top of page

Jo-legjitimët



Astrit Lulushi


Të majtët në pushtet vazhdojnë të përdorin dhunën. Kjo lë të kuptohet se pushteti që mbajnë nuk është i ligjshëm. Komunistët do të kishin dashur të vinin në pushtet me revolucion, si ai i Leninit. Kjo do t’u kishte dhënë edhe legjitimitetin e pushtetit, dhe krimet e tmerrshme të mëpastajme ndoshta nuk do të kishin ndodhur, as dhuna e tanishme policore.

Pasi gjermanët, më 1944, ikën, Shqipëria mbeti pa qeveri, politikisht ishte bosh; komunistët e shpallën veten çlirimtarë, sepse pushteti u mbeti në duar. Ata filluan një fushatë të hakmarrjes, pasi e kuptuan se në sy të të tjerëve nuk e meritonin pushtetin, e ndjenin veten të pa-legjitimë; u duhej të krijonin armiq dhe të dilni fitimtarë ndaj tyre; kështu mendonin se do të lehtësoheshin nga barra e kompleksitetit.

Mes viktimave të para të raprezaljes e terrorit ishin personat, tregtarë e fermerë, të cilët me punë e zotësi kishin vënë një farë pasurie. Plaçkitësit e hajdutët në çeta të udhëhequra nga anarkistë, rrugaçë e aventurierë të sëmurë me maninë e madhështisë, zbritën nga malet, zunë shtigje e vunë prita, ndaluan çdo njeri të dilte nga vendi. Shqipëria u kthye në një gropë të përbashkët me viktima të gjallë e të vdekur, pa varr të vetin e pa emra. Mbi mbarë vendin frynte era e keqe e përndjekjeve dhe pushkatimeve; njerëz kufoma me panje të friksuar të ekspozuar në publik qëlloheshin e ndoteshin nga turmat. Partizanë në grupe hynin në çdo shtëpi e lokal, dhe tërhiqnin zvarrë pa shkak njerëz, pa i njohur, vetëm se shprehja e fytyrës së tyre nuk u pëlqente, ose sepse shtëpitë i kishin luksoze a vila të ndërtuara me punë e djersë, dhe ua rrëmbenin.

Shumë prej tyre mblidheshin për t’u ekzekutuar; të tjerë gjykoheshin shpejt në gjykatat e improvizuara me drejtësinë e kolektivit a sheshit. Vrasjet ishin të shpejta dhe shpesh përfshinin të pafajshëm. Ata që njiheshin hapur si armiq të komunizmit u vranë; gratë, fëmijët e familjarët e tyre u dënuan me burgime të rënda e internime; dhe këta nuk ishin të sigurt për jetën. Kishte mes tyre edhe ish-partizanë e ish-komunistë, për të cilët, për ironi e keqardhje, fjala e fundit para skuadrës së pushkatimit ishte “Rroftë Enveri, Rroftë Partia”. Disa ishin lloji i heronjve të minutës së fundit që shtuan radhët e partizane, pasi luftimet e vërteta kishin mbaruar. Të tjerë ishin kriminelë që përdornin statusin e tyre të ri “patriotik” për të shantazhuar tregtarë të pasur, biznesmenë, ose pronarë tokash, për të plaçkitur pronat e tyre.

Në Shqipëri, hakmarrja komuniste kishte axhendë politike; ishte një zgjidhje që morri emrin ‘luftë e klasave’. Komunistët i panë spastrimet si të domosdoshme që të mbijetonin dhe sulmuan tregtarët që nuk paguanin detyrimet që u kërkoheshin, përveç taksave që i kishin paguar; fermerë që nuk dorëzonin prodhimet e tepërta; dhe intelektualët që akuzoheshin për bashkëpunim me ambasada perëndimore; këta u panë si shënjestra të ligjshme për të mbrojtur pushtetin.

Si zakon për krenarinë partizane, parada organizoheshin, me komandantët aleatë rusë a jugosllavë përkrah në tribuna, që merrnin përshëndetjen e njësive ushtarake të zbukuruar me shalle të kuq, simbol i besnikërisë ndaj të kuqve, ndaj komunizmit, dhe jo ndaj vendit.

Në këmbim të shtrirjes së perandorisë së tij në Evropën Qëndrore e Lindore, Stalini ra dakord të linte Mesdheun për Perëndimin. Më pas Shqipëria do të mbetej vetëm, por lufta e klasave apo hakmarrjet vrasëse vazhduan; frika dhe ndjenjat e dyshimta të tradhtisë nuk do të shuheshin; dhe në disa raste e forma do të vazhdonin edhe në shekullin XXI.

Pa mohuar krejtësisht atë ideologji që i sundoi 45 vjet, pra, pa një de-komunistizim të sinqertë, Shqipëria nuk bëhet as për 30 vjet të tjera. Pas kësaj, nuk dihet se ç’mund të ndodhë.

18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page