
Infektim
Tregim nga Fatmir Terziu
Gjurmët e para ishin të zakonshme. Dridhej e tërë qafëthyerja e jeshiltë, e shpërdredhura e saj herë qafonte çizmet e rënda ushtarake e herë përdridhej trupthyer nën peshë të trupave njerëzore. Në pellgje krillej si në një film e ndejtura rrëshqitëse që kishte marë formën e një shtrese të yndyrshme. Birba ndjeu lodhjen e muskujve. Dhe më pas u detyrua të pastronte mirë e mirë sytë që të lexonte mirë instruksionin zyrtar të atij misioni:
„Kujdes! Infektimi ka ndodhur muaj më parë. Është i padukshëm. Zona është e infektuar, por ende mbetet enigmë sasia e infektuar, për ta kuptuar më mirë. Analizat e para tregojnë se infeksioni është programuar që të përhapet vetëm në disa barishte…“
Birba rrëshqiti dorën e majtë mbi ballin e tij të mbushur me bula djerse dhe shkundi sa të mund bulëzat e djersës që i kishte mbajtur pëllëmba e mbuluar me dorashkën speciale. Pastaj pastroi fytin me një forcë të madhe dhe pështyu poshtë me një forcë të shtuar nga nervozizmi, që mbante në vetvete. Shenjat në fytyrë i morën një çehrre tjetër dhe muskujt rreth gojës së tij iu bindën një nënqeshjeje të lehtë, ndërsa nxorri me dorën e majtë kontratën e nënshkruar me kompaninë speciale të pastrim-dizinfektimit, që do të thoshte miliona dollarë, duke e tundur në sytë e pesë të tjerëve që e kishin firmosur atë dhe tashmë ishin pjesë e atij projekti të paparë ndonjëherë.
„Po me ne, me fatin tonë, shkurt me jetët tona a ka ndonjë garanci?“
„Më duket se paske humbur kohë gjithë ato javë instruktim, sqarim dhe zbërthim të kësaj kontrate. Nuk më duhet më shumë gërmim në ato që janë thënë, por po të kujtoj pilotët japonezë të kohës së Luftës së II-të Botërore. Nëse nuk di gjë për ta do të të jap diçka të lexosh kur të kthehemi në mbrëmje. Më saktë kontrata nuk garanton asgjë, por prishet nëse dëmtohet i gjithë jeshilllëku i kësaj zone. Duhen shkatërruar e pastruar vetëm disa barishte, që përcaktohen nga gjetjet e laboratorit si të infektuara të mundshme. Ne nuk jemi gjeni që të luftojmë me zërat që vijnë nga të katër anët, por për zërat jemi këtu.“. Ishin fjalët e prera të kryesuesit zyrtar të misionit.
Pastaj, Birba, shkuli me inat një fije bari të gjatë dhe u shpërqëndrua menjëherë, si për të shuar ndjenjën e një paqëndrueshmërie të brendshme, që i pushtoi ndjesinë në atë moment.
