top of page

Jeta në trojet shqiptare


Shkruan Viron KONA

Jeta në trojet shqiptare përcjellë në breza historinë e saj

Duke lexuar librin “Kuçi, fshati i kuvendeve.”

Një rrëfim mbresëlënës nga poeti, përkthyesi dhe atdhetari Sokol Demaku.


Sokol Demaku si gjithnjë befasues. Kësaj here na befason me një rrëfim që ka të bëj me origjinën e tij, prejardhjen e fisit të tij drenicas, por që nëpërmjet këtij libri na thotë me siguri se prejardhja më e thellë e tij është nga Labëria, saktësisht nga fshati Kuç i Vlorës ose i quajtur ndryshe “zemra e Labërisë”. Për mua si vlonjat, por me origjinë të thellë nga kalaja e Beratit, është edhe më e ndjerë kjo gjetje e Sokolit, teksa na rrëfen se shqiptarët kanë lëvizur vazhdimisht brenda trojeve të tyre, kanë shkuar dhe kanë ardhur për arsye e shkaqe nga më ndryshmet, nisur, edhe nga motive të lëvizjes së lirë brenda “shtëpisë” sonë, por edhe për shkaqe të tjera sociale, shtetërore, politike, apo dhe shkaqe të detyruara nga konflikte që kanë lindur historikisht apo vijojnë të lindin në shoqërinë njerëzore. Ndërkaq, duke lexuar këtë libër, ndjejmë sesa të afërt jemi ne shqiptarët me njëri-tjetrin, kemi lidhje gjaku mes nesh nga njëri skaj në tjetrin të trojeve tona, jemi Një, si në Veri-Jug, në Lindje-Perëndim, në çdo skaj të trojeve shqiptare. Jemi vëllezër dhe motra të një gjaku, jemi unik, të pandarë, jemi shqiptarë nga ilirët, nga arbrit, jemi shqiptarë me një gjuhë, me një flamur, me të njëjtat tradita e zakone, me të njëjtën ndjeshmëri zemrash dhe dashurie për atdheun, për të cilin në shekuj jemi sakrifikuar dhe jemi gati në çdo çast të sakrifikohemi.

Intermexo

Shkaqet e lëvizjeve demografike

kanë qenë vazhdimisht të ndryshme

Lëvizjet e njerëzve nga një vend në tjetrin historikisht kanë qenë veçori të popujve që nuk kanë duruar dot sundimin e huaj, siç ishin lëvizjet e shqiptarëve më së shumti në Itali pas vdekjes së kryetrimit shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu; lëvizjet e shqiptarëve kanë qenë edhe të detyruara nga fuqitë pushtuese të dhunshme me qëllim për t`i përçarë popujt, për t`i dobësuar ata; kanë qenë lëvizje të detyruara edhe nga politika e gjenocidit, që ka përdorur pushtuesi, duke i zhvendosur grupe dhe fise të popullsisë shqiptare në shtete të ndryshme, siç ishin zhvendosjet e mëdha shqiptare të popullit të Kosovës nga serbët gjatë shekullit të kaluar drejt Turqisë dhe vendeve të tjera të botës; siç ishin zhvendosjet e popullit çam nga dhuna e ekstremiteteve greke gjatë shekullit të kaluar...Ndërkohë një fakt është më se i sigurt, shqiptarët, kudo që janë, kudo ku kanë qenë të detyruar të shkojnë, (aktualisht kanë lëvizur për shkaqe mbijetese dhe ekonomike), në çdo rrethanë ata e duan me shpirt e zemër atdheun e tyre, ndihen të bashkuar me atdheun, kudo që jetojnë jashtë trojeve. Shqiptarët janë të lidhur fort rreth trungut dhe rrënjëve shqiptare, sido që ta sjellë rasti, sido që ta sjellë jeta dhe të papriturat e saj.

