top of page

Intuita e spikatur e poeteshës Mimoza Çobo


Vullnet Mato

NJË SAFO SHQIPTARE E LIRIKËS SË DASHURISË NË DITËT TONA Ashtu siç e kam quajtur më herët,“Safo e lirikës shqiptare”, në njërin nga katër librat e mëparshëm të saj: “Dashuria është bekim”, “Grua, je parajsa e tokës”, “Dashuri cigane”, “Ah, sikur ta dije!”, kam bindjen e plotë të ngulmoj ta quaj sërish edhe në këtë botim të pestë, të titulluar, Universi Femëror poeteshën e shquar Mimoza Çobo. Sepse edhe në këtë libër të radhës, kjo poeteshë e mirënjohur edhe nga suplementet letrare javore të shtypit të shkruar, ku ajo përzgjidhet rregullisht dhe debuton me mjaft sukses, ka dëshmuar qartësisht, se është zëri lirik më i denjë, i përngjasimit me mbretëreshën greke të lirikës dashurore të lashtësisë, në ditët tona. Në tematikën gjithëpërfshirëse të dashurisë, që përmbledh poezitë e këtij libri, tre janë simbolet metaforike kryesore të përdorura më shpesh, “Gjethja”, që simbolizon hapësirën natyrore, ku vegjetojnë ndjenjat e çiftimit, “Vjeshta”, që simbolizon kohën, kur zhvillohen ëmbëlsisht idilet dashurore dhe Gjiri femëror, që simbolizon elementin e magjishëm, me të cilin joshen në dashuri ndjenjat mashkullore. Dhe ja, nga një shembull për secilin simbol: “Ky burrë, që përngjan me përrua vjeshte,/kur ishte i ri, çmendej pas meje,/vërshimi i tij sillte freski, nga lulet e gjethet./ Oh, për atë freski kam përsëri etje!” “Qiellin e hirtë vjeshtak, përmbys do ta kthej,/portën e zemrës tënde, me puthje do ta thyej,/prej meje s’shpëton dot, as në qiell, as në tokë,/as në lëndinat e parajsës, nuk shpëton dot.” “I dashur, mos hidh rrënjë në kurbet,/ushqimin shpirtëror, tek unë e gjen,/hoja e gjirit, nektar për ty rrjedh.../ stinëve gurgullon krua i qetë.” Lirizmi i ngrohtë, buron në vargjet e kësaj poeteshe të rrallë, si uji i nxehtë nga gejzeret e nëntokës dhe bën ta ndjesh këtë ngrohtësi edhe në shqisa gjatë leximit: “Mbaj vesh si lulëzon një grua buzëmbrëmjeve në prill,/mbaj vesh këngën e bilbilit, strehëve të saj nën gush,/ frymëmarrjen e sythit, që përhap aromë petalesh mbi gjinj,/ ekstazën dehëse, që turbullon dhe më të egrin burrë.” Kjo autore, shkruan me pasionin e saj të fuqishëm për të ngulitur te njerëzit e sidomos te burrat botëkuptimin filozofik, se gruaja është thesari më i çmuar kësaj bote: “Se ti grua dhe dashuria, jeni bekim i kësaj bote,/krijuar nga thesaret, që ka galaktika jote./Kush përulet urtësisht, para universit tënd,/nderon jo vetëm një grua, por dhe një nënë.” Penelopë e dashuruar mbeta, nën tisin e hënës,/ nga marazi enda pëlhurë, venat e zemrës,/nëse s'vjen, të më kërkosh, pa u shuar ylli në mëngjes,/përmbi gjethe do jem tretur, bulëz me vesë.” Një drithërimë e beftë të pushton trupin, kur lexon këto vargje, në të cilat gruaja përkushtohet e tëra shpirt e zemër për burrin që do. “Më thuaj, kush të rri pranë, kur flet me yjet?/Kur hënën pyet për mua, kush të përgjigjet?/...Më thuaj, i dashur, agimeve, kush të zgjon?/Sytë e përgjumur, kush t’i ledhaton?/Kush të puth netëve, si të kam puthur unë,/zemrën fluturake, kush ta vë në gjumë? ...” Intuita e spikatur e poeteshës Mimoza Çobo, për ta integruar poezinë në të fshehtat e botës femërore, e bën atë unike në gjininë e saj, si penë prej gruaje. “Mbaj vesh gurgullimën, që rrjedh në luginën e gjinjve,/kristalet e qumështit , kur rrokullisen mbi kërthizë, /flladin përvëlues, në kreshtën pjellore të pëqinjve,/vullkanin që rri në pritje, të ndizet nga një puhizë.” Mjetet e sistemit stilistik figurativ që përdor në thurjen e poezive të saj, janë jo vetëm të larmishme, por kanë dhe origjinalitetin e zgjedhur metaforik që parapëlqen ajo. “Në lashtësi mendohej, se aroma e gruas së virgjër,/ kishte efekte shëruese e çudibërëse te burri./Portën e fshehtë dhe pse s’ruhej nga ndonjë tigër,/se pushtoje dot, nëse asaj nuk i qeshte nuri.” “Kur mbrëmja purpuron petalet e shpirtit tim,/një dallëndyshe zbret mbi qerpik ngadalë,/rrëmben biskun e lotit dhe ngrihet në fluturim,/rrëzon qiejve aureolën e dhimbjes e pakëz mall.” Për ndërtimin artistik te vargut, e të strofës, poetesha Mimoza Çobo, përdor zakonisht dymbëdhjetë rrokshin dhe rimën e alternuar ACBD, e me rrallë ABAB. me te cilat krijon një muzikalitet të këndshëm pothuaj në të gjitha poezitë. “Ç’forcë eterike bulëzon në sytë e tu, o grua?!/Që askush s’e ka të lehtë të hyj në zemrën tënde,/pa gjetur portën, nga dalin agimet e vesuara,/pa puthur zambakët e agimeve me ëndje.” Ndonëse në raste të veçanta, kjo poeteshe ngre zërin e gruas e të nënës, për problemet ekonomike e shoqërore të vendit, këtë përmbledhje poetike, ajo ia ka kushtuar tërësisht dashurisë, që e ka më për zemër në të gjithë krijimtarinë e saj, me të cilën ka bërë emër të nderuar në lirikën shqiptare bashkëkohore. Ky libër shënon një nga kulmet cilësore në krijimtarinë e botuar pareshtur në shtypin e shkruar dhe të publikuar rregullisht në rrjetet sociale online, të zonjës pedagoge letërsie Mimoza Çobo, ku ajo mirëpritet me interes nga lexuesit e shumtë të saj në mbarë vendin e më gjerë.

Vullnet Mato

38 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page