„Por, po të garantoj, se ky është tashmë shpëtimtari ynë (bëri me gisht nga Manuali i shkruar). Duhet ta mbajmë njërin sy në të, dhe tjetrin në punën që duhet të bëjmë. Në këtë bllok shkruhet e sqarohet e gjitha. Aty tregohet se kur mjetet tona kapin fijen e infektuar, si duhet të veprojmë, si duhet ta shkulim, pastrojmë vendin rreth saj dhe se si ta vendosim në këto kuti hermetike, tip termusi. Nëse nuk bëjmë këtë që na tregohet, këto aparatura menjëherë e dërgojnë alarmin atje në ato salla dhe ne rrezikojmë të marrim një nga ato dënimet që u thanë dhe u kuptuan qartë.“
Birba nuk bëri më tej. Sytë e tij udhëtuan pas gjatë ditëve të tij në atë stërvitje intensive, ku në ato dhoma të nëndheshme shikonte gjithë ato trupa çeliku që zhurmonin papushim dhe ndjente ende gërrhitjet e brendshme të nëntokës, që i dukej se kërkonte të çlirohej nga gjithë ajo ambushti në zemër të saj. Në tërë ato javë kishte ndjerë vuajtjen që ka nëntoka nga këto klizma njerëzore. Aty ndjente se në një masë kaq misterioze të projektuar nga mendja e njeriut kishte dhe rrëmujë, ndjente dhe një gjarpërim, po aq dhe gumëzhimë telash dhe kutish çeliku, në një aurora që vezullonte herë portokalli, herë argjend, e herë zjarr në blu. Kishte një tingull si një zjarr gjigant që digjej gjithë kohës, të gjitha vitet dhe të gjithë kalendarët me pergamenë, të gjitha orët e grumbulluara dhe të djegura nga mendje që i kishte mbajtuar toka dhe i kishte gëlltitur shekujve nëntoka. Aty e kishte kuptuar se si mbilleshin rrufetë shkrepave dhe maleve e pastaj mblidheshin aty në atë pikë sikur të ishin pikëza shiu. Aty e kishte parë se dridhej e shkundej toka dhe pastaj në disa sekonda e gjitha qetësohej me një lëvizje të tmershme e të mistershme të një makinerie gjigante e të pakapshme plotësisht nga sytë e njeriut. Por, tashmë ky mision ishte i paparë ndonjëherë. Ishte ndoshta më i riu në këto rrjedha mendore të njeriut. Ishte i frikshëm. Një prekje e dorës nga fijet e barit të infektuar të krijonte djegie, dhe kjo djegie, në çast, do të bëhej baza e një infeksioni që kapte mijëra e mijëra frymorë në të qindtat e sekondës. Birbës iu kujtuan shënimet në letër, pastaj shtrydhi trurin të rilexonte ato që kishte fiksuar në memorje. Fundja jo më kot e kishin përzgjedhur si më të besuarin e atij misioni.
Ndërkohë si në një ekran të pastër e me një xham kristal ndjeu se shihte një botë tjetër. Plotë llustra. Plotë reklama. Bota ishte ndryshe. Shkëlqente në xham, por në atë bllok, në letër ishte një botë tjetër. Mes pamjeve të ndryshme, që i riprodhonin sytë me ndihmën e trazuar të mendjes iu shfaqën të gjitha format e shkrimit duke filluar që nga proto-shkrimi, sistemet e simboleve ideografike, ose të hershme mnemonike, simbole, shkronja që e bënin herë më të lehtë kujtimin e tyre, e herë më të trazuar. Pastaj kapi me cipalin e ngarkuar të mendjes se kur përmbajtja e një thënieje gjuhësore është më e koduar në mënyrë që një lexues tjetër të mund të rindërtojë, me një shkallë të drejtë saktësie, thënien e saktë të shkruar, është një zhvillim i mëvonshëm, që mbetet tek shkrimi i vërtetë, që shmang kodimin e fjalëve dhe shtesave gramatikore, duke e bërë më të pamundur rindërtimin e kuptimit të saktë të synuar nga ekzistenca, përveç nëse dihet paraprakisht një pjesë e madhe e kontekstit. Dhe ky Manual i ngjante kuneiformës, njërës prej formave më të hershme të njohura të shprehjes së shkruar.
Nga shkronjat dhe grija që i frynte ato, nga qasja e kundërt me përballjen anësore të jeshilnajës, aty shkrimi i ngjante si një pllakë e artë, e shestuar ku përveç shkronjave dhe shifrave, hareshëm dhe lirshëm, pandjeshëm dhe vrullshëm, mund të kërcejnë vitet e vjetra, vitet e lodhura me mentalitete. Në atë Manual iu duk se edhe trëndafilat alarmojnë ajrin, flokët e bardhë kthehen në të zeza të ngjeshura, rrudhat tejfryhen, të gjitha nuk pushojnë së dehuri, gjithçka fluturon përsëri në ajër dhe rikthehet në farë, si pluskat e luleje të përtharë, që i ikin vdekjes, vrapojnë drejt fillimeve të tyre, diejt lindin në qiejt e paracaktuar nga krijuesi dhe perëndojnë në trille të lavdishme, hënat hanë veten e tyre në sofrat e tryezat e mistershme kundër zakonit, të gjitha dhe gjithçka mbështillen dhe mbesin mbështjellur njëra me tjetrën si ngrehinat me lodra fëminore, karkalecat kërcejnë jo më vallen e tyre, gjithçka dhe gjithçka kthehet në zvaritëse dhe jeta zvaranike u pëlqen të gjithëve, sitja e farës kalon nga vrasja e gjelbër, deri në kohën, kur ti nuk e percepton më kohë para fillimit të leximit. Një shkundje e lehtë e gjumit të buzëmbrëmjes, një dremitje e lehtë mund të ti fshijë të gjitha.
