Ç'melodi e fshehtë rrëshket nën lëkurë...! Vasha bëhet grua; djali bëhet burrë; Vala e shtyn valën saktësisht nën urë...
Përreth bien rreshje, sikur mbajnë taktin
E gjakut që plaket. Nuk ia kam më vaktin Flakës që djeg tok t’njomin me të thatin.
Një nevojë a urdhër më shkund hera-herë, Të brof i tromaksur, mos troket në derë
Ajo, që të lë këmbë e duar prerë.
Por... i kotë paniku. Veç ankthi që mbyt Valë-valë përhapet, shuket lëmsh në fyt; Prore veshcurrekë, duket, më gatit
Mos kapem gafil, kuk, në befasi, Por të jem pupël, që pluskon n'ajri Pa iu rëndur kujt, pa më parë njeri.
Ç'melodi e fshehtë rrëshket nën lëkurë... Gruaja bëhet plakë, plaku bëhet urë Mbi lumin që shterr. Nuk ka rrjedhur kurrë!
I NDERUAR Z.TUFA!
Me befasuat me poezine tuaj. Lirike e thjeshte, brilante, jetesore, thellesisht filosofike dhe origjinale per ecurine e jetes...Na duhet bukuria e dhimbshme si koncept i vazhdimesise...
Urime, suksese. Myslim maska , shkrimtar, poet, Athine.