top of page

JETA E NJË  BURRI TË  MADH!.....    


                   

-      Fragment i një  romani  në proces

     NGA  SPASSE   THANASI

Të  Mëdhenjtë  dhe  të  Mirët  nuk  vdesin  as  në këtë  botë !

1.

Ishin  rrahjet  e  fundit që rrëzuan “murin e hijes” midis jetës dhe përjetësisë. Statuja e Titit, ashtu e thjeshte e krenare, nuk ishte “gjunjëzuar” edhe në  këtë çast venitje, kur u shua përgjithmonë nga drita tokësore më 27 Shkurt 2021. Qendroi i bekuar me  çastin  e  fundit duke  drithëruar me forcën e thënies së paqtë : “ne kemi jetën, por edhe vdekjen” !...

Titi  iku me memorien e një “shëtitësi vital” në kohën e jetës, ku bekimi i Nënës, si dikur në  rini e shoqeroi gjatë  në  një udhëtim  mes  ngjyrash  pranverore, mes  dashurisë familjare e shoqerore, mes lodhjes  së  punës dhe përkushtimeve  ndaj  fëmijëve…Ishte  një  bekim  i  çmuar  për  ti  dhënë  kuptim  jetës, gjithçkaje  njerëzore në “galaktikën  e  përjetimeve”.  Edhe  bekimi i Gruas  në  një solemnitet  burri, që ai ëndërroi për jetën dhe familjen e bëri një “kollos  vlerash” në idealin e ëndërruar, në dashamirësinë e qënësishme të shpirtit për një jetë reale që duhet thënë “troç” pa zbukurimet qe ne jemi mësuar të bëjmë shpesh. Ai nuk shkeli asnjë normë të edukatës,asnjë sjellje të miqësisë e të shoqerisë së vërtetë. Prandaj do mbahet mend me një përjetësi dashurie që nuk ka mjegull të  kohës ta  zhduk në harrime. Vyrtyti i tij, i një burri fisnik, i një miku të vyer dhe të një familjari  shpirtëror e serioz, do të lexohet gjatë nga brezat  që vijnë pas.      

 

Kjo“simfoni  rrezesh” brenda meje, vjen në  mënyrë  krejt të veçantë me historinë e një burri të madh, që lindi në Berat gjatë kohës së luftës të pushtimit italian , që u rrit e u burrërua si një “lis” në Tiranën e barrikadave me  një “lavdi” interesante jete  e dashurie.

Një emër me përjetësi !.

Saga-ja “sulate” e këtij  njeriu  plot  mirësi  e  ndjenjë, me emrin Astrit,  fillon aty  ku  lindi,anës rrugës kryesore në lagjen “Murat Celepi” nga ana e  hapësirës së rrugicave të kalldrëmta që të çojnë në kodrën e Kalasë  dhe  te Furi  i  Sahatit, që shërbente dikur si një treg pazari apo kafe; aty  ku  mori epitetin e “fëmijës së luftës” tamam si “Gavroshi” i Viktor Hygo-së me vazhdimësinë e fisit, të traditës  e  të  vyrtyteve të një brezi  plot  ideale  e  madhështi  jetësore.  Ndeshem përsëri  me “Urën  gjigande” e bukuroshe të Beratit,që lidh qytetin  me lagjen “Goricë”,( kjo ka  një  histori  më  vete se  pikërisht  në  këtë  lagje në vitin 1921 u hap  Spitali  i parë  i qytetit të Beratit nga gjyshi i Astritit, Doktor Hajdar  Sulo);  eci  në  Grykën e ngushtë, të gjatë  dhe  shumë të lartë, që me dy faqet shkëmbore duket sikur merr frymën e qiellit….Ndjej të fryjë era e Tomorrit hijerëndë tej në horizont,që freskon pamjen e ndritshme të qytetit me ajrin e pastër të malit. Kujtesa e viteve, përkatësia dinjitoze e një njeriu me hijëshinë e vetë, më “zgjon” në mendje mirazhin e “vezullimeve të drithërimta”me të cilat lidhen  shumë  njerëz me  këtë qytet të bukur e historik. ( shpirti i qytetit më përgjon me vështrimin e tij të ngulmët). Ashtu si  gjyshi i tij, mjeku i papërsëritshëm Dr. Hajdar Sulo, jeta e denjë e  pinjollit  tjetër të fisëm Astrit Sulo, qendron si një “kristal” përball kohës dhe njerëzve të familjes, përball “sfidave”  e “labirintheve” pafund të jetës. Jeta e tij  e nis “fillin”  në  këtë  qytet dhe vazhdoi  të ndriçojë vite e dekada në Kryeqytetin shqiptar,Tiranë. Dhe jo  pak, por 70  vite me “lavdinë  mbi supe”, me “krenarinë  në  zemër”, me  “dashurinë në shpirtë” !...

