top of page

KËNDVËSHTRIMI


Nga Fiqri Shahinllari   

 KËNDVËSHTRIMI

Nuk ka njeri që nuk e provon dilemën brenda vetes, n’daç për punën, n’daç për jetën, për shokun, shoqen,familjen, fëmijën, prindët, shoqërinë, shkencën, kulturën,politikën po se po. Kështu ndodh edhe për të përcaktuar një fenomen apo dukuri pozitive apo negative qoftë . Dhe këto dilema kanë një shpjegim: Varet nga cili kënd e vështron dukurinë. Po mundohem të sjell ca shëmbuj të pakët në grumbullin e madh të fakteve që mund të ketë gjithsecili. Nëse ti, fjala vjen, e do me shpirt një njeri , s’ka dyshim se i pëlqen atij(asaj) edhe ecjen, edhe fjalët që thotë, gjestet që bën, formën e krehjes së flokëve , mënyren se si mer frymë, madje i pëlqen edhe veshjen e ngjyrën e bojës së këpucëve… Provoje të mos e duash më atë njeri. Do të kuptosh se, të gjitha ato, c’ka pëlqeje më parë do të duken tmerrësisht të neveritëshme. Në këtë rrast kemi të bëjmë me dilemën brenda ndjesive shpirtërore, me këndvështrim shpirtëror.

                       * * 

Këndvështrimi i ndryshëm vihet re edhe në perceptimin e fenomeneve apo objekteve. Të marim fjalët “pleh”, “plehrë” që në shumë raste përdoret për sharje apo shpotitje të njerzve, për denigrim në mënyrën pejorative. Dhe, vetvetiu njeriu ndjen ndot, përbuzje. Se kështu është perceptimi për këtë fjalë si cilësor i një diçkaje pa vlerë dhe të përbuzur. Ky këndvështrim mund të ndryshojë kur ndryshon edhe mënyra e perceptimit ndaj kësaj lënde. Po sjell këtu perceptimin që ka për këtë lëndë, me emrin”pleh”shkrimtari gjenial francez Viktor Hygo. Në vepren e tij monumentale “ Të mjerët”, fjalët “pleh” e “plehra” ai i vesh me kostumin shkencor duke i dhënë vlerën e vertetë. Ja se si shkruan ai: “Ato kapule plehrash qosheve të shtëpive, ato arabara me baltë që troshiten natën rrugëve,ato kade të llahtarëshme me bajga, ato rrjedhje të qelbura të ndyrësirave të nëndheshme që na fsheh kalldrëmi, a e dini se ç’janë? Ato janë livadh i lulëzuar, janë bar i gjelbër,janë rigon, zarane e sherebel, janë gjah, janë bagëti, janë pëllitje të kënaqura të qeve të mëdhenj mbrëmjeve, janë sanë e parfumuar, janë grurë i praruar, janë bukë në trapezën tuaj, janë shëndet, janë gëzim, janë jetë. Kështu e kërkon ky krijim i mistershëm që është shndrrim mbi tokë dhe shndrrim në qiell. Kthejani këto kazanit të madh të shkrirjes dhe begatia do të dalë prej tyre. Nga të ushqyerit e fushave del ushqimi i njerzve.” Koment i këtyre fjalëve do të ishte i panevojshëm.

                       * * *

Perceptimin e botës që na rrethon njeriu e mer kryesisht përmes të parit, përmes syrit. Pastaj vihet në lëvizje truri për të perceptuar e analizuar fenomenet apo objektet. Se,shpesh, pamja e jashtëme të gabon kur nuk kombinohet me arsyetimin. Shikon tjetri, përshembull, të dielë, në verë,një njeri të veshur bukur, me sqimë, me kostum trendi, me kollaro ngjyra e së cilës shkon si kontrast me ngjyrën e kostumit. Dhe mirë bën sepse siç thotë Shekspiri për veshjen, “…frënqt’ e shkallës më të mirë këtu,(te veshja-F.Sh) vecan tregojnë hollësinë…(vëmendje-F.Sh)”. Ai mund të jetë deputet, ministër, diplomat, kryetar partie,biznesmen. Pamja e tij “të mer në qafë” tek e shikon kur ecen me hap të sigurtë në trotuar. Pastaj futet në makinën e zezë që e pret diku aty afër dhe niset drejt plazhit. Tek ai person ishin drejtuar shumë sy të kalimtarëve. Ndërkohë, në trotuarin tjeter, mund të shikosh një njeri të zakonshem, me rroba të vjetra, të parruar, pa bark të dalë, me trup të gjatë që ecen duke u lëkundur, sa majtas,djathtas pa u qederosur se ç’përshtypje do të bëjë te njerzit e tjerë të bulevardit. Nuk e di njeri se çfarë profesioni ka ai person: druvar, hamall, ndërtues, punëtor, mësues,fiskulturist a çfarë? Nuk ka rëndësi. Ai vrapon i sigurtë për të kapur trenin që do ta çojë në plazh. Sepse edhe ai,si shumë të tjerë, donte ta shijonte të dielën në diellin,ujin dhe rërën e plazhit. Mirëpo tek ai person nuk i hedh sytë asnjë qytetar kalimtar në ato momente.Rastis që, në të njëjtin plazh, të veshin rrobat e banjës si njeriu me kostum e me makinë të zezë fringo të re, ashtu dhe ai me rroba të thjeshta e i pa rruar e i pa pispillosur që sapo kishte zbritur trenin. Njerzit shikonin tek njeriu i pa rruar që kishte erdhur me tren, një person me fizik të fortë,me këmbë e krahë muskulozë, me bark të futur Brenda trupit, me shpatulla të gjera e me fytyrë të rreshkur. Ai sapo erdhi në plazh, iu drejtua detit dhe bën not me pash. Të gjithë të pranishmit i kishin drejtuar sytë nga ky person me trup të bukur…Ndërsa tjetri sapo kishte zbritur nga makina, kishte veshur rrobat e banjës, kishte vënë syzet e diellit,pastaj kishte lyer trupin me vaj plazhi dhe ishte rehatuar nën çadër duke u kujdesur për barkun e madh që e fërkonte me duart e tij me llërë paksa të fishkura. Asnjeri nuk dëshironte ta shikonte atë person.Në këtë rast kemi të bëjmë me këndvështrimin për pamjen fizike. Rrobat , fasada mbulon thelbin

