top of page

JUG – VERI NJËSH ME PAVARËSI, PREJ KOSOVE E ÇAMËRI


108 VITE PAVARËSI





Akti i shpalljes së Pavarësisë është një akt madhor që e ndan kohën e re historike të shqiptarëve në dy pjesë : para dhe pas Pavarësisë. Deri para saj, historia jonë kombëtare pat rrjedhur në një shtrat të ngushtë, ku shpesh rrebeshet dhe cunamet e ardhur nga jashtë, por herë – herë dhe nga brenda, e dëmtuan dhe pse jo devijuan rrugëtimin natyral çështjes shqiptare. Pavarësia bëri që ky shtrat të shkonte në normalitetin e vet dhe,me gjithë sfidat me të cilat ajo do të ndeshej, deviza historike e saj do të mbetej e patjetërsueshme.

Pavarësia ishte dhe mbetet kurorëzimi i ideve të gjeniut të lëvizjes sonë kombëtare Gjergj Kastriot Skënderbeu, sendërtimi i vizionit arketip të rilindësve tanë për Shqipërinë, mishërim i platformës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kulmim i gjithë aksionit historik të kombit tonë, për të gjetur vetveten në udhëtimin e tij sa të vështirë e kapriçioz, aq dhe të lavdishëm historik. Në analet e kësaj Pavarësie u shkrinë në një të gjitha viset shqiptare, jugu dhe veriu, mali dhe fusha, Vlora, Dibra, Shkodra, Ulqini, Elbasani, Kosova etj, duke sjellë protagonistë që me bëmat e tyre atdhetare e mbartën atdheun si një peng dashurie të përjetshme, duke na treguar udhët nga mund të kalojë në të gjitha epokat dashuria për trojet stërgjyshore.

Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri e deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim e deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje. Këto treva, duke marrë pjesë gjallërisht me pushkë e me penë në lëvizjen për çlirimin kombëtar, vunë gurë në themelet e pavarësisë shqiptare, i çimentuan ato me gjakun e bijve më të mirë dhe i hapën rrugën, , formimit dhe funksionimit, të shtetit shqiptar. Kuvendi i Vlorës, duke shpallur Pavarësinë në emër të të gjitha trevave shqiptare që dërguan përfaqësuesit e tyre në të, institucionalizoi një Besëlidhje të Re të shqiptarëve, në gjurmët e Besëlidhjes së Lezhës, të kryer nga Skënderbeu. Ky Kuvend e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë, shembi muret dhe muranat e kobshme të ngritura nga fryma e ndasive të gjithfarshme dhe projektoi bashkimin kombëtar. Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare e Ismail Qemalit, e dalë nga ky kuvend me frymë profetike, u shfaq në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullsisë dhe e të gjitha tokave shqiptare, pavarësisht se një pjesë e konsiderueshme e territoreve të kombit tonë mbetej e pushtuar nga ushtritë e shteteve ballkanike. Akti i 28 Nëntorit 1912 sanksiononte të drejtën legjitime historike të kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e tij, bashkë me popujt e tjerë të Gadishullit të vjetër. Kjo ishte një e drejtë e mohuar nga paragjykimet e të mëdhenjve të kësaj bote, e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin e me historinë e vet, e drejtë e fituar me mundime e sakrifica të panumërta në llogoret e luftës, e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.

Nëse Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar, ne do t’i referohemi atij në të gjitha kohërat dhe brezat që do të vijnë, si një etalon i së drejtës shqiptare, për të pasur një përfaqësim institucional të vullnetit tonë kolektiv, për institucionin e shtetit dhe të drejtën njerëzore e gjithëkombëtare, për t’u vetëqeverisur. Nga ana tjetër, me shpalljen e Pavarësisë, shqiptarët nënshkruan vullnetin e plotë të bashkimit nga skaji më i thellë i Veriut në skajin më të thellë të Jugut, duke hedhur në erë psikozat dashakeqe të çdo përçarje, qoftë krahinore qoftë politike apo fetare, në emër të unitetit kombëtar, të mishëruar në simbolin e flamurit dhe të lirisë e prosperitetit të bijve të shqipes.

Për t’u ngritur në lartësinë e këtij mesazhi gjithëkohor, popullit shqiptar iu desh të bënte një luftë të gjatë kundër sundimtarëve osmanë dhe synimeve grabitqare të fuqive të huaja. Një varg rrethanash të brendshme e të jashtme bënë që këto lëvizje të mos arrinin dot objektivin. Por në çdo etapë ato kanë vënë në provë forcat materiale e morale të popullit shqiptar, duke pasuruar përvojën e traditat luftarake dhe premisat për zhvillimin e mëtejshëm të luftës. Në shek. XIX e në fillim të shek. XX kjo luftë u zhvillua mbi baza të reja shoqërore e politike dhe mori karakter të ndërgjegjshëm kombëtar. Ajo mobilizoi vetëdijen kolektive të bashkimit kombëtar në llogoren e një qëndrese të pashembullt, gjatë së cilës u promovua dinjiteti i një kombi që kërkonte me çdo çmim të rilindte si Feniksi, nga hiri i kohëve të këqija dhe paragjykimi i dritëshkurtërve të kontinentit të vjetër.

Autonomia e shpallur nga Lidhja e Prizrenit dhe pavarësia e institucionalizuar nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy hallkat themelore në zinxhirin e ngjarjeve të lëvizjes kombëtare, të lidhura organikisht ndërmjet tyre, si shprehje e vullnetit popullor dhe si pasojë e drejtpërdrejtë e përfundim logjik i luftës çlirimtare. Por, shpallja e pavarësisë shqiptare ishte në të njëjtën kohë një etapë më e lartë, e përcaktuar nga zhvillimi progresiv i lëvizjes dhe nga rrethanat ndërkombëtare.

