top of page

INTELEKTUALI BERATAS


DRITAN ÇOKU

SHPENDI TOPOLLAJ

DRITAN ÇOKU, INTELEKTUALI BERATAS I PËRKUSHTUAR NDAJ

VLERAVE TONA KOMBËTARE

U desh një ndërhyrje e Ylli Polovinës, për t`u njohur me Dritan Çokun, i cili duke u marrë me përgatitjen e një libri - album rreth kullave me sahat, kërkonte që të ndërhyja për t`i mundësuar një vizitë në brendësinë e mjedisit mbi Bashkinë e Durrësit , ku është vendosur që para 90 vjetësh, ora e madhe, nga mjeshtrat Kapedani. Kjo qe një punë fare e lehtë, po të kemi parasysh edhe dashamirësinë e shefit të kulturës Ardian Gurra, por Dritani, qytetar beratas me një edukatë të spikatur, jo vetëm që e vlerësoi shumë, por dhe si mirënjohje na dhuroi albumet e tij “Sahat Kulla e Kavajës”, botim i vitit 2016 dhe “”Kishat e Kalasë së Beratit”, me bashkautor Genci Samimin, botim i vitit 2019. Ishin botime lluksi, respektivisht të “Ymeraj Print Fier” dhe asaj “Pegi”, por kuptohej menjëherë se brenda tyre përmbanin vlera të vërteta rreth historisë, arkitekturës, teknikës së ndërtimit, simboleve, arkeologjisë dhe restaurimit. Kishte në to foto ilustruese, skica dhe vizatime të kohëve të shkuara nga udhëtarë të ndryshëm. Dhe mbi të gjitha, shkrimet e ndryshme dhe të bollshme për këto studime ishin të kuptueshme si nga akademikët dhe punonjësit e këtyte profesioneve, ashtu edhe nga lexuesit e zakonshëm. Pra. ishte gjetur gjuha për të dhënë sa më thjeshtë e sa më qartë gjithçka duhej, duke i shoqëruar në fund edhe me sqarimet përkatëse. Veç kuptohej, se paraprakisht ishte bërë një punë e mundimshme njohëse, për gjithçka ishte thënë më parë nga të tjerë autorë, bibliografi kjo që ja shtonte këtyre veprave rëndësinë dhe seriozitetin. Personalisht për mua merrnin një kuptim të veçantë, pasi duke qenë se kisha lindur në Berat, instinktivisht ndieja shtysën gjenetike për të parë e ditur sa më shumë rreth vlerave kulturore të këtij qyteti dhe nga ana tjetër, duke qenë se kisha shërbyer për 20 vjet në repartet ushtarake të Kavajës, kisha kurreshtje të mësoja diçka më shumë mbi ato që donte të thosh ajo Kulla në mes të qytetit dhe që duke e parë për ditë, qe bërë rutinë dhe asqë e vrisja mendjen se ç`përfaqsonte në të vërtetë. Ndaj dhe po ndalem pikërisht te kjo e fundit, pra te Kulla e vetmuar, para së cilës kavajasit kalojnë indiferentë, edhe pse ajo ashtu si Kulla e Sahatit në Tiranë, është kthyer në simbol. Duke u përqendruar te Kulla e Sahatit të Kavajës, ky autor nuk humbet kohë të shpjegojë imtësisht shkencën e horologjisë. Ai nuk përmend qëllimisht as Peter Henlein e Nurembergut të shekullit të XVI - të, as Kristian Hugensin e orës me lavjerrës dhe as Aleksandër Bain e orës elektrike të vitit 1840 që gjeti shpejt një përdorim të gjerë. Ai, nuk do ta shvendosë vëmendjen e lexuesit nga ora e Kavajës, ndaj i mjafton vetëm zanafilla e saj; klepsidra, me rërë dhe me ujë. Dritani, në studimin e tij është i interesuar, sikurse shprehet në parathënien e shkurtër inxhinieri restaurues Samimi, me datimin e këtij objekti, studimin dhe zbërthimin e shkrimeve të ruajtura te këmbana, me simbolikat e domethënien e tyre, inspiruesit, ndërtuesit dhe teknikat e përdorura, materialet që e ngritën atë mbi 23 metra, korelacionin me objektet e tjera, ndërhyrjet e deri legjendat e krijuara nga fantazia popullore rreth saj, pa anash kaluar zhvillimin social ekonomik e psikologjik të asaj treve. Në këtë këndvështrim, ky studim në mos qoftë shterues, patjetër që çel rrugët për thellime të tjera plotësuese. Se