Sot edhe për shkak të lëvizjes së lirë, por sidomos për shkaqe ekonomike, shqiptarët i gjen edhe në skajet më të largëta të “Shtëpisë së njerëzimit”, rruzullit tokësor. Madje edhe në vende të largëta si në Australi, Japoni, Kinë, Amerikë, Skandinavi, Francë, Gjermani, Angli, Spanjë, por sidomos në vendet fqinj, në Greqi dhe Itali...Kudo ku banohet, mund të gjesh familje e fise shqiptare. Rruzulli tokësor është i të gjithëve dhe mund të banohet nga të gjithë, është e drejtë e gjithkujt ta ndërtojë një jetë më të mirë, pavarësisht vështirësive dhe kushteve social - ekonomike.

Kuçi fshat i kuvendeve

Por le t`i kthehemi librit ”Kuçi, fshati kuvendeve”(Pak histori nga tradita shekullore e Kuçit. Ese dhe tregime). Libri nis me esenë “Pak histori nga tradita shekullore e Kuçit”, ku që në fillim autori shpalos merakun e tij se ne të gjithë duhet të merremi me trashëgiminë tonë, fisin dhe prejardhjen, të dimë jo vetëm vendin ku jetojmë (fshat apo qytet) por edhe origjinën e largët të gjyshërve dhe të stërgjyshërve tanë. “Po na humbet dhe po na zhduket një trashëgimi e tërë”, - shkruan me shqetësim në vijim të kësaj ideje z. Demaku. Duket se autori që në fëmijëri ka dëgjuar diçka rreth origjinës së largët të fisit të tij dhe më pas i interesuar e ka thelluar idenë e njohjes dhe nëpërmjet këtij libri na rrëfen se e ka origjinën nga Kuçi i Labërisë, për të cilin edhe shpalos mjaft informacione e të dhëna të cilat ia prezanton historikisht dhe artistikisht lexuesit. Ai shkruan se fshati Kuç i Labërisë është fshati më i madh i krahinës së Kurveleshit, si nga sipërfaqja ashtu edhe nga popullsia, ndërkohë që ai rrethohet edhe nga shumë fshatra të tjerë me emër të asaj treve labe dhe që përbëjnë krahinën labe të Kurveleshit. Libri vijon me artikullin “Një udhëtim mbresëlënës”, i cili duket se është realizuar nga vet autori gjatë udhëtimit të tij në krahinën e Labërisë. Ai përshkruan zonën e quajtur “Lumi i Vlorës” dhe ndalet në fshatin e tij të dashur, Kuçin piktoresk dhe tërheqës, ku bashkohen bjeshkët labe e ku natyra ka qëndisur me dorën e saj bukurinë e peizazhit dhe mjediset e jetës së banorëve të këtij fshati që i bëjnë ata krenarë me vendin e tyre, me historinë dhe bukurinë e fshatit, me origjinën e tij. Janë mbresëlënëse përshkrimet që autori i bënë natyrës së fshatit, natyrës së virgjër, drurëve dhe bimësisë së pasur me vlera kurative, ajrit të pastër të kodrave dhe maleve. Ndërkaq ai përqas bukurinë e rrallë të natyrës së këtyre anëve me bukurinë shpirtërore të banorëve humanë, njerëz me plot virtyte, të ndershëm dhe trima, krenarë dhe mikpritës, njerëz të fjalës dhe të besës, luftëtarë të lirisë në shekuj, teksa ata në vetvete dhe bashkë përbëjnë “arkiva” historish e legjendash që rrëfejnë për banorët e kahershëm të këtyre anëve, në kohë paqe dhe në kohë luftërash, të cilat nuk i janë ndarë asnjëherë truallit legjendar shqiptar. Autori gjen rastin të përshkruaj edhe vetë Labërinë, vend shtrirjen e kësaj krahine, fshatrat dhe zonat që e përbëjnë atë dhe mbi të gjitha cilësitë e banorëve si: burrërinë, humanizmin, trimërinë, pasurinë shpirtërore, mençurinë, folklorin e pasur... Ai veçon disa nga cilësitë e vyera të labëve, e midis tyre edhe faktin domethënës se ata vendimet e rëndësishme i kanë marrë në shekuj bashkërisht në kuvendet e tyre të njohura.

