Jemi një
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 4, 2023
- 1 min read

Jemi një
Nga Fatmir Terziu
Në të gjitha stinët
jemi një.
E hap një libër. Dimër
nëse bardhësia sheh me syrin tënd
kristalet e ditës së parë
dhe shkrirjen e një akulli që bëhet lëng,
nëse prek me retinë në dritaren e hapur,
gjen qershinë ku dëshmitare janë dallëndyshet,
e mendja ia ka mbathur,
të bëjë palë buzët,
je pranë zjarrit,
prushërrohen udhët,
hiri shuguron në mjegullën e syrit,
në fletën tjetër ngatërrohen stinët,
gjithçka më çon tek ti,
sikur gjithçka që ekziston,
ngarkohet në sy,
drejt atyre qosheve ku qëndron
sekreti që mbajmë të dy.
Në të gjitha mendimet
jemi një.
Shtëpia ngre kollona. Dyert
hapen e mbyllen sikur janë në një det me dallgë,
një dritë e bardhë zbret, krihet,
lëshon vetvetiu ndonjë fjalë,
e mendimet,
ngarkohen në varka të vogla
bashkë me shkrimet,
shënimet e kota,
dhe disa zhgarravina të tjera,
shtëpia ikën dhe vjen sikur të jetë me rrota,
apo anije e ngritur me vela,
ti je gjithnjë në mes të gjërave,
ke përhumbur mendimeve të thella,
më kërkon,
tashmë jam duke shkruar vargje më të ndjera,
mendon!
Në të gjitha ditët
jemi një.
Trupi i ndjen rrënjët. Aritmetika
thjesht si një aritmetikë na mbush me numra
mbaj mend ku na nganë këmbët
që çdo ditë,
në të gjitha orët,
gris një fletë kalendari dhe e hedh në krahët e mi
dhe fletët ikin për të kërkuar lotët
zbrazëtisë në sy
nëse çdo ditë,
çdo orë,
i mungon ti,
në çdo kohë,
e di,
jemi një,
të destinuar për njëri-tjetrin me më ëmbëlsi,
nëse çdo ditë një lule na flet pa zë
zjarri në buzë është risi,
s'është më shumë asgjë,
se ti je unë, e unë jam ti.
Në të gjitha jetët
kjo quhet Dashuri.
Commentaires