Isabel Allende, shkrimtarja që sjell dimensionin misterioz të realitetit në letërsi


Nga Gladiola Jorbus


Gjithkush ka dëgjuar për suksesin e Isabel Allende-s. Shkrimtarja kiliane dhe njëherazi autorja e shumë romaneve, ka marrë vazhdimisht vlerësime dhe lëvdata për veprën e saj.

Shumë nga librat e Allende-s spikasin për këndvështrimin e tyre femëror dhe cilësitë dramatike të romancës e të luftës.

Ajo ka lindur në Limë, në kryeqytetin e Perusë më 2 gusht 1942. Fëmijëria e autores më të lexuar hispanike është endur midis Perusë, Bolivisë, Libanit dhe Kilit.

Isabel Allende ka shkruar 22 libra, të cilët janë përkthyer në më shumë se 35 gjuhë të botës dhe me një tirazh shitjesh gati 70 milion kopje. Ndër veprat e saj më të njohura mund të përmendim: ‘Shtëpia e shpirtrave’, ‘Eva Luna’, ‘Bija e fatit’, ‘Portret në sepie’ etj.

Puna e saj, shpesh bazohet në përvojat personale dhe ngjarjet historike. Ajo i bën homazh gruas e cila luan një rol kyç në vazhdimësinë e jetës, teksa gërsheton elemente të mitit dhe të realizmit.

‘Kur isha e vogël krijoja histori, kisha shumë fantazi, por kurrë nuk isha princesha që pret princin me sytë mbyllur. Isha vetë princi ose kali. Rreth të tridhjetave isha e pandalshme. Edhe sot entuziazmohem, kur mendoj se sa e gjallë dhe dinamike kam qenë’, - shprehet për veten e saj shkrimtarja e famshme.

Allende punoi si gazetare në Kili derisa u detyrua të largohej drejt Venezuelës, pas vrasjes në vitin 1973 të xhaxhait të saj, ish-presidentit kilian Salvador Allende. Ajo ka shkruar gjithnjë për të drejtat e grave, duke qenë një feministe e lindur, që i dha zë femrës latino-amerikane.

E guximshme, ironike, provokuese; ajo theu tabu me shkrimet e saj për abortin, marrëdhëniet seksuale paramartesore, homoseksualitetin dhe drogën në vitet ’60 – ’70, kur botonte editorialet e saj revistën ‘Paula’ që e goditi Kilin skrupuloz si një uragan.

Tema të tilla ngjallnin shumë revoltë në shoqërinë konservatore dhe katolike të kohës. Vetë shkrimtarja rridhte nga një familje e tillë. U martua në moshën 20 -vjeçare me inxhinierin Miguel Frias. Në shtëpi ishte nëna e dy fëmijëve dhe bashkëshortja e bindur. Në publik ajo ishte një personalitet i njohur përmes televizionit, një dramaturge dhe një gazetare në një revistë feministe. Paradoksale !

Por kjo është Isabel Allende, e cila dalloi që në moshë shumë të re disavantazhin e të lindurit grua, midis një mendësie patriarkale e maskiliste, një ish - refugjate politike, një aktiviste e mirënjohur për të drejtat e grave, por mbi të gjitha, një gur me vlerë të çmuar në kolanën e letërsisë botërore, një talent i pazëvendësueshëm, një emër i papërsëritshëm.

Në vitin 1981, kur jetonte në Venezuelë, gjyshi i saj, figura mashkullore që njohu për baba, (pasi i ati e braktisi të ëmën, kur Isabel ishte tri vjeçe), pranë të cilit u rrit dhe të cilit donte t’i ngjante për forcën e karakterit, u sëmur rëndë.

E shkëputur tashmë prej Kilit, ajo nuk mund ta vizitonte dot gjyshin e saj të sëmurë, ndaj vendosi t'i shkruante një letër, e cila evoluoi dhe u shndërrua në romanin e parë të lavdishëm ‘La casa de los espíritus’ (1982) ‘Shtëpia e Shpirtrave’.

E ndikuar nga interesimi i gjyshes së saj për parashikimin e së ardhmes dhe astrologjinë (studimi i ndikimit të yjeve në sjelljen njerëzore), gjyshi autoritar, atmosfera melankolike në të cilën ishte rritur, ajo vendosi të risillte copëza nga fëmijëria e saj pa festa e pa muzikë në këtë roman, që bëri jehonë botërore.