 

Historia e emrit

Astriti  ka  një  emër  të  veçantë  me  histori  që  lidhet  me  traditën  e  hershme…Sipas  kuptimit të  figurshëm dhe  shpjegimit të  fjalorit  shqip,emri “Astrit” do të thotë një njeri shumë i shkathët, sypatrembur, trim  e  këmbëngulës. Të  parët  e tij  duke  qënë  njërëz të  shkolluar  e  të  ditur, jo pa  qëllim  ruajtën  traditën  e  emrit  të  mirë  e  të  ndritshëm  në  jetë, që  të  sillte  mirësi  e  dashuri. Dhe  ky  emër  i  përzgjedhur   nga gjyshi  i  tij,me  një  kuptim  të  caktuar “Astrit”, ishte  emri me  një  shenjtëri  të dukshme  njerëzore e shoqërore.

Astriti  ishte një njeri që  ka mbetur në  kujtesë edhe me një takim. Siç kujton Shefqet Meko për të në  vitet 1980, në  një  ekip  pune  në Kllojkë, një  pjesë  e  thellë  e  malësisë së Tiranës : “më  mbeti në  mendje si  njeriu  që  “fliste” në heshtje dhe “burri i madh me vyrtyte” që mbetet si vigan në Panteonin e  së “mirës shqiptare” në shekullin e 21-të...”.Astrit Sulo  i takon  plejadës më  të lavdishme  të  një  brezi  që kontriboi  në  shoqerinë  shqiptare  si  patriot i vërtetë, me  dinjitet  dhe  personalitet  të pashembulltë.Ai dallonte si  intelektuali  “me hapa  të  shpejtë” të  kësaj  plejade në  shërbim të Kryeqytetit  tonë,Tiranës  me shumë  kontribute  dhe  vlera njerëzore, shoqerore  e  cilësi  të larta morale në  periudhën  më  të vështirë  të  jetës  së  vendit…E  gjithë  historia  e  jetës  së  tij  ngjan  si  një  “evolucion  i natyrshëm”  ku u ndje  i  plotësuar  nga  gjithçka, me  një  gëzim  të jashtëzakonshëm  se  nuk  çoi  dëm  asgjë  të rëndësishme  në ekzistencat  e tij  në  punë, familje  e  shoqeri.

Astriti  kishte  gjithmonë  tonin  e  një  fisniku, njeri  me  cilësi  në  rrjedhën  e traditës  familjare. Jetonte  gjithmonë  në  kufijtë  e  jetës  reale  në  çdo  formë  që  i  paraqitej : në  orët  e  shqetësuara,  në  ditët  optimiste në  terrenet  nëpër  fshatra  ku  gjithmonë  krijonte  një mik  sepse  e kishte  pasion miqësinë… Ai dinte  të  falenderonte, një  parim  me  shumë  vlerë. Falenderonte për gjithçka  dhe  ishte “ekspert” për të çliruar sakrificën. Ishte njeri që  të  ndihmonte e këshillonte, një  vyrtyt  njerëzor  ky  që humbet tmerësisht sot  në  shoqeri, në miqësi, në fqinjësi  apo në  politikë etj. Astriti  i  takonte  atij  brezi  ku  “zemra  e  të  urtit  e  bënë  të  matur  gojën  e  u  shton  hije buzëve”. Kishte një  shpirtë  të  dashur, vepronte  me  mendime të drejta  dhe  ballafaqimin e  mendimeve  e  shihte  si  një “depozitë” me fuqi  krijuese…

