të kthehej në qytet.

Nga frika e rrethimit, bombardimet nga deti, pakësimi i ushqimeve , kërcënimi i urisë dhe sëmundjeve, banorët i kishte kapur paniku. Një dërgatë e parisë së qytetit, i kishte kërkuar Prefektit që ta dorëzonte qytetin, se njëzet mijë asqerët e turkut edhe me pështymë e mbysnin qytetin e rrethuar! Edhe te disa nga kapedanët suljotë, pas gradimit të Markos gjeneral, dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Greqisë Veriperndimore, dukej një qejfmbetje. Ata, po aq trima si Marko,që nuk kishin kursyer as jetën, që kishin derdhur djersën e gjakun po si ai, u dukej vetja si të lënë pasdore nga qeveria.

Nuk kishte tjetër burrë veç Markos, arsyetonte prefekti që, t’i qetësonte dhe tu ngjallte besimin në fitore.

Ishte ditë e ethshme, kur duhet të merreshin vendime për jetë a vdekje. Marko, i tendosur e si në ethe, u kujtua se kishte marrë një letër nga një lord i fisëm anglez që quhej Bajron dhe që gjëndej në Qefaloni. Kishte letër rekomandimi nga Imzot Ignati, në Ankona, që të vinte në Mesollongj.Vetë lordi i shkruante se kishte formuar një gardë me dyzet suliotë trima nën komandën e Xhavellës dhe se donte të ishte njëri nga ushtarët e tij dhe po të duhej, të luftonte e jepte jetën për liri.