Botohet libri i dom Pashk Danit “Jeta e një meshtari”kujtime, nga Shtëpia Botuese Volaj në Shkodër. Me lektor dom Robert Jakajn dhe unë në cilwsinë e redaktores.
Parathania u shkrua nga Tomë Mrijaj publicist i njohur nga SHBA, i cili e përshkruan kështu :” Ky është një libër me kujtime historike, që na bënë të reflektojmë mbi vështirësitë e llojllojshme të një meshtari, që nuk bënë të tregojë dobësi dhe dhimbjet e tija janë shumë më të vogla se dhimbjet e grigjës ku ai shërbente. Dom Pashk Dani, na demonstron një forcë të pashoq, vullnet dhe guxim. Nuk është ndalur pavarësisht pengesave që ka pasur. Dom Pashku, nuk ka bërë vetëm rolin e domit fetar, por dhe të drejtuesit të aktiviteteve kulturore, atdhetare, sportive. Ky meshtar punën me rininë e pati parësore. Ai kudo që shkeli fitoi simpatinë dhe respektin e popullit; meshtari që mblodhi të holla mes mërgatës shqiptare për të realizuar objektivat, që i kishte vënë vehtës në punën baritore; meshtari që dinte të vlerësonte kulturën kombëtare; meshtari që mbajti në këmbë Misionin Katolik Shqiptar në Gjermani për shumë vite. Në Shqipëri si meshtar dhe famullitar, shërbeu në kishën kaktolike të fshtatit Grash (Dioçeza e Sapës) për disa vite, ku ishte bari shpirtëror.
Ai i kushtoi shumë vëmendje rikthimit të pronave të kishës, që ishin uzurpuar gjatë kohës së trazirave të vitit 1997, kur shteti humbi funksionin e tij dhe njerëzit filluan të pushtojnë pronat private civile dhe fetare.
Dom Pashku, në çdo territor të panjohur bëri miq e dashamir, ndonëse u pa me skepticizëm, më shumë iu shtuan miqtë se armiqtë.
Ne, përmes këtij libri kuptojmë që ai ka punuar me shumë njerëz të njohur, që kanë lënë gjurmë si meshtarë dhe ka pasur raporte mjaft të mira, me disa prej tyre, si: dom Mark Shirokën, i cili e udhëzoi drejt rrugës së meshtarisë, mësimet e vyeshme që i mori nga imzot Nikë Prela, lidhjen e ngushtë me dom Mark Sopin (me vonë ipeshkëv). Këta të tre ishin udhëheqësit e tij drejt rrugës së meshtarisë.
Nuk mund të lëmë pa përmendur takimet e rendësishme që ai pati gjatë jetës së tij studentore në Sarajevë, sikurse ishin ato me shenjtreshën Nënë Tereza, shën Papa Gjon Palin II, mons. dr. Zef Oroshin, i cili, na i përshkruan emocionet nga këto takime.
Dom Pashk Dani, si një fisnik në shpirt, me shumë mirënjohje dhe respekt kujton vizitën historike 37 vjet më parë në SHBA.
Ai vetë pohon, në kujtimet e tij, se kjo vizitë “ka qenë hapi i parë i suksesshëm i imi, për t’i dëshmuar eprorëve të mi se isha i zoti t’i realizoj gjërat pa ndihmën e tyre.”
Meshtari Dani, rrëfen me detaje në mënyrë narrative dhe mirënjohje, se meshtari i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan në Bronx, New York mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989) themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit t’Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”), e ka pritur me shumë bujari tipike mirditore dhe e ka ndihmuar me shumë përzemërsi.
Unë, isha në atë meshë, kur dom Pashku foli në homelinë e tij me një elekuencë të veçantë dhe na emocionoi të gjithëve.
Por edhe vetë meshtari mik nga Kosova dom Pashku, më ka thënë disa herë edhe gjatë vizitave të fundit në New York, se:
“Më kujtohet edhe sot predikimi në atë meshë, ku, fitova simpatinë e meshtarit dhe të besimtarëve. Monsinjor dr. Oroshi, më përgëzoi e iu drejtue popullit. Kjo mortajë, që e ka goditë vendin tonë, kam shprese që s’shpejti do të bie e këta meshtarë të rij si dom Pashku sot këtu, që na gëzoi e na emocionoi, janë ata që do t’i ndertojnë nga themelet kishat, që djajt i rrenuen, pra kanë nevojë për përkrahjen tonë. “
Besimtarët shqiptaro-amerikan, që ndodheshin atë ditë në meshën mbresëlënëse, i vlerësuan me seriozitet fjalët e monsinjor dr. Zef Oroshit dhe nuk u kursyen financiarisht, për të ndihmuar meshtarin e palodhur dom Pashk Danin.
-“Ky udhëtim, bëri që unë t’i kryej me sukses punimet e kishës dhe konakut në Budisalc.”,- tregon me nostalgji dom Pashk Dani “ përfundon Tomë Mrijaj.
Në cilësinë e redaktores së këtij libri po i them përshtypjet e mija. Libri kushtuar jetës së Dom Pashk Danit ndonëse duket i vogël për nga vëllimi aty janë thënë shumëçka në pak rreshta. Po përpiqem ta marr të veçuar profilin e dom Pashkut në bazë të kontributeve që ka. Po i rreshtoj momentet kulmore të aktivitetit të dom Pashkut që na lë të kuptojmë se sa me zell e pa u lodhur ka punuar ky njeri me komunitet.