Me  punën e  vetë  ai u  “shkri”  në  përjetësinë e tij. Nuk u  thye  nga “sfidat”, mbeti rob  i  normave  të  shkruara  në  ligje e rregullore.Në  punë “stili i Astritit” ishte mjaftë  i dukshëm, konçizë, i çliruar  nga  hijet  e  rënda të  imponimit  apo  të  zvarritjes  së  pa  justifikuar dhe  mund  të  them  me  plot gojë që ai  ishte  një “Astrit – artist”…i zgjuar, trim, mjeshtër  i  fjalës, i  shkrimit  dhe  imazhit  nën një “qiell  kujtimesh”…

Dashuria e tij  monumentale  është si “lulja e trëndafilit” në  jetë të jetëve  e do të udhëtoj në  shpirtin  dhe  zemrën  e brezave të  tjerë  të trashëgimisë së  gjakut  dhe të origjinës.

 

Fëmijëria  në  Berat ….

Më  24 Shkurt 1939, familja e bashkëshortëve Shabedin e Bedrije Sulo, pas lindjes së djalit të parë Hajdarit, u gëzuan rishtas me lindjen e një djali tjetër, që me iniciativën e gjyshërve e pagëzuan me emrin “Astrit”. Këtu në lagjen “Murat Celepi” në  rrugën kryesore të qytetit të Beratit, në truallin e shtëpisë me  portë  të drunjtë, që  ndante familjet e Ismail Goricës, Shahin Metohut  e  Vasfie  Zhorrës, nënë  BEDRIJE nxorri në dritë  si diell,fëmijën e saj të dytë. Familja “SULO”, pjestar i së cilës ishte edhe Astriti, origjinën e kishte nga fisnikëria e qytezës së Libohovës  në Gjirokastër, që ishte një kryeqendër me tradita patriotike, kulturore e demokratike. Banesa me një portë të madhe përpara hyrjes, ishte një banesë krejtësisht e re, e përshtatshme për të jetuar. Nuk ishte ndonjë vendbanim  i  ëndërruar, por në vështirësitë e kohës, ajo mund të quhej “elegante”, e mjaftueshme dhe e rehatshme, me një pus uji në oborr dhe një  rrënjë Mani të madh ku zbaviteshin fëmijët. Pikërisht këtu erdhën në jetë radhazi fëmijët e shumtë si një gëzim i veçantë : në vitin 1934 lindi Hajdari, në vitin 1939 lindi Astriti, në vitin 1941 erdhi në jetë vajza Liri dhe në vitin 1948 lindi përsëri djali Ibrahim.

Shumica  e shtëpive  në lagjen “Murat Celepi” kishin një  oborr  me  pusë uji. Në  gjysmën e parë  të  shek.20-të  në  Berat kishte 8 puse uji publike, ku  më  i madhi  ishte ai  në Celepias pranë Xhamisë së Sahatit me 2 derdhje. Bashkëjetesa qytetare në Berat ka qënë një normë dhe traditë me vlera nga më të mirat. Fqinji duhej të ndihmohej e nderohej. Marredhëniet brenda komunitetit ishin të mbrujtura me virtyte të larta të ndërsjelljes, të respektit,përzemërsisë,çiltërsisë e të gjendurit pranë për çdo hall apo nevojë. Gëzimi dhe halli përjetoheshin bashkarisht…Niveli arsimor i shoqerisë së asaj kohe (përpara vitit 1944) ishte shumë i ulët, mbi 90% e popullsisë ishte analfabete, me gjithë iluminizmin e pritshëm për edukimin e brezave të ardhshëm. Megjithatë në familjet  beratase e shqiptare vlerësohej mjaftë tradita e virtyteve e cila ishte fuqia dhe baza e edukimit shoqeror.Vyrtyti merrej  si shembull i përparimit praktik. Vlerësimi me fjalët e thjeshta “të lumtë” i fëmijëve për veprime të mira, bëhej një ndjenjë emocionale për tu prirë drejt të mirës dhe fjala qortuese “turp” ishte një dominante e fuqishme për tu larguar nga e keqja. Në këto motive e vyrtyte të mbrujtura cilësisht në familjen SULO,  në Berat përjetoi vitet e para të fëmijërisë Astrit Sulo.