„Ndaj kujdes, kujdes me aparaturat që keni me vete. Ato janë në gjendje të diktojnë barërat dhe barishtet e infektuara.“ – foli njëri prej tyre, sigurisht për të nëkuptuar se ai nuk kuptonte asgjë.
„E habitshme.“ Birba mori frymë, drita e llambushkës së sinjalit të njërit prej aparatëve kryesorë dha shenjën e panjohur. „Një aparaturë që lexon kahun e kundërt të kohës.“ Ai tundi kokën. „Të bën të mendosh, nëse ditëlindja e gjyshes më të vjetër në botë ishte festuar në ambientet e Presidencës. Falë Zotit kishte ngrënë tortë me një mbishkrim të larë në germa ari dhe kishte qarë mbi fotografinë e bërë palë me sheqerosjen, pasi kishte qenë fotografia e saj një ditë para martesës. Ajo qau edhe pse nuk i kishin treguar se kush ishin kandidatët e përzgjedhur për President të vendit.“
„Bukur, edhe pse u trishtua“, foli nipi i saj që tashmë ishte dhe ai pjesëtar i këtij misioni. „Ne jemi me fat që ajo u mërzit, se ndryshe do të kishim gdhirë një javë në departamentin e emergjencës, pasi ajo do të kishte thyer një shishe me vodka. Ka një anti-mirësi gjithnjë njeriu, një mërzitje, një nevrikosje, një urrejtje, një kundërshti që i shkon përshtat e përkrah, jo pak në momente të ndryshme të jetës. Nëse ajo do të ishte dehur, dajat e mi do të kishin ikur dhe kështu të gjithë pas tyre. E do të ishte zbrazur ditëlindja, ndoshta ajo më e rëndësishmja për gjyshen time. Dajat do të thoshin se ata do të harronin më një grua kaq të moshuar, që nuk e hoqi këtë zakonin e pijes, qëkur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Ne u thirrëm këtu jo me shaka, por erdhëm duke menduar se kjo do të ishte shaka. Si puna e këtyre shkuljeve të barit të infektuar. Gjithçka për të cilën duhet të shqetësoheni është…“.
Është…, është…, futja kot. Është duke pastruar livallin e infektuar," e përfundoi Birba, duke e lënë ndryshe atë bisedë, që ndoshta nuk ishte ndonjë kërshëri, apo fundja ndonjë shqetësim për të, pasi menjëherë ndjeu diçka që e kishte lexuar në një njoftim publik, para se të vendoste të bëhej palë në atë kontratë:
„Një gjëmbaç. Gjëmbaç rënor, përbindëshi më i pabesueshëm në historinë e këtyre infektimeve. Nëse rëra është e ndotur me lëndë të tilla të padukshme, ajo mund të strehojë këto larva. Pasi të piqen, larvat mund të hyjnë në lëkurën tuaj kur ecni zbathur në rërë të infektuar. Përafërsisht tetë deri në 21 ditë pas një infeksioni, larvat do të depërtojnë në mushkëri, do të ngjiten në fyt dhe më pas do t'i gëlltisni. Nënshkruani këtë njoftim. Çdo gjë qw do t'ju ndodhë, ne nuk jemi përgjegjës. Ata lakmiqarët janë të uritur."
Birba u skuq me inat. „Jeni duke u përpjekur të më trembni!"