Bukuritë natyrore,

shpirtërore, tradicionale e zakonore të fshatit Kuç

Autori vijon me artikullin “Kuçi, vend i krojeve”, ku vë në dukje pasurinë ujore të fshatit, ku gjenden qindra burime, gjë që e bëjnë Kuçin fshatin më të pasur me ujë në të gjithë Shqipërinë. Ndër më të njohurit është edhe burimi i quajtur “Buronjat e Kuçit” me rrapet shekullorë, që i japin pamje madhështore dhe bukuri të rrallë të gjithë këtij mjedisi. E pikërisht aty bëheshin dhe bëhen shpesh kuvende, aty bëheshin dhe bëhen festa të mëdha të të gjithë krahinës, ai vend është plot me histori dhe legjenda, plot humor dhe batuta të mençura, plot art e folklor, plot episode nga më interesantet që banorët i rrëfejnë gjatë bisedave të lira apo gjatë ceremonive e ngjarjeve të rëndësishme që ndodhin në fshat e krahinë. Aktualisht autori vë në dukje edhe faktin se si në shumë fshatra dhe krahina të tjera shqiptare, banorët kanë lënë tokat, malin dhe pyjet dhe kanë rendur drejt qytetit duke e zvogëluar jashtëzakonisht shumë numrin e banorëve, teksa fshati qëndron vazhdimisht me krahët hapur në pritje të tyre. Veçanërisht autori vë në dukje shumë nga cilësitë e banorëve të Kuçit, ndërkohë që veçon mikpritjen e rrallë. ”Po të zuri nata dhe je mysafir në shtëpinë e banorit të Kuçit, aty shtrohet menjëherë sofra, aty nuk mungon as rakia, as dollia dhe as kënga...” Kënga polifonike përhap tinguj madhështorë, që shprehin epikën legjendare të këtyre anëve, shpirtin e madh dhe zemrën e pastër dhe të pasur të banorëve. Kuçi, nënvizon autori, është zemra e Labërisë, por që nga mesjeta edhe një qendër e rëndësishme ku zhvillohej tregtia. Aty ndodheshin mulli bloje, punimi i leshit, tezgjahu etj. Ndërkaq banorët Kuçit kanë trashëguar vlerat e “Kanunit të Labërisë”, një sistem i tërë normash ligjore të pashkruara, që përcillen gojë më gojë deri në ditët e sotme. Ky kanun është një dëshmi e kohës, kur nuk ka ekzistuar autoriteti shtetëror. Ai ishte një nevojë e popullatës për marrëveshje dhe për të marrë vendime të përbashkëta dhe sa më të drejta, duke shmangur padrejtësitë dhe anarkinë në jetën e tyre. Autori vë në dukje se Kuçi, si dhe e gjithë krahina e Labërisë dhe trojet shqiptare, u ka bërë ballë furtunave dhe sulmeve armike që synonin pushtimin e vendit, ai u ka bërë ballë pushtuesve venecianë, romakë, osmanë dhe më pas pushtuesve të tjerë që derdheshin drejt Shqipërisë dhe këtyre krahinave liridashëse. Ndaj dhe ky popull ka nxjerrë edhe shumë dëshmorë dhe heronj, të cilat dokumentohen sot përmes historisë, legjendave dhe këngëve të popullit lab. Mjaft tërheqës vijon eseja “Rrëfenja jete nga Kuçi”. Autori duke përshkruar fshatin, pozicionin e shtëpive të vendosura disi larg nga njëra – tjetra, por me rrugë komunikuese mes tyre, në mënyrë që menjëherë, në rast thirrje të ndodheshin grusht bashkuar. Në mes të fshatit, nënvizon autori, ndodhej kisha e fshatit me një kambanore, e cila binte, jo vetëm për qëllimet fetare, por edhe lajmëronte banorët për orën me tingëllimat e saj, por sidomos për mbledhjet e tyre në kuvend. Ishin këto momente, që tregojnë se edhe në kushtet e atyre kohëve, jeta e banorëve kishte organizim dhe ata u bindeshin rregullave dhe ligjeve të “Kanunit të Labërisë” apo atyre rregullave që vet i kishin vendosur.