* * *

Specialisti i huaj që kishte ardhur në Shqiperi për të dhënë eksperiencë kishte shpalosur para auditorit një leter të madhe me figurë, bardh e zi, të një personi femër. Ai kishte shtruar pyetjen: 

- Zonja e zotërinj, ju lutem, përqëndroni vështrimin tek kjo figurë dhe kush nga ju do të më thotë se çfarë sheh këtu?U ngrit i pari nga salla e tha:- Te kjo pikturë shikoj një grua plakë, rreth të shtatëdhjetave, me fytyrë të fishkur e mjekër të dalë si çekiç,që ka hedhur krahëve peliçen e zezë si qyrk e që shikon diku dy,tri metra larg vetes. Ajo , ka lidhur kokën me shami të bardhë duke lënë flokët t’i mbulojnë ballin.Njeriu që fliste ishte ngritur në drrasë të zezë dhe me shkop të posaçëm shoqëronte fjalët duke ravijëzuar në figurë veshjen e tiparet e gruas së moshuar që përshkruante.Gati të gjithë pjesmarrësit e seminarit ishin dakord me mendimin e shprehur nga parafolësi. Mirëpo këtë “mendim të përbashkët” e prishi një pjesmarrës, Avni Dervishi, një specialist i spikatur, inxhinier në fushën e ujrave i cili u ngrit në këmbë, duke kundërshtuar parafolësin.

-Unë për vete kam një mendim krejt të ndryshëm-tha ai. Sepse te kjo pikturë unë nuk shikoj kurrfarë plake por shikoj një vajzë të re, rreth 12-13 vjeç…!


Kaq u desh. Salla u mbush me ilaritet. “Është ndër vete ky?”- thoshin nëpër dhëmbë shumica e pjesmarrësve.

Specialisti i huaj nuk qeshi. Përkundrazi e ftoi replikuesin në drrasë të zezë të tregonte përfytyurimin e tij në figure duke i dhënë edhe shkopin. Dhe “nxënësi” me shkop në dorë “lundronte” mbi figurë. Ai po u tregonte të tjerëve se sharku i zi i plakës ose peliçja e saj ishte shalli me cirka e fije të gjata i adoleshentes,shamia e bardhë e plakës ishte vërtet shami me fjongo si për plakën ashtu edhe për vajzën, flokët e zinj korb të vajzës mbulonin ballin e saj njëlloj si edhe plakës që tregoi .


Problemi është te perceptimi i fytyrës dhe qafës. Unë shikoj se si syri i majtë iplakës, që na kumtoi parafolësi, shndrrohet nga sy në veshin e majtë të adoleshentes. Qepalla e syrit të djathtë të plakës me një qeskë lëkure të fishkur poshtë saj shndrrohet në qepallën e syrit të majtë të vajzes, qeska poshtë syrit të djathtë të plakës nuk është gjë tjeter veçse hunda pipiruqe e adoleshentes, kurrizi i hundës së gruas së moshuar është mollëza e faqes së majtë të vajzës, maja e hundës së plakës është mjekra e së resë, vija përfund hundës së plakës është vija ndarëse e nofullës së vajzës me qafën e saj, goja e plakës me dy, tre dhëmbë të bardhë përpara, shndrrrohetnë varëse të vajzës, mjekra si çekiç e plakës kthehet në qafë dhe fillim gjoksi të së resë!, shënja…Stop! Uau!

Ishte e vërtetë.(shiko skicën) Në atë figurë nuk kishte qënë plaka por vajza! Kjo dukej fare qartë kur ndiqnje fundin e shkopit të Avniut mbi vijat e holla të portretit. Po a kishte të drejte referuesi i parë? Po kishte. Ai si edhe shumë të tjerë shikonin në atë skicë vërtet një grua të moshuar. Të drejtë kishte edhe inxhinieri Avni, referuesi i dytë, me të gjithë pasuesit e tij, tek sa shikonin në skicë vajzën e re e të bukur. Problemi është se gjithçka varet nga këndvështrimi i çështjes apo objektit.Instruktori i huaj nuk u çudit me reagimin eauditorit.Reagime të tilla ai kishte konstatuar edhe në vendet e tjera ku i është dashur të japë leksione. Sidoqoftë ai ia kishte arritur qëllimit për të transmetuar te pjesmarrësit faktin se për një, dy apo më shumë ngjarje, fenomene, dukuri,pamje ka këndvështrime të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. E rëndësishme është t’i afrohesh sa më mirë e sa më shume realitetit.

Fiqri SHAHINLLARI

Marrë nga libri "SERIOZITET ME BUZEQESHJE"

51 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page