top of page

Intuita e qenushkës Krajicë


Noke Abilekaj

Intuita e qenushkës Krajicë

(fragment përmbyllës te “Shoku Hiç)’


Në adoleshencën e hershme, shkela në trojet e psikologjisë dhe mësova për reflekset e kushtëzuara, sipas Pavllovit. -Sapo dëgjon tingullin e ziles, qeni ndjen se po i sjellin ushqimin dhe i aktivizohen sekrecionet. -I çon goja lëng, thoshte Bejo Shanaj. Tani që njoha Krajlicën, pa e shvlerësuar, më është dukur i paplotë Pavllovi. Ç’mistere fshehin reagimet e kafshëve? A kishte intuitë Krajlica?

*** -Të jam mirënjohës –i thashë dhe e përkëdhela. E putha. -Përse?! Hungërinte. Më shikonte dhe tundte bishtin. -Më ke bërë shoqëri, më ke dashur e respektuar si rrallë ndokush tjetër më parë. Si askush. -Është zemra ime e tillë. Të gjithë ata që më duan i dua dhjetëfish, njëqindfish. Nxori gjuhën dhe më lëpiu për të më përcjellë dashurinë dhe mirënjohjen. Mirënjohja e saj ishte ëngjëllore. Ishte qiellore. Nuk ngjante aspak me atë që dilte nga njeriu.

-Eja, i thashë. E mora në duar dhe e putha prapë.

Diçka të papëlqyer ndjeu pas këij përkushtimi dhe u vërvit të më puthte në buzë. -Ç’do të thotë kjo?! I lexohej habija dhe pyetja. -Do iki. Do iki dhe nuk di në do të shihemi përsëri. I kuptoi fjalët e mia. U mallëngjye. Iu lëngështuan sytë. Unë lotova. -Jo, jo, hajde përsëri. Të pres, kuisi ankueshëm. -Krajlica, diçka ka ndodhur, shumë gjëra njerëzore kanë ndodhur. Nuk i kam këtu rrënjët. Duhet të iki. -Po unë? I shkëlqente loti në sy.

E mora përsëri në krahë, e shtrëngova fort në kraharor. Ndjeva regëtimat e trupit të saj.

Krajlica qante, ndonëse e dalloja që përpiqej të përmbahej për mos më ligështuar më tepër mua. Ajo qante e tëra. Jo vetëm sytë, i qante tërë trupi. Sytë e lëngëzuar i shkëlqenin. Pashë veten në pasqyrën e tyre. Dallova tjetrin. Të mbyturin në trishtim.

Ç’ishte kjo ndarje? Ç’ishte ky përmallim? Po çastet e mospërfilljes dhe të hipokrizisë sime nuk i mbante mend?! Cili isha unë për të?

Ah, të isha realisht aq i mirë sa i dukej Licës sikur jam!

Ndenjëm gjatë të përqafuar. Ajo nuk e shmangu dot të puthurën. -Krajlica, ç’bën? Pse më do aq sa nuk e meritoj?! Si përgjigje më dhuroi një puthje tjetër.

E lashë me vështrim drejt portës. Ika duke lënë pas një pjesë të zemrës. Mërmërisja, në qoftë se nuk ka ndonjë qen, e refuzoj parajsën. Do të shkoj atje ku mund të ketë.

42 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page