(Shënime për librin:”Homeshi në shekuj” të historianit vendor Mendu Dema)

Mendu Dema nga fshati Homesh i Dibrës i diplomuar për histori, mësues historie deri sa doli në pension, anëtar i shoqatës së historianëve të Dibrës, pas shumë shkrimesh në shtyp e kumtesash del para lexuesit me librin:”Homeshi ndër shekuj”.
Historia e kombit fillon nga vendlindja, kjo devizë e nxiti Mendu Demën të shkruante këtë libër që kontribuon në historinë e Dibrës dhe më gjërë.
Autori e fillon librin e tij studimor që nga koha e neolitit, që nga Uskania dhe penestët dhe e mbaron në ditët e sotme. Shumë ngjarje zhvillohen edhe jashtë fshatit, shumë nga veprimtarët e fshatit të tij me histori, bashkëveprojnë me figura të mëdha historike të Dibrës, Shqipërisë së Jugut, Shqipërisë së mesme, Shqipërisë së veriut, Kosovës e Janinës, ndaj ky libër është pasuri historike e kulturore jo vetëm për dibranët, por edhe për studiuesit shqiptarë kudo ku ndodhen.
Autori i këtij libri është pinjoll i fisit Dema, fis që ka nxjerrë luftëtarë të mëdhenj për liri e pavarësi kombëtare, për gjuhën dhe shkollat shqipe si Mete Dema, Hazis Dema, Mersim Dema, Dine Dema e shumë të tjerë.
“Kam nderin të pres mbretin e maleve, Mersim Dema” ishte shprehur Princ Vidi në pritjen kushtuar atij.
Mehmet Dema ose Mete Topalli, siç thirrej nga populli sepse çalonte në njërën këmbë, kryesoi dibranët në ndihmë të Ali pashë Tepelenës kundër Perandorisë Osmane, Hazis Dema ishte zv komandant në betejën kundër Hajredin Pashës, ndërsa Mersim Dema ishte udhëheqës i Grykës së Vogël në luftë kundër serbve në janar dhe shtator 1913, në Follorinë etj. Dine Dema ishte senator i Parlamentit Shqiptar të dalë nga Kongresi i Lushnjës në janar 1920 dhe më pas në gusht të po atij viti, në Kuvendin e Arrasit, anëtar i Shtabit të kryengritjes kundër serbve.
Nga fshati Homesh pati shumë luftëtarë dhe dëshmorë edhe në luftën e Nishit në vitin 1878 në ndihmë të popullit kosovar, të cilin po e dëbonin me dhunë nga trojet e tyre, në luftën për mbrojtjen e Shkodrës nga serbët e malazezët, në Follorinë, Ohër e Petrinë kundër serbve dhe grekëve.
Autori tregon me detaje dhe me dokumenta për luftën e parë botërore, për luftën e dytë botërore, kontributin e fshatit dhe të zonës në këto luftëra me luftëtarë e dëshmorë.
Me interes për lexuesit janë përpjekjet për shkollat shqipe, për shkollën e parë shqipe në Homesh, për mësimin e gjuhës shqipe në Teqenë e Bllacës, për mësuesit dhe nxënësit e parë.Shkolla e parë shqipe në Grykë të Vogël është hapur në Homesh me 14 mars 1894 në shtëpinë e Mersim Demës dhe mësues ka qenë Shaqir Daci.
Autori hedh dritë më mirë se kushdo për luftën e marsit 1943 kundër italianëve, pasi ngjarjet zhvillohen në fisin e tij, në mortin e Shaqir Demës.
Po kështu ai sqaron edhe luftimet kundër gjermanëve në korrik të vitit 1944 në zonën e Homeshit.
Përveç lëvizjeve demografike para dhe pas vitit 1990, autori ka hartuar dhe shpjeguar toponiminë e fshatit.
Parë në tërësi si dhe në disa fakte që publikohen për herë të parë, mendoj se ky libër vjen në kohën e duhur dhe përbën një kontribut në fushën e historisë së zonës dhe të Dibrës.
Comments