DOLI NGA SHTYPI LIBRI I SHTATE POETIK I TITULLUAR "RIZGJIM NOSTALGJIE" I AUTORES SE TALENTUAR VASILIKA BABO, SHTYPUR NE SHTYPSHKRONJEN E SHTEPISE BOTUESE "ARTEPRINT-DESIGN-PRINTIM-LIBERLIDHJE" ME REDAKTIM, KOPERTINE DHE PARATHENIE NGA SHKRIMTARI VULLNET MATO.
ISH OFICERJA, MAJORE, ARRIN PIKËN KULMORE
Në librin e shtatë me poezi, të titulluar “Rizgjim nostalgjie”, ish oficerja, me gradën Majore, Vasilika Babo, ka rritur pikën kulmore të talentit të saj, duke qëlluar me breshërinë e vargjeve të veta, në rrethin e dhjetë pikëshit artistik. Nisur nga libri i parë poetik “Përqafim nga yjet”, botuar në vitin 1916, kur filloi të botojë së pari, ajo ka siguruar nivel të lartë, në disa tregues të përmbajtjes dhe formës artistike. 1- Ka përsosur metrikën dhe rimën në vargjet BD, 2-Ka pasuruar tematikën duke u shtrirë me lirikat e saj në disa mjedise dhe meditime filozofike, 3-Ka filmuar me dronin e vet poetik në disa mjedise të jetës së thjeshtë njerëzore, si rrallë poetë. 4-Ka përsosur ecurinë logjike, duke qëndruar brenda temës deri në detaje të fenomenit apo përshkrimit për të cilin shkruan. 5-Dukuria që bie në sy me tepër është, mençuria e saj për të arsyetuar me një logjike artistike që të befason.
Vini re, sa shumë jetë e thjeshtë njerëzore përshkruhet në këta pak vargje, për Korçën e sotme:“Në këtë natë të qetë, në mes të dimrit,/ Bora bie ngadalë, duke vallëzuar, shtruar./ Diku një qen leh, sapo hapet ndonjë portë./ rrugët heshtin, me makinat borë mbuluar./Gjyshet e dashura, të urta, të menduara,/ kokën mbajnë ulur, e punojnë çorape,/ shohin televizor, me syzet mbi hundë,/ Eh, kjo rini, thonë, pa punë e pa zanate...”
Sistemi figurativ metaforik, në të shumtat e rasteve, autorja e eliminon, për të nënkuptuar pa shpjegime të tepërta domethënien e vargut:“Eci kokulur, diku në kodrinë,/ndjej simfoninë e gjetheve nën shi,”këputen e bien, mbi supe më qëndrojnë,/Lamtumirën u japin syve të mi.”
Tonaliteti heroik i së kaluarës, vjen natyrshëm në lirikat e kësaj poeteshe, për t’i kujtuar lexuesit, se ky popull i lashtë, mbështetet mbi tradita jetësore, të cilat nuk duhen harruar, apo të anashkalohen:
“Këndo këngëtar me zërin e kreshnikut,/sa të zgjohen gurët me gjurmët e lashta,/Kur nënat në dorë mbanin furkën e leshit,/Shtambën mbi fustanellë, të bukurat vasha. /Atje këndo të tingëllojë bukur melodia,/të nusërojnë nuset me duvak përmbi kalë,/djemtë malësorë, me pushkë hedhur krahut,/Kur vashave u vendosej, një fishek në pajë!”
Duke evokuar për te kaluarën e saj si oficere në radhët e ushtrisë shqiptare, autorja shkruan:
“Më mungoi fustani i bardhë, si princesha në përrallë/,Nuri i parfumeve e kremrave, që shtonin bukurinë,/Hodha mbi sup pushkën e fishekët si rruaza e gjerdanë,/Bashkë me zana të tjera malesh, sfiduam djalërinë.”
Në disa krijime poetike, autorja ngre problemin e madh te edukimit të fëmijëve dhe rinisë së sotme, duke bërë paralelizmin krahasues me të djeshmen:
“Dje miqësisht të hapnin derën e në krye të sofrës të ftonin,/sot nuk ngrenë kokën e s’lëshojnë nga dora telefonin./Janë të pa dëgjuar, e përtojnë të ngrihen nga vendi, /S’kanë faj, media TV e celularët mendjen ua u çmendi./Qëndrojnë shtrirë mbi krevat, hedhur këmbën mbi këmbë,/
vajzat pa turp fare, me cigare, prapanicat tundin rëndë, rëndë.”
Lirizmi i poeteshës Vasilika Babo, ka një ngrohtësi e timbër të veçantë krahinor, të zonës së Korçës, që të krijon emocione te këndshme e të nxit përfytyrimin për atë qytet të shquar turistik.
“Çfarë ke, Korçë e bukur, e viteve të mia?... /Korça e malit të Moravës stolisur me rrezet e diellit,/me lëndinat që i buzëqeshin pranverës se adhuruar,/me flladet, kur ti përhap erën e pemëve të blirit.”
Si grua dhe si nënë e nderuar, poetesha e shquar, përmend me respekt e nderim të veçantë, rolin e pazëvendësueshëm të gruas në shoqëri, pa harruar se forca e saj krijohet nga mbështetja te harmonia me burrit e vet.
“Tani e kuptoj, pse shumë forcë ka një grua./Hija e një burri, krenarinë ia mban gjallë./Pa të jeta nuk buron, si ujë kristal që rrjedh në krua./Ndihesh gjethe nën shi, që mbi tokë tretesh ngadalë.”
Plaga e madhe e kurbetit ka lënë gjurmë të thella edhe ne jetën e kësaj autoreje, e cila bashkë me të shoqin oficer, u detyruan dikur të emigrojnë në vuajtjet e Greqisë, për të siguruar jetën dhe tani fëmijët u kanë mbetur larg:
“Më mori malli bir, aq shumë për ty,/dhimbjen e shpirtit çdo ditë e shuaj me lot./Nuk flas dot mbi xhamin e celularit,/
gjithçka më duket false, lodër e kotë.”
Fund e krye, ky libër është autopsia artistike e kohës sonë, me të mirat dhe mangësitë e një jete me probleme të shumta.
Vullnet Mato- shkrimtar, “Personalitet i shquar”
Comments