 

Fillimi i rrugëtimit jetësor ka qënë në kohë lufte, kur fronti italo- grek kishte mbërritur edhe në qytetin e Beratit. Ende i vogël, fëmijë 4 -5 vjeç, përjetoi tmerrin e luftës në Shqipëri, shkatërrimet,djegjet,rreprezaljet e fashizmit italian  dhe pa mbaruar grahama e tyre u hodhën me një egërsi më të tmershme nazistët gjermanë. Ai  ka  parë me sy gjermanët që kërkonin në qytetin e Beratit se ku ishin fshehur ushtarët italianë e bashkë me ta persekutonin edhe familjet shqiptare që i kishin strehuar. Ja si e sillte ndërmend ai  një  ngjarje  të  vitit 1943 :

“ Isha  shumë  i  vogël, 4 vjeç  në  kohën  e luftës. Pas kapitullimit të Italisë fashiste  në  vitin 1943, qyteti i Beratit u pushtua nga gjermanët, të cilët për hakmarrje të kapitullimit të ushtrisë italiane e strehuar në  shtëpitë e beratasve, i vranë e i bënë pirg prapa mureve të Portës së Madhe të Kalasë. Një  patrullë  gjermane  kaloi  edhe  para  avllisë  së shtëpisë  sonë  dhe ne 4 – 5  fëmijë vështronim tmerrin  me  sy ndaj popullsisë së pafajshme. Filloi  bombardimi i qytetit. Mbresat e këtyre ditëve ishin tronditëse në sytë tanë. Frika për jetën dhe përpjekjet për të mbijetuar, ndërthureshin me qendresë, vitalitet e optimizëm përball gjakut të të rënëve në luftë. Dëshmorët berates Margarita Tutulani, Kristaq Tutulani,Kristaq  Capo,Ajet  Xhiondole,Koco  Brisku, Thoma  Shqina  etj mbetën përgjithmonë në panteonin  e  lirisë…”.

Fillimi  i  luftës italo – greke ( Tetor 1940 – Prill 1941) mbushi bahçen e  shtepise  se  Doktor Hajdar Sulo me  ushtarë  italianë, gjë  që solli shumë viktima në qytetarët e Beratit  gjatë  kohës  së luftës. Sulmi  nga toka dhe nga ajri, që  ishte bërë i përditshëm, bëri kërdinë mbi popullsinë civile të Beratit  nga  fundi  i Dhjetorit të vitit 1940.

Astrit  Sulo, fëmijë  i  brishtë  si dhe  mijëra të  tjerë  i  përket “Fëmijëve të Luftës”, të cilët në  historinë e popujve morrën simbole të veçanta. Në Shqipëri quheshin “Debatikas”, në Bashkimin Sovjetik (BS ) thërriteshin “Gardistët e vegjël”, në historinë e Francës u përjetësuan me “Gavroshin” e Viktor Hygo-it etj. Plagët  e  tmershme të  kësaj  lufte  si edhe  vyrtytet e larta të  trimërisë së këtyre popujve, ishin premisë pozitive që këta fëmijë të adhuronin, të donin  njeri-tjetrin dhe të lidheshin shpirtërisht si vëllezër të vërtetë.