Prapambetja ekonomike e shoqërore e vendit mund të cilësohet si një faktor që vonoi rritjen e forcave organizuese e drejtuese të lëvizjes kombëtare . Nga ana tjetër, grindjet dhe përçarjet e vazhdueshme të parësisë, me anë të grupimeve dhe lobimeve të tyre politiko-fisnore e të tjera dukuri penguese, e shtynë për një kohë relativisht të gjatë shpalljen e Pavarësisë. Por, edhe mbi Shqipërinë rëndonte zgjedha e një perandorie të madhe, një faktor themelor që e vonoi për dhjetëra vjet pavarësinë shqiptare ishte ai i jashtëm. Populli shqiptar qëndroi gjatë gjithë lëvizjes për çlirimin kombëtar thuajse i vetëm, pa aleatë të vërtetë, herë-herë me aleatë të çastit, që hynin në lojë jo për hir të ndonjë dashurie për Shqipërinë, por për shkak të konjukturave të kohës. Ajo që e bënte më të trishtë gjendjen, ishte fakti se shtetet ballkanike fqinje, të cilat të parat e siguruan pavarësinë, luftuan me të gjitha mjetet, duke filluar nga presionet diplomatike e duke mbaruar edhe me ndërhyrje të armatosura, kundër Lëvizjes Kombëtare , e cila për nga qëllimet e saj i kundërshtonte planet e tyre të skllavërimit ekonomik e politik në dëm të Shqipërisë. Edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat, gjatë gjithë shek. XIX i përkrahën popujt e krishterë të Ballkanit (serbët, grekët, rumunët e bullgarët) të formonin shtetet e tyre të pavarura, për një kohë të gjatë, mbajtën një qëndrim mospërfillës ndaj çështjes shqiptare, duke iu dhënë “alibi” armiqve tanë tradicionalë në aventurën e tyre pushtuese e aneksuese ndaj trojeve historike të vendit.

Në këtë qëndrim pati ndikimin e vet edhe fakti që shqiptarët, të ndarë në tri fe (edhe pse i bashkonte një ndërgjegje e vetme kombëtare), me një shumicë zotëruese myslimane, shiheshin nga Evropa, e sidomos nga Rusia e krishterë, si një popull i huaj me to dhe më i afërt me turqit myslimanë. Jo vetëm Rusia, por edhe shtetet e tjera evropiane nuk qenë shkëputur ende në atë periudhë nga konceptet e vjetra teokratike për kombin, edhe pse perandorive shumëkombëshe teokratike po iu vinte fundi. Në këto kushte, lufta për Pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të mbështetej veçse në forcat e popullit shqiptar dhe mund t’ia arrinte qëllimit vetëm kur të krijohej një koniunkturë e favorshme ndërkombëtare, kur kontradiktat ndërmjet Fuqive të Mëdha mund të shfrytëzoheshin me sukses për një platformë reale për realizimin e saj. Pavarësia e Shqipërisë u shpall në kushte të tilla ndërkombëtare. Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fazën e fundit të saj, ditën të shfrytëzonin me mjeshtëri koniunkturën politike që u krijua me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, kur në çështjen shqiptare u ndeshën me forcë interesat e kundërt të Fuqive të Mëdha. Është meritë e këtyre patriotëve largpamës dhe, në mënyrë të veçantë, e atdhetarit dhe e diplomatit të shquar Ismail Qemali, që, duke u mbështetur në luftën e popullit shqiptar brenda vendit, zgjodhën drejt çastin e përshtatshëm për të kaluar nga platforma e deriatëhershme politike e lëvizjes për autonominë në atë të pavarësisë. Dhe kjo u realizua pikërisht më 28 Nëntor 1912, kur Turqia po dëbohej nga Ballkani, kur Fuqitë e Mëdha vendosën të hiqnin dorë nga ruajtja e status quo-së në Ballkan dhe kur planet e aleatëve ballkanikë për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura edhe nga fuqitë e Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e Lidhjes Tripalëshe. Vendimi historik i 28 Nëntorit drejtohej, megjithatë, jo vetëm kundër politikës së Fuqive të Antantës dhe të shteteve fqinje të Ballkanit, por edhe kundër planeve të fuqive të Lidhjes Tripalëshe. Këto të fundit, sidomos Austro-Hungaria e Italia, si më të interesuarat për çështjen shqiptare, ishin në atë kohë për autonominë e Shqipërisë, nën sovranitetin e Sulltanit. “Pavarësinë” e saj ato e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të veta, si mjetin që do t’u hapte rrugën për të vendosur kontrollin ekonomik e politik mbi Shqipërinë, për ta përdorur popullin shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të Shqipërisë, si mbështetje për shtrirjen e tyre në Gadishullin vjetër problematik të Ballkanit.

Kthesa historike e 28 Nëntorit 1912 u bë premisa politike themelore për organizimin mbi baza më të përparuara të jetës shtetërore të pavarur të shqiptarëve dhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Duke formuar shtetin e pavarur shqiptar, pavarësia objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. Epoka aktuale e riformulimit të problemeve të Ballkanit dhe tentativa për zgjidhjen e tyre duke ridimensionuar botën shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve të imponuar politikë, e vërteton më së miri këtë devizë të saj dhe e ilustron aktin e Pavarësisë si një veprim i plotë lirie e sovraniteti i një kombi me vlera dhe kontribute të shpalosura.


Qatip Mara

Nju Jork 24 nëntor 2020


19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page