të tilla vlera kulturore e historike që duke pasur një rëndësi të madhe, janë shpallur edhe monumente kulture, e pranojnë debatin e shëndetshëm dhe të arsyetuar, pasi vetëm kështu arrihet tek e vërteta, gjë që e pohon edhe vetë ky autor në kapitullin “Përfundimi”. Gjithçka këtu nis nga e para; data sipas asaj që shkruhet në pllakën e anës perëndimore (kronogramit), dhe që është përkthyer nga arabishtja prej orientalistit Vexhi Buharaja, i përket viteve 1817 - 18. Edhe ndryshimet që me kohë ka pësuar ora, ai i zgjidh me anë krahasimesh dhe analogjish të zgjuara, si fjala vjen duke iu referuar vizatimeve të Eduard Lirit të 12 tetorit të vitit 1848. Te ndryshimet, Dritani ka pasur në konsideratë, atë që tregtarët kavajas, të gjezdisur aso kohe, sollën orë që funksiononte si matës me tingull e jo me fushë, gjersa ajo zëvendësohet nga ora që kemi sot. Po ashtu, mbështetur në shënimin e gdhendur “Opus Cancian. Dalla Venezia - Venetus”, ai identifikon edhe prejardhjen e kambanës. Përsa i takon ndërtimit të vetë kullës, ky autor pajtohet me mendimin e prof. Nehat Krasniqit se ajo fillimisht u ndërtua me nisiativën e poetit Tevfik, por nga që për arsye të paditura u prish shpejt, u ringrit me kërkesa të larta estetike nga Ibrahim Bej Alltuni. Për nga mënyra e ndërtimit, ajo mund të ketë ngjashmëri vetëm me dy kulla në Ballkan; atë të Gazi Husrev Beut në Sarajevë dhe Kullës së Sahatit të Star Dojranit në Maqedoninë e Veriut, pjesërisht e dëmtuar. Dhe tani shtrohen pyetjet: e para, duart e kujt e ndërtuan kullën, dhe e dyta me ç`material u ndërtua. Për të mbërritur edhe te pyetja e natyrshme, se çfarë fshehin pozicionet dhe simbolet e saj? Mendoj se këtyre ua ka gjetur përgjigjen, fare mirë autori. Kështu, ai nuk bije dakord me mendimin se atë e ndërtuan tre vëllezër nga Bardhori. E njoh mirë atë vend. Fshati rrethohet ngado me kodra argjilore deri te pjerrësia e quajtur Carina, e cila bashkohet me detin. Si e tillë, atje, siç thotë populli, nuk gjen një gur të çash kokën. Shtëpitë ngrihen vetëm me tulla e qerpiç, që fshatarët i prodhojnë dhe i pjekin vetë. Atëherë, pra kur kjo traditë mungonte, është pak e vështirë të mendohet se prej atij vendi kanë dalë ustallarë mjeshtra gurëpunues, sa t`u besohej ndërtimi i një objekti të tillë që do të ishte mburrja dhe krenaria e qytetit. Po ashtu, duket si legjendë edhe thirrja e të treve për drekë nga Ibrahim Beu dhe vrasja e tyre për të mos mundur të ndërtonin një të dytë. Kjo rrëfenjë përsëritet ngado. Ndaj Dritani vë në punë arsyetimin dhe mbështetet te shenja dalluese e ateliesë, që ishte një Zambak (Fleur de Lys) dhe ylli me pesë cepa. Ndaj dhe bazuar në përkime, konkludon: “…ata që kanë realizuar punimet e rindërtimit të teqesë Helvetive (1782) në Berat mund të kenë kryer edhe punimet rindërtuese të sahat kullës (1818) në Kavajë”. Dhe mundet që merita e realizimit t`u takojë mjeshtrave oparakë që me atë lloj murature guri, kanë lënë autorësinë e tyre edhe në vende të tjera të Shqipërisë. Se ata nuk mendonin sipas autorit vetëm për fitime, por edhe për të dhënë një vepër dinjitoze arti, siç edhe ka ngjarë. Nuk është për t`u çuditur, po të kemi parasysh Sinan Atiqin e xhamisë Mehmedije, arkitekt Kasëmin, kryearkitektin e Perandorisë Ahmet Sadefqarin me atë xhaminë e famshme të Kaltër në Turqi apo Mehmet Isain e Roshnikut, në ndërtimin e njërës nga shtatë mrekullitë e Botës së re, Taj Mahallin pranë lumit Agra në Indi. Interesi i lexuesit vjen duke u shtuar, kur ky