Në  kohën  kur  Italia  fashiste  pushtoi  Shqipërinë  më  7 Prill 1939, Astriti  ishte  vetëm 2  muajsh. Në vitin 1941, kur aviacioni anglez  bombardonte  në  qytet, mu  në  bahçen e shtëpisë, Astriti  dhe  motra  ishim  në  qilar  për  tu  mbrojtur  nga predhat. Nga  shpërthimi  i  bombës  së aeroplanit  pranë  dritares  së  vogël të  shtëpisë, një  copë predhës goditi Nënë Bedrijen në kofshë.Nga  kjo  ndodhi  për  kuriozitet ajo  ka  vdekur  me  copën  e predhës  në  kofshë. Në  muajin  Gusht të vitit 1943  është  si  kujtim  i Astritit në  një  fotografi   me  Nënën  në shkallët  e shtëpisë dhe  një  me  Babin Shabedin  që   shërbente   si ushtarak në Degën  Ushtarake  Berat.

 

Nga  Berati  i  ati  Shabedin  Sulo  erdhi  në  Zyrën  e  Rekrutimit  të  ushtarëve  në  Peqin dhe  u  strehua  tek  gjyshja  Nurie  Koni  deri  në  vitin 1949. Aty  ai  u  njoh  dhe  u  martua  me  Bedrijen. Nga    martesa patën  katër  fëmijë, tre djem që  ishin  Hajdari, Astriti  dhe  Ibrahimi  dhe një vajzë, Liria.  Astriti  ishte  fëmija  i  dytë, pas Hajdarit. Shkollimin 7-vjeçar  e  kreu  në  vitet 1952 -1955 pranë  shkollës “4 Dëshmorët” në Tiranë, ndërsa  arsimin e mesëm profesional pranë  shkollës “Hasan Vogli”  në  “Rrugën e Durrësit” në vitin 1965.

Vllazëria  e  tre  djemve të Shabedinit ishte e mrekullueshme si nëpër petalet e hapura të luleve ku hyjnë ëndërrat. Hajdari ishte ushtarak, Ibrahimi punonte si teknik elektronik, Astriti merej me mekanikën dhe politikën. Të punësuar qysh në fëmijëri për  të ndihmuar familjen, ata gjithmonë rriteshin e lulëzonin nga dëshira e kënaqësia e punës. Rrallë  mund të jetë ky shembull në harmoninë njerëzore të një familje të madhe me nevoja e kërkesa të ndryshme. Më i larguari ka qënë Hajdari se punonte ushtarak në Maliq të Korçës, kurse Astriti e Ibrahimi që ngjanin  aq shumë si dy pika ujë, ishin pranë njeri-tjetrit, jetonin në një banesë me prindërit dhe nuset, ndanin bashkë shqetësimet dhe hallet e u bëheshin krahë e mbështetje prindërve, sidomos kur Shabedini vajti  Shef i organizimit të Brigadës së Kuksit me komandant Delo  Balili  nga Tërbaçi i Vlorës, ku shërbeu disa vjet dhe u rikthye përsëri  në Tiranë ku dhe doli në pension.

 

Puna  që  në  moshë  të  vogël….

Për  nevojat  e  shtëpisë  dhe  familjes  Astriti  u punësua  fare  i  vogël, qysh 15 vjeç. Një  foto  e  muajit  Mars 1954  e  tregon  Astritin-djalosh në  punë  me  Shyqyri  Lundra  tek  Punishtja e Drurit  të  trasferuar  tek Ndërmarrja “Mustafa Gjollesha” karshi gjimnazit “Qemal Stafa”( sot ). Aftësimi  në  punë  bëri  që  10  vjet  më  vonë  në  vitin  1965  të  hyjë  në grupin  e  Mekanikëve  të  Oficinës  Mekanike “Misto  Mame”. Ky  kujtim  është në  foton  e muajit Maj 1965  me  grupin e  mekanikëve  si  edhe në vitin 1966 me shokët mekanikë Agim  Gega  e  Alfredin…Duke punuar me përkushtim ai  krijonte  shoqeri  e  miqësi të reja, hidhte  në letër kujtime të  jetës  lidhur me punën  dhe  angazhimin  e  tij profesional  të  pandërprerë…