„Sinqerisht, po. Ne nuk duam që dikush të shkojë në panik me të infektuarën e parë. Gjashtë vullnetarë të mëparshëm e pësuan menjëherë, një grup tjetër specilistësh për njëzetë e katër orë u paketuan dhe u dërguan në botën tjetër. Ne jemi këtu për t'ju dhënë emocionin më të madh që një përkushtues i vërtetë ka kërkuar ndonjëherë, duke ju udhëtuar mbrapa gjashtëdhjetë milionë vjet për të bërë lojën më të madhe në të gjitha kohërat. Çeku juaj personal është ende aty. Shqyejeni atë, zotëri i financës, dhe pastaj bëj një hap para. Zotëria i Financave e pa në sy, pastaj menjëherë shikoi çekun. Gishtat e tij u shtrënguan sikur donin ti nxirrnin zorrët ndonjë grabitqari të paparë ndonjëherë.
„Paçi fat,“ tha kryesuesi zyrtar i misionit.. „Zoti Birba, ai është i gjithi juaji.“
Ata lëvizën në heshtje nëpër atë mjedis të ngarkuar me gjëra të shumta, duke marrë paisjet me vete, drejt asaj makinerisë që ishte ndërtuar fshehurazi për atë mision, më saktë drejt asaj makinerie të ndërtuar prej argjendi dhe që dallohej prej dritës tipike të saj dhe mekanizmit të saj të zhurmshëm.
Fillimisht një ditë, dhe pastaj një natë, dhe pastaj një ditë dhe pastaj një natë, pastaj ishte ditë-natë-ditë-natë. Një javë, një muaj, një vit, një dekadë! Pas Krishtit 2055. Pas Krishtit 2019. 1999! 1957! Iku! Makina gjëmonte. Ata vendosën helmetat e tyre të oksigjenit dhe testuan telekomandat.
Birba lëkundej në ndenjësen e mbushur me pambuk të pastër dhe me shtresë sfungjeri, me fytyrën e zbehtë, me nofullën e ngurtësuar. Ndjeu dridhjen në krahët e tij dhe pa poshtë duke shtrënguar duart e tij në thupkën e re të makinës. Në makinë ishin edhe burrat e tjerë. Kryesuesi zyrtar i misionit., ndihmësi i tij, Agoni, dhe dy rinoshë të tjerë, Bedushi dhe Kurmi. Ata u ulën duke parë njëri-tjetrin dhe vitet u ndezën rreth tyre.
Ishin të zbathur gjurmët, pasi dhe këmbët do të kishin qenë të tillë. Çfarë viti i përkisnin? Me siguri ndonjë nga ato vitet ku njerëzit ende votonin, ende ëndërronin, ende përzgjidhnin dhe ende përcillnin. Në kalendarët që kishin me vete nuk shfaqej ndonjë vit konkret. E vërteta ishte që kohën nuk duhet ta dinin dhe më shumë se kaq koha nuk duhej të ishte në mendjet e tyre. Fundja a mund të ftohej një mendje që shkonte me vullnetarizëm drejt vdekjes nga një kalendar? Nëse kalendarët kishin mbetur aty, mund të thuhej mendërisht se rastësia ishte që janë gjendur. Se ndryshe, ndryshe askush nuk mund të mbante sytë e jo më mendjen tek ato kalendarë që të nënshkruante kohërat që kishin kaluar aty në mes të atyre gjëmbaçëve, që kishin filluar të bëjnë gjëmën.
Makina bërtiti në pakohë. Koha e vërtetë ishte një fiksim në retinë, një shkrepje e një gjëmbaçi, që ishte i drejtuar prapa asaj që konsiderohej se mbante tërë atë që u duhej për ushqim. Ndërsa gjëmbaçi filloi të ngrente krye, dielli u bë në copëza. U krijuan qindra diej. Pastaj diejtë që pa syri i Barbës ikën diku në padukshmëri dhe u shfaq errësira. Pas errësirës disa milionë hëna u shfaqën dhe ikën pas tyre. „Mendoni,“ tha Birba. „Çdo vullnetar që ka jetuar ndonjëherë do të na kishte zili sot. Kjo e bën këtë zonë të jetë një parajsë, ndoshta akoma nuk e kemi kuptuar.“
Makina u ngadalësua. Ulërima e saj ra në një gjëmbaçëri të madhe. Makina ndaloi. Edhe në qiell gjithshka kishte ndaluar.