Lemja dhe Gjoleka

Bukur dhe artistikisht autori përshkruan “të parin” e fshatit Kuç, banorin e moshuar, Leme, i cili siç e përshkruan Demaku, ”ishte më i vjetri në fshat, një goxha burrë, me flokë të thinjura dhe me mustaqe të trasha. Ato ia shtonin hijeshinë dhe bukurinë këtij të moshuari dhe e bënin tamam si të ishte “babai” i tërë fshatit...Ishte njeri i zoti i fjalës, ishte i adhuruar dhe i dashur për të gjithë...Autori vlerëson veçanërisht harmoninë dhe respektin e ndërsjellë të banorëve ndaj njëri-tjetrit, ndihmonin dhe mbështetnin njëri-tjetrin dhe asnjëherë nuk ndiheshin të vetmuar në hallet apo në vështirësitë e tyre...Lemja ishte njeri që udhëhiqte kuvendin. Ai kishte në krah të djathtë, Gjolekën, një njeri i ditur dhe trim mbi trima. Këta të dy ishin fryma dhe shpirti i Kuçit. Lemja besonte shumë tek të rinjtë, një moment ky që edhe z. Demaku e ka kapur bukur si një veçori të Labërisë, që tregon se si trashëgohen cilësitë më të mira të popullit nga njëri brez në tjetrin, një moment ky që ndihmonte në edukimin e më të rinjve me jetën dhe rregullat e saj, por dhe që shprehte besimin se fatet e fshatit, të krahinës dhe të vendit edhe në të ardhmen do të ishin të sigurta.

Gëzimi që sjellë dasma labe

Një ese e veçantë është ajo që titullohet “Mblesi krijonte familje” e ku autori na rrëfen me një gjuhë të thjeshtë mënyrën sesi organizohej jeta, si dhe dasmat, drekat, darkat, çastet e hidhërimit, por dhe të gëzimit. Veçanërisht ai përshkruan dasmën në Kuç, e cila zhvillohej madhështore, edhe atëherë, edhe në ditët e sotme. Burri dhe gruaja nuk njiheshin me njëri-tjetrin, kjo ishte detyrë e prindërve të tyre, që e realizonin përmes një të afërmi që quhej “mblesi”. Ai ndërmjetësonte dhe, kur prindërit e djalit dhe të vajzës binin dakord, atëherë dasma bëhej e madhe dhe e bukur. Ajo zgjaste një javë, me aheng, këngë, valle, ushqime të bollshme, pije-raki. Ditën e dasmës krushqit vinin me kuaj për të marrë nusen. Nusja vinte mbi kalë, me kokën të mbuluar me duvak. Kalin ia jepte babai si pjesë e pajës së saj. Nga familja atë e shoqëronte zakonisht vëllai i vogël. Kishte dhe nuse që vishnin fustan të bardhë, por tradita ishte veshja me çitjane të kuqe atllasi ose mëndafshi...Menyja e dasmës ishte si edhe sot, mishi i pjekur në hell e rakia, ëmbëlsira ka qenë veçanërisht revania...Gratë dhe burrat uleshin në dhoma të veçanta. Traditat thuajse të njëjta me të gjitha krahinat shqiptare. Vallja dhe kënga nuk pushonin, rakia derdhej lumë, mes njerëzve të nuses dhe të dhëndrit, krushqve, hidheshin batuta ndaj njëri-tjetrit, “hidh e prit” që shpesh mbeteshin si rrëfenja në popull dhe trashëgoheshin kur ato shprehnin mençuri...Sikurse një moment shumë i rëndësishëm ishte nata e parë e martesës, kur nusja e dhëndri do njiheshin për herë të parë dhe do kalonin bashkërisht natën e parë...

