top of page

Jeta vret jetën


Pajtim Xhelo

Kur zbardhi heshtja hëngri qetësinë,

Natën që u rrokullis e dëgjuat?

E ndiet detin që mbyti stuhinë?

Po puthjen mbrëmësore e kujtuat?


Mos ikni, rrini me mua këtu,

Të shikoni si drita dritën vret,

Dhe ëndrës që mjegullohet diku,

Rrezja e diellit zë i bërtet.


Ky mëngjes pse egër po i sheh lulet,

Po flladin pse qytetit i përzuri?

Po pëllumbi pse ka frikë të ulet?

Udhës, nëpër gurë, besën la burri.


Pa shih, shpirti shpirtin në prit' e zuri,

Dhe zemra zemrën me grusht e qëlloi,

Nga marazi plasën druri dhe guri,

Se djali babain plak e harroi.


Në pyjet ku harlisej virgjëria,

Dashuria kafshoi dashurinë,

Nëpër shpate malesh u ngjit liria,

Që mos të takohet me robërinë.


Shoku rrëzoi shokun në greminë,

Në flakë ferri vdekjes ia dha,

Një mik mikut nguli thikën në shpinë,

Diku, në pyll, pa varrosur e la.


Drita vret dritën, mëngjesi agimin,

Jeta jetën kafshon në pabesi,

Ku po e çojmë kështu njerëzimin,

Pa shpirt, pa zemër dhe pa dashuri?


Atje larg, e duruar , vdekja pret,

Pse t'i vemi kur nuk na ka kërkuar?

Ti i tjetërsuar, që jetën vret,

Mbeç pa varr dhe në breza i mallkuar!


Na sollën në jetë që të gëzojmë,

Në mëngjes dhe në mbrëmje të trokasim,

Ka shpirt e zemër? Le të dashurojmë,

Kësisoj edhe vdekjen do ta vrasim.


Pajtim Xhelo, 25 korrik 2020

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page