top of page

Ja, aty pranë buzë teje ndodhet porta e shtëpisë sime shekullore



Nga Pierre Pandeli Simsia


Rrugicë e kalldrëmtë, "sokak", emër i përdorur nga gjyshet tona, rrugicë e dashur, shumë e dashur, rrugicë... Ja, aty pranë buzë teje ndodhet porta e shtëpisë sime shekullore, shtëpia trashëgim nga të parët e mi; rrugicë e foshnjërisë, e fëmijërisë sime, e rinisë sime ku u linda, u rrita dhe jetova 30-të vitet e para të jetës sime... Tek ti rrugicë e kalldrëmtë, tek ata gurë të vendosur aq bukur dhe mjeshtërisht nga mjeshtrit duarartë hodha hapat e parë të jetës sime; sa shumë u rrëzova përtokë unë foshnja, sa e sa herë m'u gjakosën gjunjët, sa herë dëgjoja zërat e ëmbël të të ndjerave gjyshes, mamasë sime kur më thërrisnin...! Ato gra të nderuara, të paharruara, të kujtuara përherë, ato gjyshe, nëna, motra, bijat e çdo shtëpie, që në orët e para të mengjesit të çdo dite, kurrizpërkulura me fshesën në dorë, të pastronin ty rrugicë; lyenin murret e shtëpive ndanë teje rrugicë e kalldrëmtë, ata murre që zbardhonin nga sherbeti i gëlqeres! Sa shumë herë të shoh në foto të ndryshme, sa shumë herë të mendoj, të parafytyroj, sa shumë herë të shoh në ëndrra në gjumë, rrugicë e dashur, po aq shumë herë të dua edhe më shumë, mallëngjehem, përlotem si fëmijë...! Rrugicë e kalldrëmtë! U rrita me ty, në gurrët e tu të shtruar aq bukur nga mjeshtrat tanë duarartë gurpunues. Ti, aty qendron po aq e bukur si përherë, e pastër, na pret dhe na përcjell me dashuri, me nostalgji ne, bijtë e tu që fati e deshte që të largoheshim dhimbshëm... Ti rugicë e dashur, ashtu si çdo rrugica të tjera të kalldrëmta pret dhe përcjell vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj. E kush nuk të pa ty rrugicë e kalldrëmtë dhe gjithë rrugicat e tjera të Beratit, e kush nuk eci mahnitshëm në çdo rrugicë të gurtë e nuk u dashurua me ju, me atë qytet të bukur muzeal... Dhe unë, një nga ata të larguari të shoh në fotot të ndryshme dhe shmallem duke kujtuar mbresat dhe kujtimet e bukura dhe të paharuara të jetës sime, të fëmijërisë, rinisë sime...

* * * Foto nga DRTK Berat.

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page