autor tregon teknikën që përdorej aso kohe nga ustallarët, pra horasani, ku arrihej të përzihej me llaçin edhe e bardha e vezës e vaji i ullirit, apo të vendoseshin elemente druri kundër lëkundjeve sizmike. Dritani ka shkuar deri te shpjegimi i Kultit të numrave - Treshi duke argumentuar edhe misterin dhe forcën e brendshme mistike që i ka rrethuar ato në mentalitetin e kohës, duke shfrytëzuar konkluzionet e etnografit dhe arkeologut atdhetar Shtjefën Gjeçovit. Më tej, ai zbërthen mjaft bukur motivet e gdhendura në gur, si Hëna, Yjet, Zoomorfet, Shpata, Gjiri i gruas dhe Bimësia, që ishin dhe tiparet etnokulturore të shqiptarëve. Këtu ai gjen afërsi dhe veçori me ato të popujve të tjerë, por që gjithsesi pasqyrojnë jo vetëm dhëniet e marrjet, por dhe autenticitein e tyre shqiptar. Ja p.sh. si thotë ai për Kultin e Hënës: “Hyjnizimi i Hënës në popullin tonë në një masë kaq të madhe ka të bëjë me ndonjë hyjni të lashtë ktonike vendase me atribute të bujqësisë dhe të jetës familjare”. E tillë ishte dhe Demetra te grekët e lashtë apo Cerera te romakët, të cilat adhuroheshin kryesisht nga fshatarët si perëndesha të bujqësisë dhe familjes. Shumica dërmuese e popullsisë shqiptare në ato vite jetonte në fshat. Me shumë korrektesë, ky autor jep të dhëna sqaruese edhe për yllin me pesë dhe gjashtë cepa, të ashtuquajtura si “Vula e Solomonit” dhe që përfaqsojnë përsosmërinë dhe shenjtërinë, e kështu me radhë, deri te shpata si simbol i kalorësisë, lirisë, pavarësisë dhe pjekurisë. Si i tillë, ky studim i kalon kufujtë e qytetit të Kavajës. Të mos shkojmë larg, po le t`i hedhim sytë nga Italia fqinje, dhe do të kujtohemi se çfarë vendi zë në kulturën dhe historinë e popullit të saj arkitektura, me ato kullat e kudogjendura. Kushdo e di mirë se çfarë vendi të nderuar zënë në Panteonin e këtij shteti emrat e Bruneleskit, Bramantes, Mikelanxhelos, Della Portas, Berninit, Fontanës, Palladios, Sansovinos, Boroninit etj. Po ne, përse ngurrojmë të akordojmë fondet e duhura si për gjetjen e arkitektëve ashtu dhe për restaurimin e mirëmbajtjen e këtyre monumenteve aq domethënëse për prejardhjen tonë? Ky është shqetësimi i Dritan Çokut i cili ngre zërin për nevojën e ndërhyrjes konservuese dhe restauruese të objekteve të tilla që ai i sheh si elemente që na ndihmojmë të ecim në korridore të errëta, në tunelet pa fund të shekujve të shkuar. Dhe e gjithë puna e tij, e kryer prej një shtyse të brendëshme, prej një intelektuali të ndërgjegjshëm dhe atdhetari të kulluar, që punon pa reshtur me modesti dhe këmbëngulje, duke përballuar edhe vështirësitë e mëdha të botimit, është një kujtesë për institucionet, që t`i kthejnë sytë dhe të tregohen shumë më të vëmendshëm, ndaj këtyre pasurive të mëdha që gjysh - stërgjyshët si njerëz me prirje europiane, na lanë trashëgim. Por në radhë të parë, e gjithë puna kolosale e tij, flet për domosdoshmërinë e zgjimit të Akademisë tonë të Shkencave, të cilës i është prerë mundësia edhe e botimit të revistave dikur me aq reputacion, për zhvillimet historike, arkeologjike, etnografike, folklorike, gjuhësore, muzikore etj. etj. Nuk e di në i është akorduar ndonjë titull këtij shkencëtari nga Berati, me vepra mjaft cilësore, por në qoftë se jo, kjo më shumë nuk i nderon ata që duhet ta njohin, ta përkrahin dhe inkurajojnë një njeri të rrallë si Dritan Çoku, që bredh me shpenzimet e tij qytet më qytet për të evidentuar vlerat tona kombëtare.

48 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page