PO E FILLOJ ME AKTIVITETET KULTURORE E SHKENCORE QË AI KA QENË IDEATOR:
-Ditët e kulturës arbëreshe në Mitrovicë,
-Ditët e Nënë Terezës,
-Simpozium kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeut,
-Simpozium mbi Mesharin e Gjon Buzukut,
-Simpozium përkujtimor për veprimtarinë e Martin Camajt,
-Simpozium me temë “Mitrovica gjatë shekujve me rrethinë”,
-Doblibarja këndon.
DOM PASHKU NËN PETKUN E PRIFTIT;
-Puna e vazhdueshme me rininë për t’i afruar me kishën dhe fenë.
-Predikimin duke ia përshtatur realitetit të ri.
-Zhvillimin e aktiviteteve argëtuese.
DOM PASHKU NË MBËSHTETJE TË KOMUNITETIT SHQIPTAR DUKE PËRDORUR FJALËN E TIJ NË INSTANCA SHTETËRORE PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE.
Puna e palodhur në misionin katolik shqiptar në Munchen padashje e përfshiu atë dhe në çështje që i kalonin kompetencave që ai kishte, siç ishte çështja e Kosovës, mbështetja që ai i dha emigrantëve shqiptar të ardhur në Gjermani që ata të integroheshin sa më parë. Puna me psikologët për t’i ndihmuar ata nga traumat e luftës. Është për tu theksur e veçuar rasti i mëposhtëm dhe pesha e fjalës së tij për moskthimin e emigrantëve në Kosovë.
Citoj nga libri:“Sapo mbërrita në oborrin e parlamentit aty policia m’i hapen dyert, sepse kjo avokatja e kishte parapërgatitur terrenin për ardhjen time. Ishin dy probleme: Së pari, ishte si t’i lirojmë nga burgu të gjithë refugjatët e sapo ardhur ngaqë ata më padije kishin dalë duke shetitur nëpër sheshe. Së dyti, problem ishte si të ndihmohet Kosova ushtarakisht nga ana e gjermanëve. Unë e mora fjalën dhe fillimisht u prezantova se kush jam dhe nga vij, e se çfarë roli luaj në Bavari, mes të tjerash thashë: - ”Ju lutem mua me duhen dikund treqind plumba dhe një pistoletë si dhe treqind arkivola, sepse ata njerëz që i keni burgosur dua t’i vras vetë dhe çdo njërit tua shkruaj emrin dhe mbiemrin në arkivolat përkatës e t’i nisi për në Kosovë, (më mirë kështu, sepse ata janë të vdekur nësë kthehen) se sa çka ju e keni ndërmend të bëni me ta. Nga që ju doni për t’i kthyer në Jugosllavi duke i dërguar në nji rrugë të pa adresë sepse pa mbërrijt nëpër shtëpija të veta ata të gjithë kanë për t’i vrarë paramiltarët serb kështu po e bëj unë dhe është shumë e sigurtë që së pakut do të shkojnë në familjet e veta, ndaj kërkoj urgjentisht që këta që i keni burgosur krejtësisht të pafaj t’i lironi sa më parë që është e mundur.” Pas nji duartrokitje fjalën e mori Ministri i Ushtrisë së Bavarisë, duke kërkuar urgjentisht të shkohet në Kosovë dhe dikund pas tri ditëve kjo kërkesë u realizua edhe në parlamentin gjerman në Berlin. Në këtë mënyrë pas pak ditëve, janë nisur për Kosovë me destinacion drejt Prizrenit, ku dhe janë sistemuar, ndërsa këta të burgosur të nesërmen të gjithë i kanë liruar nga burgu.”
Aftësia e një prifti për të lënë gjurmë është të tejkaloj rolin e priftit, të vë ekuilibrat aty ku është e nevojshme, të përdorë autoritetin e tij, të shuaj konfliktet që lindin, të mos jetë thjesht një riprodhues i Ungjillit por dhe të kuptoj drejtë e në një realitet të ri mësimet hyjnore, t’i përshtas ato me vendin ku ndodhet.
Dom Pashku luajti shumë role qoftë si predikues, përkthyes, studiues, mbështetës i komunitetit, bashkëpunues me besimet e ndryshme fetare. Ai i dha rendësi dhe anës statistikore për të ditur rreth famullisë ku shkonte pra të njihte banoret e terrenin ku do punonte. Dom Pashku e ka kuptuar si duhet çelësin e të paturit sukses, bashkëpunimi, puna me kokën ulur, fjalëpak, thjeshtësia e bënë atë që të fitoj besimin dhe respektin e besimtarëve e jo besimtarëve, praktikantëve e jo praktikantëve, katolikëve dhe myslimanëve. Prifti duhet të bëhet njësh me popullin, ta kuptoj atë, të njoh hallet dhe shqetësimet e tyre, të jetë një dëgjues dhe këshillues i mirë.
Jo më pak e rëndësishme është dhe ana e bamirësisë, dom Pashku pati mbështetjen e diasporës dhe trokiti në dyert e tyre sa herë pati nevojë për çështje të caktuara lidhur me punën e tij baritore. Po ashtu kemi rastin kur ai në bashkëpunim me Eulexin gjerman dhe francez mbledh ndihma me ushqime dhe veshëmbathje e i dërgon në zona të thella ku nevojat ishin imediate.
Realizimi i planeve të dom Pashk Danit nuk do kishin sukses pa mbështetjen në popull dhe diasporë. Shpesh dom Pashku çonte meshë dhe për Eulexin gjerman dhe aty bënte thirrje për ndihma për familjet në nevojë.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte dhe angazhimi i tij me kthimin e pronave të kishës në Shqipëri, në kohën që shërbeu në Vau Dejes. Ai i shkoi drejtësisë deri në fund për të marrë pronat që i takonin kishës.
Vertetë libri është i vogël por rëndësia e këtij libri shkon përtej dom Pashkut dhe i shërben historisë kombëtare.
Comments