Më 9 dhjetor 1996, I. Allende themeloi ‘Fondacionin Isabel Allende’ në nder të vajzës së saj, Paula Frías Allende, e cila ra në gjendje kome për shkak të ndërlikimeve nga sëmundja e porfirisë dhe mjekimit të gabuar. Paula ishte 28 vjeç kur vdiq, në 6 dhjetor të vitit 1992. Autorja i dedikoi asaj romanin autobiografik ‘Paula’, një rrëfim shpirtcopëtues, mbi rrethanat që lidheshin me sëmundjen e gjatë dhe vdekjen e vajzës së saj.

Fondacioni Isabel Allende ka në fokus përkushtimin ndaj programeve që promovojnë dhe ruajnë të drejtat themelore të grave e fëmijëve për t'u mbrojtur e fuqizuar.

Realizmi magjik është një përkufizim që vijon paralelisht me librat e Allende-s. Ky etiketim i shkon për shtat krijimtarisë së saj artistike dhe rezonon me shpresën, se ndoshta ka mbetur ende pak hapësirë në jetën tonë për magji.

Sipas Allendes ekziston gjithmonë një dimension misterioz i realitetit, gjëra që nuk mund t'i shpjegosh, gjëra që nuk mund t'i luftosh apo kontrollosh.

‘Ai dimension i botës misterioze, të shpirtit dhe nuk dua të them fantazma ose diçka të tillë, por unë mendoj se njerëzit që i dua, që kanë vdekur apo jo, që janë larg, të gjithë jetojnë me mua. Unë mendoj se personazhet e mi bëhen njerëz kur unë shkruaj për ta. Unë e lejoj gjithçka në jetën time. Dhe unë lejoj misterin, rastësitë, ëndrrat, ato mund të jenë ëndrra profetike - gjithçka që është pjesë e jetës sime, shumë fuqishëm. Dhe këtë e lejoj edhe në librat e mi. Ky do të ishte realizmi magjik për mua. Dhe unë mendoj se ka hapësirë për të në jetën e secilit’, - është shprehur shkrimtarja me famë ndërkombëtare.

Ajo e përshkruan trillimin e saj fiction si "letërsi realiste", të rrënjosur në edukimin e saj të mrekullueshëm, njerëzit dhe ngjarjet mistike që i nxitën imagjinatën. Shkrimet e Allende-s ndikohen nga bindjet feministe, angazhimi i saj për drejtësi shoqërore dhe realitetet e ashpra politike që formësuan fatin e saj.

Një tjetër person me rëndësi për Allende-n ka qenë dhe nëna e saj Francisca (Panchita për familjarët), e cila u nda nga jeta në shtator të vitit 2018. Ajo e ka konsideruar të ëmën një shtyllë themelore në jetën dhe krijimtarinë e saj. Të dyja ruajtën një korrespondencë epistolare që nga viti 1986. Letrat janë ruajtur me fanatizëm dhe i kanë shërbyer vazhdimisht I. Allende-s si burim frymëzimi.

Përgjatë viteve të karrierës së saj si shkrimtare, Allende është vlerësuar me çmime të shumta ndërkombëtare për librat e botuar që janë ekranizuar dhe nga kinematografia hollivudiane.

Ajo konsiderohet "shkrimtarja më e lexuar në botë në gjuhën spanjolle".

Në shtator të 1996 – ës, Allende u nderua në Hispanic Heritage Awards për kontributet e saj në komunitetin latino - amerikan.

Në vitin 1998, ajo mori çmimin Dorothy dhe Lillian Gish për përsosmëri në arte.

Në vitin 2004, Allende u përfshi në Akademinë Amerikane të Arteve dhe Letrave, dhe në vitin 2010 u vlerësua me Çmimin Kombëtar të Letërsisë së Kilit.

Në vitin 2014, Allende mori gradën e nderit të Doktorit të Letrave nga Universiteti i Harvardit për kontributet e saj në letërsi.

Ish - Presidenti Barack Obama në nëntor të vitit 2014 e dekoroi Allende-n me ‘Medaljen Presidenciale të Lirisë’, për merita të veçanta kontributive në jetën amerikane.

Thënie nga Isabel Allende:

Shkruaj çfarë nuk duhet të harrohet.

Mund t'ju premtoj se gratë që punojnë së bashku - të lidhura, të informuara dhe të arsimuara - mund të sjellin paqe dhe prosperitet në këtë planet të braktisur.

Jam e vetëdijshme për misterin që na rrethon, ndaj unë shkruaj për rastësitë, parandjenjat, emocionet, ëndrrat, fuqinë e natyrës, magjinë.

28 views

Shkrimet e fundit