Burri - zot i shtëpisë, nusja - shtylla e shtëpisë

Libri vijon me esenë “Jeta në martesë”, në të cilin autori rrëfen se labi dhe labja kalonin një jetë martesore në harmoni, burri ishte zot i shtëpisë, por nusja ishte shtylla e shtëpisë. Gruaja dhe burri ishin kudo bashkë, edhe në kuvend, ku edhe gruaja kishte të drejtën e fjalës. Në këtë kontekst autori na rrëfen edhe për Temen, një djalë i shkathët, i mirë zhvilluar, por edhe i ditur e trim. Temja ishte i martuar me Elenën, ai kishte pasuri të trashëguar nga prindërit. Të dy të rinjtë gëzonin respektin e fshatit dhe dëshironin një familje të madhe dhe me fëmijë.

Si nis një dramë njerëzore?

Temja dhe Mehmeti

“Ikja e Temes”, është vazhdimi i esesë tjetër. Ishte kohë pushtimesh, por, në fshat, si kudo kishte dhe njerëz që e shihnin personazhin kryesor Temen me zili dhe smirë, disa edhe të shtyrë nga pushtuesit osmanë, të cilët shihnin tek Temja një djalë trim dhe atdhetar, që nuk e duronte të huajin pushtues në vatrën e vetë. Kështu autori na prezanton me Mehmetin, djalë afro në një moshë me Temen, të cilin Temja e konsideronte si vëlla, e ndihmonte dhe i gjendej vazhdimisht pranë në vështirësi dhe momente të jetës. Por, me kalimin e kohës, apo edhe i shtyrë nga të huajte pushtues, te Mehmeti nisi të zinte vend urrejtja për shokun dhe bashkëfshatarin e tij Temen; tek Mehmetii zuri vend veçanërisht zilia dhe smira e egër ndaj shokut të tij. Kjo zili dhe smirë rritej tek Mehmeti kur ai shikonte lumturinë e familjes së Temes dhe Elenës, të cilët, natyrshëm prisnin edhe fëmijë. E, pikërisht në një ditë kuvendi, Mehmeti shfreu urrejtjen dhe smirën e tij duke e goditur me armë Temen dhe duke e vrarë. Gjëma ra në fshat. Një dramë e madhe u krijua në familjen e Temes, por edhe në fshat. Duket se autori Demaku, me këtë ese na parapërgatit për diçka të rëndësishme.

Hakmarrja

Libri vijon me esenë “Hakmarrja”, ku autori me gjuhën e një shkrimtari me përvojë na rrëfen se pas vrasjes së Temes dhe lindjes së djalit të tij, Thimios, do të ndodhte diçka e rëndë ”vrave të vrasin”. Thimio, djali i Temes, në moshë 16 vjeç mësoi se cili ishte vrasësi i babait të tij. Gjeti një pistoletë dhe e vrau Mehmetin. Libri vijon me esenë “Vendimi i kuvendit-largim nga fshati”. Elena me të birin Thimion, për shkak të asaj vrasje, u dënuan nga kuvendi i fshatit me largim nga fshati, ata duhej ta linin Kuçin e tyre përgjithmonë. Iu la një muaj afat që të përgatiteshin dhe të shkonin sa më larg hasmërisë. Duhej t`i thoshin lamtumirë Kuçit dhe Labërisë. Duhej të iknin s`dihej se ku, veçse sa më larg. Sipas vendimit të kuvendit ata do të shoqëroheshin nga dy bashkëfshatarë, Janaqi dhe Selfoja...