Mjegulla që kishte mbështjellë makinën shpërtheu para syve si një tullumbac gjigand gri dhe ata ishin kthyer në një kohë të vjetër, vërtet shumë të vjetër, të gjithë murmurisnin, shushuritnin, dhe vetëm kaq. A ishin më njerëz?
Atje po ndodh diçka? Ai nuk është zgjedhur akoma. Atje po ndodh një dhimbje e madhe. Më e madhe se ikja e Krishtit. Më e madhe se vdekja e Pejkamber Muhamedit. Më e madhe se të gjitha vdekjet. E ku ka lotë më të mëdha se ato që varen atje nën hundë? Nuk e di se si e kanë fatin piramidat në kufi? Nuk e di si shkojnë kooperativat? Nuk e di?
Pastaj fshiu sytë dhe ata e udhëtuan në një shteg metalik që zbriste në ish-fushën e gjelbër, ku mbi të ishte grumbulluar mbi një moçal të gjerë e të gjatë, midis fiereve dhe gjëmbaçëve gjigandë.
„Dhe kjo,“ tha kryesuesi zyrtar i misionit., „është rruga, që është çarë me shpatë në dorë, historia e saj është e shkruar gjashtë mijë metra nën tokë. Atje nuk vjen ky lloj infektimi. Ore nuk shkon asnjë infektim si ky atje. Madje dhe në këtë moçal infektimi nuk prek aq shumë, sa prek një teh bari, lule ose pemë. Është një ngrehinë moderne kundër gravitetit. Qëllimi është t'ju mbajë të mos prekni këtë botë të së kaluarës në asnjë mënyrë. Qëndroni në rrugë. Mos u largoni nga njëri-tjetri. E përsëris. Mos u largoni. Për çdo arsye! Nëse ndodh që dikush largohet, ikën apo dezerton, ka masa të pashkruara, ah se desh harrova masa që kanë qenë të strukura diku në atë sekretin nëntokë. Dhe mos shkulni asnjë gjëmbaç që nuk e dikton makina si të infektuar.“
„Pse?" pyeti Birba.
Është një histori e vjetër. Ata u vranë për këtë tokë të lashtë dhe u bënë thirrje e pathirrje e fluturakëve. Thirrjet e zogjve të largët kanë zbuluar se këtu ka një erë dhe era vjen si ajo aroma e katranit, si dallgët e një deti të kripur, si grahma e një tufe të vjetër, bari i lagësht kundërmon dhe vetëm natën mbijnë lule me ngjyrë gjaku.
„Ne nuk duam të ndryshojmë të Ardhmen. Ne nuk i përkasim këtu të kaluarës. Qeveria nuk na pëlqen kështu. Ne duhet të paguajmë për këto sekrete të mëdha dhe për të mbajtur këtë si ekskluzivitetin tonë. Makina e kohës është një biznes i vështirë. Duke mos ditur ne mund të vrasim një bimë të rëndësishme, një zhardhok të vogël, një trëndafil të egër, madje edhe një lule pllaje, duke shkatërruar kështu një lidhje të rëndësishme në një botë që po zvogëlohet nga sytë e njeriut dhe që ne na duket gjithnjë në rritje."
Makina ulëriu. Gjëmbaçët u mblodhën një grusht. Nuk dihet sa vite u duheshin që të bëheshin të tillë.
„Shikojini“, tha Birba, „dhe hapni sytë, rrini zgjuar. Dhe kur bëhen shuk, dihet fundi i tyre. Infektimi ua zverdh trupin. Dhe ky është fundi.
Kryesuesi zyrtar i misionit u shkund menjëherë dhe foli... Foli. Dhe ti na flet për … Na flet të qëndrojmë zgjuar për kohën e padëgjuar, me këta trupa gjëmbaçësh të zverdhëruar?!
Birba ndërhyri menjëherë. Jo, ne tani po mundohemi të qëndrojmë zgjuar. Ky vend duhet shpëtuar. Boll jemi infektuar.
Ne mund të zgjohemi një ditë. Ne mund të zgjohemi…
Comentários