Isa Zymberi: Dy dekada pa Rugovën dhe urtësia si fat historik
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 11 hours ago
- 2 min read

Dy dekada pa Rugovën dhe urtësia si fat historik
“Sot dua ta përkujtoj Rugovën e vitit 1967, kur si studentë ishim ‘cimerë’ në njërën prej ish-barakave ushtarake pranë Fakultetit Filozofik… Urtësia ishte arma e tij më e fortë… Do të mbetet përgjithmonë Presidenti i urtë i Kosovës, simboli i pavarësisë së saj.” (Isa Zymberi)
Ky dëshmim i Isa Zymberit nuk është thjesht një kujtim personal. Zymberi e bën një portë të vogël, por thelbësore, për të hyrë në thelbin e figurës së Ibrahim Rugovës. Në pak rreshta përmblidhet një biografi morale. Kjo biografi i parapriu dhe e përcaktoi më pas biografinë politike të Presidentit të parë të Kosovës. Rugova i vitit 1967, studenti i thjeshtë, pa tituj e pa funksione, shfaqet në këtë rrëfim si njeri i formuar herët. Ai përshkruhet i urtë, i duruar, i sjellshëm, i guximshëm në mënyrën e vet të heshtur, dhe thellësisht këmbëngulës në ndjenjat patriotike. Nuk është rastësi që këto cilësi, të vërejtura në një barakë studentësh, u shndërruan më vonë në shtylla të një filozofie politike që do t’i rezistonte dhunës, provokimit dhe urrejtjes.

Në një shoqëri të plagosur historikisht, ku reagimi i parë shpesh ka qenë zemërimi, Rugova zgjodhi një rrugë tjetër: mosfyerjen, mosnjollosjen e tjetrit, ruajtjen e dinjitetit edhe përballë sulmeve më të rënda. Siç thekson Zymberi, ai “kurrë nuk e ka parë të rrugës të fliste keq për askënd”. Kjo nuk ishte dobësi; ishte vetëdije e thellë se fjala mund të jetë armë shkatërruese ose mjet shpëtimi. Urtësia, siç thuhet me të drejtë në citim, ishte arma e tij më e fortë. Jo një urtësi pasive, por një urtësi vepruese, strategjike, që dinte të priste, të duronte dhe të ndërtonte. Në kohë kur Kosova ishte “një shoqëri në hall”, e ndërlikuar, e rrethuar nga dhuna dhe padrejtësia, Rugova arriti ta drejtojë gradualisht drejt një horizonti të sigurt pavarësie. Pa thirrje për hakmarrje, pa gjuhë urrejtjeje, por me këmbëngulje të qetë dhe besim të palëkundur në të drejtën historike.
Sot, dy dekada pas ndarjes së tij nga jeta, figura e Ibrahim Rugovës qëndron mbi zhurmën e polemikave ditore. Ai mbetet simbol jo vetëm i pavarësisë së Kosovës, por i një mënyre të rrallë të të bërit politikë: politikës së urtësisë, të fjalës së matur dhe të durimit historik. Kujtimi i tij, ashtu siç na e sjell Isa Zymberi nga vitet e rinisë studentore, na kujton se liderët e mëdhenj nuk formohen papritur në krye të shtetit. Ata formohen herët, në mënyrën se si sillen me të tjerët, në mënyrën se si flasin, ose zgjedhin të heshtin. Prandaj Rugova do të mbetet, siç thuhet me të drejtë, Presidenti i urtë i Kosovës, një figurë që e bëri urtësinë fat dhe forcë historike të një populli të tërë.









Të falenderoj shumë për shkrimin, Fatmir. Kam vënë re se ti je një penë që nuk ndalet, që rrjedh si gurra në bjeshkë, dhe ke një stil të pëlqyeshëm shkrimi. Të mbetem borxh t'i lexoj veprat tuaja. Respekt.