Vështirësi, të papritura,

mikpritje shqiptare dhe troje të dashura shqiptare

Vijojnë radhë esetë, që përshkruajnë rrugëtimin e Elenës dhe të birit në veri të trojeve shqiptare, përshkruhet mënyra e rrugëtimit që bëhej aso kohe, ecnin pareshtur me qerren e tyre të ngarkuar me plaçka, ndalnin ku t`i zinte nata dhe niseshin përsëri. Autori, duke përshkruar rrugëtimin e familjes së vogël, rrëfen edhe momente të mikpritjes së këtyre njerëzve të dëshpëruar, nga dyert shqiptare nga ata kalonin, si për shembull mikpritja e familjes së Zeqos në Rrogozhinë e cila trashëgonte mendimin e urtë se “mysafiri sjell bereqet”. Autori, përshkruan njëherazi edhe vende, fshatra, krahina, peizazhe dhe njerëz mikpritës shqiptarë, të cilët ndonëse nuk i njihnin udhëtarët që u trokisnin në derë, ata u shtronin sofrën, u shtronin për të fjetur dhe përpiqeshin t`u vinin në ndihmë njerëzve që jeta me të papriturat e saj i katandisi në atë gjendje të vështirë dhe të mjerueshme. Përshkruhet fusha e Myzeqesë, Kavaja, Shijaku, Lezha, Shkodra, Malësia e Madhe, Malësia e Tuzit... Kudo në trojet shqiptare ata dëgjonin fjalë mikpritjeje që ishin edhe një lehtësim, si për hallin e madh që kishin brenda vetes, ashtu dhe për kushtet që u duhej të përballonin për të gjetur vendin dhe jetën e re në veri të trojeve shqiptare, ku takonin njerëz që nuk njiheshin fizikisht, por që kishin zakonet e mikpritjes të përbashkëta, shqiptari e donte shqiptarin dhe sakrifikohej për të si për vëllain. Ligjet e pashkruara të mikpritjes kanë qenë gjithnjë mbështetja e madhe mes tyre. Kështu dhe familja e vogël, Elena me të birin, Thimio, u duhej të fillonin jetën e re në një vend fillimisht krejt të panjohur, por që ata do ta bënin të njohur gjatë qëndrimit të tyre, me punën e vazhdueshme. ”Motër, - i tha Nura malësore, Elenës, - mirë se të ka sjellë zoti në konakun tonë, mirë se ke ardhur në Malësi. Nga tani llogarit se këtu do të kesh shtëpinë dhe jetën e re, së bashku me birin tuaj dhe nga ne do të kesh ndihmën vëllazërore për të përballuar këtë të ligë që të paska ndodhur”. Shoqëruesit e tyre, Janaqi dhe Selfoja, u ndanë për t`u kthyer në fshatin Kuç, e kishin kryer detyrën e kuvendit, për ta shpënë atë familje të vogël sa më larg, brenda trojeve shqiptare. Lexuesi mëson gjithashtu edhe emra dhe karakteristika të Malësive shqiptare, Malësisë së Lezhës, Malësisë së Krujës, Malësisë së Madhe, Malësisë së Gjakovës dhe sidomos Malësisë së Tuzit, ku ishte vendosur që ata të vijonin jetën e tyre. Vendi ku ata ngritën shtëpinë e tyre u quajt Kuç me të njëjtin emër me emrin e fshatit të Labërisë nga ata vinin. Ndërkohë, djali tashmë më i rritur, u martua me një vajzë fshati, me Marien, e bukur, e rritur në ato bjeshkë me ujin e ftohtë dhe nektarin e thithur në ajër. Lindi fëmija e parë djalë, të cilit ia vunë emrin Prekë. Familja e ardhur nga Labëria po e popullonte fshatin, teksa ai po shtohej natyrshëm. Krahas familjes së ardhur nga Kuçi i Labërisë, aty, krahas banorëve vëlla-pritës vendas, vinin edhe familje të tjera dhe fshati shtohej e begatohej nga shtëpitë dhe puna e njerëzve. Në familjen e Elenës, nga martesa e djalit të saj, Thimios, erdhën në jetë edhe dy djem të tjerë Obri dhe Luta, si dhe vajzat, Tusha dhe Mrika, ndërkohë që Elena ishte moshuar dhe shumë nga njerëzit mikpritës të saj kishin kohë që ishin ndarë nga jeta. Ata jetuan në fshatin Kuç të Malësisë për një kohë, por për shkak të kushteve të rënda ekonomike, të tre nipërit e Elenës ngarkuan qerret dhe kuajt dhe u nisën përsëri. Kaluan kodra, lugina dhe shtigje të Rrafshit të Dukagjinit, në krah të lumit Drin. Vendmbërritja e tyre do të ishte Prekazi. U vendosën në mes të një lëndine dhe ngritën vendbanimin e tyre që siç shkruan autori e quajtën Prekaz, me emrin e Prekës. Edhe sot janë gjurmët e tyre, janë varret e atyre njerëzve, që jeta i detyroi të mërgonin brenda trojeve shqiptare dhe t`u jepnin emra vendeve ku ata mbërrinin, sikurse rasti i Prekazit dhe origjinës së tij, që kujtohet jo vetëm nga disa studiues, por në radhë të parë nga rrëfimet e banorëve të asaj zone dhe të atyre bjeshkëve. Teksa autori rrëfen se këto troje shqiptare, të gjitha kanë qenë dhe janë banuar nga bijë luftëtarë gjithnjë të përkushtuar ndaj atdheut të tyre të dashur... Vëllai i dytë, i familjes, shkruan autori, Obri, zuri vend pak më tutje dhe vendi ku ai u vendos u quajt Obri. Një nga banorët e i shumë përmendur të këtyre trojeve ishte edhe Xhemal Obrija.1.