Si  djalë  i  ri  kishte  figurë  pozante  me  tipare  mjaftë  elegante  dhe  tërhiqte  vemendjen  e të  tjerëve. Forca  e  punës  e  bënte  trim, ndjenja  e  mirësjelljes  dhe  e  ndërgjegjës  së  pastër  e  bënte  fisnik. Midis  shokëve e  kolegëve  të  punës  krijoi  raporte  korekte  plot  dijeni  profesionale  e  praktike  e  kjo  bëri  që  ai  të  ishte  në  ndërmarrje  një  figurë e  njohur punëtore në  shumë  aspekte  tekniko-profesionale  me  cilësi  të  lartë. Shembulli i tij  reflektohej në tejkalimin e normës, në kryerjen e punëve  specifike  me  mirëmbajtjen e makinerive e pajisjeve të punës (si mekanik  ai  kishte duar  të arta, rregullonte e riparonte  gjithcka  kur  paraqitej nevoja, pa shpenzime  të  tjera riparim-mirëmbajtje  dhe  ky  shpirtë  kursimtar  ishte domethënës në  një  punë të vështirë e në  një  vend të varfër ).

Jeta  e  re në Tiranë, do ta përballte këtë djalë të ri naiv e të padalë as jashtë qytetit të Beratit, me një shoqeri të vyer, me një kulturë mjaftë të zhvilluar, me ndjenjën e përgjegjësisë e të besimit në vetvete. Përvec  kësaj ai gjeti në shoqerinë shkollore të Kryeqytetit vyrtyte që e lidhnin edhe  më  shumë  shpirtërisht sic ishin thjeshtësia, urtësia, zemërgjerësia, ciltërsia, dëshira për të punuar, sjellja e kulturuar e fisnike, veshja e pastër dhe elegante, që  ishin vyrtyte të larta të njohjes së botëkuptimit shpirtëror të brezave të rinj. Përpjekjet  për  të  arritur rezultate të larta në  cdo sferë të jetës, me shqetësimin për të ecur në një hap me kohën, sadisfaksioni për të sjellë ide të reja për një  jetë më aktive, dashamirëse e njerëzore, ishin motivet dhe përjetimi i tij shpirtëror në  këto kohë të reja plot vizione për jetën.

Ai  i  përket asaj intiligjencie të re dhe bashkëkohore që u përgatit dhe u ngjit në shkallë të lartë nga mijëra të rinjë të vendit. I përket brezit që u rrit dhe u arsimua pas Luftës së Dytë Botërore, që përjetoi atmosferën e çlirimit të atdheut nga nazifashizmi, që u përfshi nga vrulli i ndërtimit të jetës së re, që u edukua ndjeshëm me frymën e atdhedashurisë dhe që përpara tyre përjetohej i freskët shembulli i dëshmorëve të atdheut, të cilët nuk i ndau kurrë  nga kujtesa. Ajo  ishte një rini që vazhdonte të vuante plagët shpirtërore dhe pasojat ekonomike të luftës, shkatërrimin e vendit në varfëri të skajshme. Ajo u përfshi e gjithë nga një entuziazëm dhe besim në rindërtimin e vendit, në krijimin e botëkuptimit  të  ri, në arsimimin dhe kulturimin e popullit në të gjitha fushat e jetës. Ishte një  rini  me  gëzime  të  thjeshta e naive,por me ndjeshmëri të mëdha kombëtare dhe shumë e përkushtuar.

Në  këtë  kohë  vitale  të  vendit, Astrit  Sulo u rrit  me  dëshirën  e  et’shme  për  tu  ngjarë  burrave  të  mirë, për tu mbajtur  pas  fjalës, miqësisë  dhe së vërtetës.Në  rrugën  e  tij  të  gjatë  në  një  kohë  mjaftë  të  vështirë, ai  njohu kurdoherë vetëm  fjalën “punë” dhe “pleqëroi”  me  një  burrni  të  çuditshme si  në  një  piedestal…




24 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page