top of page

Ju shkuat dhe erdhët në Brigjet e Dafinës


Ju shkuat dhe erdhët në Brigjet e Dafinës



Ideal Serjani


I dashur atdhetar dhe mëmëdhetar! I dashur, si një nga dishepujt e shqiptarizmës!

- Jam i detyruar të pohoj me Besa-Besë, sipas traditës së shqiptarëve, se ju do të mbeteni në zemrën dhe krijimtarinë time, si Ylli i Mëngjezit që rri aq bukur pranë hënës Brirëartë. Në fshatin tonë dalja e hënës ka qënë një fenomen mjaft adhurues ndaj saj. Gjatë beharit (verës), sidomos të netëvë me hënë të plotë (pesëmbëdhjetshe), të qershorit, hëna në fshatin tonë delte në dy vende: në Qafën e Lëmënjve dhe në majën e Barakjeve, sipas ekuinoksit të Pranverës dhe të Dimrit.

Fshatarët e mi kanë qënë mjaft të ndjeshëm ndaj punës, ndaj jetës, por edhe ndaj këngës, që e kanë kënduar me shpirt, me « inat» por edhe me një butësi e nostalgji të ndjeshme. Në netët e bukura, gjithë familjet, nuset, djemtë, vajzat, por sidomos nënat e prisnin daljen e hënës prapa këtyre qafave e majave, si sihariqin (lajmin e gëzuar) më të ëmbël në Botë.

Nga kjo pikëpamje, ju më quani mua, Mëmëdhetar!

Ashtu është dhe ashtu qoftë! Por «pa dashur» edhe ju keni rënë në Mëmëdhetarizmin tim, sepse ju shkuat dhe erdhët në Brigjet e Dafinës, në Bregdetin tonë të bukur Jonian, të ashpër e shkëmbor, por edhe të pastër, pa këneta e moçale, pa karkaleca, mushkonja e buburreca. Në ketë vend të bekuar, ashtu si malet kreshnike, kanë lindur dhe gjenerojnë edhe këngë, valle, tradita e zakone fisnike,

njerëz kreshnikë, të bukur si vetë natyra që i ka lindur. Bregdeti jonian është vendi i kapedanëve dhe kapedaneve.

I dashur, zoti Terziu!

Fshati im, i vogël në numrin e shtëpive, por përbën një mal të larte në fushën e inteligjencës. Për këtë po ju dërgoj një shkrim të veçantë. Por le të kthehemi tek Mëmëdhetarizmi, që ju ma theksoni

më të drejtë. Nga ana gjeografike, ndodhet në Bregdetin e Poshtëm, Lekurës-Borsh, midis Piqerasit dhe Lukovës, në një grykë mjaft të ngrohtë, rrëzë malit Làvan, 954m mbi nivelin e detit, më i larti në ketë njësi gjeografike. Fshati im, Sasaji, është i besimit të sektit Bektashian te Myslymanizmit. Si i tillë, fshati ynë, duke bërë pjesë në zonën e Labërisë, vjershat e Naimit e Çajupit, sidomos, por edhe të Rilindasve te tjerë, i këndonin lapçe, nëpër dasma e davete. Një nga këta ka qënë edhe babai im i ndjerë, Remzi Serjani si një nga këngëtarët dhe bejtaxhinjtë më te mirë, më gaztorë e më të ëmbël të fshatit e më gjëre, si Kuç (Vlorë), Borsh (Sarandë), Tatzat (Delvinë) etj. Por edhe diçka tjetër:

Në kohën e Zogut, dy studente mjaft të kompletuar me dije ishin: Murat Kallulli dhe Muharrem Ahmati, I pari ishte student ( ashtu quheshin atëherë) në Liceun famëmadh të Korcës dhe i dyti në Normalen e Elbasanit, dy kryeqendrat më të lavdishme të Shqipërisë. Këta dërgonin dhe sillnin libra shqip, sidomos te Rilindasve, në fshat të cilat lexoheshin radhazi në çdo shtëpi. Faktori i trete, ka qenë Vlora e Flamurit me të cilën fshati ynë kishte shumë lidhje, pasi në raprezaljet që bënë shovinistët grekë, më 1913-1914, fshati ynë, Sasaji, u dogj nga bandat e Spiro Milos dhe popullsia e fshatit tonë u strehua dhe u mbajt gjallë nga vëllezërit patriotë të fshatrave të Vlorës.

Në ketë kontekst linda dhe u rrita unë me qumështin e Mëmës dhe Mëmëdhetarisë, falë asaj biblioteke modeste që trashëgoi babai tek ne, pasi një pjesë të madhe te librave i dogjën grekët në vitin 1940. Pra nga prindët trashëguam një frymë të ngrohtë dhe atdhetare.

- Z.Terziu! Unë ju falënderoj që e kini vënë re dhe trajtuar aq bukur në analizën tuaj ketë nerv dhe gjak mëmëdhetar.

Juve me portalin tuaj '’Fjala e lirë’’ po jepni njëkontribut të paçmuar në pasurimin e mendimit filozofik dhe atij kritik letrar, të krijuesve shqiptarë.

Kam krijuar që herët, simpati dhe dashuri të pakufishme për personalitetin tuaj dhe për punët tepër të dobishme e atdhetare që bëni. Në mendimet dhe analizat tuaja vërehet një thjeshtësi e modesti tepër e pëlqyer, bien në sy virtytet më të larta te një pedagogu, filozofi e mëmëdhetari të adhuruar. Mbetem me kënaqesinë e një bashkëpunimi të metejshëm në te ardhmen.

Me shumë respekt e konsiderate të lartë.

Ideal Serjani.

59 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page