Jeta vazhdon

Kështu, ky rrugëtim i vendosur nga një kuvend për të mënjanuar e për ta shuar plagën e gjakmarrjes, është njëherazi edhe një tregues i disa llojeve të lëvizjeve demografike, që janë bërë në shekuj në trojet shqiptare, në kohët e vështira të pushtimit osman, ku njerëz të ndershëm dhe të guximshëm, arrinin të sfidonin vështirësitë, pengesat, përçarjet, luftërat dhe betejat me të këqijat e ligësitë e kësaj bote, duke vijuar jetën e tyre, të familjeve që shtoheshin dhe donin të jetonin jetën, të fshatrave dhe të krahinave që pasuroheshin me bëma, histori dhe legjenda, me heronj të popullit e dëshmorë. E në çdo rast shqiptarët shfaqen dukshëm të lidhur ngushtësisht me truallin e tyre, në atë truall populli merr energjitë dhe fuqinë si Anteu i mitologjisë, aty në atdhe shqiptari zhvillon jetën me të gjitha drejtimet e degëzimet e saj, me të gjitha vështirësitë, nyjat e konfliktet, por dhe me vlerat unike të popullit tonë si, besa, trimëria, mikpritja, bujaria dhe humanizmi i gjerë popullor. Duket se cilësitë, veçoritë dhe karakteristikat e dy krahinave të Labërisë dhe të Drenicës, Sokol Demaku sikur i bën bashkë edhe në mënyrë figurative dhe, nëpërmjet tyre na rrëfen disa karakteristika të përbashkëta, që përbëjnë shpirtin e të gjithë shqiptarëve: dëshirën për paqe, atdhedashurinë, besën, trimërinë, mençurinë, humanizmin...

Një libër tërheqës, plot përshkrime, tipa dhe karaktere njerëzorë, plot vërtetësi dhe bukuri, plot mendime të mençura, fjalë të urta dhe frazeologji popullore, ndërkohë që në çdo faqe rrëfehet shpirti dhe vetëmohimi i shqiptarit në shekuj. Autori ia arrin të përcjellë te lexuesi mesazhin se jeta e të parëve vijon tek ne, se brezat ia lënë vendin njëri – tjetrit, emri i fisit, tipat, dhe karakteret njerëzore vijojnë në pafundësi. “Njihni prejardhjen e fisit tuaj!” - duket se na këshillon në çdo rresht të këtij libri, autori i tij, i mirënjohuri, Sokol Demaku, sot rezident në Suedi.

..................

1.Xhemail Abria (1830 - 1908) njeri i mençur dhe pleqnar i shquar nga Abria e Drenicës. Prej bariut, blegtorit dhe bujkut pothuajse anonim, falë mençurisë së lindur, arriti të bëhej një njohës i shkëlqyer i filozofisë, historisë dhe gjeografisë shqiptare madje deri në atë masë sa cilësohet me epitetin, "Gjeniu i Popullit".


53 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page